Në thelb | Zgjedhjet 2017 | Politika

Shembja e bastioneve politike

Nga - 19.06.2017

Ndryshime në trendin e votimit në Ferizaj, Kaçanik dhe Fushë Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nxjerrë rezultatet preliminare të cilat tregojnë se në nivel nacional ka ndryshim të renditjes së partive politike. LDK për herë të parë në historinë e saj si parti politike ka rënë në vendin e tretë. Koalicioni PDK, AAK dhe NISMA (PAN) u rëndit i pari për nga përqindja totale, ndërsa nëse llogaritet se Lëvizja Vetëvendosje ka garuar si parti e vetme në këto zgjedhje ajo del partia më e votuar në vend, në bazë të votave.

Nga 99.72 përqind të votave të numëruara nga KQZ, koalicioni PAN prinë me 34.13 përqind, Lëvizja Vetëvendosje me 27.12 përqind dhe koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa (LAA) me 25.71 përqind.

Ajo se çfarë tregojnë këto rezultate është që në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, në disa nga qytetet e Kosovës, qytetarët kanë ndryshuar votat e tyre drastikisht. Në të kaluarën, ka pasur rezultate zgjedhore ku parti të caktuara kanë fituar vazhdimisht në ato komuna, e që kjo ka bërë që ato të cilësoheshin edhe si bastione të atyre partive. Por zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar llogaritjet e partive politike për marrje të lehtë të votova. Dhe kjo vie në pah posaqërisht në komunën e Ferizajit, Kaçanikut dhe Fushë Kosovës.

K2.0 ka vizituar këto komuna për të biseduar me qytetarët atje, dhe për të kuptuar më tej se si e shohin ata këtë ndryshim, çka presin nga kjo rritje e votave për opozitën, respektivisht Vetëvendosjen, dhe se a mendojnë që do të reflektojë rezultati i 11 qershorit edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

Bardh Morina, Ferizaj. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Zejne Zejna, Ferizaj. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Shkendije Ramadani, Ferizaj. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Bedri Sojeva, Ferizaj. Photo: Agan Kosumi / K2.0.

Ferizaj

Deri më tani, komuna e Ferizajt gjithnjë është udhëhequr, ose nga LDK ose nga PDK. Kjo e fundit ka udhëhequr me komunën e Ferizajt për dy mandate gjatë periudhave kohore 2007-2011 dhe 2011-2013. Ndërsa që nga zgjedhjet lokale të 2013-ës, Ferizaj udhëhiqet nga LDK-ja

Megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme këtij viti e pozicionuan LDK-në me partnerët e tyre të koalicionit në vendin e tretë me 29.85 përqind, koalicionin PAN në vendin e dytë me 30.49 përqind. Derisa në këtë komunë Lëvizja Vetëvendosje është ajo që prinë me 34.86 përqind të votave.

Dy koalicionet parazgjedhore kanë humbur vota në dallim prej zgjedhjeve të kaluara, ku kishin fituar më shumë vota madje si parti të vetme dhe pa nevojën e koalicioneve dhe partnerëve. Rënien më të madhe e ka pësuar LDK. Në zgjedhjet përgjithshme të vitit 2014, në Ferizaj, LDK ishte partia e parë me 33.21 përqind të votave, e ndjekur nga PDK me 31.04 përqind, e në vend të tretë ishte Vetëvendosje me 16.37 përqind  e cila pasohej nga AAK që pati 7.60 përqind.

Si i vetmi subjekt politik, që ka shënuar rritje të votave në zgjedhjet e tanishme në këtë komunë, Vetëvendosje ka arritur më shumë se dyfishimin e votave nga zgjedhjet e kaluara parlamentare.

‘Ky disponim është shëndrruar në votë për ndryshim, në votë për ndëshkim e votë për zhvillim’’.

Bardh Morina

Me mbi 100 mijë banorë, Ferizaj llogaritet si një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të vendit. Mirëpo, papunësia mbetet një nga problemet kryesore të kësaj komune. Edhe planifikimi urban në Ferizaj është cilësuar si një nga sfidat për të cilat duhet gjetur zgjidhje.

Bardh Morina, student i stomatologjisë nga Ferizaj, beson se rritja e LVV-së në Ferizaj është e njëjta logjikë e rritjes së saj në gjithë Kosovën. Ai thekson se kjo rritje nuk ka qenë shumë e befasishme për të, pasi që, në diskutime të mëparshme ka arritur të shoh disponimin e njerëzve që duan t’i ndryshojnë rrethanat politike në vend.

