Biseda | Muzikë

Shpat Deda këndon këngën “Ninullë”, kushtuar gjyshes së tij

Nga - 21.01.2017

Projekti i ri i Shpat Dedës, që përfshin këngë dhe videoklip, u lansua të premten.

Shpat Deda të premten lansoi këngën e tij të re “Ninullë”, e realizuar së bashku me muzikantin Dritëro Nikqin, Nesim Maxhunin në tupana dhe Fatjon Miftarin në piano. Së bashku me këngën është publikuar edhe video klipi me skenar të Shpat Dedës dhe Selmon Behës, në regji të Mathieu Jouffre, ku luajnë aktorë si Melihate Qena, Adriana Matoshi, Armend Smajli dhe Blerta Ismaili.

Shpat Deda është njëri nga këngëtarët e njohur bashkëkohor në skenën e muzikës pop alternative në Kosovë e Shqipëri. Ai thotë se muzikën nuk e ka për të nxjerrë jetesën, por më fort është i apasionuar pas saj, dhe lanson këngë të reja atëherë kur ka frymëzim e dëshirë.

Përveç muzikës është i dhënë edhe mbas filmit, dhe së fundi ishte producent në filmin e shkurtër “Home” me regji të Daniel Mulloy, ndërsa në përditshmërinë e tij është ekonomist me profesion dhe ka Master në Biznes.

1PROFILE

Kënga “Ninullë” i dedikohet gjyshës së tij të cilën e përshkruan si një rrëfimtare të madhe, edhe pse teksti ka diçka njerëzore dhe universale në të, dhe lë të hapur mundësinë që secili të gjejë dicka nga përvoja e tij aty.  “Nanushi” apo gjyshja e Dedës ka 10 vite që ka ndërruar jetë, mirëpo rrëfimet dhe dashuria e saj i kanë lënë mbresa të thella dhe kanë ndihmuar në formimin e karakterit të tij.

“Ninullë” ka lehtazi ngjyrime të muzikës jugore shqiptare, sepse babai i Dedës ishte i apasionuar me to, dhe si të tilla ishin pjesë e pandashme e familjes së tij. Stili i muzikës ka tonet e veta më “melankolike” që është bërë edhe tipari elegant i pothuaj të gjitha muzikave të Dedës. Megjithëse kënga e ka ritmin e saj, ka “drive”, dhe “zhvillohet”, nëse do të krahasohej me ndonjë nga muzikat e mëparshme të Dedës, atëherë ai thotë se më së shumti i afrohet këngës “Shkëndijë”.

E mira e këtij “projekti” këngë dhe video, sipas Dedës, është se aq sa është munduar të përçoj emocion të pastër ai në këngë, poaq janë munduar edhe ata që kanë realizuar videoklipin.

K2.0: Kënga dhe videoklipi “Ninullë” u lansua këtë të premte. Çka të vecantë kjo këngë, si dhe për tekstin e saj, që zakonisht i kushton poaq rëndësi sa edhe muzikës?

Shpat Deda: Kënga është pak ma e veçantë për shkak të personit me të cilin kam bashkëpunu në të. Kangën e kemi realizu në studio C bashkë me Dritëro Nikqin, edhe prej momentin që e kam komponu këtë kangë, gjithë kam pas dëshirë me bashkëpunu me Dritëron. E kam pas një ndjenjë që duhem me bo me Dritëron se i rrin ‘saundi’ i Dritëros, i “Por-nos” bendit të tyre – ajo frymë.

Dhe e kemi bërë bashkë, e përnjëmend ka dalë shumë mirë. Ka dal pak më ndryshe, po mendoj aty dikund është, instrumentacioni është, bendi i njejtë, prap e kam Nesim Maxhunin në tupana, Fatjon Miftari në piano.

Megjithatë edhe si komponim kënga edhe si trajtim në produksion është më ndryshe. Në komponim e ka njëfar influence shumë subtile të muzikës jugore të Shqipërisë. Babi ka ndëgju muzikë të jugut gjithmonë, e kur jam rrit po duket se më ka mbet dikund, e tash Ia kam nis pak me eksploru, po jo ashtu shumë ‘in your face’, por vërehet në mënyrë shumë subtile. Kështu që mu po më pëlqen shumë qysh ka dalë. Inspirimi ka qenë prej gjyshës sime, të cilës edhe ia kam dedikuar këtë këngë, dhe e cila ka 10 vjet që ka ndërruar jetë. Por për mua dhe për anëtarët e familjes sime, ajo ka qenë një person shumë i rëndësishëm.

Kemi kaluar shumë kohë me të, dhe ka qenë në një mënyrë një lloj shtylle që na ka lidhë dhe është një këngë e cila thjesht ka buruar nga unë. Gjithmonë e kam ditur se do ta shkruaj një këngë për të herëdo kurdo.

Tash kënga është për atë se kur një njeri ndërron jetë, prezenca e tyre ngadalë ja fillon me u vërejtë, në shumë mënyra që as se kemi marr me mend në fillim, anglisht i thonë “we have taken it for granted”. Po pastaj e sheh që kur t’ia nisë me t’u zhvillu karakteri i vëren disa njerëz që kanë pas shumë aftësi të zhvilluara dhe kanë lënë mbresa të thella tek ti. Për mua, gjyshja ime është ai person. Prandaj edhe këngën ia kam dediku asaj, dhe e ka emrin “Ninullë”.

2FRAME 2

A mendon që edhe të tjerët mund të gjejnë diçka të tyre në këtë këngë?

Është kangë të cilën unë ia kam dediku gjyshës sime, megjithatë teksti është i tillë që është shumë lehtë që secili ta ndjejë për vete. Njejtë sikurse këngët e mirëfillta të dashurisë. Kur ata që janë të dashuruar e dëgjojnë një këngë të tillë, e cila është një tregim i kësaj natyre, i shkruar nga dikush për dikënd, gjë që nuk i pengon njerëzit ta ndjejnë dhe ta përvetësojnë atë.

Unë mendoj që ashtu është edhe kjo kënge, është mjaft ‘vague’ qysh i thonë, po unë kur e dëgjoj, dhe kur e dëgjojnë edhe anëtarët e familjes, na i kemi sendet me të cilat e lidhim na. Tash unë nuk e di qysh të tjerët e marrin apo e ndjejnë. Por njëkohësisht janë edhe disa pjesë të tekstit që unë e di se i kam prej përvojës sime.

Stili i këngëve tuaja është zakonisht më emocional, dhe i ka tonet e veta më melankolike. Për ty, a bën pjesë edhe “Ninulla” në këtë stil të muzikës?

Është edhe kjo ashtu melankolike, nuk po di qysh cilësohet, ka ‘drive’, ashtu të ngreh përpara, edhe zhvillohet, por prap nuk është shumë e qaraveshtë. Nëse e kisha krahasu me ndonjë këngë timen, më e afërta është “Shkëndija”. Edhe në “Shkendi” janë disa elemente të folklorit shqiptar, shumë ‘subtle’, por të njejtën e ka edhe kjo [“Ninulla”] pak, prandaj edhe më duket më e ngjajshme.

A tregon zgjedhja yte për të futur elemente të muzikës së folklorit shqiptar, një vlerësim për muzikën shqiptare?

Unë nuk e di, po mendoj që ndoshta po kthehem në bazat e mija, të influencave të mija që i kam pas duke u rritë, muzikën që e kam ndëgju. Babi poashtu ka ndëgju shumë muzikë, dhe muzika e jugut ka qenë gjithnjë prezente, si Laver Bariu që është fantastik, dhe mendoj që kanë qenë thesare të kombit shqiptar. Ajo është duke buru tash te unë, në disa kangë. Kjo nuk do të thotë se unë do të vazhdoj në këtë rrugë, por për momentin ka dalë, dhe nuk e kam bërë me qëllim “hajt tash po kthehem pak në folklor e po e provoj”. Thjesht vetëm më ka buru vet.

Kështu e kam pas edhe në fillim, sepse unë kurrë nuk e kam pas ndërmend të bëhem muzikant. Por muzika ka dal prej meje, edhe nuk më ka pyet fortë.

Në periudhat mes plasimit të një kënge nga kënga tjetër, a merresh me muzikë, a je aktiv në koncerte dhe aktivitete tjera muzikore?

Jam aktiv, por nuk jam proaktiv, që do me thënë se nuk jam unë ai që qohem edhe i thërras njerëzit për me këndu. Besoj që po ta kisha burim të jetesës, nuk kisha pas qare pa e ba ashtu. Por unë kam tjetër profesion me të cilin e mbaj veten, dhe këtë e kam thjesht vetëm për këndim, për qef. Edhe kur e mbaj ndonjë koncert une kënaqem shumë, se më bjen me u pa me të gjithë se shokë i kam, bendi, rrimë dhe kalojmë mirë. Por e kam vetëm kur të më thërrasin, dhe shkoj vetëm në vende ku më pëlqen të mbaj muzikë, në “Dit e ‘nat” kam bërë muzikë, në “Tulla” në Tiranë, në “Zanzi”, edhe nëpër festivale më pëlqen.

Në fillimet e tua është pritë prej teje që në një mënyrë ke me qenë pjesë e estradës, me marrë pjesë nëpër koncerte si ta, me hit mbas hiti, klip pas klipi … por ti e ke zgjedhë një rrugë pak më ndryshe.

Tash nuk po du me ba krahasime, mirëpo unë për vete kam dëshirë me ba muzikë me të cilën ndjehna mirë edhe mbas 30 viteve. Ata po mundohem me arritë, se edhe tash kur e sheh albumin e parë, të gjitha janë për përvoja të mia shumë personale, shumica e albumit. Prapë po knaqna kur i ndëgjoj se me qojnë me njëfar udhëtimi. Qysh po e vërej unë, industria për shembull lanson kështu kangë për konsum shumë të shpejt, një muaj, dy, tri dhe ‘That’s it’. Mandej as nuk i bojnë ma nëpër koncerte, në njëfar mënyre shuhen. Unë po kam dëshirë me kriju muzikë që ndoshta qëndron pak, për shkak se bazohet në ndjenja e në ngjarje të vërteta.

3HANDS

Çka mendon se duhet të ndryshojë apo të punohet në mënyrë që të krijohet një frymë e muzikës që ka stil e shije.

Unë mendoj se fryma e shëndoshë e muzikës veq ja ka fillu. Ka mjaft muzikantë që veçse janë duke prodhu muzikë të mirë, sidomos skena e Jazzit. Për shembull Nesimi [Maxhuni] vet i ka bo dy tre albuma, edhe unë mendoj që veq duhet këta njerëz me ndejtë me njëri tjetrin ma shumë, qysh veq ja kan nisë me ndejtë, me bashkëpunu, me marr edhe njerëz tjerë që ja kan nisë, me bo njëfar komuniteti që veç ja ka nisë, sidomos “‘dit e ‘nat-i” është njëfar lloj qendre e kësaj lëvizje dhe është njëfar fryme e mirë që ja ka fillu. Më së pari me marr guximin për të shkru, dhe komponu këngë, mos me u tut se çka thojnë njerëzit, me qenë shumë i sinqertë.

Unë jam befasu shumë para dy tre muajve për të mirë me një vajzë të re, Elsa Rraqin të cilën kërkush nuk e njeh as kërkush nuk ka ndëgju për të. Mirëpo një shok i imi e ka taku disi, dhe ajo i ka afër 15 këngë që i ka shkru edhe këndon shumë mirë edhe i ka këngët shumë të mira, edhe kur e kam taku thjesht kam mbet pa frymë. E ka pas edhe një koncert këtu në Dit e Nat.

A je duke planifikuar për të ardhmen ndonjë album të ri, dhe a është “Ninullë” pjesë e tij?

Unë kam material për momentin me e bo një EP me 5 këngë, e “Ninullë” është një prej tyre. Nuk dua t’i bëj publike një herë planet konkrete, por i kam disa projekte shumë interesante që mezi po pres me i pru në jetë. Me rëndësi që këtë vit, si dhe në 2018-tën, do të ketë këngë të reja prej meje, dhe “Ninullë” po e the akullin për material të ri.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.