Në thelb | Media

Shkelje me bollëk

Nga - 23.10.2018

Paga të ulëta, mungesa të kontratave dhe praktika të papaguara ende prezente në mediat kosovare.

Përderisa po ndiqte vitin e dytë të studimeve në gazetari, Dardan Hoti përveç shqetësimit për mësimet, po mendonte edhe për gjetjen e një vendi të punës. Kjo e shtyu studentin e Universitetit të Prishtinës (UP), që në nëntor të vitit 2010 të drejtohet tek një gazetë ditore, që më nuk ekziston, të kërkojë një mundësi për ta sprovuar veten në gazetari.                         

Hoti, atëherë 21 vjeçar, arriti të angazhohej aty por vetëm si praktikant dhe pa pagesë.

Sipas tij, gjatë asaj kohe ai ‘‘punonte edhe më shumë se 9 orë në ditë’’ që tu dëshmonte punëdhënësve se ishte i aftë si gazetar dhe që të ngritej profesionalisht. Mundi i tij u shpërblye brenda një muaji, kur u pranua si punëtor i rregullt i gazetës. Hotit iu ofrua paga prej 150 euro në muaj, por jo edhe një kontratë pune. Pas tre muajve, ai filloi të merrte nga 10 euro shtesë dhe për nëntë muajt e ardhshëm paga më e lartë që morri ishte 250 euro.   

Në vitin 2012, Hoti kaloi në portalin “Indeksonline”, ku përveq se merrte rrogën e njëjtë dhe punonte pa kontratë pune, atij iu shtua edhe një problem tjetër kësaj here, të hollat i ipeshin kesh dhe jo përmes bankës. Ndërsa angazhimi i radhës për 15 muaj në gazetën “Tribuna” rezultoi në pagë prej 300 eurove, por të përcjellur me vonesa të shpeshta për muaj të tërë. K2.0 kontaktoi si “Indeksonline” edhe “Tribuna Channel” në lidhje me praktikat e tyre të punësimit në të kaluarën, por nuk japën përgjigje.

Gjatë tetë viteve përvojë në fushën e gazetarisë, Dardan Hotit i është dashur të ndërroj punën rreth pesë herë, e shpesh për shkak të pagave të ulëta apo të parregullta. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Problemet me të cilat është përballur Hoti gjatë karrierës së tij — pagat e ulëta, vonesat e tyre, mungesat e kontratave apo edhe mosrespektimi i tyre — janë vetëm disa prej shkeljeve me të cilat përballen shumica e gazetarëve aspirues dhe profesionist në Kosovë.

Për Hotin, i cili sot është i angazhuar si producent në televizionin RTV Dukagjini, përvojat e kaluara e kanë bërë shpesh të dyshoj në profesionin e tij.

“Kur e kritikon një politikan apo biznesmen që i shkel të drejtat e punëtorëve, por në të njëjtën kohë edhe ti je tu u përballë me atë gjendje, çka i bie kjo?”  

Ai kujton një intervistë për një artikull ku kishte sfiduar një pronar biznesi se deri në çfarë mase i respekton të drejtat e punëtorëve. Pronari i ishte përgjigjur: “E ti, a ki kontratë?”

Praktikat e tej shfrytëzuara, kontratat pothuajse inekzistente

Keqtrajtimi dhe mos respektimi i të drejtave bazike të punëtorit për shumicën e gazetarëve fillon menjëherë në prag të angazhimit të parë, kur shumica e fillojnë profesionin si praktikantë. Këto ndodhin edhe përkundër rregullimit me ligje e marrëveshje.

Për shembull, sipas Ligjit të Punës të miratuar në vitin 2010, puna praktike e praktikantit me përgatitje pasuniversitare, universitare dhe të lartë mund të zgjasë më së shumti një vit; ndërsa e atyre me shkollim të mesëm mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj. Praktikantët duhet të pajisen me kontratë dhe të evidentohen në listën e punëtorëve që nuk kompensohen me pagë.

