| Migrimi

Fëmijët e diasporës

Nga - 26.09.2014

Ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve të shpërndarë janë të ndryshmë aq sa janë vetë njerëzit.

Diaspora shqiptare është po aq e llojllojshme sa edhe vetë shqiptarët, secili rrëfim përshkruhet me histori të veçanta familjesh, qytetesh, fshatrash e telashesh. Ky rrëfim është i imi: i famljes sime, i miqve të mi, dhe mbase deri diku, është vetë rrëfimi i Kosovës.

Përpjekjet politike të viteve të 80-ta dhe 90-ta si dhe lufta e vitit 1999 janë gjurmët kryesore në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës. Janë rrëfime të cilat fëmijët e refugjatëve politikë,  ata të azilkërkuesve dhe të të dëbuarve i dëgjojnë, i përjetojnë e i përsërisin; për shumicën prej nesh, rrëfimet e prindërve tanë janë ato që na bëjnë shqiptarë, po aq sa edhe gjuha, organizatat e komunitetit shqiptar e vizitat vjetore në vendlindje.

Prindërit e mi mbetën pa punë në valën e atëhershme të largimit të shqiptarëve nga puna që ngjau në Kosovë kur asaj iu hoq statusi i autonomisë. Nëna këndonte në Korin e Orkestrës Filharmonike, babai ishte animator dhe kameraman në Radio Televizionin e Prishtinës. Kam qejf kur i shikoj fotografitë e tyre para se të emigronin — të rinj, plot shpresë dhe të dashuruar.

Kur unë akoma s’i kisha mbushur 5 vjet, prindërit e mi shkuan në SHBA — pa mua. Nuk donin që fëmijët e tyre të mësonin shqip në bodrume, nën vëzhgimin e policëve të gatshëm ta brutalizonin çfarëdo fatkeqi që s’ishte serb.

Ndërkohë që babai rregullonte kulme e nëna shiste kafe dhe krofne në Konektikat, unë rrija me gjyshërit e mi në Maqedoni. Më kujtohet kur flisja me nënën në telefon pa e kuptuar situatën, dhe e pyesja nëse mund ta shihja të paktën për disa minuta. Nuk e dija se në anën tjetër të linjës ajo qante.

Udhëtimi me aeroplan, bashkimi me familjen time dhe mësimi i një gjuhe tjetër të huaj e të çuditshme më janë fshirë nga kujtesa. Dekada që pasoi ishte një vorbull që përfshiu shkollën, lindjen e motrës sime dhe përcjelljen e prindërve të mi teksa punonin, punonin dhe vetëm punonin — deri në momentin e luftës.

Miqtë e mi, ata të cilët u lindën tamam në kohë për ta mbajtur mend luftën — tamam në kohë për ta parë e njohur atë — tregojnë rrëfime migrimi të cilat ndajnë dhimbjen e njëjtë të fillimit nga e para dhe përcjelljes nga larg të luftës që gufon.

Studiuesit thonë se diasporat radikalizohen kur vendlinja e tyre është në rrezik, dhe mendoj se kjo është e vërtetë, sidomos meqë isha dëshmitare e frikës dhe zemërimit të prindërve të mi kur i shikoja si ngjiteshin për televizori, të ngjitur për telefoni, të ngjitur për lidhje të dobët interneti, si pinin duhan, si bërtisnin, si shtronin argumente, si rrëfenin tregime vdekjesh të cilat dukeshin tepër të tmerrshme për të qenë të vërteta, ndërsa që ndodheshim në shtëpinë tonë në botë perëndimore. Kështu mësuam për luftën, duke parë po ata refugjatë që ishin tronditur nga lufta e duke vërshuar kufirin maqedonas, mu aty para syve tanë për në Kanada, Gjermani, SHBA, Zvicër, Francë — në çfarëdo vendi që do t’i pranonte. Kjo ishte koha kur Kosova m’u shfaq e vërtetë, të paktën.

Çlirimi i adrenalinës së pasluftës ndodhi shumë më vonë. Prindërit e mi nuk dërgonin më 3 përqindshin e të ardhurave të tyre për kauzë. U kthyem në Kosovë (prindërit e mi si djem planprishës), e motra ime dhe unë u kthyem “në shtëpi” në një vend që asnjëherë nuk e kemi njohur vërtetë si shtëpi.

Si ngalakaqe që isha, mësova për Rilindjen Shqiptare shumë më vonë, nën udhëzimet e mësueve të njëjtë të cilët dikur jepnin mësim nëpër shkolla-shtëpi (gjatë viteve të cilat çuan në luftë si dhe gjatë konfliktit arsimimi i shqiptarëve të Kosovës shpesh mbahej nëpër shtëpi të improvizuara aty për aty). Poeti kombëtar, Naim Frashëri, kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij larg Shqipërisë, duke ëndërruar një qiri që bën dritë për një Shqiptari sublime e cila do të na nxirrte nga errësira. Gati të gjithë Poetët e Mëdhenj jetuan dhe studiuan jashtë vendit, mësova unë, dhe paradoksalisht e definuan Shqiptarinë për të gjithë ne.

Premtimi i qiriut që bën dritë ishte religjioni sekret i shqiptarëve të Kosovës që i përcolli përgjatë vendosjeve të para në Gjermani e Zvicër, edhe pse pasaportat e tyre i deklaronin si jugosllavë. Demonstratat e viteve të ’80-ta dhe ’90-ta në Kosovë e rindezën premtimin e vjetër të jetës dhe marrjes frymë lirshëm si shqiptarë. Diaspora e vjetër e viteve të ’50-ta dhe ’60-ta u shkund nga vërshimi i bashkëvendasve të tyre të politizuar të cilët kishin shkuar të kërkonin azil në brigjet e Europës. Komunitetet e shqiptarëve jashtë vendit, për një kohë të caktuar, i hapën kuletat e tyre, këndonin gjatë protestave, kërkonin takime me njerëz të rëndësishëm në kostume, dhe i rrokën armët për të luftuar si çlirimtarë.

Por përfundimi i luftës gjithashtu nënkuptoi një psherëtimë të gjatë e të ngadalshme dhe ndërsa pluhuri u qetësua ne patëm mundësinë që vërtetë ta shihnim njëri tjetrin. Doli që shqiptarët dijnë të gënjejnë, të mashtrojnë dhe përgjithësisht të sillen plotësisht në kundërshtim me atë se si Poetët e Mëdhenj kishin thënë që duhet të ishin njerëzit. Njerëzit mund të jenë po aq të dëmtuar sa edhe vendi. U kthyem në Kanada për të filluar nga e para — këtë herë me vullnetin tonë.

Isha e lumtur ta përdorja përsëri metron, të shkoja në universitet dhe ta kisha një qytet të madh të Amerikës Veriore në të cilën mund të bredhja rrugëve. Njerëzit më quanin “Hannah” në vend të Hana, dhe unë nuk i përmirësoja. E zemëroja pa fund nënën time që po dilja me një joshqiptar, dhe pastaj ma hante shpirtin me profile në Facebook të çdo mashkulli potencial shqiptar në një rreze prej 100 miljesh. Shkoja në shkollë, më shumë shkollë, dhe në fund gjeta punë në një zyre të vogël.

I shikoja me përçmim shqiptarët e rinj në Toronto të cilët ishin rehatuar para moshës 25 vjeçare, por gjithashtu u kisha zili. Shoqërohesha me miq kanadezë dhe u mësova se si të isha njëkohësisht edhe shqiptare edhe kanadeze. Puna nuk ishte e tmerrshme por nuk ishte as emocionuese. Puna ime, dëfrimi im, ëndrrat e mia të vogla nuk i bënin përshtypje askujt. U ndjeva (me ose pa të drejtë) pa rrënjë dhe fajtore për ekzistencën time të pavlerë derisa puna e përnjëmendshme e ndërtimit të vendit po ndodhte një oqean larg.

Këtu rrëfimi bëhet më i koklavitur sepse emigrantët e gjeneratës së dytë dhe të tretë janë përjetësisht një hap larg vendlindjes, dhe interpretimet e tyre të shtëpisë formojnë një spekët të ngatërruar. Albulena e jetoi jetën sipas rregullave të prindërve të saj, dhe ishte e para e grupit që u martua pas përfundimit të universitetit dhe filloi të punonte në një bankë. Po të kishte mundësi, unë besoj se Petriti do t’i nënshkruante letrat zyrtare të divorcit ndërmjet tij dhe popullit shqiptar — aq përqeshës u bë me gjithçka shqiptare. Merita ishte personi me të cilin mund të flisje më me lehtësi, dhe dukej se e kishte gjetur atë barazpeshën e mistershme ndërmjet dashurisë ndaj Kosovës, pa e mashtruar veten, dhe të qenit bijë e mirë shqiptare —duke ndjekur njëkohësisht jetën e vet.

Secili ishte ndryshe, dhe secili gjeti mënyrën e vet për t’u ballafaquar me detyrimin familjar dhe me faktin e lidhjes së tyre të pashmangshme me Kosovën. Disa gjejnë prehje tek festimet e Ditës së Flamurit, koncertet e pavarësisë në shkurt, pikniqet, netët e kulturës dhe muzikës shqiptare, si dhe dasmat e pafund. Të tjerëve u duken ngulfatëse, dhe janë në betejë të vazhdueshme me ndjenjën e tyre të përkitjes (apo mungesës së saj) ndaj një komuniteti.

Unë ndihem më e afërt me ata të cilët janë kthyer. Është gënjeshtër të thuhet se idealizmi i ri ka vdekur, të paktën në mesin e gjeneratës sime të diasporës. Unë u ktheva, gjë që bëri edhe Merita, si dhe të tjerët të cilët i takova në ndërkohë. Për ne këtu në Kosovë nuk ka më kauza të mëdha — nuk ka rrezik nga shkatërrimi dhe nuk ka armik të jashtëm. Jemi vetëm ne tani, si dhe gabimet tona si popull. Dëshira jonë për t’u sakrifikuar, kontribuar, për të ndihmuar në rindërtim (dëshirë e bazuar në ideale të prindërve tanë dhe fëmijërisë sonë) — paj, besoj se është mirë dhe shëndetshëm që ajo dëshirë të ballafqohet me zhgënjim. Zhgënjimi nënkupton ndryshim, dhe miqtë tanë të cilët kurrë nuk janë larguar nga Kosova e njohin nevojën për ndryshim shumë më mirë sesa do ta njohim ne ndonjëherë.

Prindërit tanë kanë dashur ta rrisin gjeneratën e ardhshme të shqiptarëve jashtë vendit, por nuk kanë mundur të parashohin se çka do të ndodhte me ne. Disa prej tyre do të vazhdojnë të dërgojnë para në shtëpi, ndonëse jo aq sa përpara. Disa prej nesh do t’i ngjiten flamurit shqiptar si hajmalisë, dhe disa prej nesh do të heqin dorë nga ai përgjithmonë. Disa prej nesh nuk do të kthehen kurrë mbrapa, dhe disa prej nesh do të vazhdojnë të kthehen, me diploma univerzitare në duar. Shumica prej nesh do të përpiqet ta gjejë atë mesin e artë, për të qenë si qiriu që jep dritë natën, që digjet nga dashuria e verbër.

  • PËR AUTORIN/EN Hana Marku
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO