Shtyp | Sporti

Gjashtë në një

Nga - 04.03.2015

Grupi përpiqet t’i bashkojë etnitë e ndryshme të Kosovës në fushën sportive.

Në nëntor, Thibault Suisse, një francez 28-vjeçar, menaxher projektesh nga “Sports Sans Frontieres”, organizatë kjo që shfrytëzon sportin si mjet për integrim, i vizitoi qytetet e Kosovës jugore, si Shtimen e Kaçanikun, për ta vlerësuar punën e koordinatorëve lokalë. Kur ata arritën, e zbuluan se një numër i pacaktuar i fëmijëve me të cilët është dashur të punonin, ishte zhdukur.

“(Ata thjesht) kanë shkuar, janë zhdukur; prej ditës në ditë, ata largohen”, thotë Suisse, teksa pi cigare në zyrën modeste të organizatës në Prishtinë, të pajisur me pajisje sportive. Të rinjtë e larguar ishin pjesë e lajmeve të fundjavës për autobusët e mbushur jashtë kryeqytetit të Kosovës, që po largoheshin në mes të natës. Qëllimi i tyre? Të kalojnë (ilegalisht) në Hungari, përmes Serbisë, të lënë prapa vetes gjithçka dhe ta nisin një jetë të re në BE, ose së paku kështu u kishin premtuar trafikantët.

Të punosh në një ambient të tillë, që i përmbledh pasojat e një dekade konflikt gjatë viteve ‘90, që ka përfunduar vetëm para 15 vjetësh, i bie që ndasitë etnike me të cilat punon Suisse (dhe Sports Sans Frontieres), janë esenciale për punën e tyre.

“Sports Sans Frontieres” është themeluar në Prishtinë në 2008, sot funksionon në 12 rajone të Kosovës, dhe punon me gjashtë komunitete etnike të ndryshme: shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali dhe turq. Në vitin 2014, organizata kishte 88 vullnetarë të moshave 18-25 vjeçe, të cilët kishin pozita të ndryshme udhëheqëse për t’i koordinuar lojërat javore me fëmijë në qytetet e tyre.

Organizata llogarit që rreth 10.000 fëmijë nga bashkësi të ndryshme etnike marrin pjesë në aktivitetet e saj, dhe se kanë arritur të krijojnë grupe të përziera etnikisht në tetë qytete. Edhe në shkollat më të largëta të Kosovës mund të gjenden nxënës që luajnë me njërin nga 22.800 topat e verdhë të pashkatërrueshëm që organizata i ka shpërndarë në tërë vendin.

“Sports Sans Frontieres” e fitoi rishtazi çmimin “One World Award”, në kategorinë e Sportit për Zgjidhje Konfliktesh, pas një gare me 300 projekte të tjera ndërkombëtare nga e gjithë bota. Këta janë vetëm numra, por realiteti i përditshëm është shumë më kompleks, është një labirint me mure të larta ndaluese.

Një mëngjes të ftoftë të së shtunës së nëntorit, Suisse e nget veturën deri te qyteza Tuneli i Pare, jashtë Mitrovicës. Rrugës për atje, e shohim një grua duke e hedhur një qese me bërllok në lumin ku bërlloku e ka bllokuar rrjedhën e ujit. Bërllok ka edhe përreth fushës së vogël të sportit në hyrje të qytezës. Fusha i ka rrethojat e shqyera, shportat e basketbollit të dëmtuara dhe golat pa rrjetë.

sports-without-borders

Thibault Suisse, një ish-koordinator projektesh, 28-vjeçar, nga “Sports Sans Frontieres”, e kalon kohën më të madhe duke vizituar vullnetarë dhe fëmijë në fshatra gjithandej nëpër Kosovë, shpesh duke shërbyer si psikolog apo negociator.

Mu në këtë fushë, Armendi, 18-vjeçar, nis t’i bëjë ushtrimet e ngrohjes për 20 fëmijë. Bilbili i tij është si fyelli i Pied Piper nga Hamelin, ndërsa fëmijët vijnë pa ndërprerë (disa ende në pizhame) në fushë, nga shtëpitë shpesh të papërfunduara përreth fushës. Ata të gjithë janë shqiptarë.

Aurel Tahiri është një Milanist, 18-vjeçar, i cili shërben si udhëheqësi karizmatik i koordinatorëve të këtij lokaliteti. Sipas Tahirit, para pesë vjetësh në Tunelin e Parë jetonin disa familje të ashkalinjve, por tani jo më. “Atyre u është thënë se nuk kanë vend këtu”, thotë ai. “Ata u diskriminuan dhe prandaj u larguan”. Këmbimet e organizuara nga “Sports Sans Frontieres” janë mundësi e vetme për të që të takojë njerëz nga komunitetet e tjera në Kosovë.

Ai e sheh punën e vet vullnetare me fëmijët e fshatit si mundësi të vetme që të “ikë nga problemet e rrugës, dhe t’i mbrojë fëmijët e tjerë nga ato”. Ai ka dëshirë të bëhet mësues i edukatës fizike. Shoku i tij, Leoni, animator në fushë, mban të veshur një fanellë të kuqe me shqiponjën dykrerëshe shqiptare. Është e klubit të tifozëve “Torcida”.

“Kemi diskutuar për simbole”, thotë Suisse. “Janë provokuese, dhe ata nuk po e kuptojnë se pse duhet t’u shmangen këtyre gjërave”. Organizata ua kishte bërë me dije nga fillimi që diskutimet politike është më mirë të shmangen. Feja është temë më e pranueshme: disa herë në vit, “Sports Sans Frontieres” organizon vizita kulturore në vende të ndryshme duke filluar nga Manastiri i Deçanit e deri te pishinat. Për shumë prej pjesëmarrësve, thotë Suisse, këto janë mundësitë e vetme që ata të dalin nga fshati i tyre.

Serbia vs. Shqipëria – ndeshja më mosduruese

Vetëm para pak muajsh, pas ndeshjes së ndërprerë të Serbisë me Shqipërinë, më 14 tetor, organizata nisi të ecte mbrapsht për shkak të rritjes së sjelljes dhe mesazheve nacionaliste që vullnetarët e vet, të të dyja komuniteteve, po i ndanin në “Facebook”, dhe po i sillnin në aktivitetet e tyre gjithandej nëpër Kosovë. “Kjo lojë e ka kthyer punën tonë gjashtë muaj prapa”, thotë Estelle Maitre, shefe e misionit të “Sports Sans Frontieres” në Kosovë. Nuk kaloi shumë kohë dhe fyerjet filluan të shfaqen.

Para lojës së famshme, thotë Maitre, kishte një precedent. Në maj të vitit 2014, një stuhi e quajtur “Yvette” shkaktoi 51 vdekje në Serbi, dhe u evakuuan mbi 30.000 njerëz. “Një vullnetar shqiptar postoi një foto të një viktime të vërshimeve në ‘Facebook’ dhe tha se serbët e meritojnë këtë për shkak të luftës në Kosovë”, thotë Maitre.

Ky postim nxiti reagime të shumta dhe akuzime, në veçanti në mes të disa vullnetarëve shqiptarë dhe serbë. Këta vullnetarë e shfrytëzojnë “Facebook”-un si rrjet të rëndësishëm, i cili i zhduk dallimet e tyre etnike e gjuhësore. “‘Facebook’-u është privat”, thotë Suisse, “por ka shumë vullnetarë dhe fëmijë në rrjet, dhe ata nuk mërziten se çfarë imazhi krijojnë për vete”.

Një ditë pas fluturimit të dronit mbi stadiumin e “Partizanit” në Beograd, me flamurin e Shqipërisë së madhe (që e përfundoi lojën dhe nxiti dhunë në tribuna dhe në fushë), një vullnetar serb e postoi një foto të ekipit të Shqipërisë duke ikur drejt lokaleve të zhveshjes për t’u mbrojtur, dhe i akuzoi se janë frikacakë. Përsëri, në grup i madh tinejxherësh e filluan diskutimin e nxehtë dhe një seri të pafund akuzash, pavarësisht lutjeve të disa vullnetarëve të tjerë për t’i lënë grindjet anash për hir të rrjetit.

Kushdo që e ka lansuar atë dron në qiell nuk ka mundur t’i imagjinojë pasojat.

Në qytezën jugore të Shtërpcës, afër kufirit me Maqedoninë, flamuri serb me ngjyrë të kaltër, të bardhë e të kuqe, valon mbi ndërtesën e komunës. “Sports Sans Frontieres” punon me dy grupe atje, njërin serb dhe tjetrin shqiptar. Ata nuk janë të përzier, edhe pse fillimisht ky kishte qenë qëllimi, para lojës në Beograd. “Për mua, ky nuk është problem”, thotë Nikola Bozilovic, një fans 17-vjeçar i “Crvena Zvezdës”, dhe i vetmi vullnetar serb që organizata ka arritur ta angazhojë në këtë qytezë, “por fëmijët nuk duan të vijnë, ata nuk duan të bashkëpunojnë, të jenë bashkë”.

sports-without-borders

Nikola Bozilovic (17) është vullnetari i vetëm serb, të cilin “Sports Sans Frontieres” e ka bindur për të punuar në Shtërpcë, një qytezë me shumicë serbe. Të tjerët e refuzuan qasjen ndëretnike.

Kur ai filloi, miqtë e tij hoqën dorë nga puna vullnetare: “njëra u largua, sepse i dashuri i saj nuk e lejonte të merrte pjesë, ndërsa tjetri ishte shumë patriot dhe nuk donte të përzihej me komunitete të tjera, ngaqë kjo është filozofia e ‘Sports Sans Frontieres’”.

Bozilovic dhe të gjithë fëmijët e tjerë veshën fanella me mesazhe nacionaliste serbe pas ndeshjes Shqipëri-Serbi. “Imagjinoni sikur ta kishim grupin e përzier”, thotë Suisse.  Disa javë pas lojës së famshme, fëmijët shqiptarë në Shtërpce nuk lejoheshin të hipnin në autobus të shkollës në qytet. “Disa fëmijë (në fshatin shqiptar Firajë) ngacmoheshin, prandaj duhej të shkonin në shkollë në këmbë”, thotë Osman Mani, mësues i shkollës fillore “Ganimete Xhemajli”.

Në këtë qendër, “Sports Sans Frontieres” punon me një grup shqiptarësh. Disa fëmijë jetojnë deri në 5 km larg shkollës. Xhemajli është në të 50-at dhe ka përjetuar më shumë sesa vetëm ofendime në autobus: “Me problemet që i kemi pasur në të kaluarën, mendoj që ka ardhur koha të ecim përpara”, thotë ajo, duke buzëqeshur. Më vonë, Suisse tregon që njerëzit më të moshuar janë më pozitivë sa i përket grupit ndëretnik të projektit.

Arlinda Hyseni është një vajzë e fortë 17-vjeçare, që ka mësuar serbisht duke punuar në dyqanin e aleteve të babait të saj në Firajë, pak kilometra larg Shtërpcës. Ajo është udhëheqëse e aktiviteteve të grupit të shqiptarëve në këtë pjesë të vendit. “Prindërit dhe vëllezërit e mi më thonë se ajo që po përpiqem të bëj është budallallëk, sepse njerëz më të moshuar janë përpjekur të bëjnë diçka të tillë, dhe nuk ia kanë dalë”, thotë ajo, duke shtuar se përpjekjet e mëhershme kanë dështuar “ose t’u japin diçka të re fëmijëve shqiptarë, ose të punojnë me fëmijë shqiptarë e serbë bashkë”.

Një baba i ri me emrin Afrim e përshëndet djalin e vet nga ana tjetër e rrethojës së oborrit të shkollës, teksa shkon në shtëpi. Kur e sheh Suisse-in, ai ndalet që t’ia shprehë mirënjohjen e tij. “Unë jam taksist dhe çdo ditë jam në lëvizje”, thotë Afrimi. “Këtu nuk ka kurrfarë perspektive për rini, sikur djali im të mos ishte në këtë grup, ai do ta kalonte tërë ditën duke shikuar televizorin”.

sports-without-borders

Arlinda Hyseini (17) e udhëheq një grup të fëmijëve çdo të mërkurë në Firajë, një fshat shqiptar në Komunën e Shtërpcës, ku organizata ka për qëllim të krijojë një grup etnikisht të përzier në të ardhmen.

Hyseni, e cila është udhëheqëse e grupit dhe dëshiron të bëhet avokate, i ka pyetur prindërit se a pranojnë që grupi i Firajës të përzihet me fëmijë serbë në Shtërpcë. “Disa u pajtuan, por disa thanë se nuk do t’i sillnin fëmijët, ngaqë ne nuk mund të garantojmë për sigurinë e tyre”, thotë Hyseni para se të shtojë se nuk do të dorëzohet: “Duhet t’i bindim!”

Në anën tjetër të Kosovës, në Lagjen e Boshnjakëve, afër lumit Ibër, që e ndan në dysh Mitrovicën, babai i dy fëmijëve, Mirsad Pazari, duket se po kalon nëpër një përvojë tjetër, edhe pse gjatë jetës së tij ka kaluar nëpër shumë krajata. Ai jeton në Mitrovicën veriore, dhe punon si teknik i PTK-së në jug të qytetit. Babai i gruas së tij ishte shqiptar, kurse nëna e saj ishte serbe. Në fillim ata e regjistruan vajzën e madhe në shkollë në gjuhën boshnjake, por pasi e kuptuan që në klasë kishte vetëm edhe dy nxënës të tjerë, ata e ndërruan mendjen dhe e regjistruan atë në një shkollë tjetër ku ajo do të mësonte me fëmijët shqiptarë. Para luftës atë e kishin përjashtuar nga puna, dhe përderisa ishte në azil në Gjermani, ai mori ftesën që të punonte në jug pas luftës.

sports-without-borders

Organizata fokusohet në aktivitete që promovojnë barazi gjinore dhe integrim të gjinive, pa ndonjë trajtim dallues kur djemtë e vajzat luajnë bashkë.

Kur e pyetëm se a është e mundur që fëmijët e komuniteteve të ndryshme të bashkohen dhe ky të mos jetë një rast i veçantë apo artificial, ai është i bindur. “Këta fëmijë nuk e dinë se çka është lufta, dhe ata nuk dinë se çka ka ndodhur në të kaluarën”, thotë ai. Por prindërit e tyre e dinë. Çfarë roli kanë ata në këtë, e pyesim ne. “Ndoshta ata do të shohin që disa po i sjellin fëmijët, dhe asgjë nuk po ndodh”, thotë ai. “Pa këtë organizatë, kjo nuk do të ndodhte, sepse njerëzit këtu nuk do të bënin diçka të tillë”.

Prej stabilitetit ekonomik, në “paqe sociale”

Fahri Jashari është koordinator i shoqërisë civile nga Komuna e Mitrovicës dhe punon me “Sports Sans Frontiers” që nga viti 2008. Jashari pajtohet me përfaqësuesit e komunave të tjera, se përderisa problemet ekonomike vazhdojnë, po ashtu edhe çështjet e problemeve me kohezion social do të vazhdojnë.

“Përpara e kishim gjigantin e ‘Trepçës’”, thotë Jashari, duke iu referuar një miniere rajonale të madhe që është praktikisht joaktive që nga viti 1999. Dikur punësonte mbi 20.000 punëtorë dhe njëherë ishte vlerësuar me 70% të GDP-së së Kosovës. “Tani, rajoni i Mitrovicës është njëri nga më të varfrit në vend, ku është investuar shumë pak, por mund të shohim që perspektiva po kthehet me shndërrimin e Mitrovicës nga një qytet industrial, në qytet universitar”.

Ai ankohet që mediat e kanë portretizuar vendin e tij si vend të ndasive etnike, dhe tregon për këmbime të shumta midis të dyja anëve të urës, duke e theksuar që një pjesë e këtyre ndryshimeve është bërë nga qendra rinore “Diakonia”. “Kjo është një qendër që ka arritur t’i bëjë bashkë rininë e të gjitha komuniteteve në një vend: shqiptarët, serbët, turqit, romët dhe ka organizuar aktivitete që e plotësojnë integrimin dhe multietnicitetin shumë mirë dhe pa incidente”, thotë ai.

Valdet Shoshi (52) ka qenë trajner futbolli dhe është përgjegjës për aktivitetet sportive në Pejë. Shoshi thotë që stabiliteti ekonomik mund t’u ofrojë njerëzve të rinj paqe sociale dhe siguri, dhe thotë se çështjet e vazhdueshme të integrimit në BE kanë bërë që shpresat të ngrihen shumë lart.

“Kemi pritur shumë më shumë”, thotë Shoshi, “sikur të kishim qenë anëtarë të federatave ndërkombëtare në secilin sport, atëherë Qeveria do të investonte më shumë, dhe rinia do të kishte më shumë perspektivë”. Ai thotë që “Sports Sans Frontieres”, me donacionin prej 900 topave, ka bërë më shumë në Pejë sesa Qeveria gjatë 15 vjetëve.

Në të kaluarën Shoshi ka punuar në Kombinatin e Lëkurës dhe të Këpucëve, fabrikën më të vjetër në Pejë, të themeluar më 1959. “Fabrika është privatizuar për shumë pak para”, shpjegon ish-trajneri, “dhe mendoj se niveli i privatizimit në Kosovë është dështim; më shumë njerëz do të duhej të punësoheshin, kjo ndikon në punësimin e rinisë po ashtu”. Shkalla e papunësisë së të rinjve në Kosovë është mbi 55%. Përderisa ekzistojnë pak vende pune, penetrimi kosovar në internet arrin deri në 76%, njëri nga më të lartët në Evropë, sipas një raporti të Agjencisë Kosovare të Teknologjisë së Informimit dhe Komunikimit. Bota virtuale dhe shpërngulja jashtë vendit duket se janë opsionet më të favorshme nga rinia.

“Teknologjia po na vret”, thotë Xheneta Maliqi, studente 18-vjeçare e juridikut nga Kamenica, e cila e ka parë transformimin e hapësirave shoqërore në qytetin e vet, nga hapësira fizike në ato kibernetike, së paku për moshatarë të saj. Ajo tani e udhëheq kapitullin më të suksesshëm të “Sports Sans Frontieres”, në Kamenicë. Atje fëmijët nga shkollat e përbashkëta serbe e shqiptare asnjëherë nuk e shfrytëzonin bashkë oborrin derisa “Sports Sans Frontieres” ia propozoi idenë drejtorit, i cili u pajtua. Tani fëmijët shqiptarë, serbë e romë e shfrytëzojnë bashkërisht oborrin.

Pavarësisht suksesit në Kamenicë, ku Maliqi thotë se marrëdhëniet midis dy komuniteteve edhe historikisht kanë qenë më fluide (madje edhe mes gjeneratës së prindërve të saj), ajo thotë që pas 15 vjetësh, shkollat do të vazhdojnë të jenë të ndara etnikisht.

“Përpara”, thotë Maliqi, “e kemi pasur një qendër rinore, ku serbët dhe shqiptarët zhvillonin aktivitete bashkë, duke mbajtur orë të gjuhës angleze, orë për gatim apo lojëra të pingpongut; dhe gjithnjë ishte përplot njerëz. Por para një viti u mbyll dhe tani të rinjtë pinë kafe tërë ditën dhe rrinë nëpër rrjete sociale; nuk ka më një vend të lirë ku ata mund të mblidhen”.

Duke i përcjellë Suisse dhe Maitre në punën e tyre me “Sports Sans Frontieres” (së bashku me përkthyesit e tyre), njeriu e kupton që ata shpesh bëhen psikologë teksa negociojnë me krijesa të ndjeshme që një ditë do të jenë e ardhmja e Kosovës.  Pas një viti punë me fëmijët e njëjtë, ata më nuk bëjnë hile kur monitoruesit nuk i vëzhgojnë, nuk i numërojnë më pikët për të parë se kush po fiton, dhe fëmijët romë nuk ndihen më të diskriminuar kur të tjerët nuk ua gjuajnë topin në shkollën e tyre në Mitrovicë (e as prindërit e tyre nuk mendojnë më kështu).

Para se ta zgjidhin problemin e ndasive etnike, ata ballafaqohen me probleme bazike që i kanë rrënjët në varfëri apo mungesë të arsimit dhe infrastrukturës, pavarësisht komunitetit. Ndërkohë, donatorët kryesisht kërkojnë profilet e larta, projektet “ndëretnike”, që i lënë këto probleme më të thella të paadresuara, përderisa frika nga të huajt rritet.

“Kjo është pjesa më e rëndësishme”, thotë Suisse, pasi arrin ta negociojë një konfrontim verbal midis vullnetarëve të rritur, për sharjet që njëri prej tyre ua kishte bërë kushërinjve të vdekur të tjetrit (të dytë ishin shqiptarë). “Shpesh”, thotë Suisse, “ata i kanë problemet e njëjta: krenaria, vetëvlerësimi i ulët … tinejxherë”.

Meqë që të dytë kishin mbështetës nga anët e veta, të dy 18-vjeçarët vendosën të pajtohen dhe e konfirmuan që atë e bënë vetëm për ta ruajtur harmoninë e rrjetit 88-anëtarësh. Suisse, i cili dikur kishte punuar në një program pedagogjik në një pishinë në Francë, e thotë qartë me fjalë që kjo mund të jetë metaforë për tërë shoqërinë.

Sports Sans Frontieres’ nuk është brend, është ekip dhe mendoj se ky është çelësi: ndjenja e të qenit pjesë e diçkaje. Nëse nuk e ke këtë, nuk ke rrjet më”.