Morina tha për K2.0 se kjo ka ardhur nga dëshira që kanë të rinjtë për të ndryshuar gjendjen e përgjithshme në vend, dhe se e vetmja befasi, sipas tij, është përkrahja dhe vendimi i më të moshuarve për të ndryshuar qasjen karshi partive politike. Ndryshimi i pushtetit, i qasjes ndaj pushtetit dhe dëshira për një qeverisje ndryshe, për Morinën, janë komponenta që kanë ndikuar në dyfishimin e  votave të Vetëvendosjes.

‘‘Ky disponim është shëndrruar në votë për ndryshim, në votë për ndëshkim e votë për zhvillim’’, tha Morina.   

Edhe Bedri Sojeva nga Ferizaj, ka të njëjtin mendim. Sipas tij ‘‘rinia është e orientuar nga Vetëvendosje’’ dhe kjo ka ndikuar në rezultat. Por në këto thotë se të kenë ndikuar edhe qeverisjet e mëhershme me mospunën e tyre. Ky ‘‘ndryshim’’, sipas tij është i domosdoshme të përcillet duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik.

Bardh Morina në anën tjetër thotë se vota që Vetëvendosje morri më shumë ishte për ndryshime në qeverisjen nacionale dhe se ka dyshime nëse do të jetë votë edhe për qeverisje lokale, për shkak të organizimit lokal të tyre.  

‘‘Organizimi i këtij subjekti në nivel komunal është jo i kënaqshëm, për çka s’mundemi me thënë edhe për organizimin e strukturave në nivel qendror, dhe se kjo besoj që do të luaj rol të rëndësishëm për zgjedhjet lokale’’, thotë ai. Por, ai beson se kjo mund të ndryshojë, nëse me afrimin e zgjedhjeve lokale rritet edhe organizimi i strukturave lokale dhe me një fushatë të tillë siç ka qenë për zgjedhjet nacionale.

‘‘Rezultati i 11 qershorit besoj që do të reflektojë dhe do të ndikojë që të bëhet organizim më i mirë, të ofrohet një kandidat më i përgatitur, të arrihet një bashkëpunim më i mirë me qytetarët, si dhe shfaqja e plan programi [atëherë] mund të ripërsërisin këtë rezultat’’, thotë Morina.    

Shkëndije Ramadani e cila punon si shitëse në një dyqan fustanash, nuk beson ndërkaq se –  përkundër faktit që vota për Vetëvendosjen në Ferizaj është bërë që të arrihet një ndryshim i përgjithshëm – ndyshimi i kërkuar do të mund të arrihet me LVV. Ajo thotë se ka dyshime të mëdha për LVV dhe se ky subjekt politik, sipas saj, më shumë i ngjanë në organizatë jo-qeveritare se sa në një parti të mirëfilltë politike.  

Zejnë Zejna është një tjetër qytetar nga Ferizaj dhe tregon se është votues i PDK-së. Ai thotë se nuk është i befasuar me  rritjen e Vetëvendosjes në gjithë vendin. Ngase sipas tij, ka një zhgënjim të madh në mesin e qytetarëve, sidomos me qeverisjen e fundit në mes PDK-së dhe LDK-së dhe me problemet që e përcollën atë qeverisje. Sipas Zejnes, do jetë problematike që të formohet qeveria e re, prej kujtdo qoftë. Ai beson se do të ketë një bllokadë të re institucionale, e cila do të duhej të parandalohej përmes ndonjë marrëveshje sa më të shpejtë në mënyrë që të vazhdohet përpara. 

Behar Tafili, Kacanik. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Jusuf Rakaj, Kacanik. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Zyrjete Dema, Kacanik. Photo: Agan Kosumi / K2.0.

Kaçanik

‘‘Bastioni’’ historik i PDK-së, komuna e Kaçanikut ka shënuar ndryshim të madh pas këtyre zgjedhjeve. PDK tradicionalisht ka qenë fituese në Kaçanik, si në zgjedhje lokale (ku udhëheq me komunën tash e 17 vjet), ashtu edhe në ato të përgjithshme.

Por këtë vit, nga 99.88 përqind të votave të numëruara në Kaçanik, Vetëvendosje del të jetë partia e parë me 37.80 përqind të tyre, koalicioni PAN e dyta me 37.52 përqind dhe koalicioni LDK,AKR, Alternativa e treta me 22.71 përqind. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në këtë komunë, PDK si e vetme kishte marrë 40.34 përqind të votave, e ndjekur nga LDK me 21.56 përqind si dhe Vetëvendosje me 18.46 përqind.

Në këtë komunë Vetëvendosje është rritur për afro 50 përqind nga zgjedhjet e kaluara, ndërsa koalicioni i PDK-AAK-NISMA ka marr diç më pak se që kishte marr PDK e vetme në vitin 2014.

Behar Tafili, qytetar i Kaçanikut, insiston se të rinjtë po kërkojnë ndryshim të politikave dhe të figurave politike dhe se duhet të bëhet ky kapërcim, ku figura të reja do të udhëheqin.

Kaçaniku ka mbi 30 mijë banorë dhe sipas kryetarit të saj aktual Besim Ilazi përballet me papunësinë si problemi kryesor i kësaj komune. Në raporte të organizatave jo-qeveritare është potencuar edhe ndotja e ambientit në komunën e Kaçanikut si një ndër shqetësimet që duhet gjetur zgjidhje.

Behar Tafili nga Kaçaniku, i cili është veteran i luftës së fundit, thotë se ‘‘puna ka vendosur që të ndodh ky ndryshim’’. Humbjen që PDK e ka pësuar në atë që dikur cilësohej si bastioni i saj, Tafili ia atribuon mospunës së qeverisjeve të mëhershme (komunale dhe qendrore) dhe vazhdon duke thënë se partitë politike do ta kenë më të vështirë tash e tutje sepse, siç shprehet ai, ‘‘rinia janë kthjellë ’’ dhe duan të shohin punë konkrete.

Ai insiston se të rinjtë po kërkojnë ndryshim të politikave dhe të figurave politike dhe se duhet të bëhet ky kapërcim, ku figura të reja do të udhëheqin. E kjo sipas tij, duhet të bëhet për shkak se figurat e ‘‘vjetra’’ politike janë të shpenzuara tashmë.   

Mirëpo, Jusuf Raka, pronar i një dyqani të vogël në qendër të qytetit, thotë se ky nuk është një ndryshim real – duke përmendur dallimin e votave në mes të Vetëvendosjes dhe PDK-së në Kaçanik e që është diku 30 vota në total. Ai thotë që është votues i LDK-së dhe beson se do të duhej të ndodhin ndryshime, por se nuk e di nëse ky mund të jetë ndryshim. Ai më tej thotë se duhet të pranojmë se ka sinjale se gjërat janë duke lëvizur, mirëpo për të kjo më shumë është një eufori se sa ndryshim real i situatës.

Ai beson se vota e 11 qershorit vjen për shkak se të rinjtë i kanë besuar fjalëve të Vetëvendosjes se do bëjë ndryshime të mëdha, duke përmendur pretendimet që ata bënë për arrestime ndaj atyre që kanë qeverisur deri më sot. Por, ai i sheh këto si premtime dhe zgjidhje që ofrohen por që nuk mund të realizohen. Ai më tej thotë se nuk beson se do të ketë ndryshime në nivel komunal të udhëheqjes.  

Tafili beson se tashmë është nisur një ndryshim dhe se kjo nuk mund të ndalet, e kjo do të shikohet edhe në zgjedhjet lokale. Këtë ai e bazon duke thënë se degët e dy partive PDK dhe LDK që kanë qenë në pushtet, kanë investuar shumë që të dalin të parat në Kaçanik, por që strukturat e Vetëvendosjes në Kaçanik edhe pse nuk kanë pas aspak mbështetje financiare kanë arritur të marrin një rezultat të mirë në këtë komunë.

Zyrjete Dema anën tjetër është e mendimit se mbajtja e pushtetit për 18 vite nga ana e PDK-së në Kaçanik ka bërë që vota në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti të shkoj ‘‘tjetër kah’’. Ajo thotë se ka qenë gjithmonë mbështetëse e LDK-së, por që beson fuqishëm se duhet të ndodhin ndryshime të mëdha dhe se kjo po vërehet nga insistimi që të rinjtë kanë për këtë. Demaj shprehet se shumë lehtë mund të ndodh që rezultatet në zgjedhjet lokale mund të jenë të ngjashme me ato të 11 qershorit, dhe si simpatizante e LDK-së nuk do ta ketë shumë problem këtë ndryshim në komunën e Kaçanikut.

Ejup Jashari, Fushe Kosove. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Fitore Lukaj, Fushe Kosove. Photo: Agan Kosumi / K2.0.
Fisnik Bajoku, Fushe Kosove. Photo: Agan Kosumi / K2.0.

Fushë Kosovë

Në zgjedhjet e 11 qershorit në komunën e Fushë Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka dal si partia më e votuar me 34.57 përqind të votave duke lënë mbrapa koalicionin LDK,AKR, Alternativa me 33.83 përqind dhe PAN-in në vendin e tretë me19.98 përqind.

Tradicionalisht, Fushë Kosova ka qenë e qeverisur nga LDK në nivel lokal. Edhe sot kryetar i saj është Burim Berisha nga kjo parti. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, LDK ishte partia e parë në këtë komunë me 34.66 përqind të votave totale, e ndjekur nga PDK me 22.97 përqind dhe Vetëvendosje me 17.15 përqind. AAK ndërkaq ishte e katërta me vetëm 6.14 përqind të votave, dhe duke u pasuar menjëherë nga AKR që arriti 4.98 përqind sosh.

Fisnik Bajoku, qytetar i Fushë Kosovës, beson se ky ndryshim është i rëndësishëm sepse më në fund elektorati nuk po voton për shkak të ‘‘traditës familjare të votimit’’, ata kanë filluar ta shikojnë atë se çka në fakt përfaqëson ajo parti.

Në  zgjedhjet e sivjetme partia e vetme që ka rritje është Vetëvendosje, e cila ka dyfishuar votat, ndërsa dy koalicionet: LDK, AKR, Alternativa dhe PAN kanë humbur vota.

Ejup Jashari është pensionist nga Fushë Kosova dhe shprehet i habitur nga ky ndryshim, mbase e vlerëson qeverisjen e LDK-së në nivel komunal si të sukseshme dhe nuk beson se do ketë ndryshime në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Fisnik Bajoku që ka një dyqan për shitje të materialeve shkollore, thotë se ndryshimi i renditjes së partive politike në Fushë Kosovë  është  bërë  për shkak të  ‘‘zhgënjimit të elektoratit të LDK-së për koalicionin e fundit me PDK-në’’.  Ai thotë se nuk beson se ndryshimi ka ardhur për çështje thelbësore si programet politike të partive, zgjidhjet që ofrojnë partitë për arsimin, shëndetësinë e ekonominë por kjo më shumë vjen për shkak të inatit të elektoratit të LDK-së ndaj strukturave udhëheqëse të kësaj partie për koalicionin e mëparshëm me PDK-në. Por ai beson se ky ndryshim është i rëndësishëm sepse më në fund elektorati nuk po voton për shkak të ‘‘traditës familjare të votimit’’, ata kanë filluar ta shikojnë atë se çka në fakt përfaqëson ajo parti.  

Bajoku thekson se kur bëhet fjalë për zgjedhje lokale duhet të merret parasysh se faktorë sikur përzgjedhja e kandidatit dhe organizimi i strukturave lokale luajnë rol kyç. Sipas tij, në qoftë se Vetëvendosje arrinë t’i bëjë këto sikurse në rastin e Prishtinës, atëherë edhe mund të ketë gjasa që të ketë udhëheqjen e komunës.

Fitore Lukaj, e cila punon në një filial per transferim monetar, thotë se tash e 18 vite kjo komunë nuk ka përjetuar ndryshime dhe se gjendja e tanishme e Fushë Kosovës ka bërë që të ketë ndryshime. Sipas saj, kjo mund të jetë arsyeja që LDK ka humbur vota në këtë komunë. Lukaj më tej thekson se duhet të ndryshohet gjendja e përgjithshme në vend, duke ndryshuar qeverisjen qendrore dhe kështu mund të ketë shpresë për ndryshim të situatës. Ajo beson se ky edhe mund të jetë shkaku që Vetëvendosje të dal fituese edhe nëpër komuna.

Megjithatë, se a do ketë ndryshime të ngjashme në zgjedhjet lokale në fund të vitit, mbetet të shihet. Por ajo që është e kjartë tani për tani është se elektorati ka ndryshuar dhe se partitë politike nuk mund të llogarisin në ‘‘votë tradicionale’’ nëpër ato që dikur quheshin si bastione të tyre. K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO