Në thelb | Kulturë

Këngë për burrnesha

Nga - 27.10.2017

Muzika e Vjollca Robelli Mripës eksploron traditat dhe trashëgiminë shqiptare.

Herët në një mëngjes maji, Vjollca Robelli Mripa udhëtoi me veturën e saj në një fshat afër qytetit të Pejës. Kantautorja trokiti në derën e Mire Lajqit, një prej burrneshave të fundit të mbetura në Kosovë. Ajo ia tregoi verzionin fillestar të këngës së saj të fundit, Burrnesha, brenda së cilës Robelli Mripa i trajton tranzicionet e jetës së një burrneshe, nga adoleshenca e beqaria deri në moshë të shtyrë.

Robelli Mripa deshi ta intervistonte një burrneshë – një grua e cila sipas traditës së malësisë shqiptare mund t’i kalojë vijat e ndarjes gjinore duke u zotuar për virgjëri, duke veshur tesha të burrave dhe shpeshherë duke e përvetësuar një emër burri – për një projekt dokumentar më gjithëpërfshirës, me të cilin ajo ka punuar së fundmi.

Pasi i dëgjoi tingujt melankolikë të pjesës së parë të këngës së saj, Lajqi pyeti pse muzika përmban kaq shumë tinguj pikëllimi. “Pse po tingëllon si vuajtje? Unë nuk jam duke vuajtur”, i tha ajo Robelli Mripës.

“Muzika ime nuk ka për qëllim të të portretizojë ty si të dobët”, iu përgjigj Robelli Mripa. “Porosia ime është të të prezantojë ty si një grua e cila, kur nuk kishte zë, u ngrit dhe tha ‘unë do të vendos për fatin tim. Unë do të vendos si do të jetoj”.

Foto: Flora Robelli.

Kënga “Burrnesha” u prezantua në koncertin e Robelli Mripës gjatë festivalit feminist FemArt, i cili u mbajt në maj në Prishtinë. Aty u shënua rikthimi i 35-vjeçares në skenën kosovare pas 15 vitesh. U shoqërua me një video dokumentar në të cilin përfshiheshin pamje dhe momente prej fshatrave të ndryshme në Kosovë, të përziera me imazhe të Lajqit – tashmë në moshë të shtyer, me pamjen e një malësori tipik shqiptar.

Robelli Mripa, e cila ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për 12 vjet, i solli edhe dy bashkëpunëtorët e saj, Aram Zarikian dhe Danny Ricon – të dy muzikantë të spikatur në skenën e muzikës në Londër – para audiencës së Teatrit Oda dhe bashkë me ta krijoi një atmosferë me muzikë folklorike shqiptare të përzier me xhez, elektronikë dhe tinguj të muzikës botërore.

Përveç prezantimit të këngës “Burrnesha”, Robelli Mripa e përdori këtë rast për ta prezantuar edhe premierën e një kënge tjetër, “Zare”. Të dy këto këngë pritet të jenë pjesë e albumit të saj të parë, të cilin do ta lansojë së shpejti. Shumë prej të pranishmëve në koncert sigurisht e njeh edhe hitin e saj nga fillimi i mijëvjeçarit, “Ajo”, këngë që kujton transformimin e Robelli Mripës nga një këngëtare e muzikës pop në një muzikante që ndikohet më shumë prej zhanreve të ndryshme, prej xhezit e deri te muzika folklorike.

Ëndrrat në pauzë

Në vitin 2000, si 17-vjeçare, Robelli Mripa, bashkë me dy miq të saj, vendosi të largohej nga vendlindja e saj, Kamenicë, për të jetuar jetën e kryeqytetit. Për Robelli Mripën kjo u shndërrua në një mundësi për ta provuar fatin në skenën e muzikës në Prishtinë.

Ndonëse ajo këndonte në koncerte shkollore si fëmijë, ajo nuk u regjistrua në Departamentin e Muzikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Në vend të kësaj, në vitin 2001 ajo nisi të punonte si moderatore në KTV.

Por frymëzimet si Kurt Cobain, Janis Joplin, Alanis Morissette dhe Nina Simone i dhanë shtytje; ajo e fitoi besimin me zërin e saj pasi u paraqit disa herë nëpër lokale të Prishtinës në lagjen që dikur ishte e njohur për jetën e natës, në Sante, ku ajo këndonte këngët e saj të preferuara të artistëve tjerë, në një kohë kur muzika e gjallë po shpërthente në qytet.

“Unë e ndiej muzikën kur këndoj. Mendoj se kjo i transmetohet edhe audiencës”, thotë ajo. “Shumë shpesh këndoja këngë të Alanis-it. Ajo këndon për jetën, për atë se si mund të të zhgënjejë jeta, për kthesat e papritura që ndodhin kur je duke pritur diçka tjetër. Gjithmonë më ka tingëlluar shumë interesant zëri i saj – mënyra se si transmeton ndjenja. Prandaj i preferoj këngët më melankolike, sepse të gjithë e kemi atë anën melankolike brenda vetes. Dhe këto këngë ngjallin emocione të vërteta”.

“Traditat tona, kultura jonë dhe motivet e saj e formojnë bazën e muzikës sime tani”

Vjollca Robelli Mripa

Në bashkëpunim me bendin Jericho, në vitin 2002 si pjesë e nismës së UNDP-së për ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për virusin AIDS, ajo e lansoi këngën e titulluar “Ajo”. Kjo këngë u bë hit menjëherë. I arriti majat e top listave në Kosovë dhe Shqipëri dhe me të Robelli Mripa u paraqit edhe në Top of the Pops të BBC Albania.

Një vit më vonë, Robelli Mripa shkoi në Londër për të marrë pjesë në një kurs njëvjeçar për këndim. Asaj i kaloi viza, por gjashtë muaj pasi ishte kthyer në Kosovë, ajo ishte e vendosur ta niste një karierë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo u largua përsëri, por një ndryshim i papritur i fatit e detyroi të pauzonte për 15 vjet nga muzika; ajo u dashurua, u martua pak më pas, dhe jeta familjare me dy fëmijë e detyroi ta shtynte karierën, thotë ajo.

“Erdha në Londër për muzikë. Projektin e kisha në kokë”, thotë Robelli Mripa. “Por tani që e analizoj me prapavështrim, mendoj se është më mirë që nuk ndodhi më herët. Kur isha më e re mendoja më ndryshe për muzikën, dhe pas gjithë kësaj periudhe kam mësuar shumë më shumë për muzikën, dhe u jam ekspozuar bendeve të ndryshme këtu [në Mbretërinë e Bashkuar], e kështu më janë hapur perspektivat krejtësisht të reja për mua”.

Skena e pasur e muzikës në Londër, e cila ofron shumëllojshmëri koncertesh dhe artistësh, ndikoi te Robelli Mripa dhe bëri që ajo t’i rimendojë pikëpamjet që i kishte për muzikën. E frymëzuar nga përfaqësimet e ndryshme kulturore në atë që njihet si muzika botërore, ajo nisi ta eksploronte muzikën, traditat dhe trashëgiminë shqiptare.

“Traditat tona, kultura jonë dhe motivet e saj e formojnë bazën e muzikës sime tani”, thotë Robelli Mripa.

Ajo i shfrytëzoi punimet e Tefta Tashkos, këngëtares së njohur shqiptare të cilën ajo e dëgjonte bashkë me prindërit e saj kur ishte fëmijë; Kënga e Robelli Mripës, “Zare”, është reinterpretim krejtësisht i ri i origjinalit të Tashkos.

Kthehet me ‘Burrneshën’

Por ishte fenomeni i burrneshave ai që e magjepsi Robelli Mripën dhe e mundoi atë derisa e kreu shkrimin e tekstit të këngës ‘Burrnesha’.

Tradicionalisht, në fshatra të largëta patriarkale të Malësisë, nëse kreu i familjes vdes pa trashëgimtar mashkull, njëra prej të bijave zgjedh të bëhet burrë dhe t’i marrë përgjegjësitë e të qenët patriark. Në raste të tjera, shumë gra janë zotuar për t’u ikur martesave të rregulluara. Por shumëkush ka zgjedhur të bëhet burrneshë thjesht për shkak se kjo u ka lejuar më shumë liri – ishte pikërisht ky fakt ai që më së shumti e bëri Robelli Mripën të interesohet.

“Për shembull, gruaja të cilën e intervistova i ka pesë vëllezër dhe nuk është se familja e saj deshi ta martonte atë. Ajo vetvendosi ta jetonte jetën si burrë. Të paktën e kanë lënë të lirë ta jetojë jetën ashtu siç ka dëshirë vet”, thotë Robelli Mripa. “Kam qajtë duke e shkruar tekstin. Mendoj se shumë gra do ta ndiejnë këtë këngë, veçanërisht në pjesët ku patriarkaliteti është më i shprehur, dhe gratë janë shumë të shtypura”.

Praktika e jashtëzakonshme e burrneshave i ka intriguar të huajt ndër shekuj. Poeti anglez i fillimit të shekullit XIX, Lord Byron, ishte i magjepsur nga ky koncept, e falë tij u frymëzua edhe kanadezja Alice Munro për të shkruar tregimin e shkurtër “Virgjëresha Shqiptare”, me të cilin e fitoi Çmimin Nobel. Udhëtuesja angleze, Edith Durham, thuhet se ishte pritur shumë mirë falë këti zakoni kur kaloi nëpër Malësinë shqiptare në fillim të shekullit XX.

Foto: Flora Robelli.

Robelli Mripa kaloi shumë net duke lexuar shkrimet e Durham-it dhe të Alice Young-ut, e cila e shkroi librin “Gratë të cilat bëhen burra: Burrneshat shqiptare”. E vetëdijshme se burrneshat e kanë fuqinë për të prodhuar një narracion shumë të mirë për dëgjuesit entuziastë, ajo e kombinoi tekstin dhe zërin e saj për ta krijuar këngën “Burrnesha”.

Në një ditë gjatë vitit të kaluar, ajo morri thirrje nga Zarikian dhe Rico. Robelli Mripa i kishte parë rastësisht Zarikian dhe Rico duke performuar vetëm disa javë më parë në Royal Albert Hall të Londrës. Ata kishin marrë një kopje të versionit fillestar të këngës “Burrnesha” nga një shoqe e Robelli Mripës, dhe e kishin shprehur pëlqimin e tyre për muzikën e saj, si dhe dëshirën për të bashkëpunuar me të. “Aram dhe Danny janë shumë të ngazëllyer për krejt projektin”, thotë Robelli Mripa. “Atyre i’u duket shumë autentik dhe i fuqishëm”.

Disa muaj më vonë të tre perfomuan për audiencën e Prishtinës. Ndonëse “Burrnesha” dhe “Zare” ende nuk janë lansuar për publikun e gjërë, ftesa e FemArt e ktheu atë në skenë më herët se që e kishte planifikuar. “Nuk isha e gatshme të performoja para publikut”, thotë ajo. “Por ishte mundësi e mirë për të parë ku jemi dhe për ta testuar veten”.

Pasi për shumë vjet ishte larg pasionit të saj origjinal, është e qartë se dashuria që e ka Robelli Mripa për muzikë është më e fuqishme se kurrë, dhe këtë ajo shpreson t’ia sjellë audiencës në të ardhmen. “Mendoj se muzika është urë ndërmjet kulturave dhe gjuhëve të ndryshme”, thotë ajo. “Ajo përçon lumturi, nervozë dhe huti, dhe këtë mund ta ndiesh kur e dëgjon këngën”. K

Foto kryesore: Flora Robelli.

Ky publikim është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Europian, si pjesë e një projekti të zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe të mbështetur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës. Përmbajtjet e këtij publikimi janë përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Europian, Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës.