Në thelb | Arsimi

Të kaluarën e mësojmë në mënyra të ndryshme

Nga - 28.09.2018

Për identitetin e Ballkanit ende mësojmë nga klasat e historisë.

Nëse shkruan ‘histori’, ‘libra shkollorë’, ‘Serbia’ dhe ‘Kroacia’ në shfletues online në gjuhën serbe/kroate, shfaqen dhjetëra artikuj, shumë prej të cilëve përmbajnë fjalë si ‘shokuese’ apo ‘skandaloze’ në titujt e tyre.

Mund të lexoni një artikull nga një gazetë kroate nga viti 2017 ku shkruan “Studentët serbë […] kanë mësuar se dalmatët janë në fakt serbë”, dhe një tjetër nga e përditshmja serbe Blic në vitin 2016, që paralajmëron se librat shkollorë kroatë i mësojnë fëmijët se “serbët janë terroristë”.

Mund të lexoni edhe për skandalin që ndodhi në vitin 2015, kur librat e lëndës së historisë për klasën e gjashtë në Serbi u hoqën nga tregu, për shkak se pretendohej se i mësonin fëmijët se “serbët e vjedhën Kosovën nga shqiptarët”. Paraqitet edhe një artikull i shkruar nga agjencia gjermane e shtypit DPA, që konkludoi se “nxënësit kroatë dhe serbë mësojnë versione të njëanshme të historisë”.

Më shumë se 20 vite pas ndërprerjes së konfliktit në shtetet e dala nga Jugosllavia, betejat në lidhje me historinë ende janë në zhvillim e sipër dhe rrëfenjat për të kaluarën dallojnë varësisht nga cila anë tregohen. Siç tha dikur Friedrich Nietzsche: “E ardhmja i përket atyre që e kujtojnë më së shumti të kaluarën”.

Qasjet ndaj së kaluarës dhe mësimdhënia në lidhje me të ishin, dhe ende janë, temë e diskutimit, eksplorimit dhe hulumtimit për politikanë, analistë, profesorë dhe organizata rajonale dhe të huaja joqeveritare; këto grupe kacafyten që ta kenë nën kontroll rrëfenjën. Sot, në përgjithësi kuptohet se mësimdhënia e historisë në shkolla është shumë më e mirë se që ishte në vitet e para pas lufës, por ende është larg ideales.

Politika dhe ideologjitë në libra shkollorë

Mësimdhënia për luftërat e 90-ve, është veçanërisht sfiduese në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), ku Marrëveshja e Dayton-it, traktati i paqes që u nënshkrua në 1995, ndikoi tek organizimi i sistemit arsimor në 10 ministri kantonale për arsim dhe shkencë, plus një në distriktin e Brčko-s si njësi e pavarur dhe dy ministri në nivelin e entiteteve.

“Ndarja etnike e Bosnjes dhe Hercegovinës është kopjuar edhe në arsim”, tha Dr. Vera Katz në analizën e saj të librave shkollorë në Bosnje dhe Hercegovinë që e publikoi në një edicion të Forumit të Drejtësisë Tranzicionale. “E përbashkëta e këtyre librave shkollorë është se e përmendin sakrificën që secili grup është dashur ta bëjë, për të cilën tjetri, apo dy grupet tjera etnike, kanë faj”, shkruan Katz.

Nuk dallon vetëm toni i librave shkollorë, por edhe përmbajtjet e tyre. Në librat shkollorë kroatë në BeH ka shpjegime të hollësishme të luftërave në Slloveni dhe Kroaci, ndërsa këto ngjarje rrallëherë përmenden në librat shkollorë boshnjakë. Në ata që janë botuar në Republikën Serbe, ngjarjet e njëjta përshkruhen nga një pikëpamje krejtësisht ndryshe.

Sa i përket luftës në BeH, theksohen institucionet dhe ngjarjet në lidhje me komunitetet etnike, qofshin kroatët, boshnjakët apo serbët. “Karakteristikë e përgjithshme e të gjithë librave është se janë të heshtur sa i përket disa ngjarjeve të rëndësishme, ndërsa theksohen ngjarje të tjera që e zbukurojnë historinë e kombit”, konkludon Katz.

Profesori Nenad Veličković bëri një analizë të librave shkollorë të përdorur në shkolla fillore në Bosnje dhe Hercegovinë dhe beson se janë thellësisht të politizuar dhe të ndikuar nga besimet ideologjike. Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

Nenad Veličković është shkrimtar dhe profesor nga Bosnja dhe Hercegovina i cili punon në Departamentin për Letërsi Serbe, pjesë e Shkollës së Letërsisë në Fakultetin e Filozofisë në Sarajevë. Ai ishte pjesë e ekipit që zbatoi një analizë të përmbajtjeve të librave shkollorë të përdorur në shkolla fillore në BeH brenda kategorisë ‘etnike’ të lëndëve (gjuha amtare, historia, gjeografia, si dhe arsimi muzikor e artistik).

Ai thotë për K2.0 se librat shkollorë janë të politizuar dhe të ndikuar nga besimet ideologjike, ndërsa çështjet historike dhe gjuhësore qasen vetëm nga një pikëpamje. Ai shton se janë të pranishme edhe përfaqësime të njëanshme të dallimeve të tjera kulturore, gjinore dhe religjioze.

Konkluzioni i analizës në të cilën ai punoi i kritikon librat shkollorë edhe më tej duke deklaruar se “brenda librave të ri shkollorë që u prodhuan në 10 vitet e fundit nuk është materializuar ndonjë ndryshim thelbësor në koncept apo qasje ndaj arsimit. Ata nuk i afirmojnë vlerat e një shoqërie demokratike, të qytetarisë aktive dhe përfshirjes sociale; zhvillimi i mendimit kritik nuk mbështetet sa duhet, sikurse as kreativiteti apo mësimi aktiv”.

Mrika Limani, historiane dhe studente e doktoraturës në Universitetin e Prishtinës, punimet e së cilës fokusohen kryesisht në dhunën në Kosovë në shekullin XX, argumenton se edhe në Kosovë librat shkollorë janë ende shumë të ndikuar nga besimet ideologjike. Sot, serbët dhe shqiptarët e Kosovës përdorin libra shkollorë krejtësisht të ndryshëm me dy rrëfenja të ndryshme të historisë.

Bombardimet e NATO-s dhe viktimat serbe kanë rol qendror në librat shkollorë serbë, ndërsa librat shkollorë shqiptarë fokusohen më shumë në origjinën e luftës dhe krimet e kryera kundër popullsisë së shqiptarëve të Kosovës.

“Historia po bëhet vegël për promovimin e agjendave të caktuara, kryesisht agjendave politike. Dhe do të thoja se Kosova dhe Serbia janë të njejta në këtë aspekt”.

Mrika Limani, historiane

“Ende kemi ngecur në rrëfenjën kombëtare që u ndërtua prej viteve të ‘90-a”, thotë Limani për K2.0. “Mendoj se edhe sot shumë prej kolegëve të mi e ndjejnë nevojën për ta prodhuar një rrëfenjë që e lufton rrëfenjën historike kombëtare serbe. E kemi ndjenjën e përgjegjësisë si historianë të shkojmë me fluksin e njejtë dhe ta riprodhojmë llojin e njëjtë të argumenteve, por nga pikëpamja jonë. Sigurisht, mendoj se kjo është shumë e gabuar”.

Për Limanin, problemi kryesor është se në këtë mënyrë historianët zgjedhin cilat fakte t’i promovojnë dhe cilat jo. Limani thotë se në vitet e fundit, librat shkollorë që janë në gjuhën shqipe janë kritikuar shumë për shkak se e minimizojnë rëndësinë e viktimave serbe dhe numrin e civilëve serbë të vrarë gjatë luftës.

Edhepse ka besim se po të punonin libra të ri shkollorë kolegët e saj, do të zbatonin metoda më objektive. Ajo konsideron se nuk ka vullnet politik për të bërë hulumtime të mirëfillta historike në nivel institucional.

“Shteti nuk po e promovon zyrtarisht historinë që i polarizon më tej dallimet ndëretnike, por në praktikë nuk mendoj se bën shumë kundër saj. Thjesht nuk e ka prioritet”, thotë Limani. “Historia po bëhet vegël për promovimin e agjendave të caktuara, kryesisht agjendave politike. Dhe do të thoja se Kosova dhe Serbia janë të njejta në këtë aspekt”.

Dy luftëra me shumëllojshmëri historish

Dubravka Stojanović është profesoreshë në Departamentin e Historisë të Fakultetit të Filozofisë në Beograd dhe mori pjesë në zhvillimin e studimit Librat shkollorë të historisë në shoqëritë e pasluftës, bashkë me Dr. Vera Katz.

Stojanović shpjegon për K2.0 se problemi është edhe te librat shkollorë në Serbi, duke thënë se ka rrëfenja të kontestuara në librat shkollorë në lidhje me arsyen për shpërbërjen e Jugosllavisë. Profesoresha i thekson gjithashtu nocionet e pranishme në libra shkollorë që justifikojnë momente dhe ngjarje të caktuara historike në lidhje me luftërat e të 90-ve, ku mund të shihet një vazhdimësi e politikave nga ajo periudhë.

“Çështja është se luftërat e viteve ‘90 prezantohen në mënyrë identike siç u paraqitën nga Milošević-i”, thotë Stojanović për K2.0. “Librat shkollorë serbë ia lënë fajin ‘republikave separatiste’, Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat me ndihmë të, për shembull, Gjermanisë dhe Vatikanit e ndanë Jugosllavinë për t’i krijuar shtetet e tyre të pavarura”.

Ajo shton se në plot libra shkollorë që aktualisht përdoren në Serbi ka ende argumente të ish-presidentit Slobodan Milošević, ndonjëherë saktësisht sipas fjalëve të tij. Ajo citon argumentin e Milošević-it se “populli serb u detyrua t’i mbrojë të drejtat e veta, siç bënë të gjithë të tjerët” – edhe nëse kjo e drejtë nënkuptonte të qenit në një shtet të vetëm dhe të unifikuar.

Profesoresha Dubravka Stojanović beson se librat shkollorë që u përdorën në Serbi prej viteve të ‘90-a e kanë rishkruar krejtësisht historinë e Luftës së Dytë Botërore. Foto: Lazara Marinković / K2.0.

Stojanović beson gjithashtu se gjatë 90-ve dhe më pas disi u rishkrua historia e Luftës së Dytë Botërore. “Vendet e çetnikëve dhe partizanëve janë ndryshuar krejtësisht”, thotë ajo. “Partizanët janë bërë të këqijtë, ndërsa çetnikët të mirët. Del se krimet kundër civilëve u kryen nga partizanët dhe se ata bashkëpunuan me okupatorët, jo çetnikët. Ky ishte skandal i madh kur doli libri shkollor në vitin 2003 dhe u përdor për gati tetë vite”.

Profesoresha beson se librat shkollorë të cilët i zëvendësuan janë “hekurosur pak”, por ende e mbështesin më shumë teorinë se dy lëvizje fashiste ekzistuan në Serbi, duke e fshirë faktin e bashkëpunimit të çetnikëve.

Për shembull, në një libër të vitit 2006, bashkëpunimi me Italinë fashiste u shënua si e keqe më e vogël dhe më pak e rrëzikshme se ustashët “dhe zgjidhja më e mirë luftarake për t’i ruajtur jetët e serbëve, veçanërisht atyre në Lika, në Dalmacinë veriore dhe në Hercegovinë”. Ndërsa ushtarët italianë u përshkruan si “e keqja më e vogël nga të gjitha të këqijat që u detyruan t’i përballojnë ata”.

Fshirja e kufijve ndërmjet fashizmit dhe antifashizmit ndodhi sidomos në Kroaci në vitet e ‘90-a, kur u ringjall roli i Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH) në Luftën e Dytë Botërore.

Profesoresha Snježana Koren, e specializuar në metodologjinë e mësimdhënies së historisë, thekson se problemi kryesor në këtë lëmi është fakti se ende përodret për të ndërtuar identitete kombëtare. Foto nga Snježana Koren.

Snježana Koren është profesoreshë në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, e specializuar në metodologjinë e mësimdhënies të lëndës së historisë. Ajo mendon se përfaqësimet e NDH-së në librat shkollorë bashkëkohorë i paraqesin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore shumë më saktë se librat e të 90-ave.

Megjithatë, analiza krahasuese e librave shkollorë zbulon se edhe në ditët e sotme përdoren terme që i zvogëlojnë krimet e kryera nga regjimi ustash. Është vetëm një libër shkollor në të cilin termi gjenocid përdoret për t’i përshkruar krimet kundër serbëve dhe romëve në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa termet si ‘terror i imponuar nga autoritetet’ përdoren më shpesh.

Koren mendon se shpeshherë ka siklet dhe rezervë aty ku përmenden vendet e vuajtjeve masive, si kampi i përqendrimit në Jasenovac, i drejtuar nga autoritetet kroate të NDH-së. Ajo thekson se i njëjti siklet nuk është i pranishëm në mësimet për riatdhesimin në Bleiburg, ku dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë të lidhur me Fuqitë e Boshtit u ekzekutuan dhe u vendosën në kampe të punës me forcë gjatë procesit të regjistrimit. Profesoresha shton se mësimet për Jasonevac-in janë shumë më pak të pranishme se ato për Bleiburg-un.

Koren beson se disa mësues kanë tendencë t’i shmangen mësimdhënies për Luftën e Dytë Botërore dhe ndodhive që pasuan. “Kam dëgjuar disa herë për raste në të cilat njerëzit e kanë kryer klasën e katërt të arsimit të mesëm me të arritur në ngjarjet e vitit 1941”, shpjegon ajo.

Por Koren beson se aspekti më problematik i mësimdhënies së historisë në rajon është se nuk ka ndryshuar prej kohëve të Jugosllavisë, domethënë sa i përket qëllimit të mësimdhënies së historisë për konstruktim të identitetit kombëtar. “Dallimi është se ideologjitë ndryshojnë”, thotë ajo. “Pra, në fillim të të nëntëdhjetave fokusi ishte në Luftën e Dytë Botërore dhe tani, në Kroaci për shembull, fokusi është në Luftën Kroate për Pavarësi”.

Fokusi në Luftën Kroate për Pavarësi u intensifikua në vitin 2000, kur Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi ngriti padi kundër kryekomandantëve të ushtrisë kroate, duke e shtyrë Parlamentin kroat të miratojë deklarata që ndihmuan për të ofruar një shpjegim zyrtar të ngjarjeve të luftës. Në vitin 2000 u publikua Deklarata për Luftën Kroate për Pavarësi, që u përcjell nga Deklarata për Oluja në vitin 2006. Koren mendon se këto deklarata padyshim ndikuan tek mësimdhënia në atë periudhë.

Alternativa

Kur mënyrat zyrtare të mësimdhënies së historisë prezantojnë rrëfenja të njëanshme, shoqëria civile shpeshherë përpiqet t’i mbushë zbrazëtitë. Në Kosovë, Fondi për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC) avokon për t’i ndryshuar librat shkollorë në mënyrë që ata t’i përfshijnë informatat e bazuara në fakte për viktimat e luftës. Ata organizojnë edhe punëtori joformale për edukimin e nxënësve dhe studentëve në shkolla të mesme dhe universitete, si dhe të përfaqësuesve të OJQ-ve, për atë që ndodhi në Kosovë gjatë të ‘90-ave.

“Ne u prezantojmë faktet studentëve”, shpjegon Njomza Haxhibeqiri, ish-menaxhere e projektit në HLC. “U shpjegojmë çfarë çoi deri te konflikti dhe prezantojmë bazën e të dhënave dhe librin e kujtimit të Kosovës që përmban plot dokumente të mbledhura nga viti 1999: dëshmi nga dëshmitarë dhe familjarë të viktimave të luftës dhe mijëra fotografi dhe dokumente që i mbështesin ato”.

Një pjesë e punëtorisë fokusohet vetëm në tregimet e viktimave, me shpresë të arrihet një nivel më i lartë i ndjeshmërisë ndëretnike. “Ne u lëshojmë atyre incizime të tri tregimeve të viktimave, dy prej tyre janë shqiptarë dhe një serb”, thotë Haxhibeqiri, e cila ka udhëhequr shumë nga seancat. “Kur ua prezantojmë ne nuk u tregojmë studentëve se çfarë kombësie kanë viktimat dhe tregimet redaktohen në mënyrë që studentët të mos e dinë ku kanë ndodhur”.

Haxhibeqiri thotë se studentët shpeshherë befasohen kur e mësojnë identitetin e viktimave. “Studentët tonë shqiptarë zakonisht e paramendojnë që ata janë shqiptarë, por kur dëgjojnë që njëri është serb, fillojnë ta kuptojnë se kombësia nuk ka rëndësi, sepse kur nuk e dimë kombësinë e viktimës, thjesht e dëgjojmë tregimin dhe lidhemi me të menjëherë”, shton ajo.

HLC-ja deri më tani e ka dhënë dritën e gjelbërt për të organizuar punëtori vetëm në shkolla të mesme shqiptare në Kosovë. Për të krijuar ura lidhëse në këto zbrazëti që ekzistojnë ndërmjet studentëve serbë dhe shqiptarë, ata organizojnë shkolla verore për drejtësinë tranzicionale për rininë e Kosovës (18-27 vjet).

“Duam t’i përfshijmë studentët nga të gjithë komunitetet në këtë punëtori”, thotë Haxhibeqiri. “Diskutojmë së bashku për luftën dhe drejtësinë tranzicionale, por i vizitojmë edhe familjarët e viktimave të luftës, si familjet shqiptare dhe ato serbe. Diskutojmë për të drejtën për drejtësi, të drejtën për të vërtetën, për dëmshpërblime dhe reforma institucionale dhe për secilën temë ftojmë ekspertë nga rajoni”.

“Ne besojmë se ky është hapi i parë drejt kuptimit të ngjarjeve që ende na ndajnë, që edhe sot përdoren për të krijuar konflikte të reja”.

Profesoresha Stojanović për librat e përbashkët shkollor.

Ekzistojnë edhe nisma më të mëdha që kërkojnë këtë lloj të multiperspektivës, ku secila ngjarje historike prezantohet nga pozitat e popujve të ndryshëm. Projekti Joint History u lansua më 1999 kur Qendra për Demokraci dhe Pajtim nga Selaniku mbledhi historianët nga të gjithë shtetet e Ballkanit për të zhvilluar shkrime të përbashkëta historike.

Në vitin 2005, katër libra u botuan për temat e Perandorisë Osmane, kombit dhe komb-shteteve, Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore. Prej vitit 2016 janë botuar edhe dy vëllime të reja: i pari për periudhën e Luftës së Ftohtë 1944-1989 dhe i dyti për tranzicionin 1990-2008, përfshirë këtu luftërat jugosllave të viteve të ‘90-a.

“Secila ngjarje prezantohet nga disa pikëpamje dhe kështu hapet debati për atë se çfarë domethënie kishin ato ngjarje për secilën palë dhe pse dallimet në mënyrën e kuptimit janë aq të mëdha”, thotë Stojanović. “Me këtë e fituam përmbledhjen e parë të atyre luftërave me një metologji të multiperspektivitetit, duke shpjeguar, për shembull, se çfarë kuptimi kishte Oluja për kroatët e çfarë për serbët dhe se si mund të debatohet më tej kjo çështje”.

Profesoresha shton se botimi i librave u përcjell me seminare në Vukovar, Mostar dhe Bujanoc, ku mësuesit nga grupet e ndryshme etnike u ftuan për t’i diskutuar mënyrat në të cilat ngjarjet historike mund të mësohen me qasje të multiperspektivës.

“Ne besojmë se ky është hapi i parë drejt kuptimit të ngjarjeve që ende na ndajnë që edhe sot përdoren për të krijuar konflikte të reja”, thotë Stojanović, e cila morri pjesë në zhvillimin e librave shkollorë. Librat e parë nga viti 2005 deri më tani janë përkthyer në të gjitha gjuhët e rajonit dhe mësuesit shqiptarë dhe serbë po përgatiten dhe trajnohen së bashku.

Historiania Mrika Limani ka rezerva për nismën e përbashkët për librat e historisë sepse mendon se ato shpeshherë i mjegullojnë vijat ndarëse ndërmjet shtypësve dhe të shtypurve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kur u pyet për nismën e përbashkët për librat e historisë, Mrika Limani ka lavdata por nuk është shumë e ngazëllyer. “Mendova se këta libra ishin një nismë e mirë, por problemi im [me ta] është se janë shumë të matur sa i përket konotacioneve etnike dhe mendoj se disi i mjegulluan vijat ndarëse ndërmjet shtypësve dhe të shtypurve”, thotë ajo. “Kjo është problematike. Nuk mendoj se duhet të bëjmë gjithçka relative për t’u pajtuar. Problemi është se nëse askush nuk merr përgjegjësi viktimat kurrë nuk do të ndihen sikur është vendosur drejtësia”.

Sa i përket praktikave të mira të “pranimit të fajit”, Limani e thekson mënyrën se si u ballafaqua Gjermania me historinë e saj. “Ata vendosën se duhej të ngriteshin dhe të merrnin përgjegjësi për atë që bënë njerëzit e tyre. Unë besoj se kjo është qasje pozitive”.

Kur u pyet nëse mund ta imagjinonte këtë qasje duke u zbatuar në Ballkan në të ardhmen e afërt, Limani plot pesimizëm thotë ‘jo’. “Konflikti në Ballkan është shumë i ndërlikuar. Nuk ndodhi vetëm përgjatë linjave etnike, por ishte gjithashtu konflikt për grupe të ndryshme, klasa të ndryshme, identitete të ndryshme kulturore. Pra, të gjithë duhet të kërkojnë falje dhe askush nuk do të kërkojë falje”.

Një nga gjestet më të mirënjoura të “kërkim faljes” në histori të njerëzimit ndodhi kur Kancelari gjerman Willy Brandt e vizitoi Muzeun e Heronjve të Getos së Varshavës në 1970. Para monumentit, ai u gjunjëzua dhe qëndroi në atë pozitë për dy minuta, për të kërkuar falje për krimet e epokës së Gjermanisë naziste. Ky veprim në gjermanisht njihet si Kniefall von Warschau, Gjunjëzimi në Varshavë.

Disa liderë në Ballkan kanë kërkuar falje për krimet e luftërave të kaluara, duke u nisur nga presidenti malazias Milo Dukanović, i cili në vitin 2000 kërkoi falje për agresionin malazez në zonën e Dubrovnikut; presidenti serb Boris Tadić kërkoi falje për krimet në Bosnje dhe Kroaci; e madje edhe kryekomandanti i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi në vitin 2015 se “sinqerisht ndjen keqardhje për viktimat civile të bombardimeve të NATO-s në 1999”.

Asnjëra nga këto kërkim faljet nuk mbetën në kujtesën kolektive në rajon dhe Ballkani ende po e pret Willy Brandtin e vet, që doshta një ditë rinia do të mësojë për gjestet e tij në libra të historisë.K

Foto kryesore: Imrana Kapetanović / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia