Sport | Monografi

Të përballesh me madhështinë

Nga - 16.03.2017

Ylli më i fundit i xhudos i klubit Ippon nga Peja e di saktë se çka kërkohet për ta mposhtur kampionin olimpik aktual, ngase me një kampione të tillë trajnohet për çdo ditë.

Distria Krasniqi ishte vetëm 17 vjeç kur trajneri i saj, Driton ‘Toni’ Kuka, vendosi ta merrte në një kampionat ndërkombëtar në Gjenevë, në vitin 2012.  Kampionati ishte për xhudistet seniore, por trajneri i saj deshi që Distria t’i ekspozohej garës së fortë që në moshën të re.

Duke shikuar nga tribinat, Toni lëshoi një murmuritje të pavullnetshme lëvdate, e cila u përcoll me brohoritje emocionale për shkak të asaj që po shihte: “Shihe xhudon e Distrias”. Siç dukej ai ishte i impresionuar me lëvizjet e saj por edhe performancën e Distrias që atëherë e kishte rsyetuar emocionimin e trajnerit të saj, në Gjenevë.

Në vitin 2015, Distria u kthye në shtëpi me një medalje të artë nga Kampionati Botëror nën moshën 21-vjeç në Abu Dabi, duke e mposhtur kundërshtaren gjeorgjiane, Mariam Janashvili dhe duke e dërguar francezen Astride Gneto në vendin e tretë.  Pas pak më shumë se një vit, ajo ia shtoi koleksionit të saj edhe një medalje të artë në Kampionatin Botëror nën moshën 23-vjeçare që u mbajt në Tel Aviv.

Distria shumë shpejt po shndërrohet në yllin më të madh të gjeneratës së saj.  Deri në moshën 21-vjeçare ajo fitoi tetë medalje si garuese seniore në eventet e turneut botëror të Xhudos, një varg garash ndërkombëtare të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF), që është i dyti me radhë për nga rëndësia pas Kampionatit Botëror të Xhudos.  

Performanca e saj në këtë turne i ka lënë në hije të gjitha xhudistet me të cilat kishte luftuar në kampionatet juniore — Gneto dhe Janashvili e kishin fituar vetëm nga një betejë.

"Ne e bëjmë vendin tonë krenar. Është një ndjenjë e posaçme".

Distria Krasniqi

Përkundër arritjeve të mëdha në karrierën e saj, deri më tani Distria është person i qetë,  i cili nuk e lavdëron vetën mbi të tjerët.  Ajo e kalon pjesën më të madhe të kohës duke u trajnuar me koleget e saj dhe orari i saj është i ngjeshur — së paku dy sesione në ditë –  gjashtë ditë në javë.  Kohë pas kohe, ajo e bën edhe sesionin e tretë, varësisht nga instruksionet që i jep trajneri i saj.

Të jesh xhudiste profesionale është mënyrë e jetës, sidomos kur trajnohet në klubin “Ippon” në Pejë, në palestrën e cila prodhon kampione.  Asnjëra prej garuesve serioze të këtij klubi nuk përdor media sociale dhe nuk dalin as mbrëmjeve, derisa dietat e tyre janë shumë të rrepta.

“Është një sakrificë e cila jo domosdoshmërisht vjen me shpërblim”, thotë Distria.  “Mund t’i bësh krejt këto dhe të mos fitosh.  “Mentalisht është vështirë, sepse e vret mendjen se a je në drejtimin e duhur”.

Ajo pranon se nuk janë vetëm streset emocionale ato që e karakterizojnë një jetë të përqendruar në xhudo.  “Është vështirë të kesh miq jashtë rrethit të xhudos, meqë duhet ta ndjekësh një orar të rreptë”, zbulon ajo.  “Por mendoj se e gjithë kjo ia vlen — me ose pa medalje.  Mbase jemi personat që kanë udhëtuar më së shumti, jo vetëm në nivel të qytetit por edhe të krejt Kosovës.   Kalojmë kohë interesante dhe jeta jonë është plot sfida.  Jemi shumë të shëndetshëm dhe e bëjmë vendin tonë krenar.  Është një ndjenjë e posaçme”.

Krasniqi nga shkolla e Kukës

Distria është pjesë e ekipit të judokave të cilat kanë lënë shenjë të pashlyeshme në historinë e sportit të Kosovës, të gjitha të kalitura në tatami, në lagjen “Asllan Qeshme”, të Pejës.

Klubi udhëhiqet nga Toni, karriera e të cilit si garues u ndërpre si pasojë e luftërave të cilat shpërthyen në Ballkan në vitet ’90-ta.  Ai parashihej të merrte pjesë në Lojërat Olimpike të Barcelonës në vitin 1992, kur edhe shpërtheu lufta dhe Jugosllavisë iu vunë sanksionet.  Ftesa u dërgua në Pejë, duke e ftuar të merrte pjesë në ekipin bosgnjak, por Toni nguroi të merrte pjesë nga frika se mos arrestohej dhe detyrohej të merrte pjesë në një luftë e cila nuk ishte e tij.

Ai hapi një palestër të xhudos në shtëpinë e tij dhe filloi të trajnonte, së pari me fqinjët e tij, dhe pastaj edhe me bashkëqytetarët tjerë.  Pas suksesit të tij të hatashëm me ekipin që e formoi në Pejë, palestra e tij tani ka xhudistë nga Shqipëria dhe Austria dhe shumë ekipe të njohura nga mbarë bota e vizitojnë atë.

Distria në klubin Ippon në Pejë, ku ajo stërvitet me kampionen olimpike, Majlinda Kelmendin. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Të gjitha sukseset e hershme të xhudos kosovare kanë dalur nga shkolla e Kukës, në krye me Majlinda Kelmendin, e cila tani mban pozitën e kampiones absolute në kategorinë nën 52 kg.  Gjatë debutimit të Kosovës në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar, Majlinda fitoi medaljen e artë, duke e ngritur vendin në pozitën e 54-të në rangun olimpik botëror, duke i lënë pas vendet si Austria dhe Portugalia.

Suksesi i Majlindës filloi kur ajo u bë kampione botërore e kategorisë juniore në vitin 2009, dhe vazhdoi serinë e fitoreve në gara të ndryshme anembanë botës, duke kontribuuar që xhudoja në Kosovë të bëhet sporti ku kosovarët kanë korrur më së shumti sukses ndërkombëtar.

Nuk është vetëm Majlinda ajo që i sjell vendit medalje.  Nora Gjakova tashmë ka fituar dy medalje të bronzta në gara të mëdha (lojërat evropiane në Baku në vitin 2015, dhe kampionatin evropian në Kazan në viitn 2016) dhe tani, Distria, një yll tjetër i cili ka filluar të shkëlqejë.

Ta gjesh sektorin e duhur

Distria filloi të ushtronte xhudo si partnere kundërshtare e Majlindës.  Trajnimi i saj u zhvillua paralelisht me atë të kampiones botërore, duke e mësuar artin derisa i shërbente koleges së saj të ekipit.  Në fillim, Distria garonte në kategorinë nën 48 kg, duke e mbushur boshllëkun në ekipin e Pejës, meqë nuk kishte garuese tjetër në këtë nivel.

Ajo u përkushtua shumë që ta mbante peshën e nevojshme për të mbetur në sektorin e peshëve më të lehta duke mbajtur dietë të rreptë.  Megjithëse kishte rezultate aty-këtu, Distria nuk mund të garonte me gjithë forcën duke marrë parasysh kufizimet e tilla si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik.  Ajo u detyrua të kalonte në kategorinë më të lartë dhe të garojë në divizionin e njejtë me kolegen e saj superyll.

“Po të kisha mundësi të garoja me peshën 47.9 kg, kjo do të ishte më mirë për ekipin tim, dhe shumë më lehtë për mua sepse nuk do të isha në gara të drejtpërdrejta me xhudistet më të mira në botë”, shpjegon Distria.  “Do të ishte më lehtë të sigurohej një pozitë në Olimpiadë.  “Unë bëra krejt çka munda, trajnova me gjithë zell, luftova me nervat e mia dhe e kontrollova sasinë e ushqimit dhe të ujit.  Ishte një ushtrim që t’i prishte nervat.”

Ajo e sheh garimin krah për krah me Majlindën edhe si privilegj edhe si sfidë.  “Tash po e takoj kolegen time të ekipit nëpër gara të ndryshme, dhe nganjëherë e ndajmë edhe podiumin”.

Një fotografi në veçanti e tërhoqi vëmendjen e publikut në Kosovë — podiumi i medaljeve me dy kosovare, me Majlindën e artë dhe me Distrian e bronztë.

Takimi me Majlindën

Ishte viti 2012 në Gjenevë kur Distria e mori vëmendjen e trajnerit të saj, por ishte në Paris në vitin 2017 kur ajo nisi t’i kthente kokat e publikut, pas performansës së saj në garën Grand Slam të IJF-së në muajin shkurt.

Pas lojërave Olimpike, Grand Slam-i i Parisit është gara më e njohur e xhudos në botë, ndërsa salla e mbyllur Bercy rregullisht mbushet me më shumë se 12,000 spektatorë.  Fotografitë nga gara e vitit 2017 u përcollën me turma që brohorisnin, me ekrane të mëdha dhe me një atmosferë spektakulare.  Një fotografi në veçanti e tërhoqi vëmendjen e publikut në Kosovë — podiumi i medaljeve me dy kosovare, me Majlindën e artë dhe me Distrian e bronztë.

Partneret e palestrës u ribashkuan në podium, dhe ky nuk do të jetë takimi i tyre i fundit në një event ndërkombëtar.  Ato do të jenë kundërshtare në çdo garë seniore në një të ardhme të parashikueshme.

Këto dy garuese tashmë janë ndeshur në një finale kosovare në Grand Prix-in e Budapestit në vitin 2016.  Pas një beteje katërminutëshe, Distrias doli me medalje të argjendtë.  Ishte kjo njëra prej pak medaljeve në historinë e garave pa trajnerë në të dy këndet e arenës, edhe pse ai i kishte këshilluar të dyjat para ndeshjes.

“Nuk dua që garueset e mia të lëndohen dhe do të bëj çmos që ta shmang këtë”, tha Toni pas betejës.  “Kjo ishte këshilla e vetme që u dhash.  “Ishte një betejë e mirë”.

Duke folur për anëtarët garues të ekipit të tij, Toni insiston se ai nuk e favorizon askënd.  “Unë punoj me punëtorë të zellshëm të cilët janë të gatshëm ta sakrifikojnë jetën e përditshme për përvojën e xhudos”, shpjegon ai.  “Krahas kolegëve të saj të ekipit, Majlinda i ka motivuar edhe gjithë shqiptarët që të punojnë shumë dhe të tregojnë atë që dinë.  Tani ato do të jenë mike dhe do të garojnë.  Por, në xhudo, të gjithë jemi miq, në mbarë botën.

Xhudoja është një sport i pastër me përqendrim në arsim dhe respekt”.

Distria e di se do të jetë sfidë ta mposhtë kolegen e saj të famshme, por kjo është një sfidë me të cilën ajo ballafaqohet me plot kënaqësi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Distra ia del të jetë modeste sa i përket mposhtjes, por pa e fshehur ambicien e saj.  “Kështu e ka sporti, dhe secili dëshiron t’i arrijë majat, por në podium ka vetëm tri shkallë”, shpjegon ajo.  “Unë kam shumë fat që e kam Majlindën në ekip.  Unë jam një prej pak personave në botë që kanë mundësi të trajnohen me një kamione evropiane, botërore dhe olimpike çdo ditë.  Kundërshtaren më të madhe e kam në shtëpi”.

Në shumicën e garave ndërkombëtare lejohen dy garues të kategorisë dhe të vendit të njëjtë.   Pas kësaj, varet nga shorti se kur do të ndodh që Distria dhe Majlinda të takohen përsëri.

Fabrika e medaljeve

Krahas Distrias dhe Majlindës, gjashtë xhudistë tjerë që trajnohen në këtë klub kanë fituar medalje në gara të IJF-së. Deri në mars të vitit 2017, ekipi ka fituar një total të hatashëm prej 124 medaljeve, nga të cilat 56 të arta. Koleksioni i këtij klubi përfshin medalje nga kampionatet Botërore dhe Evropiane si në nivelin junior ashtu edhe në atë senior, dhe natyrisht, e arta olimpike e Majlindës.

Partneret e trajnimit, Majlinda dhe Distria, numërojnë 55 respektivisht 25 medalje, derisa vëllau dhe motra, Akil dhe Nora Gjakova, i kanë kontribuuar këtij ekipi me 26 medalje të Norës dhe 9 medalje të Akilit.

Kupa e Xhudos e Dubrovnikut është treguar veçanarisht e frytshme për klubin “Ippon”, ku Epirot Krasniqi, Korab Morina dhe Leutrime Krasniqi po fitojmë medalje me vite me radhë. Edhe Fjolla Kelmendi së fundi e ka shikuar suksesin në Kroaci, duke marrë medaljen e bronztë në Grand Prix-in e Zagrebit — event në kuadër të Turneut Botëror të IJF-së — në shtator të vitit 2016.

Ndërsa Distria e kupton këtë, kjo vlen edhe për çdo garë tjetër përveç lojërave Olimpike, të cilat do të mbahen në Japoni në vitin 2020, në tokën e xhudos.  Në këtë garë mund të ketë vetëm një përfaqësuese kosovare në kategorinë nën 52 kg.  Për ta fituar një medalje olimpike, një xhevahir në kurorën e arritjeve sportive, Distria ka mbledhur më shumë pikë se bashkëvendasja e saj, kampionia botërore dhe olimpike, Majlinda Kelmendi.

“Xhudoja është fer”, thotë troç Distria.  “Lufton për t’i arritur majat.  I grumbullon pikët, dhe pastaj ose kualifikohesh ose jo.  Unë kam një avantazh ndaj çdo garueseje tjetër në botë e cila dëshiron ta sfidojë mbajtësin e titujve më të lartë të kategorisë nën 52 kg — unë ndeshem me të përditë.

Mustafa Cuki Veseli, trajner i xhudos nga Prishtina, beson se Distria është garuese serioze për cilëndo xhudiste në botë.  “Ajo çka shoh te Distria është se ajo mund të përdorë një gamë të gjerë teknikash kur lufton”, shpjegon Veseli.  “Këtë e ka specialitet.  Ajo po dëshmon xhudo të klasit botëror dhe do të sjellë rezultate të klasit botëror në vendlindje”.

Pavarësisht se kush do të shkojë në Japoni, Kosova po bëhet një bazë xhudoje për Ballkanin dhe “Ipponi” i Pejës po bëhet i njohur në mbarë botën — shkolla e cila e befasoi botën dhe tërhoqi vëmendjen e të rinjve të këtij vendi të vogël.

Xhudoja nuk mund të shtyhet me futbollin ose basketbollin sa i përket popullaritetit, por prapëseprapë është një sport i cili është në rritje e sipër në gjithë botën.  Presidenti i tanishëm i IJF-së, Marius Vizer, është i vendosur të bëjë që xhudoja të zhvillohet si sport spektatorësh, dhe federata së fundi i ka ndryshuar rregullat e referimit për t’i bërë ato edhe më të thjeshta edhe më të kuptueshme për joprofesionistët.   Secila garë më e madhe tani transmetohet drejtpërdrejt në internet, ndërsa disa kanale televizive, duke përfshirë edhe kanalin Eurosport, po i blejnë të drejtat e transmetimit.

Një ditë, kur njerëzit të jenë lodhur nga Messi dhe Ronaldo-ja, kushedi, ndoshta do të fillojnë të përcjellin ndonjë garë ku burrat dhe gratë janë të barabarta dhe Kosova do të bëhet Brazili i ri!

Përparimi i xhudos sigurisht do të sjellë benefite, duke përfshirë edhe marrëveshje potenciale të sponzorizimit për xhudistet e reja kosovare.  Mbase një ditë, ekipi nga Peja do të nxjerrë fitime të cilat i meriton nga djerrsët për të arritur rangime të nivelit botëror.

Deri atëherë, Distria, Majlinda dhe pjesa tjetër e ekipit të “Ipponit” të Pejës po e drejtojnë vëmendjen te kampionati evropian në Varshavë, i cili do të mbahet në prill, ku i gjithë ekipi është i etur për më shumë medalje.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia e Sportit

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO