Në thelb | Personat e pagjetur

Të lënë në harresë

Nga - 26.04.2016

Vazhdon kërkimi për drejtësi për personat e pagjetur të Kosovës.

Edon Berisha. Dafina Qelaj. Radmila Petrovic. Agim Gjocaj.

Këta janë vetëm disa prej përafërsisht 1,650 personave të pagjetur nga lufta në Kosovë, ata të cilët kurrë nuk patën një varrim të denjë në varrezat e familjarëve të tyre. Pa një ritual të duhur varrimi, familjeve të tyre i’u është mohuar e drejta që të mbajnë si duhet zi për humbjen e më të dashurve të tyre. Ata kanë mbetur në ankth, shpesh herë duke shpresuar që fëmija, vëllai, motra ose prindi i tyre, një ditë do t’iu trokas në derë; duke jetuar në pasiguri të vazhdueshme, pritja e tyre nuk përfundoi asnjëherë.

Fondi për të drejtën humanitare, i udhëhequr në Kosovë nga Bekim Blakaj, ka databazën gjithëpërfshirëse të çdo personi që është vravë apo zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Përveç familjeve, nuk ka shumë kosovarë tjerë të cilët mund të kuptojnë dhimbjen e këtyre njerëzve më mirë se Bekim Blakaj. Si një aktivist i të drejtave të njeriut, ai dokumenton jetërat e humbura dhe mbledhë dëshmi nga familjarët e të zhdukurve që nga viti 2000. Blakaj kujton fjalët prekëse të një të riu, që sapo kishte varrosur dy vëllezërit e tij të cilët u zhdukën gjatë luftës dhe më vonë u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë: “Se mbaj mend që kam qenë kaq i gëzuar ndonjëherë”, i tha burri i ri Blakajt. “Më bëri të mendoj: Si mund të jetë i gëzuar dikush që sapo kishte varrosur dy vëllezërit?’ Në atë moment kjo më bëri të kuptoj se çfarë dhembje të madhe kanë realisht familjet përderisa ende i kanë të afërmit e tyre të pagjetur”.

Është vlerësuar se më shumë se 5,000 njerëz janë zhdukur deri në fund të luftës. Ky numër u zvogëlua ndër vite, pjesërisht për shkak të zbulimit të varrezave masive – trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës u transferuan në Serbi nga forcat serbe dhe u varrosën në varreza masive, në përpjekje për të fshehur provat e krimeve.

“Ata gjetën një letërnjoftim në njërën nga kufomat, që dukej të ishte e njëjta viktimë nënën e të cilit e kisha intervistuar. Dhe mu kujtua kur ajo më kishte thënë ‘Ai është gjallë diku, më kanë thanë se ai është në burg’’’.

Bekim Blakaj

Deri më sot, trupat e më shumë se 950 shqiptarëve të Kosovës të cilët ishin zhdukur në mënyrë të dhunshme nga forcat serbe janë zhvarrosur në Serbi. Në një varrezë masive në fshatin Petrovo Selo të Vojvodinës, në veri të Serbisë, u gjetën mbetjet mortore e 70 viktimave, ndërsa trupat e 84 personave të tjerë janë gjetur në liqenin Perucac në perëndim të Serbisë. Zbulimi më i fundit ishte një varrezë masive në rajonin e Rashkës në jug të Serbisë, ku janë zhvarrosur mbetjet e 55 personave. Varreza të tjera masive gjithashtu janë gjetur edhe në Kosovë.  

Megjithatë, zbulimi më i madh i varrezave masive ishte ai në lokacionin e Ministrisë së Brendshme, në Batajnicë afër Beogradit, ku në vitin 2001 u zbuluan mbetjet mortore të mbi 800 shqiptarëve të Kosovës. “Për dy ditë me radhë mora pjesë në procesin e monitorimit të zhvarrosjes në Batajnicë, edhe ka qenë shumë e dhimbshme’’, thotë Blakaj. “Ata gjetën një letërnjoftim në njërën nga kufomat, që dukej të ishte e njëjta viktimë nënën e të cilit e kisha intervistuar. Dhe mu kujtua kur ajo më kishte thënë ‘Ai është gjallë diku, më kanë thanë se ai është në burg’’’.

Shumë prej atyre që fillimisht konsideroheshin të zhdukur, menjëherë pas luftës dolën të jenë gjallë nëpër burgje të Serbisë, gjë që nxiti shpresë edhe për të tjerët.

I kapur peng

Menjëherë pas luftës edhe vet Blakaj ishte i shënuar si person i zhdukur; ishte një përvojë që do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë. Në vitin 1999, ai ishte student në Beograd dhe kishte jetuar atje për pjesën më të madhe të dekadës. Më 13 maj të atij viti, persona të maskuar bastisën apartamentin e tij në Beograd, i’a mbuluan kokën dhe e larguan atë dhe shokët e tij të dhomës, po ashtu shqiptarë të Kosovës. Pak pak, ai do ta kuptonte që ata ishin arrestuar nga policia serbe.

Për 26 ditë rradhazi, ai vazhdimisht ishte torturuar në stacionin policor, por jeta e tij gjithashtu kanosej edhe në mënyra të tjera. Pasi që forcat e NATO-së kishin në shënjestër stacionet policore si pjesë të kampanjës së tyre të bombardimeve, në vend se t’i evakuonin të gjithë të burgosurit me rënien e sirenave që paralajmëronin sulmin ajror, policët serbë e morrën atë bashkë me të burgosurit e tjerë shqiptarë të Kosovës dhe i dërguan në një qeli nëntokësore. “Ka pasur momente kur kam qenë i bindur se s’do t’i mbijetojë krejt asaj katrahure”,  kujton ai.

Ndër të tjera, Beogradi ka dështuar të ndjek penalisht ndonjë prej zyrtarëve që urdhëruan operacionin kriminal për të fshehur trupat në Batajnicë.

Blakaj u transferua në një burg në Beograd, nën akuza të sajuara, kinse kishte bërë komplot të aktiviteteve terroriste, dhe mbeti aty deri sa më në fund u lirua në tetor të vitit 2000. Ishte po kjo përvojë e hidhur, e cila ndyshoi rrugëtimin e Blakajt; ai u bë njëri ndër mbrojtësit më të rëndësishëm të të drejtave të njeriut në Kosovë.  Shokët e Blakajt të shqetësuar për zhdukjen e tij, i’u drejtuan Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe themelueses së tij, Natasha Kandiqit, e cila u bë e mirënjohur ndërkombëtarisht duke dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut përgjatë konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi. Fondi angazhoi dy avokatë për të mbrojtur Blakaj.

Vetëm dy ditë pasi ishte kthyer në Prishtinë, ai kuptoi së Kandiq ndodhej në zyrën e FDH-së në Kosovë, dhe shkoi ta falenderonte personin që ai besonte se i’a kishte shpëtuar jetën. “Pas dy orëve bisedimesh, ajo më pyeti mua: “A dëshiron të punosh në zyrën e Fondit në Prishtinë?’’ – kujton Blakaj, “Natyrisht që pranova menjëherë’’.

Përvoja e të qenurit i burgosur politik për më shumë se një vit ishte traumatike për Blakaj, por ai thotë se për të rëndësia e kësaj përvoje filloi të zbehej kur ai filloi punën në FDH. “Në ditën e tretë, e kuptova se ajo që kisha përjetuar nuk i’a vlen as të përmendet krahasuar me vuajtjet e njerëzve të cilët i kishin shumë familjarë të zhdukur’’. 

Mohim nga të gjitha anët

Blakaj, i cili sot është udhëheqësi i FDH-së në Kosovë, së bashku me aktivistë të tjerë nga Serbia dhe Kosova, mblodhën të dhëna për secilin burrë, grua apo fëmijë që ishin vrarë apo zhdukur gjatë luftës në Kosovë. FDH-ja publikoi vëllimin e parë “Libri i Kujtimeve të Kosovës’’, libër i cili liston emrin dhe mbiemrin e secilit person që kishin humbur jetën apo ishte zhdukur me dhunë në vitin 1998, pavarësisht përkatësisë etnike. Deri në vitin 2017, FDH-ja planifikon të publikojë vëllime të mëtutjeshme në mënyrë që të mbulojë periudhën nga viti 1999-2000.   

Në mes të 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, FDH vlerëson se 8,693 shqiptarë, 1,196 serbë dhe 445 romë dhe minoritete tjera u vranë në Kosovë. “Mendoj se kemi pasur sukses të parandalojmë manipulimet me numrin e viktimave që u vranë dhe u zhdukën”, thotë Blakaj, duke shtuar se para së të publikoheshin statistikat në vitin 2015, ka pasur një tendencë nga secila anë për të fryer numrin e humbjeve të tyre, duke shpërfillur plotësisht humbjet e pësuara nga ana tjetër.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, mbetjet mortore e qindra njerëzve të zhdukur janë zbuluar në varrezat masive në Serbi dhe Kosovë. Në fotografi shihet ekipi i mjeksisë ligjore të “Royal Canadian Mounted Police” duke gërmuar në njërën prej varrezave masive në një fshat të Kosovës, në korrik të vitit 1999, teksa marinsat amerikanë kujdesen për sigurinë. Fotografia: Rreshter Craig J. Shell.

Një pjesë e mohimit nga secila anë, e ka marrë formën e neglizhimit të krimeve të dyshuara nga vetë forcat e tyre. Disa prej këtyre akuzave janë adresuar përmes gjykatave, fillimisht në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY), dhe tashmë së fundmi, në dhomën e specializuar për krime lufte në Serbi dhe në gjykatat e operuara nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX ) në Kosovë. Megjithatë ndjekjet penale kanë qenë të limituara në secilën prej tyre.  

Organizatat e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu edhe FDH-në, kanë kritikuar ashpër përpjekjet e qeverisë serbe për ndjekje penale, të cilat shpesh janë etiketuar si sipërfaqësore; Serbia  asnjëherë nuk ka kërkuar falje, e as që ka pranuar krimet e rënda të kryera në emrin esaj. Ndër të tjera, Beogradi ka dështuar të ndjek penalisht ndonjë prej zyrtarëve që urdhëruan operacionin kriminal për të fshehur trupat në Batajnicë.

Në Kosovë, ka pasur një hezitim për t’u përballur me akuzat për krimet që supozohen të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës kundër minoriteteve dhe shqiptarëve; këto do të adresohen nga gjykata e re speciale, e cila pritet të themelohet këtë vit, pas presionit të madh ndërkombëtar. Ashtu si në Serbi, edhe Kosova ka dështuar t’i njohë pakicat etnike si pjesë të dialogut për viktimat, duke përfshirë më shumë se 400 njerëz nga grupet minoritare të cilët ende mbeten të pagjetur. “Secila palë përkujdesët për viktimat e palës së vet’’, thotë Blakaj. “Ndërkohë, ata dëshirojnë t’i harrojnë viktimat e tjetrës palë sa më shpejtë.’’

Blakaj, insiston se duhet mësuar nga dështimet për tu përballur me krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat janë heshtur nën emrin e “vëllazërim-bashkimit”, gjatë komunizmit të Josip Broz Titos. “Dëshirojmë të krijojmë një kujtësë kolektive mbi të kaluarën të bazuar në fakte’’, thotë ai, duke shtuar se nëse kjo nuk ndodh, do të mbizotërojnë mitet dhe paragjykimet. “Besoj që ky është hapi i parë drejtë një paqeje të qëndrueshme, dhe të një pajtimi në të ardhmen. Pa e pranuar të vërtetën dhe faktet që kanë ndodhur në të kaluarën, nuk mund të ndërmarin asnjë hap përpara’’. K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.