Pikëpamje | Politika

A do të zbehet mbështetja ndërkombëtare për Kosovën në vitin 2017?

Nga - 06.12.2016

Kosovën e presin shumë sfida pas një viti kryengritjesh politike të aleatëve tradicionalë të saj.

E diela që shkoi (4 dhjetor) shënoi edhe dy ngjarje politike me rëndësi globale në vitin i cili ishte përplot këso ngjarjesh. Elektorati italian empatikisht i refuzoi propozimet e Kryeministrit për reforma kushtetuese, duke çuar në dorëheqjen e tij, ndërsa kandidati i së djathtës ekstreme Norbert Hofer-i edhe njëherë e sfidoi Alexander Van der Bellen-in për president të Austrisë. Në anën tjetër, Franca po përgatitet për zgjedhjet presidenciale në pranverë të vitit 2017, ku pritet të garojë edhe një kandidate e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Kryengritja e pafund politike e sivjetme dhe rritja e mbështetjes për grupet e së djathtës ekstreme dhe për politikanët me qëndrime më pak mbështetëse ndaj Kosovës e kanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e mbështetjes së aleatëve tradicionale për republikën më të re në Europë. Në të vërtetë, mund të kemi riformësim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe atyre shteteve të cilat dikur kanë qenë përkrahëset më të fuqishme të pavarësisë së saj.

Përkundër faktit që javën e kaluar Singapuri u bë shteti i 113 që e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdimi i mbështetjes së fuqive kryesore të cilat tashmë e kanë njohur sovranitetin e Kosovës ende është kyç për këtë vend të Ballkanit.

Zërat pro Kosovës po zbehen në Francë

Në fillim të vitit 2008, Franca ishte njëra prej mbështetëseve më të mëdha të Kosovës, duke e njohur atë si shtet sovran gati menjëherë pasi që autoritetet në Prishtinë shpallën pavarësinë. “Kam nderin të ju njoftoj se Franca, në pajtim të plotë me deklaratën e Bashkimit Europian, dhe pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, nga tani e tutje e njeh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur” i kishte shkruar në një letër zyrtare presidenti i atëhershëm i Francës Nicolas Sarkozy homologut të tij kosovar.

Për gati nëntë vjet, Franca vazhdimisht i ka mbështetur nismat e Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe ka avokuar që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian. Megjithatë, zhvillimet e fundit në politikën franceze lënë hapësirë për dyshime serioze nëse një mbështetje e tillë për Kosovën do të vazhdojë pas zgjedhjes së presidentit të ri të Francës.

Anketat e tanishmë e favorizojnë Fillon-në dhe Le Pen-in për garën përfundimtare, dhe sa i përket Kosovës as njëri as tjetra nuk do të siguronin vazhdimësi të marrëdhënieve mbështetëse që Franca i ka pasur me Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Në nëntor të këtij viti, Sarkozy edhe njëherë provoi të nominohej brenda Partisë Republikane të qendrës së djathtë për zgjedhjet e vitit 2017. Kësaj radhe, mbështetësi i Kosovës u eliminua në raundin e parë të votimit, duke dalur i treti pas Alain Juppe-it dhe Francois Fillon-së, të cilët pritej të dilnin të tretit në raundin e parë të votimit. Në garën ndërmjet Juppe-it dhe Fillion-së një javë më vonë, Fillon pa telashe e siguroi mbështetjen e republikanëve konservatorë.

Fillon e kundërshton qëndrimin tradicional francez sa i përket të drejtës së Kosovës për pavarësi. Në njërin prej debateve përfundimtare gjatë garës, kur po diskutohej okupimi i Krimesë nga Rusia, Fillon theksoi se ai beson se çështja e pavarësisë së Kosovës është e ‘diskutueshme’, dhe e përshkroi atë si ‘shkelje të së drejtës ndërkombëtare’. Fillon shpesh është cilësuar si ‘rusofil’ në çështjet e politikës së jashtme.

Edhe pse i takon partisë së njëjtë sikurse ish-presidenti Sarkozy, është e qartë se Fillon merr qëndrim tjetër sa i përket Kosovës, përkundër faktit se ai ishte kryeministër i Sarkozy-së kur Kosova e shpalli pavarësinë. Megjithatë, duhet pasur parasysh se sistemi presidencial i Francës nuk i jep të drejta ekskluzive kryeministrit në vendimet e politikës së jashtme franceze.

Marine Le Pen, udhëheqëse e së djathtës ekstreme Front National gjithashtu u konfirmua si e nominuara për të garuar për presidente të Francës. Ajo nuk e ka përmendur Kosovën në asnjë prej fjalimeve të saj të fundit, por nën udhëheqjen e babait të saj, partia e saj ka bërë fushatë kundër intervenimit të NATO-s në rajon në vitin 1999. Ajo gjithashtu njihet mirë për qëndrimin e saj antieuropian, duke vënë vazhdimisht në pyetje raison d’etre të Bashkimit Europian, një qëndrim që është në kundërshtim me aspiratat e kahmotshme të Kosovës për t’u bërë pjesë e BE-së.

Në anën tjetër, presidenti i tanishëm francez, Francois Hollande, nga tabori i socialistëve franceze, më 1 dhjetor njoftoi se po tërhiqej nga gara presidenciale. Njoftimi i tij shokues ka krijuar edhe më shumë paqartësi dhe ka shpërfaqur krizën e brendshme të Partisë Socialiste të Francës që, sipas anketave dhe analizave, ka gjasa shumë të vogla të fitojë mandat të ri nga votuesit francezë. Kryeministri i tanishëm Manuel Valls pritet të jetë i nominuari socialist për garën presidenciale.

Zgjedhjet e prillit dhe gara vendimtare e muajit maj do të zbulojnë se kush do ta udhëheqë Francën në pesë vitet e ardhshme. Megjithatë, anketat e tanishmë e favorizojnë Fillon-në dhe Le Pen-in për garën përfundimtare, dhe sa i përket Kosovës as njëri as tjetra nuk do të siguronin vazhdimësi të marrëdhënieve mbështetëse që Franca i ka pasur me Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Edhe pse tërheqja e njohjes nga ana e Francës duket të ketë pak gjasa nëse Fillon zgjedhet president, mbështetja ndërkombëtare e Francës për Kosovën mund të vihet seriozisht në pikëpyetje. Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO, ku Polonia abstenoi gjatë votimit, është shembulli më përshkrues se si një vend i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës mund të mbajë qëndrime tjera në të ardhmen.

Popullistët në rritje e sipër

Një zë tjetër në rritje me këndvështrime skeptike sa i përket Kosovës është austriaku Norbert Hofer, i cili është shprehur kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Hofer-i është politikan i së djathtës ekstreme i cili u mposht nga kandidati i pavarur Van der Bellen në zgjedhjet e përsëritura presidenciale të mbajtura të djelen që shkoi, më 4 dhjetor. Edhe pse Austria vazhdimisht ka qenë mbështetëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe rrugës së saj europiane, 46-përqindëshin e votave që i ka fituar Hofer-i gjatë zgjedhjeve janë tregues i qartë se qëndrimet e tij kanë tërhequr mbështetje nga shtresat e ndryshme të elektoratit austriak.

Me administratën e Trump-it mbetet e paqartë qasja që ai do ta zgjedhë për Gadishullin Ballkanik.

4 dhjetori gjithashtu ishte dita e mbajtjes së referendumit në Itali. Atë e nisi Kryeministri Matteo Renzi, i cili kërkonte ta ndryshonte kushtetutën, me qëllim të fuqizimit të qeverisë qendrore dhe dobësimit të senatit. Elektorati italian i refuzoi amendamentet, me 60 përqind të votave ‘kundër’, duke bërë që Renzi të japë dorëheqje.

Ndërsa amendamentet u refuzuan nga i gjithë spektri politik, popullistët e Lëvizjes Pesë Yje dhe grupi i së djathtës ekstreme Lega Nord, kanë fituar më së shumti nga mposhtja e Renzi-t. Pas shpalljes së rezultateve, një tweet i udhëheqësit të grupit Lega Nord, Matteo Salvini, i thurrte lëvdata grupit të tij së bashku me yjet tjera në ngritje e sipër nga tabori i së djathtës ekstreme, duke përfshirë edhe Le Pen-in. “Italianët i kanë thënë jo BE-së dhe Renzi-t. Duhet t’i kushtojmë rëndësi kësaj etjeje për liri të popujve”, u përgjigj Le Pen në Twitter.

Partitë populliste siç është Lega Nord dhe Front National i Le Pen-it poashtu morën edhe më shumë zemër nga fitorja e befasishme e Donald Trump-it në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, të cilat Le Pen-i i përshkroi si “shenjë e shpresës”. Fitorja e Trump-it është një faktor tjetër që shkakton pasiguri sa i përket së ardhmes së marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos në Ballkan. Po të kishte fituar Hillary Clinton, nuk do të ishin pritur shumë ndryshime në rajon, dhe në Kosovë në veçanti, por me administratën e Trump-it mbetet e paqartë qasja që ai do ta zgjedhë për Gadishullin Ballkanik.

Megjithatë, lidhja e Trump-it me Putin-in, i cili e përshëndeti fitoren e tij, ka bërë që shumëkush të parashikojë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë. Putin-i ka qenë aleat i Serbisë për një kohë të gjatë dhe shpesh ka folur kundër pavarësisë së Kosovës, dhe çdo forcim lidhjesh ndërmjet dy superfuqive mund të ndikojë në politikën amerikane në Ballkan.

Brexit-i dhe euroskepticizmi në rritje

Një faktor tjetër me ndikim të hatashëm në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen është ‘Brexit-i’ i shumëdiskutuar i cili i ka hapur rrugë euroskepticizmit në rritje në mbarë Europën, ku Holanda konsiderohet si anëtare e BE-së me gjasat më të mëdha që t’i bashkohet Britanisë në këtë rrugë të largimit nga Bashkimi Europian. Eurofobi Geert Wilders ka bërë thirrje për një referendum në lidhje me këtë çështje, ndërsa anketat po tregojnë që ai çdo herë e më shumë po fiton mbështetje nga populli holandez.

Përkundër kësaj neverie në rritje ndaj Bashkimit Europian nga ana e anëtarëve ekzistues, në vizitën e tij të fundit në Ballkan, ministri i jashtëm britanik, Boris Johnson, i premtoi mbështetje edhe Kosovës edhe Serbisë në aspiratat e tyre drejt BE-së. Paradoksalisht, Johnson-i, i cili ishte njëri prej zërave kyçë i fushatës për dalje nga Bashkimi Europian dhe i cili ndihmoi të realizohej Brexit-i, dha mbështetje të fuqishme për rrugëtimin europian të Kosovës.

Ndërsa integrimi europian mbetet element kyç i së ardhmes politike të Kosovës, euroskepticizmi në rritje i vendeve anëtare kyçe të Bashkimit Europian paraqet shqetësim, edhe nëse ato vende vazhdojnë ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës. Nëse kësaj i shtojmë fuqizimin e politikanëve me qëndrime shumë më skeptike ndaj Kosovës brenda shteteve të cilat tradicionalisht kanë qenë aleate kryesore të Kosovës, atë mund ta presë një periudhë sfiduese në skenën ndërkombëtare.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.