Biseda | Kulturë

Taste2: Muzika ime është protestë ndaj të këqijave të këtij vendi

Nga - 29.03.2017

Reperi thotë se kontributin e tij në shoqërinë kosovare e jep përmes muzikës që është kundër atyre që “po e rrejnë popullin”.

Muzika për Taste2 është protestë. Sepse “Hip-Hopi ashtu ka lind – është revoltë”. Reperi që jeton në Francë me familjen e tij vjen rregullisht në Kosovë vetëm për shkak të muzikës së tij. Gjatë vizitave të tij, ai rregullisht merr pjesë në protesta. Por nuk gjuan me gurë, vetëm shanë dhe fishkëllen në shenjë proteste ndaj atyre që thotë se “po servojnë rrena’’ popullit çdo ditë.

Taste2 nuk e ka problem të jetë në mesin e turmave të njerëzve që janë të revoltuar me të këqijat, që ai thotë se kanë kapluar Kosovën, dhe kjo revoltë është evidente edhe në muzikën e tij. Autori i këngës “Pashtet” i përdorë shpeshherë këngët e tij për të trajtuar tema socaile e për të protestuar kundër të fenomeneve negative që ekzistojnë në shoqëri.

Milot Hoxha, që njihet me emrin artistik Taste2, me origjinë është nga Kosova dhe me Francën u njoh gjatë periudhës së luftës, gjatë vitit 1999, kohë kur shumë kosovarë lëshuan Kosovën.    

Rikthimi i kosovarëve pas mbarimit të luftës në vend, me shpresën e madhe për jetesë më të mirë, ktheu edhe Taste2 në Kosovë, por nuk e mbajti gjatë. Ishte  viti 2003 kur ai dhe familja e tij vendosën, që përsëri, pas një periudhe mbi 3 vjeçare të qëndrimit në Kosovë ta vazhdonin jetën në Francë. Prej atij viti, ai ka jetuar dhe punuar në Marsej në jug të Francës, e kthimin e tij në Kosovë, tash si turist, më shumë se për gjithçka tjetër e bënë për muzikën.

Ka realizuar mbi 80 këngë dhe asnjëherë nuk i ka përmbledhur në një album, e kjo për shkak se Taste2 e ka muzikën ‘‘veç për qejfi’’, e jo për biznes. Gjatë 17 viteve karrierë ai njihej si reperi që largohej shpesh nga skena e Hip-Hop-it. Tani edhe pas pauzave të shumta, duket se përfundimisht do të realizoj një album.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Albumi i parë i Taste2, që është duke e përgatitur tani, është bashkëpunim me dy muzikantë të muzikës xhaz nga Prishtina: Enes Beu dhe Armend Xhaferin. Ai thotë se ky album do të jetë edhe më ‘‘funny’’ e më i veçantë se gjitha këngët e tjera të tij, se do të realizohet live dhe nuk do te ketë veç Hip-Hop brenda tij.   

Satira është shpeshherë përbërëse e punës së tij. Së fundi, ai ka realizuar këngën ‘‘Kthemu’’, në të cilën trajton një ndër temat më delikate të shoqërisë kosovare; raportet gjinore në vend. Taste2 në këtë këngë satirizon dy rolet, të burrit dhe të gruas në një marrëdhënie.

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë është i pranishëm në Prishtinë ku përveç punës me albumin është edhe në bashkëpunim me ‘‘Stupcat’’, me të cilët është duke realizuar vazhdimin e serialit të njohur ‘‘Egjeli’’. Duket se ky bashkëpunim do ta mbajë edhe më tej të lidhur Taste2 me satirën.

Ironizomi i tij shkon edhe më tej dhe zgjerohet në çështje të identitetit që ai i sheh si thelbësore për shoqërinë kosovare. Ai është reper i cili vështirë se mund të prezantohet; thotë se nuk e ki se kush është dhe pret që pak para vdekjes ta kuptoj. Këtë e sheh si çlirim. Zakonisht thotë se të tjerët të njohin më mirë se që e njeh ai vetën, meqë flasin për punët e tij.

K2.0 foli me Taste2 për protesta, gjërat për të cilat qesh dhe për pashtetë.

K2.0 “Hajna oriz, po s’jena kinez/Pina qaj, po nuk jena anglez/Pina venë po nuk jena francez/ S’jena shpezë po jena n’kafez…” Kjo është pjesë nga kënga jote: “Na jena”. Kush jena na? A jena naj’kush?  

Taste2: E kemi këtë problem. Identiteti është problem, që po shfaqet te na. Poget’ që aty është thelbi i problemeve në shoqërinë tonë. Kështu që, vështirë e kemi me gjet se kush jena, a çka jena, se goxha llug janë ka shkojnë punët. E po del që hala se dijmë a jena, a çka jena.     

A e din Taste2 se kush është?   

Jo, taman puna, jam duke e zbulu se kush jam. Ndoshta pak para se me vdekë e marrë vesh se kush jam, edhe kish me qenë çlirim. Ose e pyes dikë, “kush jam?’’ e ndoshta më tregon. Që me kqyr mirë e mirë, gjithkush del që më njeh ma mirë se që e njoh unë veten. Se, si në çdo vend të vogël rreth asaj sillet muhabeti; t’njohin tjerët ma mirë. Përfundimisht, mundem me thanë që jo, hala se di se kush jam.

Zakonisht, ushqim tradicional në Kosovë cilësohet pasuli, gullashi e gjella të këtij lloji;  ushqime që mundemi me thanë që ‘ta mushin barkun’. Ndërsa ju e keni një këngë për pashtetën. Ushqim ky i shpejtë e që mujna me thanë që nuk t’nginë sa gullashi e pasuli. Çka është pashteta për ty n’këtë këngë?

Pashteta është rrena që ne e hajmë çdo ditë edhe që na nginë krejtve. Njerëzit po ngihen sot me rrena. Këtu përveç si pashtetë, kënga ka të bëjë edhe me fjalën “pashtet’’, është një lloj loje me fjalë. Ama, definitivisht mendoj që me të ngi përnime është gjyveqi, është i përzimë. Tash e disa vjet po jetoj në Francë, mes komuniteteve të ndryshme dhe kjo është ajo që më pëlqen. Aty ekziston një përzierje e nacionaliteteve e racave dhe është diçka që më pëlqen, është diçka e rëndësishme. Kur njerëzit e komuniteteve të ndryshme jetojnë mes vete, atëherë mundemi me thanë së është arritë një sukses në atë vend.  

Thatë që “pashteta’’ është një rrenë që na po e hajmë çdo ditë. A do me thanë kjo që rrenat sot po na servohen si ushqime të shpejta, apo e kanë njëfarë recete që përgatiten paraprakisht?    

Rrenat po i hajmë çdo ditë edhe atë qysh do që vijnë, s’është me rendësi se qysh vijnë. Poget’ që nuk po kem zgjidhje tjetër – po frikësohemi me u fut në rrugën që të dërgon kah e vërteta. Kjo po ndodh në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë; sot rrena është çelësi i suksesit. Ose ma mirë me thanë heshtja është çelësi i suksesit. Se, sot [nëse] mundohesh me u revoltu nuk arrin kurgjo, duhesh me jetu në rrenë për me përparu.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ju thoni në një pjesë të këngës “Pashtet’’: “i musht me ynyr/ pshtyjem n’ftyrë/e ki detyrë’’. Kënd e kemi për detyrë me “pshty n’ftyrë’’?

Ata që janë të musht me ynyr.

Çka i bie me qenë “i musht me ynyr”?

Është ai që ka ba të këqija, që ka bë dëme këtij vendi. Unë kurrë s’kam dashtë me cekë me emër se kush janë këta persona, na budallë nuk jena, gjithë e dimë se kush janë ata edhe çka kanë ba. Kjo, që nuk përmendi emra është pasi që nuk jam person politik, nuk i përkas asnjë partie politike. Edhe në protesta kur kam marrë pjesë, kjo nuk do me thënë që i përkas një partie politike, ose e përkrahi një parti të caktuar politike. Thjeshtë e kom ndi për detyrë me dal, si një lloj obligimi edhe kom dal.  

Do me thanë keni dal nëpër protesta?

Po kam dalë, sa herë kam mujt kam dalë.

A keni gjuajt gurë?

Jo. Veç kam fishkëllu edhe kam shajtë.

Në klipin e këngës “Pashtet’’, keni në fokus edhe protestat e dhunshme që janë zhvilluar në vend. Është interesante se shfaqen po si dhuna e Policisë ashtu edhe policët e lënduar. A keni arrit me ja sqaru vetës se në cilën anë është Taste2, nëse mundemi me i nda kështu?

Taste është për drejtësi.

"Nëse e sheh një bombë duke rënë, qeshë, sepse nuk ki se çka tjeter me ba".

Cila është drejtësia për juve në këtë rast?

Hale s’pe dijmë se jemi shumë të turbullt [që] me ditë se cila është drejtësia. Me një protestë, Policia që dalin nuk mundemi me thanë se janë të këqijtë, ma shumë e kanë si njëfarë detyre. Kështu që të gjithë nuk mundemi me i cilësu si të këqinj, normal që ka edhe prej policëve, qysh ka edhe prej protestuesve.  

“U shfaq fajtori, po e ka n’krah sistemin/e si kapadai pe len shlirë mu sill problemin’’. Kush o fajtori, për Taste2?

Ai që ta udhëheqë vendin, e i ka krejt në dorë, ka krahë edhe ndodhin shumë sene. Ata e korruptojnë vendin se e dinë që e kanë një mbështetje edhe s’mundet kërkush me i ndëshku. Për atë [arsye] edhe sillet problemi edhe nuk ka kurrfarë problemi për ata që e bëjnë problemin.   

A ka mbetë diçka që nuk e satirizoni?  

Ndoshta edhe ka. Jam duke e ba edhe albumin e ri dhe ta shohim; edhe pse ka me qenë album më “happy’’, por prapë satira s’ka me mungu. Gjithmonë [satira] ka me qenë te muzika që unë e bëjë.

A merr diçka seriozisht Taste2?  

Krejt i marrë seriozisht!

A është kjo përgjigje satirë?

Jo, jo. Me të vërtetë i marrë krejt seriozisht. Ama, kaniherë them se krejt çka na ka mbetë është me keshë. Nëse s’mundemi me keshë me za’, bile me kanë të gëzueshëm naj’herë në këtë botë, se askund nuk është mirë. Por, për mos me dramatizu shumë punën ma mirë është me keshë; e sheh tu ra një bombë, nisja kesh, s’ki çka bënë tjetër. S’ki kah me ikë tjetër.   

Muzika e Taste2 mundet me u cilësu edhe si satirë edhe kundrejt ‘mainstreamit’ të skenës së Hip-Hopit në Kosovë… a mundemi me dhanë një konkludim të tillë?

Jo, nuk kisha thënë ashtu. Reperat në Kosovë i kam pas shokë edhe i njoh edhe secili ka zgjedhë rrugën e vet. Disa [repera] janë përshtat ndërmjet veti. Ama, unë e kam pas krejt tjetër muhabet sa i përket muzikës. Unë jam marrë me tema sociale e që sot shumë rrallë e ki në skenën e Hip-Hop-it në vend. Bim Bimma vazhdon me pas tema të tilla. Tjerët nuk i kom pa që kapin këto tema. Po më duket që janë ka jetojnë në një farë iluzioni, janë amerikanizu pak a shumë. Si gjithku në botë, ky mainstream-i po udhëheqë sot Hip-Hopin. Po unë kam mbetë hala Old School edhe po besoj që hala duhet me vazhdu qashtu edhe pse nuk e di se ka më qon kjo punë.

"Vendi ku unë ndihna më së miri është në studio – kur t’hi me ba një kangë, edhe kur ta përfundoj është si me dhez cigaren mas seksit".

Rap muzika pas viteve 2000, sikur nisi një revolucion kulturor në vend. Por, tashmë, duket se ajo mbetet veç një kohë e shkuar. Çka e ndryshoi atë rrugë të nisur?

Poget që parja i ndërroj senet, parja po ta ndërrojke rrugën. Këta [reperat] po thonë që ky është njëfarë evoluimi në muzikë, që unë s’jam dakord se Hip-Hopit i ka humb ‘ngjyra’, nuk e di pse ka ndodh kjo. Po duket se janë të inspiruar prej tjerëve edhe kjo po ja humb ngjyrën Hip-Hopit. Shumica kanë modele edhe po harrojnë me jep prej vetes, ato çka e din ai, ose çka është ai. Është ba një lloj kombinimi “pak si ai, e pak si ky’’. E sheh si në tekste si në muzikë këtë dukuri. Ka pasë raste kur edhe brenda tregut tonë janë vjedhë senet. E unë, kom lidh inat për këtë punë, që s’kom dashtë me dal prej ‘binarëve’, du me e vazhdu rrugën tem, me ba muzikën qysh di unë, kah më qon se di. Vendi ku unë ndihna më së miri është në studio – kur t’hi me ba një kangë, edhe kur ta përfundoj është si me dhez cigaren mas seksit. Në këtë nivel të jetës e kam edhe muzikën, e me ja prish edhe qetu vetës qefin, çka po na mbet tjetër në këtë jetë?

Po e vazhdojmë edhe më tej te revolta – çka të bën me u revoltu më së shumti?

Ka shumë çka. Unë si të zgjohem në mëngjes me dal prej shtëpisë e deri sa shkoj me e pi një kafe mundem me shkru një këngë. E para, s’ki trotuar kah me ec. Unë kam shumë qef me ec, ama s’ki trotuar. Eh mos të flasim për tjetër çka.

The që si të dalsh prej shtëpisë mundesh me shkru një këngë, se revoltohesh. A po i bjen kjo që Taste2 e ka muzikën protestë?

Është protestë. Hip-Hopi qashtu ka lind; si revoltë. Edhe kjo është një prej arsyeve që unë nuk pajtohem me mainstream-in e sotëm të Hip-Hopit; se nuk ka protestë. Arti duhet me pas një mesazh – tek e fundit krejt mendojmë që arti ka me shpëtu botën.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën shqipe.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO