Biseda | Të drejtat e njeriut

Sian Jones: Institucionet nuk kanë bërë asgjë për të mbijetuarit e dhunës seksuale – tani e kanë mundësinë për të vepruar

Nga - 09.10.2017

Hulumtuesja për Kosovë e Amnesty International flet me K2.0 për krimet e luftës, njerëzit e humbur dhe drejtësinë e dështuar.

Sian Jones punon si hulumtuese për Amnesty International tash e 17 vjet. Ajo është një prej zërave më të fuqishëm që kundërshtojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në vitet e fundit, Jones dhe Amnesty i kanë fokusuar përpjekjet e tyre për ta nxitur Kuvendin e Kosovës të miratojë amendamente ligjore që u ofrojnë njohje dhe pranim ligjor viktimave të dhunës seksuale të kohës së luftës.  

Nga vendlindja e saj në Angli dhe në terren në Kosovë, Jones është përfshirë në aktivizëm për të drejtat e njeriut për më shumë se dy dekada. Në klimën e shtypjes së dyfishtë të grave gjatë viteve të ‘90-a – nga regjimi i Milloseviqit në njërën anë dhe familjet e tyre në anën tjetër – si pjesë e OJQ-ve ndërkombëtare që punojnë për të drejtat e grave, Jones ndihmoi me sigurimin e financimit dhe ndihmës humanitare për Motrat Qirazi dhe Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve – dy organizatat kryesore që punuan për të drejtat e grave në atë kohë.

Prej vitit 2000, Jones ka punuar si hulumtuese për Ballkan në zyrën e Amnesty në Londër, prej ku ka punuar me raste të krimeve të luftës dhe krimeve të tjera kundër ligjit ndërkombëtar, përfshirë këtu kidnapimet dhe zhdukjen e qëllimshme të njerëzve. Ajo gjithashtu e ka monitoruar sistemin e drejtësisë në kuadër të UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Mes tjerash, puna e saj i ka ndihmuar organizatës Amnesty për të raportuar për pandëshkueshmërinë e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu KFOR-in dhe UNMIK-un, në kontekstin e trafikimit të grave dhe vajzave për prostitucion me forcë. Ajo gjithashtu i kushton vëmendje të drejtave të komuniteteve pakicë, përfshirë këtu serbët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, si dhe komunitetin LGBTI.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

K2.0 u takua me Jones gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë për t’i diskutuar prioritetet që duhet t’i ketë qeveria e re, pengesat gjatë zgjidhjes së rasteve të zhdukjes së qëllimshme të njerëzve, dhe garantimit të të drejtave të personave të mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë kohës së luftës.

K2.0: Cilat janë çështjet kryesore që lidhen me të drejtat e njeriut dhe të cilat duhet t’i zgjidh qeveria e re e Ramush Haradinajt?

Sian Jones: Mendoj se problemi kryesor është qasja në të drejtat shoqërore dhe ekonomike. Nuk ka sigurim shëndetësor gjithëpërfshirës. Krijimi i sigurimit duhet të jetë prioritet absolut – në mënyrë që njerëzit të kenë sigurim shëndetësor dhe qasje në shëndetësi primare në spitale. Këtë javë u takova me një grua e cila e shiti tokën për ta paguar dializën. Kjo nuk është e drejtë.

Në një farë mënyre – dhe mendoj se është shumë e vështirë për qeverinë – prioritet duhet të jetë zbatimi i shërbimeve efektive të shëndetësisë dhe ofrimi i shërbimeve sociale për mbrojtje të fëmijëve. Qeveria duhet të garantojë standard të arsyeshëm të jetesës për të gjithë, si dhe të mundësojë qasjen në shërbime themelore. Niveli i papunësisë është tepër i lartë, kështu që prioritet tjetër është punësimi domethënës.

Cilt grupe i konsideroni si grupet të cilat përballen me nivelin më të lartë të diskriminimit dhe që jetojnë në margjina të shoqërisë?

Në këtë rajon, një prej grupeve të cilat përballen me diskriminim, por që ka përjetuar progres më të shpejtë se grupet tjera, është komuniteti LGBTI. Ekziston një lëvizje e bazuar në aktivizëm – e përbërë prej aktivistëve të rinj – të cilët kanë më shumë vullnet për ta ngritur zërin. Edhe pse shumë pak njerëz e kanë ngritu zërin, ata kanë bërë hapa shumë të mëdhenj. E mbaj mend paradën e parë të krenarisë në Beograd, që u mbajt në vitin 2001. E pastaj në vitin 2010, kur i sulmuan njerëzit. Dhe tash në Serbi, që është mjaft normale kur mbahet Parada e Krenarisë.

E di se do të mbahet një paradë e krenarisë këtu në Prishtinë [10 tetor, 2017] dhe në një farë mënyre ky është hapi i parë.

Megjithatë, shumë prej këtyre ndryshimeve janë vetëm sipërfaqësore. Një prej prioriteteve të BE-së për anëtarësim ka qenë promovimi i të drejtave LGBTI; pra shtetet [që duan të anëtarësohen] duan ta përmbushin këtë kusht dhe thonë “kemi mbajtur Paradën e Krenarisë”. Por kur shikon nën sipërfaqe edhe shtetet që kanë legjislacion kundër krimeve të urrejtjes nuk i ndjekin penalisht krimet e urrejtjes kundër personave LGBTI. Nuk ka kuptim ta ndërtosh shtetin si progresiv nëse në realitet nuk i garanton të drejtat.

Tregues themelor për të drejtat LGBTI është ndjekja penale e krimeve të urrejtjes, dhe unë nuk kam parë ndjekje efektive të krimeve të urrejtjes në Kosovë, përfshirë këtu sulmin ndaj Kosovo 2.0. në vitin 2012.

Në Shqipëri, një sondazh që u mbajt së fundmi për punësimin e personave LGBTI tregoi se numri i kompanive me politika progresive është tepër i vogël, e në institucione qeveritare është edhe më keq. Duhet të ketë përkushtim gjithpërfshirës për të drejtat e njeriut, sepse struktura e të drejtave të njeriut kërkon garantimin e të drejtave për të gjithë, pa diskriminim.

Në dy marshet e fundit për të drejtat LGBTI në Kosovë kemi parë që politikanët ishin të pranishëm, por nuk ka parti politike në Kosovë që e ka mbështetur publikisht komunitetin LGBTI. A është kjo shenjë treguese se prania e tyre në marshe është kryesisht për komunitetin ndërkombëtar?

Mund të jetë. Në Paradën e parë të Krenarisë në Mal të Zi kishte më shumë ambasadorë se politikanë vendas. Mendoj se tregues themelor për të drejtat LGBTI është ndjekja penale e krimeve të urrejtjes, dhe unë nuk kam parë ndjekje efektive të krimeve të urrejtjes në Kosovë, përfshirë këtu sulmin ndaj Kosovo 2.0. në vitin 2012.

Megjithatë, legjislacioni në Kosovë është mjaft progresiv sa i përket respektimit të të drejtave pa dallime, por zbatimi është në nivel shumë të ulët. Çfarë pengesash mendoni se ka në këtë aspekt? Mungesa e vullnetit të institucioneve?

Amnesty International për një kohë të gjatë është shqetësuar me mungesën e progresit sa i përket garantimit të të drejtave të romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve në Kosovë. Kam parë shumë strategji dhe plane veprime për këto komunitete, por me sa duket asgjë nuk po ndryshon.

Mendoj se ekziston një problem në Kosovë sepse një pjesë e madhe e punës për të drejtat e romëve është kryer me financim ndërkombëtar. Tani ky financim po shterret. Nuk ka më aq shumë nisma të financimit nga jashtë. Pra qeveria duhet ta prioritetizojë financimin e tyre nga buxheti i Kosovës. Niveli i papunësisë tek romët ishte rreth 90 për qind në vitin 2016; pra qeveria duhet të krijojë punësim domethënës, jo ndonjë skemë të udhëhequr nga ndonjë OJQ, që nuk do të jetë operative vitin e ardhshëm. Shumë romë janë duke jetuar në varfëri të skajshme, dhe numri i tyre vazhdon të rritet, meqë Gjermania dhe shtetet tjera po vazhdojnë t’i kthejnë romët në Kosovë, ku ofrohet shumë pak ndihmë domethënëse për ta.

Qeveria duhet t’u ofrojë diçka atyre të cilët kthehen. Përndryshe do t’u kthehen autobusëve dhe do të mundohen përsëri të shkojnë në BE. Kosova duhet ta ketë një popullsi e cila nuk dëshiron të largohet, dhe kjo nuk vlen vetëm për romët.

Në vitin 2015, kur mijëra njerëz u larguan nga Kosova, nuk ishte domosdoshmërisht për shkak të situatës politike, por për shkak të niveleve të varfërisë. Në një qendër të ndalimit në Hungari u njoftova me plot familje të cilat i kishin shitur shtëpitë, tokat, çkado që kishin, vetëm për të ikur e për t’u arrestuar në kufirin hungarez, e për t’u vendosur në qendra të ndalimit, për t’u kthyer, apo në disa raste, për t’u dëbuar matanë kufirit pa i marrë parasysh kërkesat e tyre për azil.

Kur të bëhet liberalizimi i vizave, ekziston një mundësi reale që mijëra njerëz t’u kthehen autobusëve për t’u munduar të shkojnë në Europë, pos nëse ndryshon situata. Kjo na kthen te ajo që e thashë në fillim: Qeveria duhet të ofrojë punësim dhe mirëqenie sociale, si dhe qasje në shëndetësi dhe strehim adekuat.

Ata [qeveria] mund të thonë: “e kemi adresuar çështjen e kufirit me Malin e Zi” apo “e kemi krijuar Ministrinë e Inovacionit”, por si do të ndikojë kjo te jetesa e pjesës më të madhe të popullsisë? Qeveria ka përgjegjësi të kujdeset për qytetarët. Kosova luftoi për t’u bërë e pavarur, por çfarë pavarësie kanë njerëzit të cilët jetojnë në varfëri?

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pengesat që parandalojnë zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur qëllimisht janë theksuar nga Amnesty që prej fundit të luftës, në çdo raport vjetor.

Amnesty International ka punuar me raste të zhdukjes së qëllimshme prej vitit ’99. Kemi intervistuar shumë njerëz të cilët i kanë humbur anëtarët e familjes në vitin 1999 në kampe të refugjatëve nëpër Shqipëri dhe Maqedoni. Në 17 vitet e fundit jemi fokusuar në 25 persona të humbur, si “raste simbolike” – 20 prej tyre ishin shqiptarë, tre ishin serbë dhe dy romë. Prej krejt atyre rasteve, më pak se gjysma e trupave janë gjetur. Dhe ndonëse lidershipi serb u ndoq penalisht nga Tribunali [Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ICTY] në lidhje me krimet që i kreu në Kosovë, shumë pak autorë individualë të krimeve janë ndjekur penalisht.

Nga intervistat tona me familjet, dhe nga dëshmitë tjera, përfshirë këtu punën e Panelit Këshillues të UNMIK-ut për të Drejtat e Njeriut, është e qartë se UNMIK-u dështoi në hetimin e zhdukjeve të qëllimshme edhe kur kishin dëshmi dhe dëshmitarë në dispozicionin e tyre, e edhe kur ngjarjet ishin ende të freskëta në kujtesat e njerëzve. Dhe kur trupat iu kthyen familjeve nga varrezat masive në Serbi, ata thjesht i mbyllën rastet. Nuk e kuptoj këtë. Ndonëse ishte shumë e rëndësishme që familjeve t’u ktheheshin trupat e të afërmve të tyre, është poashtu e rëndësishme të vendoset drejtësia.

Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, procesi i zhvarrosjes është ngadalësuar shumë. Më shumë se 160 trupa janë gjetur prej vitit 2010, dhe [rreth] 1,665 persona janë ende të humbur. [Më 18 shtator] U krye një zhvarrosje në Shqipëri dhe tani një familjeje do t’i kthehet i afërmi i tyre.

Mendoj se kjo është një prej çështjeve më të dhimbshme që ka rrjedhuar nga fundi i luftës. Familjet janë të mendimit se institucionet i kanë harruar personat e humbur.

Por ende ka trupa të varrosur në Kosovë të cilët nuk po gjenden – vetëm nga një ose dy në vit. Kjo është një prej çështjeve për së cilat duhet të ketë bashkëpunim më të mirë, jo vetëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por edhe ndërmjet organizatave të cilat ishin këtu fillimisht, përfshirë këtu KFOR-in. Pa forcë policore të pranishme menjëherë pas luftës, njerëzit shkuan në bazat e KFOR-it për të raportuar për personat e humbur. Ata kanë shumë informata të cilat i ka kërkuar vazhdimisht ICRC-ja [Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq]; por për pjesën më të madhe të shteteve – duke u thirrur në arsyet e sigurisë apo në arsyet ushtarake – nuk janë dhënë informatat.

Në disa raste, KFOR-i gjeti trupa dhe i varrosi përsëri në vendet tjera. Tribunali [ICTY] gjithashtu kreu zhvarrosje dhe i varrosi përsëri trupat. Mbizotëron ende një atmosferë e paqartësisë nga ajo periudhë. Me gjasë ka trupa të shqiptarëve, serbëve dhe romëve anembanë Kosovës, dhe ose askush nuk e din se ku janë ose e dinë dhe nuk po tregojnë.

Instituti Mjeko-Ligjor [i Kosovës] është munduar shumë, duke përdorur teknologji mjaft komplekse, për t’i identifikuar lokacionet e varrezave, por nuk kanë arritur shumë sukses.

Së shpejti do të bëhen 20 vjet nga përfundimi i luftës. Të afërmit e personave të humbur po bëhen gjithnjë më të moshuar. Ata kanë frikë se do të vdesin pa e ditur se çfarë u ka ndodhur të dashurve të tyre. Mendoj se kjo është një prej çështjeve më të dhimbshme që nga fundi i luftës. Familjet janë të mendimit se institucionet i kanë harruar personat e humbur.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

A mendoni se personat e humbur duhet të jenë pjesë e dialogut në Bruksel?

Mendoj se po. Nuk e shoh pse nuk mund të jenë. Më kanë thënë se është çështje tepër politike, dhe tepër e vështirë. Por në fund të fundit ka ndodhur në luftë, dhe kështu zgjidhet të paktën një pjesë e “konfliktit të pasluftës”, sepse familjet në Serbi dhe Kosovë ende e ndjejnë dhimbjen e humbjes [së të afërmve të tyre]. [Kjo dhimbje] Nuk do të zgjidhet kurrë, deri sa të gjinden trupat.

Në një situatë hipotetike në të cilën institucionet kosovare, institucionet serbe dhe komuniteti ndërkombëtar janë rreth një tavoline për ta diskutuar këtë çështje – çfarë duhet të bëjnë ato?

Në nivel politik, duhet ta themelojnë një marrëveshje që të dy palët e konfliktit të armatosur t’i ofrojnë dëshmitë që i kanë në dispozicion. Fillimisht, do të duhej të tregoheshin lokacionet e varrezave masive në Kosovë dhe Serbi. Së dyti, do të duhej të themelohej një marrëveshje për një program të zhvarrosjes. Dhe në fund, të ktheheshin trupat te familjet në Kosovë dhe Serbi. Kjo është çështje krejtësisht humanitare. ICRC-ja i ka kërkuar këto informata me vite, dhe me sa duket tani vetëm një marrëveshje politike do ta bënte të mundur këtë.

Për të pasur qasje në drejtësi për të dy palët, duhet të bëhet një marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet policisë, prokurorëve dhe gjyqësorit në Kosovë dhe Serbi. Ndërmjet Serbisë dhe Bosnjes ka bashkëpunim. Serbia bashkëpunon edhe me Kroacinë. Ka pasur shumë progres për t’i sjellur para drejtësisë autorët e krimeve në shumë raste, jo domosdoshmërisht vetëm në rastet e zhdukjeve të qëllimshme.

Mund ta kuptoni pse njerëzit nuk kishin besim në sistemin e drejtësisë të UNMIK-ut; ata nuk kishin besim në EULEX, dhe tani nuk do të kenë besim në prokurorët e Kosovës.

Duhet të ketë më shumë se bashkëpunim teknik sa i përket zhvarrosjeve, por në fund të fundit, edhe bashkëpunim gjyqësor dhe prokurorial sa i përket rasteve, dhe identifikim të autorëve të krimit, si dhe transferim të tyre nga shteti në shtet. Por ndonëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Kosova vështirë se do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë, ky bashkëpunim nuk do të ndodhë. Procesi ka ngecur. Ndoshta BE-ja është i vetmi institucion i cili mund t’u bëjë presion të dy palëve. Por për momentin, nuk duket se Bashkimi Europian ka vullnet për ta trajtuar këtë çështje.

Çfarë mund të bëjnë autoritetet kosoavre? Çfarë roli do të kishin ata?

EULEX-i bashkëpunon deri në një masë me Serbinë, dhe kur të largohet [EULEX-i], vështirë është të paramendojmë se do të ketë progres. Institucionet do të duhet të bëjnë uvertura pozitive ndaj Serbisë, dhe nuk pres shumë se do ta bëjnë këtë, ndonëse Serbia me të vërtetë po refuzon të bëjë lëvizje pozitive karshi Kosovës. Ende janë dy palë të luftës, pa marrë parasysh faktin se marrëdhëniet janë përmirësuar deri në një masë, dhe se tani ka serbë në qeverinë e Kosovës.

Si e shihni transferimin e rasteve të krimeve të luftës nga EULEX-i te institucionet e Kosovës?

Janë vetëm dy prokurorë të krimeve të luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale, dhe ata merren edhe me korrupsion e me gjithfarë lloj rastesh tjera. Meqë qindra raste janë duke u transferuar, procesimi i këtyre rasteve do të zgjatë përjetë. Gati të gjitha rastet që po transferohen nga EULEX-i u transferuan nga UNMIK-u në 2008-09, dhe e dimë nga puna e Panelit Këshillues të UNMIK-ut për të Drejtat e Njeriut se pak raste u hetuan si duhet nga UNMIK-u. Pra probabiliteti se ka mjaft dëshmi për ndjekje penale të shumicës së rasteve të transferuara është shumë, shumë i vogël.

Mund ta kuptoni pse njerëzit nuk kishin besim në sistemin e drejtësisë së UNMIK-ut; ata nuk kishin besim në EULEX, dhe tani nuk do të kenë besim në prokurorët e Kosovës. Shumë njerëz kanë kërkuar drejtësi; kanë dhënë deklarata, kanë ofruar dëshmi para shumë kohe, dhe asgjë nuk ka ndodhur me rastet e tyre.

Drejtësia e pasluftës është shumë e ndërlikuar, por nuk duhet të marrë kaq shumë kohë. Komunitetit ndërkombëtar i iku një mundësi për të sjellur drejtësi në Kosovë. Ndonjëherë kanë marrë vendime në bazë të arsyeve politike… Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë janë themeluar për t’i gjykuar disa krime të caktuara që gjoja janë kryer nga UÇK-ja. UNMIK-u ka mundur t’i kryente këto raste në vitin 2003 apo 2004, por është marrë një vendim politik për të mos i ndjekur penalisht anëtarët e UÇK-së, sepse komuniteti ndërkombëtar dëshironte stabilitet politik. Do të na duhet të presim dhe të shohim se çfarë ndodh me gjykatën e re.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë avokuar masivisht nga Amnesty me vite të tëra. Kjo është pikërisht një prej arsyeve kryesore që keni ardhur në Kosovë këtë herë. A shihni progres sa i përket garantimit të këtyre të drejtave?

Në mandatin e Presidentës së kaluar ndodhi një shtytje masive sa i përket garantimit të të drejtave të personave të mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë kohës së luftës. Ne [Amnesty International] e mbështetëm lëvizjen për amendamente në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Personave me Aftësi të Kufizuara, Veteranëve, Anëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjeve të tyre. Ndonëse amendamentet nuk ishin të papërsosura, i mbështetëm sepse kishte një zbrazëti shumë të madhe në legjislacionin ekzistues: grave të cilat kishin vuajtur nga dhuna seksuale nuk u ofrohej ndonjë formë e njohjes apo kompenzimit.

Javën që shkoi e kalova duke folur me persona të mbijetuar. Ata kanë mbijetuar në kushte shumë të ashpra. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë të hyra. Shumë prej tyre janë të varur ndaj anëtarëve të familjes – disa prej tyre nuk e dinë as çka u ka ndodhur, për shkak se niveli i stigamtizimit është shumë i lartë në Kosovë. Shumë prej tyre kanë vuajtur nga lëndimet më të tmerrshme si rrjedhojë e asaj që u ka ndodhur, dhe pjesa më e madhe me sa duket vuajnë nga sëmundjet që lidhen me stresin. Shumë prej tyre vuajnë nga Çrregullimi i Stresit Posttraumatik. Dhe po ndihmohen vetëm ata që kanë arritur ta mbledhin guximin dhe t’u drejtohen OJQ-ve.

OJQ-të i kanë këshilluar, u kanë ndihmuar me trajtim, u kanë ndihmuar të blejnë ilaçe dhe u kanë ofruar serra, bletë apo lopë, që ata të kenë mundësi të krijojnë të hyra për veten e tyre dhe familjen e tyre. Institucionet nuk kanë bërë asgjë për këto gra, dhe tani e kanë një mundësi [për ta ndryshuar këtë].

[Ish] Presidentja [Atifete Jahjaga] e tregoi se si bëhet. Ajo shkoi dhe foli me këto gra. Ajo e nxiti lëvizjen e këti procesi. Ajo e themeloi Këshillin [Këshilli Kombëtar për të Mbijtuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës], dhe me ekspertizën e OJQ-ve përgatiti legjislacionin e domosdoshëm. Procesi i aplikimit për dëmshpërblime është shumë i mirë në Kosovë. Është i projektuar për ta mbrojtur anonimitetin e grave, dhe u ofron njohje për vuajtjet e tyre, si dhe kompenzim.

Është për të të ardhur keq që ligji nuk u ofron qasje në shëndetësi pa pagesë, sepse me të vërtetë kanë nevojë për të. Ligji gjithashtu i lë anash gratë të cilat janë dhunuar apo sulmuar seksualisht pas luftës. Pra, jo si Ligji për Persona të Humbur – në të cilin përfshihen të gjithë personat që janë zhdukur deri më dhjetor 2000 – ky legjislacion nuk i kualifikon gratë – kryesisht serbe dhe rome – të cilat janë dhunuar pas luftës nga UÇK-ja ose shqiptarët e tjerë.

Shumë prej të mbijetuarve nuk mund të heqin dorë nga e kaluara për shkak të atyre që u kanë ndodhur, pavarësisht këshillave e ndihmës. Ato kanë nevojë që qeveria t’ua ofrojë këtë. Pothuajse secila grua prej atyre që kam folur më ka thënë: “Institucionet nuk kanë bërë asgjë për neve”.

Por pavarësisht problemeve me ligjin, gjëja më e rëndësishme është zbatimi i tij. Sivjet ka pasur progres real. Nën presionin e OJQ-ve të grave, më herët gjatë këti viti qeveria e kaluar e themeloi Komisionin e Verifikimit, i cili përbëhet nga përfaqësues të mirë të profesioneve të ndryshme dhe institucioneve relevante. Procesi ësht projektuar nga OJQ-të e grave, me ndihmën e institucioneve dhe njerëzve të cilët e përbëjnë Kommisionin e Verifikimit, dhe të cilët janë të përkushtuar për funksionalizimin e tij.

Tani, më 22 shtator, qeveria e re njoftoi se do të ndahej buxheti për Komisionin e Verifikimit, në mënyrë që ky komision të ketë mundësi t’u ofrojë dëmshpërblime, specifikisht kompenzim në formë të penzionit mujor, grave të cilat janë dhunuar apo sulmuar seksualisht gjatë luftës.

Cilët duhet të jenë hapat e radhës të qeverisë? Pasi u njoftua ndarja e buxhetit për Komisionin e Verifikimit, ministri i financave i Kosovës propozoi reduktimin e intervalit kohor të verifikimit nga pesë vjet në pesë muaj, dhe kështu nxiti reagime nga OJQ-të të cilat punojnë me të mbijetuarit e dhunës seksuale./

Amnesty International i ka disa shqetësime në lidhje me këtë. Ne shpresojmë se kompenzimi do të jetë i tillë që t’u ofrojë grave zgjidhje dinjitoze. Shpresojmë gjithashtu se do të arrihet ndonjë marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, siç u negocia me qeverinë e kaluar, që t’u ofrohet sigurim shëndetësor të mbijetuarve. Shpresojmë që problemet rreth pranueshmërisë së grave të cilat tashmë janë duke pranuar pensione të tjera që lidhen me luftën – ndoshta për shkak se u është vrarë apo plagosur burri në luftë – të zgjidhen, në mënyrë që gratë të marrin kompenzim për dëmet që u janë shkaktuar atyre personalisht.

Një çështje tjetër që lidhet me buxhetin është fakti që autoritetet duan të dinë sa gra do të aplikojnë dhe sa do të kushtojë. Parashikimi i kësaj është i pamundur, por nëse e analizojmë, për shembull, rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, mund të presim që ky numër nuk do të jetë i madh në vitin e parë. Mund të jetë më i madh në vitin e dytë dhe të tretë, e kështu me radhë. Pra jemi shumë të shqetësuar se në vend që të ofrohen pesë vjet për të aplikuar për statusin e të mbijetuarit – siç është planifikuar fillimisht – po ushtrohet presion për ta reduktuar këtë periudhë në pesë muaj.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Numri i të mbijetuarve të cilët janë paraqitur në OJQ dhe i kanë treguar historitë e tyre është në fakt mjaft i vogël. Dhe numri i atyre grave të cilat do të aplikojnë fillimisht për pension do të jetë edhe më i vogël. Edhe pse u garantohet anonimiteti, shumë prej tyre shqëtësohen për faktin se mund t’i njeh dikush, pavarësisht masave të mbrojtjes, që garantojnë se emrat e tyre nuk do të zbulohen kurrë. Numri i grave të cilat e mbledhin guximin për t’u paraqitur sapo të hynë në fuqi dispozitat e amendamenteve do të jetë relativisht i vogël.

Të tjerat do të presin për të parë nëse po funksionon procesi. Atyre do t’u nevojitet kohë për të mbledhur vetëbesimin dhe për të aplikuar më pas. Duhet ta keni parasysh se disa gra nuk u kanë treguar kurrë burrave apo anëtarëve të familjes, pra nevojitet shumë guxim për ta treguar para një komisioni zyrtar.

Kostoja nuk do të jetë shumë e lartë për këtë qeveri, por përfitimi për këto gra do të ishte transformues. Do t’u ofronte njohje, respekt, dhe para të cilat u takojnë, që ato ta kenë një ndjesi të vetëvetës; do t’u ofronte një të ardhme.

Shumë prej të mbijetuarve nuk mund të heqin dorë nga e kaluara për shkak të atyre që u kanë ndodhur, pavarësisht këshillave e ndihmës. Ato kanë nevojë që qeveria t’ua ofrojë këtë. Pothuajse secila prej atyre grave me të cilat kam folur më ka thënë: “Institucionet nuk kanë bërë asgjë për neve”. Pra mendoj se kjo është një mundësi që qeveria të bëjë diçka.

Ligji ndërkombëtar thotë se viktimat e krimeve sipas ligjit humanitar – krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, ku bën pjesë edhe përdhunimi – kanë të drejtë për dëmshpërblim dhe drejtësi. Vetëm një numër i vogël i këtyre grave do të kenë qasje në drejtësi, për shkak të problemeve në lidhje me sistemin e drejtësisë të cilat tashmë i diskutuam; mënyra më e mirë se si qeveria mund ta nderojë shumicën e këtyre grave është në formë të kompenzimit, shëndetësisë dhe njohjes zyrtare, për shkeljet që i përjetuan gjatë luftës, si dhe traumën psikologjike dhe sëmundjet fizike nga të cilat vuajtën më pas për 18 vite.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0