Në thelb | Drejtësi Tranzicionale

Të kaluarën e përkujtojmë ndryshe

Nga - 28.09.2018

Aktivistë anembanë shteteve ish-jugosllave janë munduar të zgjerojnë përkujtimet zyrtare.

Gjatë rrethimit të Sarajevës, qindra e mijëra njerëz u bombarduan dhe u goditën me armë prej kodrave përreth, si dhe u lanë pa bukë, ujë dhe energji elektrike për pothuajse katër vite. Më shumë se 11,000 njerëz vdiqën, përfshirë këtu 1,100 fëmijë. Ky është rrethimi më i gjatë i ndonjë kryeqyteti në historinë e luftës bashkëkohore.

Si duhet kujtuar dhe përkujtuar një ngjarje e tillë? Një përpjekje lindi në vitet e para pas rrethimit, kur një rrëshirë e kuqe iu shtua gërmadhave të mbetura prej predhave të mortajave që kishin vrarë tre e më shumë persona, pasi që kishin shpërthyer në beton. Duke krijuar spërkatje të kuqërremta nëpër qytet, përkujtimet e atypëratyshme filluan të njihen si Trëndafilat e Sarajevës.

Në librin e saj “Trëndafilat e Sarajevës: Drejt politikave të kujtimit”, Azra Junuzović e identifikon ideatorin e përkujtimoreve si Nedžad Kurto, një profesor i arkitekturës pranë Universitetit të Sarajevës – ndonëse saktësisht ata që i sollën trëndafilat mbetën të mbuluar në mister. Junuzović e zbulon se Kurto dëshironte t’i përkujtonte ata që vdiqën dhe vuajtën pa personalizuar vende të veçanta.

Në vizitën që ia bëri qytetit më 2014, gazetari Peter Korchnak foli para aktivistëve të Iniciativës të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), të cilët e kishin marrë përgjegjësinë që t’i gjallëronin Trëndafilat duke i ngjyrosur sërish në të kuqe. Aktivistët e shfaqën një video para Korchnak, në të cilën një grua e moshës së mesme shprehte vlerësimin e saj për Trëndafilat, duke treguar se ajo e ndjen se ata “i lejojnë njerëzit që të jenë në vetmi me mendimet e tyre”.

Qytetarë, gazetarë dhe akademikë kanë lavdëruar Trëndafilat e Sarajevës për fuqinë tyre të heshtur. Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

Kjo ndjenjë jehon në një artikull të vitit 2013 me titull Memorialet e heshtura dhe ato retorike: Trëndafilat e Sarajevës dhe pllakat përkujtimore. Autorja e saj, Dr. Mirjana Ristić, i përshkruan Trëndafilat si “vende të heshtura të cilat ua lejojnë kalimtarëve të ndërtojnë versionet e tyre personale të kujtimit dhe rrëfime të shumta rreth historisë së qytetit”.

Si Korchnak ashtu edhe Ristić, i vënë Trëndafilat përballë pllakave përkujtimore që janë ngritur anembanë qytetit nga Komiteti për Shënimin e Njerëzve dhe Ngjarjeve Historike të Qytetit të Sarajevës. Korchnak e viziton një përkujtimore kushtuar masakrës së Markales, në të cilën shkruan: “Në këtë vend, më 05.02.1994, keqbërësit serbë vranë 67 banorë të Sarajevës”.

Korchnak e kritikon përkujtimoren sepse “u tregon njerëzve se çfarë të mendojnë për atë që kishte ndodhur”, gjersa Ristić e përshkruan tërë serinë e pllakave si “monumente konvencionale retorike të cilat e artikulojnë një version selektiv të historisë bazuar sipas një etniciteti të veçantë”.

Historitë selektive nëpër rajon

Kjo betejë rreth përkujtimit dhe përdorimit të një historie selektive është luftuar shpesh nëpër shtetet të dala nga Jugosllavia. Në maj të këtij viti, një organizatë holandeze e të drejtave të njeriut, “Impunity Match”, e publikoi një raport, i cili thekson se kërkimi për “të vërtetën” në Ballkan është sfiduar prej një diskursi publik të njëanshëm të mohimit.

I titulluar “Mbajta e premtimit: Adresimi i mosndëshkimit në Ballkanin Perëndimor”, ky raport tregon se shoqëria civile dhe media nuk kanë fuqi të sjellin ndryshim në shoqëri dhe rajoni vazhdon të jetë një fushëbetejë rrëfimesh historike, në të cilën secila palë pretendon të viktimizohet dhe t’i fajësojë të tjerët. “Historia [është] manipuluar për të treguar rrëfime nacionaliste që shkojnë përtej çfarëdo përpjekjeje serioze për t’u përballur me përgjegjësinë e së kaluarës”, shkruhet në raport.

Përkujtimi i ngjarjeve është bërë një pjesë kyçe e kësaj. Në qershor të këtij viti, Parlamenti i Serbisë adoptoi legjislacionin e ri për të rregulluar memorialet e luftës, sipas të cilit monumentet mund të largohen në qoftë se janë dedikuar për një ngjarje që është e papajtueshme me “luftërat çlirimtare” të Serbisë. Kritikët e ligjit kanë thënë se kjo mund të parandalojë përkujtimin e viktimave të luftës që vuajtën nga duart e shtetit serb dhe mund t’i karakterizojë luftërat e viteve ’90 si luftëra për “çlirim”.

Marko Milosavljević nga zyra e Beogradit të Iniciativës të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, beson se një ligj i ri që rregullon kujtimet e luftës, do të përforcojë narrativën e shtetit. Foto: Lazara Marinković. / K2.0.

Marko Milosavljević nga YIHR-ja në Beograd thotë se nëpërmjet këtij ligji, “rrëfimi shtetëror fuqizohet akoma më shumë”. Aktivisti argumenton se është e rëndësishme që shoqëria serbe t’i kundërshtojë këto masa jo vetëm për hir të ardhmes paqësore në rajon, por po ashtu të tregojë respekt për viktimat e konflikteve të së shkuarës.

Janë viktimat të cilat YIHR-ja shpesh është munduar t’u sigurojë një vend në rrëfimin rreth përkujtimit. Më herët gjatë këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, zyra e YIHR-së në Beograd u kërkoi kandidatëve që të angazhohen në ndërtimin e një monumenti që do t’i përkujtonte civilët, trupat e të cilëve ishin fshehur për dy vite në Batajnicë, në periferi të Beogradit – një iniciativë e vazhdueshme e kësaj organizate.

Trupat ishin bartur prej Kosovës jugore në Batajnicë në orvatje për të mbuluar një sërë masakrash, krim ky, për të cilin ish-ministri i Brendshëm Vlastimir Ðorđević, u dënua nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi. Që nga viti 2001, më shumë se 700 trupa janë zhvarrosur prej këtij vendi, i cili aktualisht përdoret akoma si qendër trajnuese për Njësinë Speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër Terrorizmit.

Ndërkohë, në Kroaci, në gusht të vitit 2010, aktivistët e YIHR-së e vendosën një pllakatë përkujtimore për të gjithë civilët që ikën nga shtëpitë e tyre gjatë Operacionit “Stuhia”. Sipas degës kroate të Komitetit të Helsinkit, ky operacion ushtarak më 4 gusht 1995 la 677 civilë serbë të vrarë, ndërkohë që 200,000 të tjerë ikën nga Kroacia. Përkundër kësaj, përvjetori i Operacionit “Stuhia” shpeshherë festohet sikur një fitore, me paradat ushtarake që mbahen rregullisht.

Në pllakën e ngritur prej aktivistëve në 15 vjetorin e Operacionit “Stuhia”, shkruan: “nga qytetarët kroatë, të cilët u kërkojnë falje viktimave, në mungesë të një kërkim faljeje prej përgjegjësve”. Në korrik të këtij viti, aktivistët e kësaj organizate e përgatitën një udhërrëfyes për t’i ndihmuar politikanëve që të kërkojnë falje për krimet kundër civilëve serbë, duke u sugjeruar një kërkim falje publike në vendin ku krimet ndodhën, që do duhej të përfshinte edhe një dënim të rastit.

Në vitin 2016, dega e YIHR-së në Kosovë u mundua që të sigurojë se personat e zhdukur nga lufta në Kosovë do të mbesin në agjendën politike, duke dërguar te ish-kryeministri Isa Mustafa një kuti me këpucë që simbolizonte të zhdukurit. Foto nga Jetmir Idrizi, huazuar nga YIHR Kosovë.

Nga ana e saj, YIHR-ja në Kosovë është munduar që të sigurojë se mbi 1,500 të zhdukurit gjatë dhe pas Luftës së Kosovës do të mbesin në kujtesën publike përmes aksioneve simbolike, posaçërisht më 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Në vitin 2016, kjo organizatë ia dërgoi kryeministrit Isa Mustafa një kuti me këpucë që simbolizonte të zhdukurit, së bashku me një letër ku thuhej se “shqetësohej për neglizhencën [zyrtare] në raport me personat e zhdukur”.

Marigona Shabiu, drejtore e Zyres së YIHR-së në Kosovë, tha për K2.0 se një prej qëllimeve kryesore të organizatës është krijimi i një “kujtese të duhur” për luftën në Kosovë. Për Shabiun kjo nënkupton “njohjen e të gjitha viktimave civile të të gjitha komuniteteve, ndëshkimin e shkaktarëve të krimeve dhe kërkimin e drejtësisë”.

Për ta lehtësuar një synim të tillë, organizata po ashtu është duke bërë përgatitje që ta lansojë Muzeun Virtual të Refugjatëve të luftës së fundit në Kosovë. I krijuar online, ky muze do të përmbajë tregime të shkruara dhe me audio, si dhe foto personale, dhe të gjitha do të tregojnë përvojat e ndryshme të qytetarëve kosovarë sa ishin refugjatë.

“Ky muze do të shfaqë udhëtimin dhe përvojat personale të qytetarëve si refugjatë, në mënyrë që të kontribuojë në krijimin e kujtesës kolektive dhe njohjen simbolike të vuajtjeve të civilëve nga të gjitha grupet etnike gjatë luftës në Kosovë”, tregon ajo. “ Dëbimi i njerëzve gjatë luftës së fundit në Kosovë, është pjesë thelbësore e të kaluarës dhe të tashmes tonë, duke pasur parasysh se rreth një milion njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre”.

Sipas Shabiut, kujtesa kolektive në Kosovë vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me rrëfimet zyrtare. “E dukshme është mungesa e njohjes së rezistencave të tjera, pos atyre që njihen si luftarake. Rezistenca, sikurse sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë, grave dhe grupeve të tjera jombizotëruese në Kosovë, është akoma në margjina të kujtesës”, thotë ajo.

Akademikja Linda Gusia ka kaluar karrierën e saj duke u përpjekur të zgjerojë nocionet e rezistencës në Kosovën e 90-ve në kujtesën kolektive, përtej pikëpamjeve tipike të ushtarëve burra. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Linda Gusia, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndan të njëjtin opinion. “Kujtesa jonë kolektive mbizotërohet prej ushtarëve dhe për më tepër, prej ushtarëve burra”, thotë ajo për K2.0. “Kontributet tona nuk kujtohen e vlerësohen. Heronjtë janë me rëndësi, por viktimat dhe njerëzit që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme, sikurse edhe përvojat dhe rrëfimet e gjithsecilit nga çdo etnicitet janë po ashtu të rëndësishme”.

Përgjatë karrierës së saj akademike, Gusia ka hulumtuar rolet që kanë luajtur grupet e tjera gjatë viteve ’90 në Kosovë, sidomos protestat e prira prej grave dhe një ekspozitë bazuar në punën e saj u mbajt në fillim të këtij viti në Muzeun e Kosovës. Ekspozita u përqendrua në muajin mars të vitit 1998, muaj në të cilin u zhvilluan katër protesta të organizuara prej grave dhe u përpoq ta mbante gjallë këtë aspekt të historisë së viteve ’90 të Kosovës, nëpërmjet fotografisë dhe incizimeve të intervistave me ata që ishin të përfshirë.

Tregime personale

Përvojat dhe rrëfimet personale janë gurëthemeli i një tjetër organizate që punon në drejtim të përballjes me të kaluarën në një mënyrë më gjithpërfshirëse, Historia Gojore e Kosovës. Kjo platformë online mbledh tregime të njerëzve të moshave, entiteteve dhe profesioneve të ndryshme, të cilët ndajnë përvojat e tyre gjatë ngjarjeve e periudhave, përfshirë faljen e gjakut në fillim të viteve ’90, përvojat e luftës dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.

"Historia gojore nuk kontribuon në krijimin e një rrëfimi të madh e zyrtar, por ofron diversitet, përtej të bardhës e të zezës".

Aurela Kadriu nga Historia Gojore e Kosovës

Aurela Kadriu, hulumtuese në këtë organizatë, thotë se metoda e historisë gojore e bën të rrëfyerit e tregimeve jetësore shumë më të lehtë për të intervistuarit dhe nuk synon domosdoshmërisht konfirmimin e datave ose fakteve, por më shumë mësimin e përvojave të njerëzve të ndryshëm.

“[Historia gojore] nuk kontribuon në krijimin e një rrëfimi të madh e zyrtar”, thotë Kadriu për K2.0. “Përkundrazi, historia gojore ofron diversitet, përtej të bardhës e të zezës. E hirta zbulohet përmes historisë gojore, nuancat gjenden diku në mes rrëfimeve të mëdha”.

Në një prej shumë intervistave të publikuara në uebfaqen e kësaj organizate, është një intervistë me Vait Krasniqin, një mësues muzike prej Prizrenit, i cili filloi të jepte mësim në mesin e viteve ’80, kur situata në Jugosllavi ishte rënduar. Në këtë intervistë, Krasniqi flet rreth sistemit paralel të arsimit që filloi në fillim të viteve ’90, kur mësimet shkollore dhe universitare mbaheshin në shtëpi private, pasi që regjimi serb përjashtoi nga objektet shkollore pothuajse të gjithë fëmijët shqiptarë.

“E mbaj mend mësimin e muzikës asokohe”, thotë ai. “Edhepse ishim jashtë godinës zyrtare të shkollës, asnjëherë s’e ndalëm veprimtarinë tonë. Organizonim koncerte të ndryshme me nxënësit. Kohë të vështira ishin. Megjithatë, në një mënyrë, që të gjithë ishim pajtuar që shkollat në gjuhën shqipe të duronin me ato kapacitete që i kishim jashtë objekteve shkollore”.

Projektet e historisë gojore poashtu janë përdorur edhe në Bosnje e Hercegovinë (BeH), përfshirë Historinë gojore të BeH-së, e cila, sipas uebfaqes së saj, synon që “të kontribuojë në mirëkuptimin e ndërsjelltë të pasojave të luftës për të gjithë banorët e BeH-së”.

Gjersa iniciativa në fjalë është një përpjekje për ripajtim, bashkëthemeluesja e “Historia gojore e BeH-së”, Leila Bičakčić, e pranon që, në fakt, në Bosnje e Hercegovinë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për iniciativat e përbashkëta të krijojnë një klimë të mirëbesimit. “Ne nuk kemi të vërteta të përbashkëta ose vlera të përbashkëta që duhet të vëzhgohen përmes iniciativave të përbashkëta”, tregon ajo për K2.0.

Përkundër kushteve të vështira, projekte të tjera të ngjashme në BeH po ashtu kanë ndihmuar që të bëhen bashkë të mbijetuarit dhe dëshmitarët e luftës për të ndarë tregimet e tyre nëpërmjet intervistave, të cilat janë botuar në platformën online. Këtu përfshihet Libraria e Filmit të Gjenocidit, e cila synon që të mbledhë dëshmitë audiovizuele të 10,000 të mbijetuarve të gjenocidit të Srebrenicës. Gjithashtu është krijuar një platformë e posaçme për të ndarë tregimet e rrethimit të Sarajevës, me koleksionin virtual Fama: Rrethimi i Sarajevës.

Pjesë të koleksionit të të dhënave të botuara prej Fama-s rrëfejnë tregimin e një furrtari, Kemal Mesak-ut, i cili ka kujtimet e tij nga rrethimi. Ai flet mbi vështirësitë për t’u ofruar ushqim qytetarëve gjatë rrethimit, sidomos për shkak të mungesës së tharmit.

“I shtonim një sasi tejet të vogël të bikarbonatit të sodës në miell dhe nxjerrnim bukë rrumbullake që ishte e një cilësie relativisht të mirë”, tregon Mesak në intervistën e tij. “Kishte shumë kore, por ne i bënim rreth 30,000 për çdo ditë, për nja shtatë apo tetë ditë, ashtu që të mund t’i plotësonim nevojat e klientëve, së paku pjesërisht. Kur erdhën tek ne përfaqësues të organizatave të ndryshme humanitare, ne u kërkuam të na dërgonin së paku pak tharm. Kur erdhi Presidenti i Francës, [François] Mitterrand, ai solli një qese plastike me nja 2-3 kilogramë”.

Edhe pse të gjitha këto iniciativa nuk kanë qenë plotësisht të sukseshme, sepse njerëzit ende kryesisht besojnë në narativa të njëanshme, së paku kanë arritur të sjellin bukë e trëndafila në kujtesën e Rrethimit të Sarajevës.K

Redaktuar nga Besa Luci.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia