Pikëpamje | Shëndeti | Shëndetësia

Sigurimi i paraparë shëndetësor do ta thellojë privatizimin e të drejtave sociale

Nga - 05.06.2018

Zbatimi i sigurimit do të veprojë kundër popullatës ekonomikisht më të pafavorizuar

Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor do ta thellojë privatizimin e sferës publike të Kosovës. Me të, do të fuqizohen institucionet private shëndetësore në kuptimin afatgjatë, ndërsa do të rriten automatikisht rrogat e sekorit publik për rreth 20 milionë euro. Të gjitha këto zhvillime shkojnë kundër interesave ekonomike të shtresës më të varfër.

Modeli

Kosova do t’i bashkangjitet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndjekin modelin e Sigurimit Shëndetësor nëse, siç pritet, mbledhja e kontributeve të punëdhënësve dhe punëtorëve si dhe kompensimi i shërbimeve fillon më 2019. Ky model është i përhapur në shtetet e Europës perëndimore dhe qëndrore (p.sh. Francë, Gjermani, Austri), si dhe me disa dallime është aplikuar edhe në ish-Jugosllavi, përfshirë në Kosovë, përpara 1989-ës.

Përmes këtij modeli, të drejtat në sigurim shëndetësor fitohen me kontribute nga puna formale dhe me vetëfinancim, ose duke qenë pjesë e skemave zyrtare të varfërisë të mbuluara nga shteti. Kështu, modeli dallon nga ai i Sigurimit Kombëtar Shëndetësor që aplikohet në Europën veriore dhe jugore (p.sh. Suedi, Mbretëri të Bashkuar, Spanjë), ku e drejta në sigurim shëndetësor fitohet universalisht me nënshtetësi.

Në kontekstin e Kosovës, që ka përjetuar privatizimin më të madh të të drejtave sociale në gjithë rajonin gjatë tranzicionit post-socialist të dekadave të fundit, fillimi i zbatimit të këtij modeli bazuar në nuancat e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor – që ka hyrë në fuqi në prill 2014 me mbështetjen pothuajse unanime të grupeve të atëhershme parlamentare – mund ta përmirësojë gjendjen sociale në disa aspekte, por shoqërohet edhe me rreziqe dhe mangësi serioze.

Përparësitë

Natyrisht, Ligji për Sigurimin Shëndetësor ka disa përparësi. Përparësia më e dukshme e tij do të jetë shmangia e të ashtuquajturës “rishpërndarje perverse” që ka qenë prezente deri më tash pasi të varëfrit – që njihen zyrtarisht si të varfër duke marrë pjesë në skemën e ndihmës sociale – është dashur shpesh të paguajnë për barna dhe shërbime mjekësore.

Tani, pasi sigurimi i tyre do të mbulohet nga buxheti kombëtar, qasja në barna dhe shërbime shëndetësore (përfshirë në sektorin privat) do të rritet; e kjo domethënë që edhe vlera e ndihmës sociale do të shtohet. Sa më cilësore të jetë mbulueshmëria me ndihmën sociale (që ka rënë vitet e fundit), aq më i mirë do të jetë mbulimi i të varfërve nga sigurimi shëndetësor.  

Ndërlidhja e pritshme e cilësisë së shërbimit me kontrata dhe kompensime nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore mund të çojë edhe në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor, nga e cila do të fitonin njëjtë më shumë njerëz.

Një përparësi tjetër është forcimi, sado modest, i solidaritetit shoqëror. Ndonëse të gjithë punëdhënësit (3.5%) dhe punëtorët (3.5%), sipas ligjit, do të paguajnë shkallë të sheshtë (njëjtë) dhe jo progresive të kontributeve, këto kontribute do të shtojnë financat e përgjithshme të mbledhura nga klasa punëtore – çka përbën solidaritet prej më të pasurve kah të tjerët.

Gjithashtu, pasi një i siguruar mund ta sigurojë automatikisht familjen e vet, kjo do të krijojë mbulueshmëri të lartë të popullatës me sigurim shëndetësor dhe ndoshta edhe do të nxisë më shumë interes për punësim formal, sidomos të punëtorëve me rroga të vogla.

Megjithatë, rregullimi për mbulimin e familjeve bart në vete edhe rrezikun e dekurajimit të grave për punësim. Nëse ky dekurajim vërtet paraqitet, atëherë ai vetëm sa do e keqësojë problemin ekzistues të shkallës së ulët të punësimit të grave, që ka qenë nën 17% më 2015.

Rreziqet dhe mangësitë

Përderisa shumica e aspekteve të mësipërme janë të mirëseardhura dhe i kontribuojnë forcimit të rishpërndarjes dhe barazisë sociale, ligji vjen me rreziqe dhe mangësi kontekstuale.

Rreziku më i madh është mundësia e tkurrjes serioze të shërbimeve ose institucioneve publike shëndetësore. Në bazë të nenit 31 të ligjit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të kontraktojë “institucionet shëndetësore të licencuara” për të ofruar shërbime. Kështu, sikur në vende të tjera të Ballkanit, krijohet mundësia për të kontraktuar institucionet private shëndetësore.

Por, duke llogaritur faktorë relevantë në Kosovë – indikatorët e korrupsionit të lartë në administratën publike, trashëgiminë e dobët të kujdesit shëndetësor publik që nga paslufta, dhe në anën tjetër mundësitë më të mëdha të tregut privat për t’u reformuar dhe për t’iu përgjigjur nevojave të konsumatorëve – institucionet private shëndetësore pritet të përfitojnë më shumë nga zbatimi i sigurimit të obliguar shëndetësor.

Nëse kjo ndodh dhe institucionet publike shtyhen në periferi në mungesë të kujdesit të vazhdueshëm reformator qeveritar, është e mundshme që me kohë çmimet e shërbimeve shëndetësore të rriten (me rritjen e autoritetit të sektorit privat), çka do të rrisë koston për qytetarët. Nuk është larg mendësh që, duke marrë për bazë privatizimin e madh në Kosovë, një numër i institucioneve publike mund të çohen komplet drejt falimentimit.

Rreziku i përjashtimit social nga të drejtat e sigurimit shëndetësor është gjithashtu i lartë për shkak të shkallës së ulët të punësimit formal, që mbetet nën 30%.

Në kuptimin afatshkurtër, fillimi i zbatimit të ligjit do t’i kushtojë në mënyrë indirekte xhepit të të varfërve, sidomos për shkak se në dhjetë vitet e fundit punëtorët e sektorit publik janë favorizuar nga qeveria në të drejtat e punës – si në pagesa dhe siguri në punë,  shpesh në këmbim të votave.

Rreth 85% e të hyrave nga taksat për vitin 2018, janë planifikuar nga taksat në konsum. Kjo i bie se Kosova relacionalisht merr më shumë nga të varfërit (taksa regresive) për të mbushur buxhetin kombëtar. Prej këtij buxheti, paguhen gati 600 milionë euro rroga për administratën.

Me ligjin për sigurimet shëndetësore, punëdhësi obligohet të paguajë 3.5%  të kontributeve. Kjo vlen edhe për qeverinë, që aktualisht është punëdhënës i rreth 88,000 personave, e kështu shpenzimet për rroga në sektorin publik pritet të rriten automatikisht për rreth 20 milionë euro – që i bie kryesisht me financim nga të varfërit. Për shkak të disproporcionalitetit në të drejta të sektorit publik, dallimet shoqërore gjithnjë e më shumë kanë origjinë burokratike; kjo rritje rrogash për burokratët shton në drejtimin e njëjtë.

Me të njëjtin ligj, lihet mundësia që të gjithë përfituesit e transfereve publike në të holla – si pensionistët, veteranët, ish të burgosurit politikë etj. – t’i nënshtrohen “testit” qeveritar të nevojës ose varfërisë për t’u kualifikuar për sigurim pa pagesë.

Duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur me të drejtat e veteranëve (që ia njohën statusin e veteranit rreth 50,000 personave, një pjesë e madhe e të cilëve janë kualifikuar për kompensime financiare me pohime të dyshimta), nuk përjashtohet mundësia që të drejtat sociale edhe përmes sigurimit shëndetësor ta vazhdojnë strukturimin (kristalizimin e pabarazisë) shoqërore bazuar në të drejta partikulare e jo universale.

Rreziku i përjashtimit social nga të drejtat e sigurimit shëndetësor është gjithashtu i lartë për shkak të shkallës së ulët të punësimit formal, që mbetet nën 30%.* Gjatë kohës së vetëqeverisjes socialiste (1953-1989), Kosova ka pasur përjashtim social në sigurim deri në 40%-50% ngaqë shkalla e punësimit ishte njëlloj e ulët.

Ligji nuk sjell instrumente inovative të nxitjes së punësimit formal. Për shembull, Serbia, me sigurim mbulon mungesat në punë për shkak të sëmundjes – çka do t’i kontribuonte më tej interesit racional ekonomik për ta raportuar punën. Qeveria gjithashtu ka mundur ta shfrytëzojë shembullin e Shqipërisë e cila për shumë vite gjatë periudhës së tranzicionit ka paguar kontributet për bujqit nga buxheti kombëtar. Kjo do të rriste edhe shkallën e mbulueshmërisë dhe cilësinë e matjeve të punësimit individual në bujqësi.

Ky ligj nuk shoqërohet me debat të detajuar publik, përkundër se kanë kaluar gati njëzet vjet nga lufta. Edhe ky ligj, si shumica e të drejtave sociale në Kosovë, është dizajnuar në plotni nga Banka Botërore, me përfshirje të vogël vendore.

Në gjithë rajonin, Kosova mbetet ngarkuesi më i ulët i punëdhënësve në kuptim të kontributeve, por kjo vazhdon të mos përkthehet në rritje të dukshme të shkallës së punësimit. Kjo i flet pritjes së zakonshme (mainstream) ekonomike që sugjeron se ngarkesat e ulëta ndaj punëdhënësve nxisin rritjen e punësimit; në fakt dëshmohet se kërkohen më shumë masa aktive dhe inovative nga qeveria për ta rritur punësimin.

Siç tregon shembulli i kursimeve të obliguara pensionale në Kosovë, sigurimi i obliguar shëndetësor pritet ta ulë nevojën ose interesin për sigurime vullnetare në treg. Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK), në vitin 2015 figuronin 128,950 polisa të sigurimit vullnetar. Me sigurimet e obliguara nevoja për sigurimet vullnetare do të ulet, së paku në periudhën afatshkurtër. Kjo mund të çojë në humbjen e një numri të vendeve të punës në sektorin privat.

Në përgjithësi, shpenzimi buxhetor është më i madh në modelin e Sigurimit Shëndetësor sesa në modelin e Sigurimit Kombëtar Shëndetësor dhe kjo pritet të ndodhë edhe në Kosovë. Deri më tash, vendi ka shpenzuar nën 3% të GDP-së për shëndetësinë. Sipas shpenzimeve të planifikuara për Shërbimin Spitalor dhe Ministrinë e Shëndetësisë, shpenzimet e Kosovës për 2018-tën pritet të jenë rreth 2.2 GDP%. Pas fillimit të zbatimit të sigurimit shëndetësor, shpenzimi do të rritet pasi shërbyesit do të jenë të interesuar për të nxjerrë buxhet më të lartë.

Së fundi, një mangësi tjetër serioze mbetet fakti që ky ligj nuk shoqërohet me debat të detajuar publik, përkundër se kanë kaluar gati njëzet vjet nga lufta. Edhe ky ligj, si shumica e të drejtave sociale në Kosovë (përveç atyre partikulare ose klienteliste), është dizajnuar në plotni nga Banka Botërore, me përfshirje të vogël vendore.

Kështu, përkundër përparësive të cekura më lart, fillimi i zbatimit të sigurimeve shëndetësore do ta thellojë privatizimin (marketizimin) e të drejtave sociale në Kosovë, rritjen e shpenzimit dhe rritjen e përgjegjësisë financuese individuale. Prandaj pozita ekonomike e shtresës më të pafavorizuar në treg, në përgjithësi, do të dobësohet.

Kalkulimi bazohet në të dhënat e kontribuesve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2017 dhe projeksionin e popullsisë në moshë pune të Agjencisë së Statistikave të Kosovës sipas variantit të mesëm, minus pensionistët me paaftësi të përhershme pune.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

Redaktuar nga Leurina Mehmeti dhe Jack Robinson.

Kthehu në Monografinë e Shëndetit

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO