Pikëpamje | Arsimi

Të jesh pjesë e shtetit që s’të trajton si pjesë të tij

Nga - 22.09.2017

Rreth margjinalizimit institucional ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim.

“Jam pjesë e këtij shteti, ku shteti nuk të bën të ndihesh pjesë e tij”. Këtë përkufizim e dha më 11 shtator të këtij viti shkrimtari i ri nga Kosova, Azem Deliu, në një postim të tij në rrjetin social “Facebook”. Përkufizim ky që më së shumti ndoshta në fillim të këtij shtatori do ta mund ta kenë ndjerë  ata që duket të jenë sikur të harruar nga shteti – fëmijët me aftësi të kufizuara. Përfshirja e të cilëve në mënyrë të barabartë në sistemin arsimor ka qenë zotim i krejt qeverive të kaluara por jo dhe prioritet.

“Arsim me gjithpërfshirje”. Ky është zotimi që qeveritë në vazhdimësi kanë dhënë saherë që përmendeshin politikat për arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë fëmijët. E drejtë kjo e garantuar me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, si dhe me ligjin mbi arsimin parauniversitar, dhe një varg dokumentesh tjera ligjore në Kosovë.

“Do të punojmë që të shtohet përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe e pjesëtarëve të grupeve shoqërore të margjinalizuara, siç janë: të varfërit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët”, ishte zotimi që pati dhënë në fjalën e tij hyrëse, ish-ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami, në kuadër të Planit Strategjik Kombëtar për Arsimin Parauniversitar për periudhën kohore 2017/2021.

Nëse shihen studimet e fundit, e që janë dukshëm të hershme, sa i përket gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsimin kosovar, si ai i realizuar nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, me titull: “Drejtësia e mohuar: Gjendja e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovën e pasluftës”, diku prej 10,000 fëmijëve që nuk e kanë ndjekur shkollimin në periudhën 1999-2009, 70 përqind kanë qenë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Statistikat më të vona ndërkaq, si ato nga organizata Handikos, tregojnë se në vitin 2017 janë idenftikuar 40 fëmijë me aftësi të kufizuar që nuk janë të përfshirë fare në edukimin fillor dhe parafillor. Derisa në vitin 2016 ishin identifikuar 153 fëmijë me aftësi të kufizuara që nuk janë të regjistruar fare në edukimin parafillor.

Në kuadër të shkollave ekzistuese vazhdojnë të mungojnë infrastruktura elementare për të garantuar gjithëpërfshirjen, si për shembull mungesa e tualeteve adekuate për persona me aftësi të kufizuara, mungesa e ashensorëve dhe pjerrinave, si dhe mungesa e transportit.

Por këto numra nuk mund të konsiderohen si gjithëpërfshirëse. Përderisa priten të dhëna të sakta, sipas disa studimeve të ndryshme në Kosovë përllogariten të jetojnë afro 150 mijë persona me aftësi të kufizuara në Kosovë. Numri i saktë i fëmijëve me aftësi të kufizuara akoma nuk dihet, dhe ka edhe më pak informacion rreth numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuara që nuk vijojnë mësimin.

Vlerësime më të reja mbi shkaqet e mospërfshirjes në shkollim të fëmijëve me aftësi të kufizuara pritet të dalin nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, që do të publikojë studimin në dhjetor të këtij viti. Megjithatë, prindërit dhe organizatat që mbrojnë e avokojnë për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë në vazhdimësi kanë kërkuar që të zhvillohen politika të atilla që mundësojnë integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në mënyrë të barabartë me fëmijët e tjerë në sistemin arsimor, ngase nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale.

Por cila ka qenë qasja e qeverive të deritanishme në këtë drejtim?

Në 10 vitet e fundit, sektori i arsimit është udhëhequr nga Partia Demokratie e Kosovës, e cila më së shumti shquhet në prioritetin e saj për të përmirësuar infrastrukturën shkollore. Në kuadër të programit zgjedhor të vitit 2014 “Misioni i Ri”, thuhet që gjatë periudhës 2008-2013 janë ndërtuar 145 shkolla në nivelin e ulët dhe të mesëm, dhe se shumë të tjera janë renovuar. Por për organizatat sikurse Handikos, në kuadër të shkollave ekzistuese vazhdojnë të mungojnë infrastruktura elementare për të garantuar gjithëpërfshirjen, si për shembull mungesa e tualeteve adekuate për persona me aftësi të kufizuara, mungesa e ashensorëve dhe pjerrinave, si dhe mungesa e transportit.

Ndërkohë, në vitin 2006, MASHT kishte hapur pesë “shkolla të veçanta”, që janë shndërruar në qendra burimore ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Këto janë shkolla ku ndjekin mësimet fëmijët me aftësi të kufizuara të ndryshme dhe ato janë të organizuara në bazën e llojit të dëmtimit. Ekzistojnë shtatë shkolla speciale: Shkolla për fëmijët me dëmtime në të parë në Pejë, shkolla për fëmijët me dëmtime në të dëgjuar në Prizren, shkollat për fëmijët me dëmtime intelektuale në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe në Shtime. Ekziston edhe një shkollë speciale në veriun e Mitrovicës ku vijojnë fëmijët serbë, e cila nuk është e integruar në sistemin e MASHT-it dhe nuk ka informata të mjaftueshme për të.

Kosova duhet të përmirësojë përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor duke siguruar se fëmijët me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin në shkolla publike së bashku me bashkëmoshatarët e tyre si dhe duke rritur numrin e stafit profesional dhe asistentëve personal.

Ka planifikime që në të ardhmen të bëhet riorganizimi i brendshëm i qendrave burimore ashtu që më tepër staf të kalojë në njësinë apo qendrën e shërbimeve të mbështetjes. Po ashtu, planifikohet që të punësohet staf i ri në qendrat burimore për të rritur kapacitetet e qendrave të shërbimeve të mbështetjes brenda qendrave burimore për të mbështetur nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në shkollat e rregullta.

Megjithatë, shumëkush asokohe këtë hap e kishte parë si jo adekuat ngase arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të ndodhë njëkohësisht me integrimin e tyre në shoqëri, e që nënkupton arsimin në shkolla të rregullta dhe fëmijë të tjerë, jo të ndarë. Në këtë drejtim, Raporti i Progresit të BE-së për Kosovën i vitit 2016, rekomandoi që Kosova të përmirësojë përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor duke siguruar se fëmijët me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin në shkolla publike së bashku me bashkëmoshatarët e tyre si dhe duke rritur numrin e stafit profesional dhe asistentëve personal.

Dhe kjo ndërlidhet me çështjen tjetër mungesën e burimeve dhe trajnimeve të stafit profesional për të përfshirë në mënyrë të vazhdueshme fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe mungesën e psikologëve dhe pedagogëve.

Në këtë drejtim, PSAK-u parasheh edhe krijimin e një sistemi të integruar për mbledhjen, përpunimin dhe përdorimin e të dhënave që gjithashtu do të mundësojë monitorimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe atyre që braktisin shkollën, si dhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, si përmes ofrimit të programeve të trajnimit për gjithëpërfshirje. Por, nuk jep afate kohore se kur dhe si do të realizohen këto.

Një studim i Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), që është koalicion i 22 OJQ-ve që punojnë në mbrojtje dhe avokim për të drejtat e fëmijëve, rekomandon që numri i specialistëve të trajnuar dhe të kualifikuar brenda fushës së arsimit të rritet me qëllim të integrimit efektiv të fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor.

I njëjti raport përmend se edhe barrierat fizike janë gjithashtu të rëndësishme, në institucionet arsimore por edhe institucione tjera publike.

“Ka shumë institucione publike, duke përfshirë shkolla, gjykata dhe Qendra për Punë Sociale të cilët nuk kanë ashensorët e nevojshëm, pjerrinat dhe pajisjet ndihmëse (për shembull, në banjo) që do të lehtësonin përdorimin nga ana e personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në raport.

Përveç kësaj, Indeksi për gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga studimi i KOMF-it dhe Child Pact ka treguar se shteti nuk ka asnjë mekanizëm të ankesave në rast se prindërit nuk janë të kënaqur me trajtimin e fëmijës së tyre në institucione shkollore apo vende tjera publike. Në këtë formë monitorimi i trajtimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara nga vetë shteti pamundësohet.

Pra, çfarë më tutje?

Në kabinetin e ri qeveritar të formuar këtë muaj, MASHT-i i është dhënë nën menaxhim partisë së Fatmir Limajt nga subjekti Nisma Për Kosovën, dhe ministër është emëruar Shyqiri Bytyqi. Në programin e saj partiak, fëmijët me aftësi të kufizuar përmenden vetëm në një pjesë, ku thuhet se “Politika e këtyre viteve të lirisë, pavarësisë e të demokracisë ka dështuar në përpjekjet e saj për të reformuar arsimimin, shëndetësinë, për të shtuar punësimin përmes privatizimit, kanë dështuar edhe në integrimin social të qytetarëve në nevojë dhe me nevoja të veçanta”.

Përderisa akoma nuk dihet saktësisht se çka do të përmbajë programi qeverisës i NISMA-s për arsim, disa prej nevojave kyçe sa i përket përfshirjes dhe garantimit të arsimit të barabartë për fëmijët me aftësi të kufizuara veçse dihen si: sigurimi i transportit të tyre deri në institucionet arsimore, garantimi i një stafi mbështetës për mësimdhënësit si dhe asistentëve gjatë procesit të tyre mësimor, pa e harruar më të rëndësishmen ndoshta garantimin e ekipeve mjekësore në institucionet arsimore ku fëmijët do të kenë qëndrimet e tyre ditore me qëllim të integrimit sa më të mirë në arsim. Problematika këto për të cilat qeveritë e deritashme nuk kanë gjetur zgjidhje konkrete dhe praktike.

Por nëse investimi vazhdon të fokusohet në beton e jo në cilësi dhe gjithëpërfshirje, atëherë Kosova do të vazhdojë të përjetohet si një shtet pjesë e të cilit je, por nuk të bënë pjesë të tij.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO