S`fundmi | Arkitekturë

Bisedë e Shkurtër: Shkatërroje të vjetrën, ndërtoje të renë?

Nga - 08.05.2017

Hajdeni të enjten, me 11 maj, në K2.0 prej orës 17:30.

Përgjatë viteve ne zgjedhim të jetojmë në qytetet që lidhemi me to, duke i bërë ato në sheshe të lojërave tona. E kur ne të vdesim dhe të tjerët vijnë pas nesh, sheshi i lojërave mbetet si pasqyrë e kohërave në të cilat kemi jetuar, e ideologjisë sonë, shijes sonë, dhe e ndërtimeve që kemi pasur mundësi me i përballu financiarisht – pasqyrë e kujtesës sonë kolektive. Po çka ndodh kur të fshihen gjitha këto, ose transformohen në mënyrë radikale?

Ku do të mbetet kujtesa jonë?

Para disa javëve, studentët e arkitekturës protestuan kundër transformimit të ndërtesës moderniste të Fakultetit Teknik, në Universitetin e Prishtinës. Ndërtesë që u projektua nga arkitekti i shquar, Evard Radnikar, nxënësi i arkitektit të njohur Le Corbusier. Ndryshimet radikale u panë si demonstrim i mungesës totale të interesit për të ruajtur atë që disa e përcaktojnë si pjesë e ‘identitetit’ të qytetit, e mos t’ia nisim të flasim për humbjen e vlerës arkitekturale e historike të ndërtesës.

Ndryshimet, jo vetëm në këtë rast, në ndërtimet moderniste në Kosovë, na kujtojnë moton e pas Luftës së Dytë Botërore ‘shkatërroje të vjetrën, ndërtoje të renë’, që në kohën e ish-Jugosllavisë prodhoi hapësirë për ndërtime socialiste. Para dy viteve, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sugjeroi që të organizohej një referendum për të vendosur se a duhet me mbetë në sheshin e riemëruar “Adem Jashari”, monumenti  i “vëllazërisë e bashkimit”, së Jugosllavisë socialiste apo trekëndëshi i njohur që gjendet në hapësiren mes ndërtesës së vjetër të komunës së Prishtinës dhe asaj të Parlamentit.

Opinionet e njerëzve për këtë temë shpeshherë janë të ndame në mes të nevojës për të ruajtur kujtesën kolektive nëpërmjet këtyre ndërtimeve, dhe anën tjetër nevojës për të lëvizur drejt diçka që përputhet estetikisht me evoluimin e qytetit –  më pak e hirtë, e më e bukur.

Pra pyetja është, kur do të përfundoi ‘shkatërrimi i si vjetrës, e ndërtimi i të rejes’? Kush vendosë se çka duhet të mbetet e çka me u ndryshu? Kush vendosë se çka është e bukur, e çka jo? Qysh ndikojnë këto ndryshime në identitetin e qyteteve dhe në identitetet tona? Çfarë roli ka trashëgimia e shekullit të kaluar në jetët tona? E kush është i/e gatshëm/me të ruaj atë, me kuptimin e plotë të fjalës? Qysh do të votonim po të ishte mbajtur referendumi i Shpend Ahmetit?

Për të folur rreth këtyre, ne ju ftojmë të vini për një diskutim të hapur e interaktiv në oborrin e K2.0, të enjten, më 11 maj, në orën 17:30.

Diskutimin do ta nisin:

Skender Boshtrakaj, drejtori i Muzeut të Kosovës dhe kreu i Departamentit të Menaxhimit të Integruar në Ministrinë e Kulturës.

Eli Krasniqi, socio-antropologe dhe themeluese/anëtare e Alter Habitur – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë.

Gresë Musliu, studente e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe një prej organizatoreve të protestës kundër ndryshimeve të fundit në ndërtesën moderniste të Fakultetit Teknik.

Diskutimin do ta moderojë Rron Gjinovci, themeluesi i organizatës për arsim: Organizata për Rritjen e Kualitetit në Arsim (ORCA).

Hajdeni e të flasim për këtë! K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.