Shtyp | Vitet ’90

Të burgosurit politikë të Kosovës

Nga - 26.04.2016

Ata që u burgosën gjatë kohës kur ishte ilegale të mendoje ndryshe ende mbajnë shenja të burgosjes së tyre.

“Unë isha në gjendje ta qëroja lëkurën nga këmbët deri te flokët, si kur zhveshesh”, thotë 48 vjeçari Besim Zymberi, duke i kujtuar djegiet masive që i përjetoi nga katër trajtime me elektroshok. “Po nga kjo torturë, tre nga 11 të burgosur të cilët u arrestuan me akuza të njëjta vdiqën. Kurrë nuk ma mori mendja se do të mbijetoja”.

Zymberi u arrestua në qershor të vitit 1998 dhe kaloi 43 muaj si i burgosur politik në burgje serbe. Sipas të gjeturave të vitit 2015 të një komisioni qeveritar, të themeluar për të verifikuar statusin e të ish-burgosurve politikë, ai ishte njëri prej 6,774 burrave dhe grave të cilët kanë konfirmuar të kenë qenë të mbajtur politikisht gjatë viteve ’90. Shumë prej këtyre të arrestuarve u përfshinë në aktivitet të drejtpërdrejt politik, ndërsa shqiptarët e Kosovës po organizoheshin kundër regjimit shtypës të Sllobodan Millosheviqit. Por të tjerë u përndoqën për arsye shumë të parëndësishme dhe me shumë pak dëshmi.

Edhe pse ai thotë të ketë qenë aktivist politik me LDK-në e Rugovës, dhe se disa herë kishte folur kundër pacifizmit të tyre, Zymberi gjithmonë ka mohuar me ngulm se aktivitetet e tij përbënin krim. Shulaku i rruar mirë nga Ferizaji u përball me akuzën e shkeljes së tri neneve të Kodit Penal të Jugosllavisë: Nenit 136, “Pjesëmarrja me qëllim të aktiviteteve armiqësore (kundër popullit dhe shtetit)” dhe Nenit 125, “Terrorizëm” në lidhje me Nenin 139, “Dënimi për veprat më të rënda kriminale”.

Rasti i Zymberit është një rast shumë i rëndomtë. Gjatë gjithë dekadës, çdo nocion i rendit dhe ligjit të rëndomtë plotësisht u zhduk dhe Kosova u konsolidua fuqishëm si një shtet policor, i sunduar nga frika dhe kanosja. Deri në vitin 1993, “Human Rights Watch” tashmë kishte theksuar se autoritetet serbe po e ndiqnin një “program të zhvendosjes së detyrueshme, keqtrajtimit, arrestimit, marrjes në pyetje dhe torturës”, dhe se pranimet e detyrueshme të fajësisë ishin baza e vetme e dënimeve nga një gjyqësor të cilit i është hequr pavarësia.

Avdullah Hoxha, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe kaloi 21 muaj si i burgosur politik në burgjet e Serbisë, mes viteve 1999 dhe 2001. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Cak i policisë

Për shqiptarët e Kosovës, policia ishte bërë sinonim i regjimit të Millosheviqit, ndërsa për autoritetet, të jesh thjesht shqiptar shihej si kërcënim ndaj sigurisë së tyre dhe ndaj sigurisë së shtetit. Në pah doli një rreth vicioz sulmesh ndaj policisë nga ana e grupeve të vogla shqiptarësh, që u pasua me masa energjike policore ndaj popullsisë shqiptare në përgjithësi; e kjo i shtyu shqiparët t’i kundërpërgjigjeshin policisë dhe regjimit me më shumë ashpërsi. Siç thekson gazetari britanik Tim Judah, policia shpesh i identifikonte me saktësi ata të cilët ishin posaçërisht armiqësorë ndaj tyre — Adem Jashari, i cili më vonë do të shndërrohej në dëshmorin më të shquar të UÇK-së, u dënua për terrorizëm in absentia në vitin 1997. Por cak i kishin shqiptarët pa dallim dhe shpesh thjesht pse ishin shqiparë.

Kur UÇK-ja i shpeshtoi aksionet e saj më 1998, arrestimet u shumëfishuan në përpjekje të autoriteteve për ta parandaluar rritjen e milicisë që po rritej me shpejtësi. “Regjimi e përdori Nenin 136 [të Kodit Penal të Jugosllavisë] për t’i grumbulluar të gjithë ata që shiheshin si kërcënim ndaj shtetit”, kujton 58 vjeçari Avdullah Hoxha. “Kushdo që konsiderohej rrezik potencial arrestohej — fillimisht cak i regjimit ishin profesorët dhe inxhinierët”.

Hoxha, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, u arrestua me dyshime për aktivitete armiqësore më 2 qershor të vitit 1999; ai u dënua me tri vjet burg, pasi pranoi fajësinë pas dy javësh torturë. Hoxha beson se u bë cak thjeshtë për shkak të arsimimit të tij. “Jetoja në Graçanicë dhe policia arrestonte intelektualë shqiptarë”, thotë ai. “Por ne kishim obligim ta arsimonim kombin tonë, edhe në rrethana të tilla të jashtëzakonshme”.

Gjatë kësaj kohe NATO po hidhte bomba dhe forcat serbe po shfrytëzonin gjithfarë masash frikësimi dhe kanosjeje, të cilat i kishin në dispozicion gjatë fushatës së tyre të egër të hakmarrjes. Forcat paramilitare që përbëheshin nga ultranacionalistët dhe kriminelët serbë terrorizonin zona rurale, arrestonin, vritnin, dhunonin dhe digjnin fshatra të tërë.

Si i burgosur politik, Besim Zymberi i mbijetoi torturave dhe urisë, si dhe masakrës së 90-130 burgosurve në burgun e Dubravës. Ai kaloi 43 muaj në burgjet serbe. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Nëpër burgjet e Kosovës keqtrajtimet sa vinin e shtoheshin. Zymberi i cili gjatë kësaj kohe u transferua në burgun e Dubravës në veriperëndim të Kosovës, thotë se gjatë kësaj periudhe ai detyrohej të jetonte me vetëm dy copë buke në ditë dhe ujë. “U dobësova deri në minimum, dhe mund t’i numëroja eshtrat [në trup]”, kujton ai, duke shtuar se nga 95 kilogramë sa i kishte para arrestimit kishte rënë në rreth 50 kilogramë sa ishte në Dubravë.

“Tortura zhvillohej në baza ditore dhe ishte shumë brutale”, thotë Zymberi. Atij i kujtohet sidomos 13 marsi, që festohej në Jugosllavinë e atëhershme si dita e policisë. “Na godisnin me objekte të ndryshme një nga një”, kujton ai. “Tortura vazhdonte derisa na binte të fiktë dhe pastaj përsëritej shumë herë. Sillnin madje edhe civilë serbë të na rrihnin, [si dhe] ushtarë e forca policore jashtë burgut”.

Brenda Dubravës

Ishte në kontekstin e kaosit dhe panikut kur ndodhën dy incidente famëkeqe në objektet e Dubravës. Më 16 maj, një prej të burgosurve më të shquar politikë të Kosovës, Ukshin Hoti, u lirua nga burgu i Dubravës pasi kishte shërbyer pesë vjet dënimi për “rrezikimin e rendit kushtetues”. Që nga viti 1981, profesori i politikës dhe i filozofisë i Universitetit të Prishtinës u arrestua disa herë nga autoritetet Jugosllave për aktivizmin e tij politik; arrestimi i tij i fundit nga policia serbe ndodhi në vitin 1994, si rezultat i avokimit të tij publik për një shtet të bashkuar të shqiptarëve. Megjithatë, pasi u lirua në maj të vitit 1999, ai u zhduk menjëherë. Derisa zhdukja e tij u bë temë e një morie spekulimesh në 17 vite që shkuan, shumë pak dihet për këtë ngjarje; deri në ditët tona Ukshin Hoti mbetet një prej 1,650 personave që zyrtarisht ende konsiderohen të zhdukur nga lufta.

Incidenti i dytë ndodhi gjashtë ditë më vonë dhe do të mbetet përgjithmonë në mendjen e Zymberit. Më 19 dhe 21 maj, dy bombardime të NATO-s që për cak kishin forcat serbe goditën objektet e burgut, duke vrarë rreth 20 të burgosur dhe roje. Herët në mëngjesin e 22 majit u dha urdhër nëpërmes megafonit të kullës vrojtuese të burgut që të burgosurit të bëheshin rresht në oborrin e burgut; disa refuzuan dhe u fshehën brenda burgut, por rreth 800 prej tyre iu bindën urdhërit. “Pa ndonjë paralajmërim filluan të gjuanin mbi ne me armë të ndryshme; me automatikë, granata dore, madje edhe me mortaja”, kujton Zymberi. “Numri i të vrarëve ishte shumë i madh”.

Por tmerri nuk mbaroi këtu. “Atë pasdite, forcat e maskuara hynë brenda për të na ekzekutuar përfundimisht”, thotë ai. “Shumë prej pengjeve u fshehën nëpër baxha, të cilat ishin të madhësive të ndryshme. Nga ndërtesa ku gjendesha unë, me sytë e mi pashë ushtarë dhe roje serbe, duke hapur baxha dhe duke hedhur granata dore brenda”. Fushata vrasëse vazhdoi mëngjesin tjetër — gjithsej llogaritet se u vranë nga 90 deri në 130 të burgosur në masakrën e Dubravës, duke përfshirë edhe dy prej tyre që u varën atë natë; rreth 200 të burgosur u plagosën.

Të mbijetuarit e masakrës, duke përfshirë Zymberin, u transferuan në një burg tjetër në Lipjan ku vazhdoi keqtrajtimi i tyre. “Vetëm tri litra ujë në ditë u jepej pesë të burgosurve [ta ndanin ndërmjet tyre]”, kujton ai.

Më 10 qershor, bombardimi u ndal pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe NATO-s që shënoi përfundimin e luftës. Megjithatë, përvoja e hidhur e atyre që ende mbaheshin nëpër burgjet e Kosovës nuk mbaroi aty. Para se të hynin trupat tokësore të NATO-s tri ditë më vonë, rreth 2,000 të burgosur — politikë si dhe ata të akuzuar për krime tjera — u transferuan nëpër burgje në Serbi; në mesin e tyre ishin Zymberi e Hoxha. “Përkundër faktit se jeta ime po merrte një kahje të panjohur, unë isha i lumtur ndërsa shihja konvojin e ushtrisë serbe teksa largohej nga Kosova”, kujton Hoxha, derisa sytë i mbushen me lotë. “Kjo është gjëja më e rëndësishme që më ka ndodhur në jetë, një çast në të cilin pushova së menduari për fatin tim”.

Në kërkim të më të dashurve

Pasiguria vazhdoi edhe gjatë kohës së presionit ndërkombëtar dhe protestave të vazhdueshme të aktivistëve dhe familjeve të të burgosurve në Prishtinë, shumë prej të cilëve nuk e kishin idenë se ku po mbaheshin më të dashurit e tyre, apo nëse ishin ende gjallë. Pas disa javësh, organizatat ndërkombëtare si “Kryqi i Kuq” siguruan qasje nëpër burgje dhe ia dolën të hartonin lista jo të përsosura të atyre që ishin brenda tyre; ato përfshinin një numër të të mbajturish të cilët tani janë personalitete të shquara politike në Kosovë, siç janë deputetët Albin e Kurti, Nait Hasani e Flora Brovina.

Ndërhyrja ndërkombëtare mundësoi gjithashtu që familjet të dërgonin gjëra esenciale. “Paketat me ushqim që m’i dërgonte familja më ndihmuan shumë”, kujton Zymberi. Por familjet nuk dërgonin vetëm ushqime. Në përpjekje të pashpresë për të siguruar lirimin e më të dashurve të tyre, disa prej tyre huazuan shuma të mëdha parash për të paguar për lirimin e tyre përmes kanaleve joformale — një rezolutë e kongresit amerikan nga ajo kohë sugjeron se kostoja e sigurimit të lirisë së një të burgosuri shkonte nga 4,300 deri në 24,000 dollarë.

Në kohën e protestave të vazhdueshme të familjarëve të dëshpëruar, presioni ndërkombëtar mbi Serbinë për të liruar të burgosurit politikë u shtua. Kjo përpjekje filloi të jepte rezultate kur Vojisllav Koshtunica e mposhti Millosheviqin në zgjedhje parlamentare në fund të vitit 2000. Në shkurt të vitit 2001, Koshtunica nënshkroi një amnesti për të gjithë të burgosurit që mbaheshin sipas Nenit 136 të Kodit Penal të Jugosllavisë. Rreth 22 muaj pasi qe arrestuar, Hoxha përfundimisht u lirua më 10 mars, 2001. “Po atë ditë u liruan 100 të burgosur”, kujton ai. “Të gjithë ishin të burgosur politikë”.

Por amnestia nuk u zbatua për gjithë të paraburgosurit, dhe me qindra prej tyre mbetën në burgje. Meqë ishte i akuzuar për terrorizëm dhe për kryerje të veprave më të rënda kriminale, Zymberit iu desh të priste edhe 10 muaj për t’u liruar, gjë që ndodhi në janar të vitit 2002. Sa i përket burgosjes së tij, ai tha të mos jetë gjykuar për pretendimet të bëra kundër tij, derisa të gjitha letrat që kishin të bënin me mbajtjen e tij — bashkë me ato të qindra të burgosurve tjerë — u asgjësuan në Dubravë. “Ne ishim më shumë si pengje”, thotë ai.

Dy muaj pas lirimit të Zymberit, të burgosurit e fundit politikë të Kosovës u liruan pas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Serbisë dhe OKB-së. Ata që eventualisht u liruan gjithmonë do t’i bartin shenjat fizike dhe psikike të një periudhe të errët, kur vetëm të mendosh ndryshe ishte krim. Por për familjet e qindra të burgosurve politikë të Kosovës të cilët janë të zhdukur apo të vrarë, tortura vazhdon.K