Në thelb | Demokraci

Shteti si resurs i politikës

Nga - 29.11.2017

Asetet shtetërore ende përdoren për qëllime politike.

Plot shtatë muaj me ethe zgjedhore përfunduan dy javë më parë, kur edhe u mbajt raundi i dytë i votimit për kryetarët e komunave në Kosovë.

Deri në ditët e votimit – gjithsej tre sosh – duke përfshirë dy raundet e zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjet e parakohshme paralmentare të qershorit, qytetarët e Kosovës u pritën e u përcollën në takime, fushata, e tubime zgjedhore nga të gjitha partitë politike që i kërkonin votat e tyre.

Mjetet për t’i kërkuar e për t’i siguruar këto vota do të duhej të zgjedheshin me kujdes dhe në vijë të plotë me legjislacionin në Kosovë, i cili rregullon edhe mënyrën se si partitë kanë të drejtë të bëjnë fushatë e të kërkojnë vota duke mos shkelur rregullat demokratike. Megjithatë, jo rrallëherë këto dokumente nuk respektohen, dhe si rezultat parashtrohen edhe ankesa dhe shqiptohen dënime përkatëse.

Gjatë këtij viti zgjedhor, shkelës të ligjeve dhe të rregullave dolën të jenë të gjitha partitë që garuan, me shumë pak dallime në natyrën e shkeljeve.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), është organ i përhershëm, i pavarur i cili ka në kompetencë të shqyrtojë ankesat lidhur me shkeljet e partive, përmes një kolegji profesionistësh. PZAP-i po ashtu shqipton dënime për partitë politike që shkelin ligjet gjatë fushatës apo votimit, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato parlamentare.

Të drejtën e ankesës për shkelje të mundshme në PZAP e ka secili qytetar i moshës mbi 18 vjeç, apo që ka të drejtën e votës, organizatat joqeveritare, partitë politike, apo edhe institucionet. Nëpërmjet një komunikate që PZAP-i lëshoi më 21 shtator të këtij viti – një ditë para se të nisë fushata për zgjedhjet lokale – ky organ rikujtoi partitë politike që të respektojnë rregullat e procesit demokratik zgjedhor.

Neni 33 i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ndër shkelësit më të mëdhenj të dënuar nga PZAP-i, si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në ato parlamentare, dolën të jenë partitë më të mëdha në vend. Për shembull, gjatë zgjedhjeve parlamentare, koalicioni PDK, AAK, NISMA, (PAN), u dënua me gjithsej 158,000 euro, duke u pasuar nga shkelësi i dytë më i madh, koalicioni LDK, AKR, Alternativa, i cili u dënua me 71,700 euro, dhe Lëvizja Vetëvendosje, në vendin e tretë, e cila u dënua me 62,600 euro gjobë.

Dënimet më të shpeshta u shqiptuan për shfrytëzimin e hapësirave publike, respektivisht aseteve shtetërore.

Neni 33 i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme parasheh qartë se cilat veprime mund të merren dhe cilat nuk mund të merren gjatë fushatave zgjedhore, derisa shfrytëzimi i hapësirave publike nuk lejohet. Për më tepër, Neni 35 po ashtu ndalon edhe përdorimin e pozitës publike, të caktuar apo me emërim, për të përfituar politikisht gjatë fushatës.

Sipas organizatave joqeveritare të cilat kanë dorëzuar ankesa në PZAP qysh prej fillimit të proceseve zgjedhore sivjet, liderë politikë kanë përdorur pozitat e tyre publike për përfitime politike.

Rasti i Kadri Veselit dhe FSK-së

Së fundmi, Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sipas një ankese dorëzuar në PZAP, thuhet të ketë keqpërdorur autoritetin e tij për të shfyrtëzuar imazhin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në videospotin elektoral për zgjedhjet lokale.

“Kur vendoset për ndryshime madhore, dhe kur ndryshimi duhet të ndodhë, ne e bëjmë atë realitet”, nis narracioni i Veselit në spotin politik të PDK-së.