Ata po ashtu kanë të drejtë për qasje në beneficione të tjera, si siguria në punë dhe kushte të përshtatshme. Ndërkohë, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e vitit 2014 parasheh që në fund të praktikës të ‘‘mbahet provimi i praktikës’’, që përmban “testimin e njohurive profesionale nga lëmia e punës, për të cilën është aftësuar praktikanti’’.

Por aspekte të tilla të ligjeve dhe marrëveshjeve rrallë herë gjejnë implementim në praktikë. Për 25 vjeçaren Arta* nga Vushtrria, e cila kishte filluar punën si praktikante në një portal online në vitin 2016, thotë se nuk iu ofrua ndonjë kontratë pune edhe pasi kishin kaluar pesë muaj të angazhimit aty. Ajo nuk kishte kaluar në asnjë nga hapat e paraparë nga ligji, puna e saj nuk ishte monitoruar nga asnjë mentor dhe nuk kishte marrë asnjë dokument vërtetimi për 11 muaj të angazhimit si praktikante gjatë dy periudhave kohore të ndryshme.      

Shumë profesionist të fushës mendojnë që aspekte të tilla të ligjit — si angazhimi i praktikantëve pa ndonjë kompensim të pagës dhe të drejtave të tjera në marrëveshje me punëdhënësin — vetëm sa krijojnë hapësirë për pronarët dhe punëdhënësit medial t’i shfrytëzojnë praktikantët dhe gazetarët.  

“Ligji u mundëson të mbajnë dikë deri në gjashtë muaj, e në fund t’i thonë që ‘nuk po më pëlqen’ duke mos iu dhënë arsye pse nuk po i ndalin në punë”, ka thënë Zekirja Shabani për K2.0, i cili ka 14 vite përvoje pune si gazetar dhe së fundmi punon si redaktor në portalin online “Gazeta Infokus”. “Por nëse nuk ka qenë i aftë të kryejë punë për dy-tre muaj, pse e keni mbajtur më shumë?”

Qysh në angazhimin e parë si praktikantë, gazetarët përballen me mos respektim të të drejtave të punëtorëve. Shkeljet e ndryshme i ndjekin edhe në punësime të rregullta. Foto nga arkivi: Atdhe Mulla / K2.0 .

Në vitin 2017, Linda Gjokaj si e diplomuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe pas tri praktikave në mediume të ndryshme, vendosi të themelonte iniciativën “Pay My Intership” (“Paguaj Praktikën Time”), e cila ka për qëllim avokimin për praktika më kualitative në Kosovë.

Sipas Gjokajt, e cila më parë ka bërë praktikë tek K2.0, mediat zakonisht marrin më shumë praktikantë në kohë të verës kur një numër i madh i gazetarëve mund të jenë në pushime vjetore, apo edhe gjatë periudhave më të ngarkuara sikurse në kohën e zgjedhjeve.

”Deri më tash nuk ka pasur hulumtime, as raporte apo iniciativa që janë marrë me praktikën”, ka thënë Gjokaj. Tani, ajo së bashku me 15 kolegë janë duke mbledhur të dhëna nga intervistat me studentë, përfshirë atyre të gazetarisë, rreth përvojave të tyre me sektorin privat dhe atë publik, dhe deri në fund të vitit planifikojnë të publikojnë një raport me të dhënat e mbledhura.

Për Petrit Çollakun, drejtorin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), numri i madh i studentëve që diplomojnë për çdo vit në gazetari nga Universiteti i Prishtinës dhe nga universitetet private si AAB, UBT dhe Universum po ashtu i kontribuojnë kësaj situate. Për shembull, nga viti akademik 2014/2015, në Degën e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik kanë diplomuar mbi 300 studentë në nivelin bachelor dhe rreth 60 në atë të master.

“Kështu ata [punëdhënësit] ndihen se mund të thonë ‘ndaq bane, ndaq ec’, sepse e din që tjetri vjen me punu në këto kushte’’, Çollaku ka thënë, i cili përveq angazhimit në AGK ka edhe 11 vite përvojë si gazetar dhe redaktor.   

Mospërfillje të tilla ndaj të drejtave në punë i përcjellin gazetarët edhe me punësimin e rregullt, pa marrë parasysh përgatitjes së tyre apo përvojës ndër vite. Për shembull, mungesa e kontratave është praktikë tejet e përhapur në sektorin privat në përgjithësi, e poashtu edhe atë të gazetarisë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, 33 përqind e të rinjve të moshës 15 deri 24 vjeç punonin pa kontratë. Nga personat që kishin kontratë pune, 20 përqind kishin një kontratë të përhershme e cila sipas ligjit duhet të lëshohet për punonjësit që kanë pasur kontrata të njëpasnjëshme për 10 vite ndërsa 79 përqind kishin kontrata të përkohshme.

Në vitin 2016, Inspektorati i Punës (IP) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe merret me monitorimin e zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës si dhe sigurisë dhe shëndetit në punë — inspektoi specifikisht 34 media vetëm brenda Prishtinës. Nga 694 punëtorë të hasur në vendet e punës, 21 ishin pa kontrata pune.  

Inspektorati i shqiptoi vetëm tri gjoba, mbase sipas kryeinspektorit Basri Ibrahimi, institucioni që ai drejton ‘‘nuk e ka për qëllim që të dënojë bizneset por tu japim atyre kohë për përmirësimin e vërejtjeve që kemi’’.

Për kryeinspektorin Basri Ibrahimi, bizneset mediale i përdorin kontratat specifike, sepse me to mund të largojnë kur të duan gazetarët nga puna. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ndërkohë, ata kanë gjetur rreth 153 punëtorë të pajisur me kontrata për punë specifike, sipas të cilave një punëtor mund të punojë më së shumti 120 ditë brenda vitit. Por sipas Ibrahimit, ka pasur raste kur gazetarët me kontrata për punë specifike kanë punuar edhe më shumë se katër muaj.  

‘‘Ajo nuk është marrëdhënie pune”, ka thënë Ibrahimi. Ai mendon se bizneset i përdorin këto lloj kontrata sepse ‘‘mediat [me këto kontrata] mund të largojnë kur të duan gazetarët nga puna, dhe me anë të kësaj edhe i paguajnë më pak’’.  

Pagat e ulëta dhe të vonuara largojnë gazetarët

Ankesat dhe vërejtjet rreth kushteve të rënda në të cilat punojnë gazetarët përsëriten vit pas viti, qoftë nga gazetarët apo hulumtuesit e gjendjes së mediave në përgjithësi. Raporte të ndryshme tregojnë se paqëndrueshmëria financiare e mediave, mungesa e sigurisë fizike dhe financiare, shpesh i shtyejnë gazetarët ta lënë profesionin dhe të gjejnë punë në fusha të tjera.   

Ka pak të dhëna të sakta ose të besueshme për gjendjen financiare të gazetarëve, pjesërisht për shkak të natyrës sporadike të kontratave që lëshohen. Në dhjetor të vitit 2016, AGK ka publikuar një raport që në fokus kishte matjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në përgjithësi. Nga 50 gazetarë dhe redaktorë të intervistuar si pjesë e hulumtimit, ka dalë se paga mesatare për gazetarë sillet ndërmjet 200 dhe 500 eurove në muaj.

Shuma e pagave të 50 gazetarëve dhe redaktorëve të intervistuar nga AGK, për raportin e vitit 2016.

Këto shuma janë pak më të larta se paga minimale dhe se mesatarja në Kosovë, mbase sipas ASK-së paga minimale për personat nën 35 vjeç është 130 euro në muaj dhe 170 euro në muaj për ata mbi këtë moshë, ndërsa paga mesatare është 363 euro në muaj.

Sidoqoftë, vetë gazetarët, veçanërisht ata që punojnë në një mori portalesh në Kosovë, kanë sugjeruar që shifra të tilla janë larg realitetit.

Çollaku nga AGK, gjithashtu mendon që shifra e pagës së gazetarëve nga hulumtimi i tyre nuk përkon plotësisht me realitetin, sepse si mesatare është e ndikuar nga pagat e redaktorëve të raportuara nga 600 deri në 900 euro në muaj, si dhe nga pagat më të larta të raportuara nga gazetarët e radio-televizionit publik, RTK. Sipas tij, pagat realisht sillen më shumë afër asaj minimale, me 200 euro në muaj.

Besiana Kasniqi, e cila ka 12 vjet përvojë në gazetari nuk sheh ndonjë ndryshim në këtë drejtim. Ajo ka filluar profesionin si praktikante në “Radio Televizionin 21” (RTV 21) në vitin 2006, dhe pas dy muajve angazhimi kishte nënshkruar kontratën e parë më pagë prej 200 eurove. Përderisa kishte punuar për 11 vite dhe herë pas here kishte pasur rritje rroge si dhe për shkak të motivit profesional, si shumica e kolegëve të saj në atë situatë, ajo po ashtu mbështetej në ndihmë financiare nga familja në mënyrë që të paguante shpenzimet jetësore, si qiranë, apo edhe studimet.   

‘‘Në atë moshë, kur e do profesionin dhe mendon se do të arrish diçka nuk është se i jep edhe shumë rëndësi pagës’’, ka thënë Krasniqi. Por atë e brengos fakti se 12 vite më pas, eksperiencën e saj po e kalojnë ende gazetarët e rinjë, të cilët po përballen me përvoja të ngjajshme.

Pagat e ulëta janë vetëm një pjesë e këtij problemi, mbase në plot raste ato përcjellen edhe me vonesa të vazhdueshme

Një situatë të tillë e kujton edhe gazetari Hoti, i cili tregon se si gjatë pesë viteve të para të karrierës ka pasur vështirësi që ta paguaj qiranë e banimit apo të përballojë pagesën e nevojave bazike për jetesë.  

‘‘Është dashur me marr borxh për me pagu borxhin’’, ka thënë ai. “Nuk e mbaj mend kur për një periudhë, kam qenë me vetëm një vend të punës”.

Pagat e ulëta janë vetëm një pjesë e këtij problemi, mbase në plot raste ato përcjellen edhe me vonesa të vazhdueshme e që në fakt pothuajse janë bërë pjesë e pandashme e përvojave të gazetarëve. Në diskutimet e vazhdueshme të gazetarëve, përpos vonesave, shpesh përmenden ankesat për transferimin e pagave pjesë-pjesë brenda muajit.  

Një ndër ankesat e para e që bëri bujë në publik në këtë drejtim ishte në dhjetor të viti 2014, kur Zekirja Shabani nga “ Gazeta Infokus”, e që në atë kohë ishte redaktor i ekonomisë në gazetën “Tribuna “, doli me reagim kundër praktikës së vonesave të pagave ndaj tij dhe kolëgeve të tij në mediumin ku punonte, por edhe ndaj asaj si dukuri e përhapur në përgjithësi. Më pas, Shabani — i cili atëherë ishte po ashtu kryetar i AGK-së — pretendoi se pronari e kishte sulmuar fizikisht për shkak të deklarimit të tij publik dhe që si rezultat edhe i ishte shkëputur kontrata.

Me përvojë 14 vjeçare në profesionin e gazetarisë, për Zekirja Shabanin nuk janë përmirësuar kushtet e punës së gazetarëve ndër vite. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në dhjetor të 2014-ës, Shabani e kishte lajmëruar rastin në polici.‘‘Prej asaj kohe as nga prokuroria, as nga policia dhe as nga gjykata nuk kam marrë ndonjë thirrje’’, ka thënë ai.

Policia e Kosovës tha për K2.0 se rasti është klasifikuar si një “kërcënim” dhe është përcjellë në Prokurorinë Themelore më 12 dhjetor të atij viti. Prokuroria Themelore i tha K2.0 se vendosën të heqin akuzat penale në korrik 2017, megjithëse pranuan se ata nuk e kishin njoftuar Shabanin për atë zhvillimin.

Përkundër kësaj, Shabani thotë se nuk është pishman që ka ngritur zërin atëherë. “Si mund të angazhosh dikë me punë kur e di se ai person nuk po paguhet?”, ka thënë ai. K2.0 ka kontaktuar edhe me Sejdi Demirin, pronar i “Tribuna Channel”, por ai nuk është përgjigjur as në email e as në telefon.   

Rishtazi, kritikat ndaj shkeljeve të të drejtave në punë dhe praktikave të tilla kanë filluar të shprehen në mënyrë më të zëshme nga punëtorë të mediave. Kjo duke përfshirë jo vetëm vonesat në paga, por edhe të drejtës në pushim vjetor apo mjekësor, kompenzimin e punës jashtë orarit, apo edhe kryerjen e obligimeve të kontributeve. Në dy vitet e fundit, ka qenë posaqërisht rasti me “Tribuna Channel” që ka dominuar në këtë drejtim.

Rasti filloi në nëntor të vitit 2016, kur gjashtë kameramanë të këtij televizioni ishin drejtuar tek AGK-ja me ankesa se nuk iu kanë paguar tri pagat e fundit. Asociacioni i gazetarëve ankesat i kishte dërguar në Inspektoratin e Punës dhe këta të fundit me 16 nëntor të atij viti kishin konstatuar shkeljet dhe kishin kërkuar nga mediumi që t’i kryej obligimet ndaj punëtorëve.

Përkundër ankesës së“Tribuna Channel” ndaj vendimit të IP-së, me 27 janar të vitit 2017, inspektorati e bëri të plotëfuqishëm vendimin e tij dhe kërkoi që të kryheshin obligimet ndaj kameramanëve.

Por vendimi i tillë nuk u përfill nga mediumi. Kjo shtyri që gjashtë kameramanët të kërkonin që vendimi të zbatohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe u përfaqësuan nga avokati Naim Spahiu. Gjykata e mbështeti kërkesën, por “Tribuna Channel” e ka dërguar rastin në Gjykatën e Apelit, ku sipas avokatit pritet vendimi deri në fund të vitit.

Pretendime se ky medium u ka mbetur borxh gazetarëve pati edhe në korrik të këtij viti, kur portali “Insajderi” raportoi për rreth dhjetëra gazetarë, moderatorë, redaktorë e producent që lëshuan punën për shkak borxheve në paga apo vonesave të tyre, si dhe për mos pagim të trustit pensional.  

Por përkundër disa rasteve pozitive të gazetarëve që kanë fillu me i adresu shkeljet në vendin e punës, ato mbesin të vogla në numër. Raporti i viti 2017 i AGK-së tregon se parregullsi dhe shkelje të tilla në përgjithësi gjithnjë e më shumë po shtyejnë gazetarët të braktisin profesionin.

Si gazetar dhe tani si drejtor i AGK-së, Petrit Çollaku thotë se e vetmja mënyrë që të shohim përmirësime në këtë fushë, është të ngrisin zërin gazetarët për padrejtësitë që ju bëhen. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për Çollakun, i cili me AGK-në janë duke monitoruar trendet nga viti në vit, janë kushtet financiare “në mënyrë eksplicite” që po i largon gazetarët nga profesioni duke iu drejtuar institucioneve publike, OJQ-ve apo edhe bizneseve private.       

Por përderisa frika e largimit nga puna i bën shumë gazetarë të evitojnë ballafaqimin me sistemin jo të drejtë të punës, Çollaku ka thënë që mënyra e vetme që të fillojnë ndryshime substanciale në këtë drejtim është, që sa më shumë gazetarë të fillojnë të ngrisin zëri.

“Gazetarët që hasin në këto telashe duhet t’i inkurajojmë që t’i paraqesin ato dhe ne si ndërmjetësues me Inspektoratin e Punës të shohim si është gjendja – kjo është në të mirën e komunitetit”, ka thënë ai.K

* Shënim nga redaksia: Arta është një pseudonim, pasi që gazetarja ka kërkuar të mos i përdoret emri i vërtetë për shkak të frikës se nuk mundet të gjejë punë pastaj.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

 

Ky artikull u përkrah nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura janë të Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyrojnë medoemos mendimet dhe qëndrimet e OSBE-së.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO