Sport | Monografi

Shkruesit e historisë

Nga - 16.03.2017

Pas shumë vitesh në kërkim të njohjes, fushata e parë kualifikuese e botërorit filloi me një rrotullimë 36-orëshe në bregun finlandez.

Samir Ujkani ende nuk e dinte nëse do të luante në ndeshjen e parë të Kosovës në Kampionatin Botëror — duke marrë parasysh presionin — megjithëse paqartësia ishte mbase diçka e mirë në fund të fundit. Ujkani po rrinte në një kafeteri të një hoteli në qendër të Turkusë, qytet i vogël në bregun perëndimor të Finlandës. Kishin mbetur edhe 24 orë para momentin historik të shpalosjes së  tregimit të sportit në Kosovë, derisa kjo po përpiqej të bëhej shtet i njohur ndërkombëtarisht. Pas disa vitesh përplot me pengesa, bllokada dhe pazare politike, përfaqësuesja e Kosovës në futboll më në fund ishte gati të luante ndeshjen e parë të karakterit garues; një ndeshje kualifikuese për Botërorin 2018, larg shtëpisë e kundër Finlandës.  

Ishte ky një rrugëtim i gjatë për Kosovën. Pas gati dhjetë vitesh përpjekjeje, FIFA, trup ndërkombëtar i drejtimit të futbollit, e pranoi Kosovën si anëtare me gjithë kundërshtimet e mëdha të Serbisë dhe të vendeve tjera — duke përfshirë edhe Spanjën — me drojën e një eskalimi të mundshëm të situatës në regjionet e tyre jo fort të qeta.

Ishte ky një sukses i hatashëm për Federatën e Futboliit të Kosovës, por ishte ky gjithashtu një moment kur u shfaqën shumë probleme. Kush do të luante për Kosovën? Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe të tjerët luanin për vendlindjen e tyre të adoptuar, Zvicrën, megjithëse kishin lidhje të forta me Kosovën. Në vitin 2012, Xhaka veç kishte thënë se do ta shqyrtonte mundësinë të kalonte tek përfaqësuesja e Kosovës.

Ishte kjo një çështje politikisht eksplozive. Kur trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, provoi ta përzgjedhte një skuadër nga diaspora e talentuar kosovare hasi në shumë pengesa. Shoqata e futbollit e Zvicrës thoshte se ekipit të tij me këtë do t’i shkulej zemra. Norvegjia, Belgjika, Shqipëria dhe vendet tjera gjithashtu do të humbnin lojtarë kyç. UEFA dhe FIFA u pajtuan, duke e përjashtuar secilin që kishte luajtur për ndonjë përfaqësuese tjetër pas pranimit të Kosovës, duke përfshirë edhe skuadrat e Zvicrës dhe të Shqipërisë të Euro 2016. Të tjerët do të duhej të aplikonin veç e veç.

Portieri dhe kapiteni i ekipit të Kosovës, Samir Ujkani, i cili ka marrë përsipër një rrugëtim emocional për ta përfaqësuar Kosovën. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ujkani dikur kishte qenë portier i njëmbëdhjetëshes së parë të Shqipërisë. Ai dhe 12 lojtarët tjerë të cilët kishin luajtur për një numër shtetesh por që dëshironin ta përfaqësonin Kosovën, tash po prisnin në një hotel në Turku, 24 orë para fillimit të ndeshjes. FIFA ende nuk e kishte ndarë mendjen. Bunjaki ende nuk kishte skuadër. “E tash? Po më turbullohet barku”, kishte pranuar Ujkani, duke bërë me duar. “Veç dua përgjigje, po ose jo”.

Secili lojtar kishte nga një rrëfim të vetin për mbijetesën në vitet ’90. Ujkani u rrit në fshatin Reznik, afër Mitrovicës. Babai i tij kishte punuar në një fabrikë tekstili në Obiliq derisa asokohe kishin edhe miq serbë. Por, në vitin 1994, familja e tij u paralajmërua se nuk kishte më siguri dhe ata u larguan për shkak të situatës politike.  Lufta sa vinte e afrohej. Ujkani ishte 6-vjeç dhe familja u vendos në qytetin Tielt të Belgjikës.

“Kur u thoja bashkëlojtarëve se do të luaja për Kosovën, ata përgjigjeshin: 'Ajo nuk ekziston'”.

Samir Ujkani

Atë e mori akademia e Andelechtit para se të shkonte të luante për Palermon në Serie A, e të hynte në njëmbëdhjetëshin e parë të përfaqësueses së Shqipërisë. Por kur FIFA i lejoi Kosovës të zhvillonte ndeshje miqësore kundër anëtarëve të tjerë të FIFA-së në vitin 2014, Ujkanin e ftoi tek ekipi i cili po përgatitej të luante kundër Haitit në Mitrovicë.

“Babai im ecte 25 kilometra për ta parë Trepçën në Mitrovicë”, kujton Ujkani. “Vendosa dy ditë përpara që të luaja. Nuk e dija nëse do të më lejonte FiFA apo Federata Shqiptare. Palermo më tha t’i hapja sytë sepse do të mund të diskualifikohesha. Por, nuk më bëhej vonë”.

Ishte ky një muhabet i zakonshëm në Itali. Zyrtarët e klubit, thotë Ujkani, shpesh i bënin presion të mos luante për Kosovën. “Kur u thoja bashkëlojtarëve se do të luaja për Kosovën, ata përgjigjeshin: ‘Ajo nuk ekziston'”, zbulon ai.  “E unë u thosha që ekziston. Kam lindur atje. Familja ime ka jetuar atje. E humba familjen”.

Dy axhallarë të Ujkanit dhe familjet e tyre mbetën në Kosovë. Shtëpitë e tyre u dogjën në fillim të luftës në Kosovë, së bashku me të dy vëllezërit dhe bashkëshortet e tyre brenda tyre. “E humba respektin e klubeve por jam i lumtur sepse këtë nuk mund të ma rrëmbejnë”, thotë ai.   “Ata [zyrtarët e klubit] tash më thirrin dhe më kërkojnë falje, se tash ka ardhur koha dhe se mjaft kam vuajtur. Nuk kam vuajtur. Ishte nder. Kur lind në një vend dhe e humb familjen, kur ai vend ka nevojë për ty dhe ti mund t’i ndihmosh, kjo është nder”.

Në kafeterinë e hotelit lojtarët kosovarë ishin ulur të ndarë në grupe të vogla, kryesisht në bazë të gjuhëve të shteteve në të cilat ishin shpërngulur prindërit e tyre në vitet ’90, e të cilat flisnin. Sapo e kishin mbaruar stërvitjen përfundimtare, e cila ishte e hapur për publikun. Më shumë se një mijë kosovarë erdhën për t’i ndjekur, duke valëvitur flamurin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Lojtarët pastaj nuk i lënë rehat, duke u kërkuar të fotografoheshin me ta, derisa shumica e tyre kërkonin një fotografi me Valon Berishën nga klubi Red Bull Salzburg, i cili tashmë ishte yll në Norvegji. “Shumë të mirë kanë qenë”, u përgjigj Berisha kur e pyeta se si kishte reaguar Federata e Futbollit e Norvegjisë ndaj vendimit që ai të luante për Kosovën. “Ata e kuptojnë se kjo buron nga zemra. Dhe mendoj se vendimi i vëllait tim [Veton Berisha vendosi të luante me Norvegjinë] kishte kryer punë gjithashtu”.

Berisha gjithashtu e priste vendimin e FIFA-së dhe brengosej se mos nuk do të zgjidhej gjithçka me kohë. Mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk po i ndalnin spekulimet, duke u thirrur në burimet e brendshme anonime. Një uebfaqe e kishte publikuar një storie duke thënë se Shqipëria ishte aq këmbëngulëse që ta mbante Milot Rashicën saqë e kishte bllokuar transferin. Një thashethëme tjetër qarkullonte se Samir Ujkani — kapiteni dhe lojtari i vetëm për të cilin Bunjaki më pati thënë se i nevojitej ekipit më së shumti — 99 përqind do të aprovohej. Një tjetër postoi në Twitter se 9 nga 10 lojtarët ishin aprovuar, por Berisha ishte refuzuar për shkak se kishte luajtur shumë ndeshje me Norvegjinë. Unë nuk e thashë. “Këtu kemi aq shumë talentë, veç po pres të bëhet nesër”, kishte thënë Berisha, para se të ulej dhe ta fuste kokën ndër duar.

Dita e lojës

Në mëngjesin e ndeshjes, lojtarët, zyrtarët dhe familjet e tyre përsëri u bënë bashkë në hollin e hotelit. Orët po kalonin e lajmi nuk ishte kurrkund. Erdhi e kaloi ora tre pasdite. Pastaj, përnjëherë, pati lëvizje. Lojtarët tubohen përreth Fadil Vokrrit, legjendës së ish-Jugosllavisë dhe tash presidentit të FFK-së dhe Eroll Salihut, sekretarit gjeneral, të cilët janë në telefon, duke ua përcjellur të pranishmëve atë që po dëgjojnë.

Turma e lojtarëve fillon të këndojë e të brohorasë. Ujkanit i mbushen sytë me lotë. Aprovimi i FIFA-së më në fund ka ardhur vetëm gjashtë orë para fillimin të ndeshjes, dhe vetëm katër orë para se t’i dorëzohej lista përfundimtare e ekipit delegatit të ndeshjes. Vetëm një lojtar, Valon Berisha, nuk ishte aprovuar.  Ai rri i ngrysur ndërsa lojtarët tjerë festojnë. Por aprovimi i tij vjen një orë më vonë. “Isha aq i lumtur saqë dola jashtë dhe qava”, thotë Ujkani ndërsa urimet nuk ndalen.  “U çlirova. “E tash, do të flej një orë”.

Ujkani gjersa kupton se ka lejen e FIFA-s për të luajtur për ndeshjen e parë të Kosovës në një kampionat botëror. Foto nga James Montague.

Në ora tetë në mbrëmje, një grup familjarësh dhe miq po prisnin në hollin e hotelit që lojtarët të nisen. Një nga një ata kalojnë dhe përcillen me brohoritje dhe urata. Nënat dhe baballarët krenarë, shumë prej të cilëve ishin larguar nga Kosova kur fëmijët e tyre ishin shumë të vegjël për të mbajtur mend, qajnë ndërsa kalojnë pranë autobusit i cili po i priste lojtarët.

Dimri ende nuk ka mbërritur në Finlandë. Ditën e kishte përshkuar një diell i ngrohtë, por netët po bëhen çdoherë e më të ftohta. Rruga deri te stadiumi është çuditërisht e qetë. Grupe tifozësh kosovarë grumbullohen jashtë stadiumit Veritas, por nuk ka kurrfarë zhurme a fishekëzjarri siç ndodh zakonisht kur zhvillohet ndonjë ndeshje e Kosovës apo e Shqipërisë. Tifozët janë të heshtur, madje edhe të tendosur.

Më i zhurmshmi prej tyre është shefi i sigurimit i Kosovës. Ai e nxjerr një kuti përpara turmës së tifozëve shqiptarë dhe i informon se asnjë flamur i Shqipërisë nuk lejohet në ndeshje. Shoqata e Futbollit e Finlandës ka thënë se ato do të ndalohen sepse flamuri përbënte “simbol politik”. “Flamuri ynë është i kaltër, jo i kuq”, thotë zyrtari kosovar përmes megafonit. Turma ofshan.

Brenda, stadiumi është i mbushur plot, por nuk është i zhurmshëm. Flamujt shqiptarë ende mund të shihen në tribina ndërsa dy përfaqësuese dalin në fushë. Katër nga gjashtë lojtarët të cilët po prisnin deri në minutat e fundit për aprovim, dalin në fushë, duke përfshirë Rashicën, Berishën dhe Ujkanin. Ata rreshtohen ndërsa intonohet himni i Kosovës, pa tekst.

“Kosova ishte plot gjallëri. Plot energji. Nuk u ndalën së vrapuari 90 minuta. Ekip i guximshëm. Janë shumë të rrezikshëm”.

Trajneri i Finlandës, Hans Backe

Që nga fishkëllima e parë, Kosova nuk ndalet së sulmuari. Rashica në veçanti ia fut frikën krahut të majtë finlandez, ndërsa Kosova i bën presion Finlandës që në minutat e parë të ndeshjes. Siç ndodh pashmangshmërisht, ndërmjet lojtarëve nuk ka shumë telepati. Pasimet shpesh përfundojnë pa sukses. Por kur mesfusha kosovare e rrëmben topin, ata vrapojnë në zemër të mbrojtjes finlandeze, duke i bërë pasimet përgjatë njëmbëdhjetëmetërshit të kundërshtarit.

Pesë a gjashtë shanse të mrekullueshme vijnë e shkojnë. Një goditje vollej përfundon në shtyllë.   Por pa përgatitje dhe shkathtësi të duhura, ekipi kosovar është i paqëndrueshëm në mbrojtje. Një gabim i jep Finlandës shansin një me një. Ujkani bën një lëvizje të mrekullueshme mbrojtëse në anën e majtë për ta parandaluar një gol të njëqindpërqindtë. Por, nga goditja nga këndi që rezultoi, Finlanda e fut topin në rrjetin kosovar, duke bërë që pjesa e parë e ndeshjes të përfundojë me rezultatin 1-0.

Pjesa e dytë dëshmon se çka mund të bëjnë kosovarët. Kosova sulmojë gati përnjëherë, me entuziazëm dhe me shpejtësi, duke u çarë mespërmes fushës finlandeze. Pashmangshëm, mbrojtja finlandeze nuk mund t’i bëjë ballë sulmit. Akordohet penalltia dhe Valon Berisha, i cili vetëm disa orë më parë nuk e dinte nëse do të mund të luante, pozicionohet përpara topit dhe shënon golin e parë të Kosovës në një Botëror.

Do të mund të shënonin edhe gola tjerë, derisa Rashica në veçanti shkëlqeu në ndeshje. Por në fund, Kosovës iu desh të pajtohej me rezultatin e barabartë 1-1. Por, prapëseprapë, lojtarët dhe turma janë të ngazëllyer. E bëjnë një gjest nderimi, dhe madje duartrokiten nga tifozët finlandezë, për të cilët barazimi ishte turp i madh.

Golashënuesi i parë i Kosovës në një kampionat botëror, Valon Berisha. Foto nga Atdhe Mulla/K2.0.

Pas lojës, trajneri suedez i Finlandës, Hans Backe, shprehet i shokuar, dhe i papërmbajtur. “Kosova ishte plot gjallëri. Plot energji. Nuk u ndalën së vrapuari 90 minuta. Ekip i guximshëm. Janë shumë të rrezikshëm”, thotë ai në konferencën për shtyp. Albert Bunjaki gjithashtu është i papërmbajtur.  “Shumë njerëz në Kosovë na kanë përcjellur dhe jam shumë krenar”.

Kur lojtarët kthehen në hotel, një turmë e madhe tifozësh janë tashmë në hyrje, në pritje të ekipit të tyre. Ata formojnë një gardë nderi, siç bënë kur lojtarët u nisën, duke ia rrahur shpinën secilit lojtar ndërsa ata hynin në hotel. Brenda, lojtarët përqafohen dhe e urojnë njëri-tjetrin, ndërsa lehtësimi shihet qartë në fytyrat e tyre. Pas shumë muajsh, vitesh pritjeje që të vijë ky moment, ekipi nuk e zhgënjeu askënd ndërsa bota po e shikonte.  

“I treguam gjithkujt se ne dimë të luajmë futboll”, brohorit Ujkani, duke pritur te ashensori për të shkuar në dhomë e për t’u ndërruar para se ekipi të shkojë në një klub nate në Turku, për të festuar. Një palë altoparlantësh, nën krahët e tij pranë dorëzave të portierit, gumëzhijnë nga pop-muzika shqiptare.

“E sonte, do të kënaqemi!”

Rrugëtim historik, me plot gunga

Kjo ndeshje del të jetë, në fakt, ndër të arriturat më të mëdha të fushatës së kualifikimeve të Kosovës deri më tash. Pas këtij barazimi Kosova u mposht nga Kroacia me rezultatin 6-0, e që njihet si loja e parë zyrtare e Kosovës si nikoqire, e cila u zhvillua në Shqipëri pasi që stadiumi i Prishtinës nuk ishte gati. Ekipi dukej i zhgënjyer derisa mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për të udhëtuar drejt Krakovit, për ndeshjen e radhës kundër Ukrainës. Loja po zhvillohej në Poloni pasi që qeveria ukrainase ende nuk e kishte njohur Kosovën, dhe refuzonte të ishte nikoqire e ndeshjes.

“Ka qenë emocionuese. Po e ndjej. Jemi lodhur”.

Albert Bunjaki

Në bankinën e stadiumit Marszatek Pilsudski të qytetit polak të Krakovit, Albert Bunjaki ishte ende i hidhëruar për shkak të kapitulimit të ekipit të tij. “Natyrisht, nuk ishte lehtë, por patëm shanse për të shënuar”, tha ai, i zhgënjyer. “Ata kishin shtatë shanse, shënuan gjashtë herë. Edhe ne kishim shtatë shanse, por nuk shënuam asnjëherë. Këtu qëndron dallimi.  Çdokush e di se është shumë herët të mposhtet Kroacia. Por për një gjë jam i lumtur. Krijuam shumë shanse kundër Kroacisë. Por duhet të punojmë që ta ruajmë barazpeshën e mbrojtjes”.

Kosova përsëri humbi në Krakov, kësaj radhe me rezultatin 2-0, me gjithë dominimin në fushë dhe goditjen e shtyllës. Po ky fat e përcolli edhe kundër Turqisë, në ndeshjen që u zhvillua disa javë më pas, ku Kosova pësoi me rezultat 2-0, në një ndeshje e cila të paktën ishte dashur të përfundonte me një barazim.

Ishte ky një fillim i vështirë për futbollin ndërkombëtar të Kosovës, derisa kualifikimet për Botëror mbesim ëndërr e largët. “Ka qenë emocionuese. Po e ndjej. Jemi lodhur”, më tha Bunjaki në rezortin turk të Antalias. Për të dhe për lojtarët e tij, Botërori gjithmonë ishte rrugë e gjatë për t’u bërë. Kualifikimi për Kampionatin Evropian 2020 ishte gjithmonë opsioni më real.

Megjithkëtë, Samir Ujkani, para se të dinte nëse do të mund të luante për përfaqësuesen e Kosovës, kishte thënë në Finlandë se do të duhet të kalojë një kohë para se të kuptohet se sa historik ka qenë rrugëtimi i Kosovës, pavarësisht rezultateve. “Pas katër a pesë vitesh, do ta kuptojmë se sa i rëndësishëm është ky moment”, pati thënë ai.  “Askush nuk po mendon në mënyrë të qartë tash. Pasi të kalojë një kohë, do të themi: “Ta hajë dreqi, ne e zhvilluam ndeshjen e parë. Ishim pjesë e atij ekipi”.K

Foto kryesore: K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia e Sportit

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO