Shtyp | Hapësira Publike

Kompleksiteti i përkujtimoreve të luftës në Kosovë

Nga - 03.06.2013

Vendet që frymëzojnë imagjinatën dhe mundësojnë hapësirë për përkujtim, megjithatë kritikohen.

Kur unë isha fëmijë, shpesh ecja nëpër “Piazzetta Nove Martiri” (shqip: “Sheshi i Nëntë Martirëve”), në vendlindjen time L’Akuila, një qytet në pjesën qendrore të Italisë. Si një vajzë e mirë katolike, unë i imagjinoja nëntë martirët si të krishterë që perandorët paganë ua kishin hedhur luanëve për t’i ngrënë. Unë kurrë nuk e kisha shikuar pllakën që përkujtonte meshkujt e rinj, të moshave ndërmjet 17 dhe 21-vjeçare, të cilët i ishin bashkuar rezistencës në shtatorin e 1943-ës, ndërkaq shpejt ishin kapur nga nazistët, ishin detyruar t’i hapnin vetë varret e tyre, dhe më pas ishin vrarë. Unë vazhdova të mos i kushtoja rëndësi asaj pllake edhe më vonë, gjatë shumë orëve të kaluara pas mësimit në atë shesh, që ishte vendtakim i parapëlqyer për nxënësit.

Shkrimtari austriak, Robert Musil, ka shkruar se përkujtimoret janë të pranishme kudo, por janë të pavërejtura. Unë e kam marrë vesh se ç’kuptim kishte kjo kur kam kuptuar se përse pllaka përkujtimore e nëntë martirëve ishte e pavënëre. Në qytetin tim konservator, Kisha Katolike dhe elitat e paraluftës, që u rikthyen në pushtet më 1945, e kishin minimizuar historinë e rezistencës lokale – që identifikohej shumë ngushtë me të majtën – dhe e kishin shtypur kujtimin e viktimave të saj; fëmijët e ekzekutuar para se ata të mund të shtinin me armë ishin të lehtë për t’u harruar, ashtu si kauza e tyre. Kështu mësova se heronjtë kujtohen më lehtë; se kujtimi i viktimave të luftës është shpesh i lidhur me mënyrën se si një kolektiv e identifikon vetveten; dhe se ekziston një betejë për kujtimin e tyre, e cila gjithashtu është betejë për pushtet.

Që nga vera e 1999-ës, unë jam marrë me dokumentimin e shumë përkujtimoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: pllaka, gurë varresh, statuja, monumente, varreza, dhe të paktën një vend pelegrinazhi të rëndësisë kombëtare. Unë i kam fotografuar këto përkujtimore lufte në kohë të ndryshme, nisur nga dyshimi se ndonëse shumica prej tyre ishin prej guri, një ditë ato do të mund të bëheshin të padukshme sikurse Monumenti i Martirëve të Kombit në “Velani”, i cili dikur ishte një përkujtues i madh i partizanëve jugosllavë që kanë vdekur në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa tani qëndron si një skenë ku luajnë fëmijët. Historia e këtyre monumenteve më të vona të UÇK-së mundëson një fushë unike për të kuptuar se si të vdekurit e Kosovës janë “varrosur” me elemente konkurruese të identifikimit të kombit shqiptar. Në fakt, kritikat ndaj përkujtimoreve të luftës shpejt janë paraqitur si tregime rivalizuese të tregimit zyrtar për rezistencë heroike të UÇK-së.

The National Martyrs monument in Velania as a testament to the Yugoslav partisans who died in World War II.

The National Martyrs monument in Velania as a testament to the Yugoslav partisans who died in World War II.

Gjenerali Fabio Mini, komandant i forcave të NATO-s në Kosovë në periudhën e viteve 2002-2003, kishte menduar se nëpërmjet ndërtimit të monumenteve, veteranët e UÇK-së synonin të fshihnin disi përgjegjësitë e tyre kriminale, të kohës së luftës dhe të kohës së paqes, siç ka shkruar vetë ai në librin “La gurra dopo la gurra” (shqip: “Lufta pas luftës”). Gjenerali Mini e kishte përshkruar rolin e familjeve dhe të të mbijetuarve në përkujtimin e të rënëve si mendim vetëm për vete, si një plan, siç e ka thënë ai me fjalët e tij, për të devijuar vëmendjen e publikut nga aktivitetet terroriste dhe kriminale të ish-luftëtarëve të lirisë. Ai kishte shprehur atë që e mendonin shumë ushtarë dhe burokratë të huaj që jetonin në Kosovë, por që nuk mund ta thoshin kurrë: që pavarësia nga Serbia kishte të meta.

Në një kontest shumë më të ndryshëm, unë kam dëgjuar shumë kosovarë duke kritikuar shtimin dhe domethënien e përkujtimoreve të luftës, duke vënë në dyshim heroizmin e UÇK-së. Këta kritikë në masë të madhe u përkasin elitave të paraluftës dhe grupeve që kurrë nuk janë pajtuar me kryengritjen e armatosur kundër Sllobodan Millosheviqit, duke zgjedhur rrugën e reformës kushtetuese dhe të vazhdimësisë ligjore; kjo zgjedhje strategjike ishte e lidhur simbolikisht me identifikimin e vetvetes me një imazh të modernitetit evropian. Ata e kanë parë UÇK-në si një grup gueril që kurrë nuk ishte ushtri e mirëfilltë, por ishte një rrjet i familjeve rurale, i shokëve dhe i bashkudhëtarëve, një komunitet transitor që shpërfillte hierarkitë ekzistuese – si një rebelim kundër autoritetit dhe botës së tyre. Në Kosovën e pasluftës, këto grupe ndihen të fyera nga qëndrimi në pushtet i politikanëve të legjitimuar nga UÇK-ja. Minimizimi i kujtimeve të luftës është në interesin e tyre.

the-gllogjan-memorial-built-by-former-kla-leader-ramush-haradinaj

The Gllogjan memorial, built by former KLA commander Ramush Haradinaj, incorporates a stone kulla, a connection between the country and its rural heritage.

Është e vërtetë se fillimisht kujtimi i luftëtarëve të rënë të UÇK-së i është lënë familjeve dhe të mbijetuarve (nuk kishte shtet), të cilët e kanë avancuar zinë e tyre private, duke e shndërruar atë në një diskurs publik për Luftën Çlirimtare. Megjithatë, nuk ka asgjë konspirative apo unike në këtë praktikë, që është e njohur në Evropë që nga Lufta e Parë Botërore, kur edhe fshati më i vogël i ndërtoi një monument të rënëve të tij në atë luftë. Atëherë, sikurse tani, familjet, grupet e veteranëve dhe komunitetet lokale ishin agjentët kryesorë të përkujtimit, para se shteti të merrte përsipër këtë detyrë. Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore ishte ndryshe: atëherë, përkujtimoret e luftës ishin pjesë përbërëse e një programi shtetndërtimi të modelit lart-poshtë. Një shembull i kësaj është monumenti i “Vëllazërim-Bashkimit” të supozuar, i krijuar gjatë rezistencës partizane, që shndërroi qendrën e vjetër otomane të Prishtinës në një hapësirë moderniste urbane.

Historiani francez, Antoine Prost, ka shkruar se të gjitha përkujtimoret e luftës ngërthejnë një sistem të ndërlikuar të domethënieve: përqendrimi mbi një aspekt të tij, apo mbi motivet e mundshme të fshehura të atyre që i ndërtonin ato, ka gjasë të të mashtrojë. Simbolizmi i përkujtimoreve të luftës në Kosovë mund të gjendet në mesazhet e shkruara që ato bartin, në strukturën e tyre fizike, në kohën e ndërtimit të tyre, dhe në vendndodhjen e tyre. Ato kanë një veti të përbashkët: ato lartësojnë kombin shqiptar duke përdorur repertorin e plotë të imagjinatës patriotike, të bazuar në përkatësinë etnike. Imagjinata e tyre është një etnokomb, prandaj beteja për rëndësinë e tyre ka të bëjë me vërtetësinë.

Menjëherë pas luftës, përkujtimoret në Kosovë kishin formën e një guri të thjeshtë varri, me logon e UÇK-së, me emrin dhe me datën e lindjes dhe të vdekjes. Disa prej tyre përfshinin gravura hiperrealiste të një mashkulli të ri me uniformë, por shumica e tyre ishin bajagi lakuriqe. Shumë prej këtyre monumenteve të përmortshme ishin rezultat i përpjekjeve private, dhe kjo duket qartë. Qëllimi i tyre fillestar ishte përkujtimi i një babai, biri, vëllai apo bashkëshorti. Më shumë se njëqind femra kanë vdekur, por përkujtimore për to ka shumë pak. Mburravecët, sipas kritikëve, kanë bërë varreza për përfitime vetjake.

The KLA memorial, similar to the Vietnam War memorial in Washington D.C., stands on the road from Drenas to Skenderaj.

The KLA memorial, similar to the Vietnam War memorial in Washington D.C., stands on the road from Drenas to Skenderaj.

Më vonë, monumentet u bënë më specifike, shpesh të dedikuara për më shumë se një person. Ato morën formën e shqiponjave dykrerëshe apo të plisave; disa prej tyre edhe të kullave. Të gjitha përkujtonin luftëtarët, virtytet e përbashkëta të të cilëve, – guximi, nderi, vetëflijimi, – janë të bazuara në kulturën tradicionale. Vëmendja u zhvendos nga individi te një përfaqësim alegorik, tradicional i kolektivit kombëtar. Në memorialin e Gllogjanit, i ndërtuar me financimin e njërit prej krerëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj, një kullë plotësisht e rindërtuar qëndron përballë varreve të dëshmorëve: Kombi i paraqitur kështu si i zhytur mirëfilli në botën rurale është objekt i nderimit po aq sa meshkujt që kanë vdekur për të. Folklorizëm i tepërt, kanë thënë të njëjtët kritikë vendës, të cilët janë ankuar për shtimin e monumenteve: ne jemi një vend modern, evropian. Shqiptarizëm i tepërt, i cili sfidon serbët që jetojnë në Kosovë, kanë thënë kritikët e huaj, si ekspertët ndërkombëtarë të drejtësisë transitore, të përqendruar mbi mbështetjen e pajtimit.

Në vitet e fundit, janë shtuar varrezat e të rënëve, në mes të mosmarrëveshjeve të ndryshme. Shoqatat e veteranëve vlerësojnë se këto varreza duhet t’i dedikohen UÇK-së, dëshmorëve të kombit. Meqë kanë vdekur duke luftuar, ata janë martirë në kuptimin origjinal të “dëshmorëve të kauzës” (në këtë rast kombi), si në teologjinë e krishterë apo islamike. Në rastin e Varrezës së Dëshmorëve në Landovicë, sa për të përmendur një, shoqatat e veteranëve kanë pasur mosmarrëveshje me Komunën e Prizrenit për mospërfshirjen e logos së UÇK-së dhe të rrjedhave simbolike të gjakut në dizajnin e gurëve të varreve. Pa këto shenja, të rënët do të ishin vetëm “martirë”, një fjalë që shqiptarët e përdorin për t’iu referuar viktimave joluftuese. Komuna ushtroi autoritetin institucional për të ripërcaktuar të rënët e luftës, duke mos përfillur UÇK-në.

Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë viteve është se pavarësisht mosmarrëveshjeve politike për domethënien e tyre simbolike apo estetike, përkujtimoret e luftës në Kosovë janë në thelb vende të përkujtimit. Për këtë arsye, ato do të mbeten të dukshme për një kohë të gjatë. Në rrugën Drenas-Skenderaj ndodhet një përkujtimore e UÇK-së, e cila i ngjason Memorialit të Luftës së Vietnamit në Uashington, një produkt i një nisme private për mbledhjen e fondeve në Shtetet e Bashkuara. Si në Uashington, emrat e skalitur në pllaka të errëta graniti u mundësojnë të mbijetuarve të “prekin” të rënët e tyre. Rituali i prekjes së një fotografie, një emri apo i një guri i mban të gjallët të lidhur me të vdekurit, dhe është pothuajse i përbotshëm për sa i përket fuqisë për të lehtësuar dhimbjen, thotë historiani Jay Winter nga universiteti “Yale”.

Soldiers guard graves at the Prekaz memorial. Though politicians occasionally try to politicize the site of the Jashari family massacre, surviving relatives serve as reminders that it is a sacred ground.

Soldiers guard graves at the Prekaz memorial. Though politicians occasionally try to politicize the site of the Jashari family massacre, surviving relatives serve as reminders that it is a sacred ground.

Ideali i vetëflijimit për fitore është vendimtar për shpjegimin e përkujtimit. Shumë mbishkrime kanë një ton transcendent, si ai i kudondodhuri: “Lavdi martirëve të kombit!” Ato përmendin përjetësinë, si në disa gurë varresh: “Ra për të mos u harruar kurrë”, “Ra këtu për ta fituar përjetësinë”. Në kompleksin përkujtimor të Prekazit, portreti gjigant i heroit më të madh të luftës, komandantit legjendar, Adem Jashari, shoqërohet nga fjalët: “Ai është i gjallë”. Libri që kujton rreth 1.700 luftëtarë të rënë të UÇK-së, një “monument tekstual” i luftës, i quan të vdekurit “feniksë”, figurat mitike që jetojnë përherë. Mesazhi i tyre gjithashtu ka për qëllim të jetojë përherë. Përkujtimoret janë të vendosura në vende të dukshme në qendra të qyteteve,  në sheshe dhe përgjatë rrugëve kryesore, sepse ato duhet të shihen për të kujtuar se çfarë i ka borxh kombi të rënëve të tij, si në dedikimet e rëndomta: “Gjaku i martirëve është gur themel i lirisë”, “U sakrifikuan për lirinë tonë”, “Heroizmi dhe guximi juaj çliruan Kosovën”. Ky është përkujtim i projektuar në të ardhmen.

Kompleksi përkujtimor i Jasharëve në Prekaz është shembulli më i mirë i ndërlikueshmërisë dhe ndryshueshmërisë së përkujtimoreve të luftës në Kosovë. Përkujtuesi kryesor i amanetit të UÇK-së për të luftuar dhe për të vdekur për kombin, tani edhe si park kombëtar, gjithashtu përfshin një “fushë të paqes”, duke lartësuar një traditë kombëtare të pajtimit. Për shkak të rëndësisë së tij, politikanët bëjnë pelegrinazhe të shpeshta në këtë vend, duke e përdorur atë shpesh për të forcuar kauzat e tyre. Ata nganjëherë harrojnë se ai është gjithashtu vend i përkujtimit, por të mbijetuarit nuk harrojnë. Murat Jashari herë pas here ua kujton figurave të ndryshme politike se kompleksi përkujtimor nuk është për t’iu shërbyer interesave specifike. Jo vetëm për shkak se ai është një vend i shenjtë kombëtar, por sepse ai ndodhet në një tokë të shenjtë: gjyshërit, nëna, vëllezërit dhe motrat, xhaxhai, halla dhe kushërinjtë e tij janë të varrosur aty.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO