Blogbox | Energjia

Solidarizimi i pavullnetshëm

Nga - 22.12.2017

Pse me e pagu rrymën e tjetërkujt?

Ka disa vjet që po përflitet se pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës po e paguajnë borxhin e shpenzimit të rrymës elektrike të një pjese tjetër të qytetarëve të Kosovës, konkretisht atyre që banojnë në pjesën veriore të Republikës sonë. Ky fakt u konfirmua ditëve të fundit, dhe madje edhe Arben Gjukaj, drejtori i KEK-ut konfirmoi se qytetarët e Kosovës “po e paguajnë borxhin e qytetarëve të veriut si dhe atë të enklavave të Kosovës”. Me këtë, qytetarët mund të mos kenë më dyshime për këtë praktikë të hatashme e cila po ndodh tash e disa vjet në Kosovë.

Me këtë konfirmim, është legjitime të shtrojmë pyetjet në vijim: “pse po na faturohet vetëm borxhi i rrymës elektrike?”, “si është puna me borxhet e tjera?”, “kush i paguan humbjet në sektorët e tjerë?”, “kush i paguan humbjet vjetore në buxhetin e Kosovës?” dhe shumë pyetje të tjera të kësaj natyre.

Nëse një qytetar, në emër të solidarizimit të dhunshëm, i paguan shpenzimet e rrymës elektrike të një qytetari tjetër dhe nëse për këtë nuk reagon askush, me këtë hapen rrugët për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova në procesin e konsolidimit të institucioneve të saj demokratike.

Duke qenë se sovraniteti i shtetit të Kosovës është i kontestuar në veri të vendit, institucionet tona ballafaqohen me vështirësi sa i përket zbatimit dhe sundimit të ligjit atje. Kësisoji, ligjet dhe dispozitat e tjera që janë të zbatueshme në Kosovë nuk vlejnë për atë pjesë. Dhe Kosova gjithmonë kritikohet për mungesën e sudimit të ligjit, për dështimet në luftimin e krimit të organizuar e kështu me radhë. Ç’mund të bëjnë institucionet e Kosovës në këtë rast? Të gjitha institucionet relevante të Kosovës (Qeveria, Kuvendi, Policia, inspektoratet, gjykatat, prokuroritë) mund ta hartojnë: Strategjinë e Solidarizimit të Pavullnetshëm (SSP).

Çka është SSP-ja?

Strategjia e Solidarizimit të Pavullnetshëm, apo SSP-ja siç do të lakohet së shpejti në diskursin e përditshëm dhe atë mediatik, është hap konkret i të gjitha institucioneve relevante të Kosovës për ta përmirësuar nivelin e sundimit të ligjit në nivel vendi.

Një grup ekspertësh i përbërë nga të gjitha institucionet relevante të Kosovës së pari do ta zhvillojnë një studim realizueshmërie në veri të vendit, për t’i identifikuar sfidat, problemet dhe për të vendosur mekanizma bashkëpunimi dhe komunikimi me institucionet releavante atje.

SSP-ja do ta bëjë një regjistër të të gjitha krimeve dhe kundërvajtjeve të kryera në veri të Kosovës në periudhën 2008-2018, të cilat janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës. Duke qenë strategji pragmatike dhe largpamëse dhe duke e ditur kompleksitetin e situatës në atë pjesë të Republikës dhe pamundësinë që Shteti të ushtrojë pushtein e vet atje, institucionet relevante të Kosovës do të ndërmarrin menjëherë hapa konkretë për t’i sjellë përpara drejtësisë të gjitha këto krime. Por jo edhe kyresit e tyre.

Kosova shënon progres në fushën e sundimit të ligjit

Ky është titulli i shumë mediave vendore dhe ndërkombëtare në vitin e tretë të zbatimit të SSP-së. Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës kanë proceduar me mijëra raste të kundërvajtjeve dhe të krimit, janë shqiptuar me mijëra masa ndëshkimore me burg dhe me gjobë, krejt në përputhje me Kodin Penal të Kosovës, vizat janë liberalizuar, buxheti i Kosovës 3,5 miliardë euro, Kosova ka aplikuar për statusin e shtetit kandidat të BE-së… Krejt këto falë zbatimit të SSP-së. Dhe do të pyesni: si janë dënuar kryesit? Aty qëndron madhështia e Strategjisë së Solidarizimit të Pavullnetshëm.

Grupi i ekspertëve i cili ka ardhur deri te ideja për hartimin e kësaj strategjie, është nisur nga shembulli në terren, nga rryma që i faturohet një pjese të qytetarëve të Kosovës, dhe ka tërhequr paralelen: “Nëse qytetarët paguajnë rrymën të cilën nuk e shpenzojnë, pse të mos e paguajnë edhe ujin të cilin nuk e harxhojnë? Pse të mos e paguajnë edhe regjistrimin e veturave të cilat nuk i posedojnë? Pse të mos e paguajnë tatimin në pagë, kontributin pensional të cilin nuk e marrin?” Deri te pyetja magjike: “Pse të mos vuajnë burg për krimet që NUK i kanë bërë?”

“Gjithsesi ka logjikë” – konstaton shefi i grupit të ekspertëve, bartës i shumë proceseve në Kosovë.

Plani i Veprimit për Zbatimin e Strategjisë së Solidarizimit të Pavullnetshëm

Për zbatimin e strategjisë është zhvilluar edhe plani për zbatim. Ky plan parasheh një lloj ftese publike, një lloj apeli publik te të gjithë qytetarët e Kosovës (të pjesës joveriore kryesisht) të pajtohen (pavullnetshëm, nga rrjedh edhe titulli i strategjisë) për t’ia kthyer borxhin këtij vendi. Për qytetarët që punojnë dhe kanë të ardhura (më shumë se minimale) do të parashihet marrja përsipër e fajit për të gjitha veprat të cilat janë të dënueshme me gjobë me para. Kjo pjesë gjithashtu do të vlejë më shumë për qytetarët e zonave urbane për shkak të kushteve të tyre të jetës dhe telasheve shpirtërore të cilat mund t’u sjellte mbyllja brenda katër mureve, ushqimi i njëtrajtshëm e kështu me radhë.

Qytetarët e papunë, të cilët mezi ia dalin të mbesin gjallë, të cilët jetojnë prej remitancave, të cilët marrin ndihma sociale, ata do ta merrnin përsipër fajin për të gjitha veprat të cilat janë të dënueshme me burgim efektiv. Kjo pjesë gjithashtu do të vlejë më shumë për banorët e zonave rurale sepse ata mund t’i përballojnë më lehtë katër muret sepse fshati ashtu-kështu është monoton, apo jo?

Natyrisht, duke qenë se dënimi apo gjoba shqiptohet për krimin e tjetrit, institucionet e Kosovës do t’i marrin parasysh të gjitha rrethanat: ekonomike, sociale e të tjera, dhe do të parashohin lehtësime për vuajtjen e dënimeve dhe kryerjen e obligimeve. Për shembull, një krim i dënueshëm deri në 6 vjet burg do të shlyhej me 2 vjet, një gjobë prej 2,000 dinarësh do të shlyhej për 1,000 dinarë e kështu me radhë. Gjithçka me mirëkuptim.

Rezultati?

Padyshim, rezultati më i rëndësishëm është se të gjithë banorët e veriut të Kosovës brenda katër vitesh do të jenë të pastër si loti, të gatshëm për të qenë pjesë e barabartë e Republikës së Kosovës.

A nuk e ka dashur Kosova gjithmonë këtë?

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO