Në thelb | Drejtësi

Të vdesësh pa drejtësi

Nga - 18.05.2018

Ish-punëtorët e fabrikës IMK Çeliku në Ferizaj ende nuk kanë marrë kompensim.

Në shkurt 1990, Ali Shabani bashkë me qindra kolegë u paraqitën për të punuar si zakonisht në fabrikën e tubave të çelikut, të njohur si IMK Çeliku në periferi të Ferizajit. Punëtorëve iu ndalua hyrja nga forcat policore, ashtu siç do tu ndodhte çdo ditë për dy muaj e gjysmë.

Më 27 shkurt të atij viti, 912 punëtorëve të kësaj fabrike iu pezullua kontrata për shkak se ‘kishin munguar nga puna për pesë ditë të njëpasnjëshme’. Ky incident ishte një nga shumë të tjerë gjatë një periudhe në të cilën regjimi serb i largoi mijëra shqiptarë të Kosovës nga puna.

Punëtorët e IMK Çeliku kanë kërkuar drejtësi që nga ajo kohë, me një luftë të vazhdueshme e cila ka kaluar nëpër epoka të ndryshme, që nga regjimi serb i viteve të 90-a, te administrata e UNMIK-ut, dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Nuk kemi qasje në fabrikë”, thotë Shabani për K2.0, duke buzëqeshur.

Duke marrë parasysh interesin vjetor, punëtorëve tani ua kishin borxh mbi 30 milion euro.

Beteja në gjykatë nisi në vitin 2001, kur ‘Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Fabrikës së Çelikut IMK’ e dorëzoi një kërkesë në lidhje me shkarkimin dhe rrogat që nuk i morrën nga viti 1990 deri në datën kur u dorëzua kjo ankesë. Rasti u mbyll një vit më vonë, kur Gjykata Komunale e Ferizajit e urdhëroi IMK Çelikun që t’i rikthejë në pozitat e mëparshme punëtorët, duke shtuar se punëtorët duhet t’i sigurojnë të gjitha të drejtat për punësimin e tyre nga shkurti i vitit 1990 deri në maj të vitit 2001.

Bordi Ekzekutiv i IMK Çeliku e miratoi një kërkesë të punëtorëve për ta ekzekutuar vendimin dhe për t’i kthyer në pozitat e mëparshme punëtorët, ndërsa dega financiare e kalkuloi kompensimin për secilin punëtor. Megjithatë, tre vite më vonë, punëtorët ende nuk e kishin marrë kompensimin. Kështu ata kërkuan nga Gjykata Komunale që të ipet një urdhër ekzekutiv për gjykimin e saj të dhënë në vitin 2002.

Në dhjetor 2005, gjykata lejoi ekzekutimin e gjykimit të saj— 912 punëtorëve fabrika ua kishte borxh mbi 25.5 milion euro me interes vjetor në vlerë 3 përqind, duke filluar nga viti 2002. Kjo ishte një goditje e rëndë për Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), organ i themeluar për t’i shtuar vlerë dhe qëndrueshmëri si dhe për ta përmirësuar nivelin e qeverisjes korporative, në ndërmarrje publike apo shoqërore, siç është IMK Çeliku, të cilin po bënin përpjekje ta privatizonin —por këto përpjekje do të bëheshin më të vështira për shkak të këtij borxhi kaq të madh.

Rasti i punëtorëve të IMK Çeliku është proceduar në disa gjykata. Vendime për të janë marrë në disa nivele, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Urdhëri ekzekutiv nga Gjykata Komunale fillimisht u shoqërua me një vendim për ta ndaluar privatizimin e IMK-së, por ky vendim u anulua një muaj më vonë. Privatizimi do të zbatohej në vitin 2007 nëpërmjet “spin off” special. Në vitin 2008, Gjykata Komunale e Ferizajit e pezulloi urdhërin ekzekutiv të gjykimit të saj të vitit 2002 në bazë të likuidimit të kompanisë origjinale IMK Çeliku.

Punëtorët nuk u njoftuan për këtë vendim për gati një vit. Më pas, ata e referuan rastin tek Gjykata Kushtetuese. Në dhjetor 2010, gjykata e morri vendimin nr. KI 08/09, me të cilin e mbështeti referimin e punëtorëve, si dhe deklaroi se vendimi përfundimtar dhe detyrues i Gjykatës Komunale të Ferizajit duhet të ekzekutohet nga autoritetet kompetente, duke specifikuar veçanërisht qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit (si pasardhëse ligjore të AKM-së). Duke marrë parasysh interesin vjetor, punëtorëve tani ua kishin borxh mbi 30 milion euro.

Tri qeveri kanë ardhur në pushtet prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por punëtorët, pavarësisht premtimeve, asnjëherë nuk kanë marrë kompensim nga institucionet e Kosovës. K2.0 e kontaktoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit për të pyetur për hapat që i ka marrë ky institucion për t’i përmbushur obligimet e tij, por nuk mori përgjigje.

Kjo vonesë po e dëmton sindikatën e punëtorëve. “Po plakemi dhe po vdesim pa marrë drejtësi dhe është tepër e dhimbshme që disa ish kolegë tanë kërkojnë ushqim nëpër kanta bërllogu”, thotë Shabani, derisa i mbushen sytë me lotë.

Ali Shabani është një prej 912 punëtorëve që ende nuk kanë marrë kompensimin për të cilin kanë të drejtë ligjore prej vitit 2002. Shumë prej ish-kolegëve të tij kanë vdekur duke pritur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Deri në qershor 2016, 357 nga 912 ish-punëtorët e fabrikës veç se kishin vdekur pa marrë kompensim. Prej atëherë, numri i tyre veç se është shtuar. Shabani thotë se nuk kanë shifra të sakta për numrin e vdekjeve, por thotë se numri po shtohet vazhdimisht. “Çdo javë dëgjojmë që dikush ka vdekur”, thotë ai. Ndërsa familjet e punëtorëve të vdekur që kanë të drejtë për kompensim, do ta trashëgojnë këtë të drejtë.

Për të tërhequr më shumë vëmendje dhe bërë presion për kauzën e tyre, në vitin 2014, punëtorët ngritën një tendë në Sheshin Skendërbeu, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Tenda qëndroi aty për 643 ditë para se të hiqej në shkurt 2016 gjatë operacionit policor për spastrimin e kampit protestues që ishte ngritur nga partitë opozitare disa ditë para zgjedhjes së Hashim Thaçit si President i Kosovës.

“Edhe protestat janë bërë të pakuptimta, për shkak se i kemi organizuar 135 protesta. Por tani është bërë e vështirë t’i bindim punëtorët për të na u bashkuar, sepse protestat me sa duket nuk janë vegël efektive në rastin tonë”, thotë Shabani.

Të barabartë para ligjit?

Fakti se për tetë vite vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është ekzekutuar, duket si një dështim i jashtëzakonshëm i tre qeverive të Kosovës, të cilat kanë folur e ligjëruar vazhdimisht për trajtim të barabartë para ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor. Për ish-punëtorët e IMK Çelikut, barazia para ligjit është një frazë boshe. “Kur ata [politikanët] thonë ‘askush mbi ligjin’ mendojnë me ja shtu një ‘përveç nesh’”, thotë Shabani.

Rastet në të cilat vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë ekzekutuar janë mjaft të rralla në historinë e re të konstitucionalizmit të Kosovës. Sipas informatave që i siguroi K2.0 nga Gjykata Kushtetuese, vetëm dy nga 1,230 vendimet e marra nga ky institucion janë ende në proces të ekzekutimit.

Në shtator 2017, Kryeministri aktual Ramush Haradinaj e adresoi këtë situatë në fillim të mandatit, duke kërkuar sqarime të mëtejme nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me zbatimin e vendimit të saj. Gjykata Kushtetuese konfirmoi për K2.0 se e kishte marrë letrën e Haradinajt dhe i ishte përgjigjur më 24 janar 2018, por nuk zbuloi hollësi të mëtejme – as rreth detajeve të kërkesës së Haradinajt, e as përgjjgjen e Gjykatës.

“Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj kanë bërë veprime kundër dhe mbi Kushtetutën”

Ali Shabani, ish-punëtor i fabrikës së tubave

K2.0 e ka kontaktuar disa herë Zyrën e Kryeministrit për ta konstatuar përmbajtjen e letrës së Haradinajt dhe përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, por nuk na është lejuar qasje në këto informata. Shabani gjithashtu ankohet për mungesën e qasjes në informata në lidhje me shkëmbimin e letrave. “Gjykata Kushtetuese poashtu është duke shkelur të drejtat tona pasi nuk po na jep akses në dokumentin që ja ka lëshuar qeverisë, e qeveria po e fsheh prej neve”, thotë Shabani.

Sipas Nenit 116 të Kushtetutës së Kosovës: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”. Për Shabanin, “Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj janë sjell kundër dhe mbi kushtetutën”.

Riza Smaka është anëtar i partisë politike të Kryeministrit Haradinaj, por ai beson se lideri ka gabuar duke mos e zbatuar me shpejtësi vendimin e gjykatës kushtetuese. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Riza Smaka është ekspert i kushtetuetshmërisë dhe një nga 15 anëtarët e komisionit që ka draftuar Kushtetutën e Kosovës si dhe është anëtar i partisë politike të Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Pavarësisht lidhjeve të tij me Kryeministrin, Smaka beson se Haradinaj nuk është dashur ta kontaktonte Gjykatën Kushtetuese, duke insistuar se vendimi është detyrues dhe se duhet të ekzekutohet pavarësisht pasojave financiare.

Tre kryeministrat që kanë shërbyer gjatë tetë viteve të fundit—Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj—të gjithë kanë përsëritur se po të zbatohej vendimi për IMK Çelikun, mund ta krijojë një precedent për mijëra punëtorë të cilët janë larguar nga vendet e punës në vitet e 90-a. Ata argumentojnë se po ta ndjekin të gjithë këtë precedent, shteti do të falimentojë.

“Tash Haradinaj duhet me e thirrë këshilltarin financiar dhe me e gjetë mënyrën e implementimit të aktgjykimit”

Riza Smaka, ekspert kushtetues

Megjithatë, për Smakajn ky argument nuk ka bazë. “Me aktgjykimin dhe me rastin e fituar nga punëtorët, ne tashmë veçse e kemi një precendent”, ngul këmbë ai. “Tash Haradinaj duhet me e thirrë këshilltarin financiar dhe me e gjetë mënyrën e implementimit të aktgjykimit”.

Pjesëtarët e sindikatës thonë se pretendimi për falimentimin e shtetit është i pakuptimtë, dhe është thjeshtë një justifikim. Shabani thekson raste në të cilat qeveria i ka mbuluar borxhet e të tjerëve, përfshirë këtu borxhet për energjinë elektrike të shfrytëzuar nga qytetarët në veri të Kosovës dhe faljen e borxheve në vlerë mbi 58 milion euro që ia kishin shtetit prodhuesit e ujit. Në dhjetor 2017, kur e pyetën Haradinaj pse vendosi t’i shlyejë borxhet e kompanive të ujit, ai u përgjigj: “Për qejf”.

Për Shabanin, kjo e shpjegon natyrën e vendimmarrësve në Kosovë. “Kqyre çfarë pafytyrësie: Qeveria falë dhe paguan borxhe që këta individë i kanë shtetit, por nuk paguan borxhet që shteti na ka neve dhe që janë obligime kushtetuese”, deklaron ai.

Ka zëra në shoqërinë kosovare që thonë se Serbia duhet të ketë përgjegjësi për pagimin e kompensimit të viteve 1990-a. Shabani është në mesin e tyre. “Problemi i shkarkimit të punëtorëve gjatë viteve të 90-a duhet të zgjidhet në Bruksel, duke kërkuar dëmshpërblime të luftës nga Serbia”, thotë ai.

Megjithatë, prej fillimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011, dëmshpërblimet, pensionet dhe çështje tjera në lidhje me të kaluarën nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve.

Kujt t’i drejtohen?

Për shkak se ky vendim ka mbetur i pazbatuar për një kohë kaq të gjatë, shtrohet pyetja se kush duhet t’i zbatojë konkluzionet. Smaka ngul këmbë se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më aktive dhe të kërkojë llogari nga institucionet. “Nëse aktgjykimi është final dhe nuk është i apelueshëm sikur në këtë rast, gjykata duhet të kërkojë përgjigjje pse nuk po ekzekutohet”, thotë ai. “Në këtë mënyrë, gjykata duhet ta arsyetojë ekzistencën e saj”.

Gjithashtu, Smaka insiston se mungesa e ekzekutimit të vendimit zbulon funksionimin e dobët të Kuvendit të Kosovës. Në mars 2014, Kuvendi e mbështeti vendimin e qeverisë, që në atë kohë udhëheqej nga Hashim Thaçi, për ta ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendim që ende nuk është zbatuar.

Vendimet [e Kuvendit] duhet të monitorohen se a po zbatohen apo jo, dhe nëse nuk zbatohen, masa të tjera duhet të mirren për ta mbajtur Qeverinë përgjegjëse”, shton Smaka.

Drejtoresha e zyrës ligjore të Avokatit të Popullit të Kosovës, Suzana Gashi, beson se mungesa e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës kushtetuese është shkelje e qartë e të drejtave njerëzore të këtyre punëtorëve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Gjykimi i Gjykatës Kushtetuese ishte pjesërisht i bazuar në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht Nenit 6 dhe 13 brenda saj, të cilët i garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë dhe kompensim efektiv. Suzana Gashi, drejtoreshë e zyrës ligjore të Avokatit të Popullit të Kosovës, beson se ky rast është bërë shembull tipik i shkeljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtës për një gjykim të paanshëm.

Megjithatë, standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut shpeshherë është vështirë të zbatohen për qytetarët e Kosovës, për shkak se Kosova nuk është anëtare e organizatave ndërkombëtare si Këshilli i Evropës. Kështu punëtorët nuk mund ta çojnë rastin tek Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Praktikisht, punëtorët kanë mbetur pa një mjet efektiv juridik”, thotë Gashi.

Qeveria e Kosovës ka folur rreth përpjekjeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës në vitin 2018, por ende nuk ka caktuar datë për dorëzimin e aplikimit.

Sa i përket punëtorëve, ata janë shumë pak optimistë që do t’i gëzojnë të drejtat e tyre. “Është një realitet i dhimbshëm”, thotë Shabani, “sepse këta njerëz në qeveri kanë mungesë etike, humane por edhe për kuptimin e ligjit. Është e vështirë të besohet se me të njejtit kemi me i arritë të drejtat tona legjitime e ligjore”.K

Redaktuar nga Jack Robinson.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.