“Së bashku kemi arritur shumë që nga pavarësia [në sfond shihet Rruga e Kombit], jemi më të fortë dhe më të sigurtë se kurrë më parë”, vazhdon fjalia e cila përcillet me pamjen e një ushtareje të FSK-së gjersa kryen një ushtrim, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

"Sigurisht se nuk e përkrahim përdorimin nga një parti politike pamje të FSK-së për fushata elektorale. Nëse kjo përsëritet ne do të marrim një qëndrim dhe do të marrim një veprim për këtë".

Ibrahim Shala nga MFSK

FSK-ja është forcë apolitike dhe apartiake me kontroll civil demokratik dhe çdo paraqitje e pjesëtarëvë të FSK-në media është e përcaktuar me rregullore dhe procedura të veçanta.

Ligji për FSK-në, respektivisht Neni 11, thotë qartë se duhet të garantohet paanshmëria politike e FSK-së. “FSK nuk mund të përdoret për qëllime politike apo veprimtari politike”, thuhet në këtë Nen.

Po ashtu, sipas zyrtarëve të Ministrisë së FSK-së, asnjë xhirim në kazermat e FSK-së nuk mund të realizohet pa lejen paraprake të aprovuar nga departamenti i komunikimit në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës dhe pa aprovim paraprak të Komandës së FSK-së.

Ibrahim Shala, drejtor në departamentin për komunikim në këtë ministri, tha për K2.0 se Veselit, në cilësinë e kryeparlamentarit, i ishtë dhënë leje për të përdorur imazhin e FSK-së për videoklipin e lansuar për 8 mars të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“…domethënë, [leja] është dhënë për promovimin e rolit të gruas me rastin e 8 marsit,” ka thënë Shala. “Tash, se ato pamje janë përdorur për fushatë politike të një partie politike, tash na nuk e posedojmë të drejtën e autorësisë të tyre”.

Ibrahim Shala, drejtor i departamentit për komunikim në MSKF. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Shala ka theksuar se sikur leja të kërkohej për qëllim të fushatës apo të promovimit të një partie, ajo nuk do të aprovohej.

“Leja nuk është dhënë me qëllim të realizimit të fushatës politike sepse nuk i është leju një lideri të një partie por një institucioni – Parlamentit, dhe ky është arsyetimi jonë. Dhe sigurisht se nuk e përkrahim përdorimin nga një parti politike pamje të FSK-së për fushata elektorale. Nëse kjo përsëritet ne do të marrim një qëndrim dhe do të marrim një veprim për këtë”, ka thënë Shala.

Më 16 tetor, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në bashkëpunim me Internews Kosova kanë deponuar një ankesë në PZAP kundër PDK-së dhe Veselit në cilësi të kryetarit të partisë. Ata kanë kërkuar gjobitjen e PDK-së si subjekt për shkak të përdorimit të imazheve të pjesëtarëve të FSK-së në spotin politik të Veselit.

Mirëpo PZAP-i e kishte hedhur poshtë këtë ankesë si të pabazuar, duke konstatuar se nuk ka shkelje të veprimeve që parashihen me Kodin e Mirësjelljës për Partitë Politike dhe Kandidatët. PZAP-i kishte pranuar sqarimin të cilin ia ka dërguar PDK-ja, e në të cilin thuhet: “sekuencat e shfaqura në spotin e kryetarit Veseli nga radhët e subjektit politik PDK janë në përputhje me programin zhvillimor të këtij subjekti politik”.

Neni 35 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

K2.0 ka kontaktuar PZAP-in për sqarim të mëtutjeshëm dhe ka pranuar këtë përgjigje: “Ne nuk komentojmë vendimet e PZAP-it, mirëpo për më tepër ju mund të i referoheni vendimit të PZAP-it nr. ZLA226/2017 ”.

Duke komentuar vlerësimin e panelit të PZAP-it, drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, ka konsideruar se ky organ injoroi argumentet dhe bazën juridike mbi të cilën është thirrur ankesa e tyre.

“Vlerësojmë se përgjigjja në ankesën tonë nga paneli shqyrtues i ankesës ka injoruar në tërësi argumentimin dhe bazën juridike mbi të cilën është thirrur ankesa. Në gjykimin tonë, paneli nuk është lëshuar në vlerësim të shkeljeve të pretenduara, pa dhënë një arsyetim për një gjë të tillë. Një vendim pozitiv mbi ankesën do të përbënte një precedent të mirë me të cilin do të definohej më saktë natyra e shkeljeve të mundshme në rastet kur pjesëtarët e FSK-së përfshihen në tubime apo fushatë zgjedhore”, ka thënë Ispahiu për K2.0.

Ai tutje ka elaboruar bazën juridike të cilën e kanë përdorur në ankesën kundër PDK-së, duke thënë se Veseli ka shkelur rregullat zgjedhore duke përdorur pozitën e tij si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rregulla Zgjedhore, Fushata e Zgjedhjeve dhe Njoftimi për Ngjarjet Politike. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Neni 35 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë: “Personi që mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga burimet e asnjë institucioni të administratës publike, qoftë të nivelit qendror ose lokal, ose edhe ndonjë ndërmarrjeje në zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje”.

Ispahiu ka përmendur edhe pikën 5.2 rregullave zgjedhore sa i përket fushatës zgjedhore, e cila thotë se disa kategori nuk mund të përfshihen në fushata të subjekteve politike.

“Këto kategori janë institucionet shtetërore dhe publike, FSK-ja, Policia e Kosovës, bashkësitë fetare, KQZ-ja [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] dhe sekretariati i KQZ-së dhe KKZ-ja [Komisioni Komunal i Zgjedhjeve], përfaqësuesit e mediave dhe personave nën moshën 18 vjet”, ka thënë ai.

Megjithatë, vendimi i PZAP-it për rastin e PDK-së saktëson vetëm se nuk ka pasur shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Partitë Politike dhe Kandidatët, por nuk jep përgjigje për bazën tjetër juridike të cilën BIRN-i dhe Internews Kosova e kanë përdorur. PZAP-i është i obliguar t’i referohet edhe legjislacionit në fuqi në Kosovë kur merr vendimet për shkeljet në fjalë, duke përfshirë këtu Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, si dhe rregullat zgjedhore.

K2.0 ka kërkuar përgjigje konkrete nga zyra e Veselit rreth akuzave për shkeljet e pretenduara, apo saktësisht rreth ndalimit të përdorimit të imazheve të përmendura më lartë, të cilat zyra e tij u lejua t’i xhirojë për qëllime tjera e jo të fushatës. Por edhe pas më shumë se një jave, zëdhënësi Valmir Klaiqi nga zyra e Veselit nuk iu është përgjigjur pyetjeve konkrete lidhur me këtë.

PZAP-i shqipoi disa dënime

Ankesat në PZAP në të shumtën e rasteve parashtrohen nga partitë politike, dhe nga organizatat joqeveritare të cilat monitorojnë fushatat dhe zgjedhjet.

Për shembull, Demorkacia në Veprim (DNV) si koalicioni i vetëm që përfshin një numër organizatash joqeveritare dhe që tashmë ka krijuar traditë në monitorim të proceseve elektorale, kishte parashtruar mbi 60 ankesa të ndryshme për subjekte të ndryshme politike gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Ata posaçërisht kishin reaguar ndaj përfshirjes së fëmijëve në fushata elektorale, duke thëntë se kishin evidentuar rreth 3,653 fëmijë në fushata të ndryshme të sujekteve politike. Shkelje tjetër e shpeshtë të cilën e kishte evidentuar DNV-ja ishte edhe shfrytëzimi i resurseve publike.

“Përdorimi i resurseve publike ka qenë i shprehur mjaft shumë në aktivitetet e subjekteve politike, ku janë shfrytëzuar nëpunësit civilë që kanë përdorur qoftë burimet, qoftë pozitën e tyre për qëllime të fushatës zgjedhore”, pati thënë Albert Krasniqi, hulumtues në KDI, organizatë anëtare e koalicionit DNV.

Ndërkohë, për zgjedhjet e sivjetme, BIRN-i dhe Internews Kosova kanë parashtruar gjithsej 112 ankesa, duke përfshirë edhe ankesat për ditën e zgjedhjeve. Ankesat janë ndaj të gjitha partive më të mëdha politike në Kosovë, duke përfshirë AAK-në, AKR-në, Alternativën, LDK-në, LVV-në, PDK-në, si dhe Listën Srpska.  

Faik Ispaiu, drejtor i Internews Kosova, organizatë që ka qenë e përfshirë në monitorimin e shkeljeve të partive politike si dhe në parashtrimin e ankesave në PZAP. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Natyra e shkeljeve të evidentuara nga BIRN-i dhe Internews Kosova është e ndryshme, dhe këtu hynë: përfshirja e fëmijëve në fushatë, vendosja e posterëve në hapësira publike, nxitja e urrejtjes, shfrytëzimi i ndërmarrjes publike për fushatë, shpërndarja ose shfaqja e çfarëdo materiali në ndonjë qendër votuese dhe thyerja e heshtjes zgjedhore.

Nga 112 ankesat, 44 janë pranuar si të bazuara, për të cilat janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 100,100 euro.

PDK-ja, ta zëmë, u dënua me gjobë 3 mijë euro për nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit për kryetar komune të Prishtinës, Shpend Ahmetit të LVV-së. Ankesa thoshte se PDK-ja kishte vendosur afishe në lagjen “Arbëria”, që përfshinin një fotografi të Ahmetit me fytyrë të deformuar.

PDK-ja po ashtu ishte dënuar me 2,500 euro në tetor ngase në Ferizaj kishte përdorur persona nën moshën 18-vjeçare në fushatë. Edhe Mimoza Kusari Lila, kryetare e Alternativës ishte gjobitur nga PZAP-i me 3,500 euro për një spot në të cilin shihen persona të mitur.

Në përgjithësi, njëri ndër veprimet më të shpeshta i cili është përcjellur me dënime nga PZAP-i ka të bëjë me vendosjen e afisheve nepër hapësira publike.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare, PAN-i u dënua me vlerën më të madhe të gjobave krahasuar me partitë e tjera, ndërsa gjatë balotazhit, kësaj liste i prin Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, ta zëmë është gjobitur me 5,100 euro ngase kishte përdorur hapësirën publike në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vendosur kioskë për regjistrimin e votuesve të saj. Ankesën kundër VV-se e kishte parashtruar LDK-ja.

Dega e LDK-së në Prishtinë është dënuar edhe me 2,500 euro nga PZAP-i pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi. Ankesa është bërë nga aktivistët e Vetëvendosjes të cilët kishin vërejtur në disa rrugë të kryeqytetit njoftime për takimin elektoral të kësaj partie, të cilat bien ndesh me rregullat zgjedhore.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, PAN-i prin për nga vlera e gjobave të paguara. Partia e cila prin për nga gjobat për shkeljet gjatë fushatës së fundit të balotazhin për kryetar komune është LVV-ja, e cila është dënuar me 16 mijë euro nga 38 mijë euro sa janë dënuar të gjitha partitë bashkë gjatë balotazhit.

Megjithëse disa parti u dënuan e të tjerat jo, një gjë është e qartë: përdorimi i aseteve publike në nivele të ndryshme për përfitime politike po vazhdon përkundër retorikës publike për depolitizim të institucioneve.K

Foto kryesore: Pamje e marrë nga videoja promovuese e fushatës së PDK-së për zgjedhjet lokale 2017.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO