S`fundmi | Korrupsioni

Mënyra më e lehtë për të luftuar korrupsionin

Nga - 01.10.2018

K2.0 diskuton për sfidat e qasjes në dokumente publike në Bisedën e Shkurtër.

Të premten në Klubin M, në Ditën Ndërkombëtare të Qasjes së Lirë në Informacion, që shënohet çdo vit më datën 28 shtator, K2.0 mbajti një diskutim lidhur me të drejtën e qasjes në dokumente publike, të quajtur “InformatiON”.

Paneli i përbërë nga Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, drejtoresha e organizatës Open Data Kosovo, Blerta Thaçi, dhe drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, shtjelloi shumë çështje që ndërlidhen me procesin e kërkimit për qasje në dokumente publike nga qytetarët nëpër institucionet kosovare, si dhe vetëdijësimit të qytetarëve për këtë proces.

Biseda filloi me kërkesën që kishte bërë Lëvizja FOL ndaj Ministrisë së Infrastrukturës saktësisht tetë vite më parë, me të cilën kishte kërkuar t’i lejohet qasje në dosjen e tenderit lidhur me ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare. FOL e dërgoi lëndën në gjykatë pasi që Ministria e Infrastrukturës nuk e respektoi kërkesën dhe shkeli Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, rrëfeu para audiencës sfidën nëpër të cilën kaloi organizata e saj për tetë vite në tentimin për të nxjerrë në dritë dokumentet e ndërtimit të autostradës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Demolli-Nimani tha se, organizata kishte fituar rastin në Gjykatën Themelore, por Ministria është ankuar për vendimin dhe tashmë palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. Ajo shtoi që publikimi i këtyre dokumenteve është një e drejtë e patjetërsueshme, sidomos për shkak të faktit që ende nuk dihet saktë shuma e paguar nga shteti për ndërtimin e kësaj autostrade.

Drejtoresha tha që qasja në këto dokumente është refuzuar nga Ministria me arsyetimin se kontrata është konfidenciale për shkak se kompania Bechtel-Enka është private, teksa shtoi që organizata nuk e ka parë këtë si arsyetim, pasi që kërkesa ka qenë për të parë shumën e parave të shpenzuara nga taksapaguesit dhe detajet e kontratës të nënshkruara nga qeveria, e jo për gjendjen e llogarisë së kompanisë.

Gjithashtu, ajo tregoi që FOL ka kërkuar qasje edhe në dokumentet e tenderit dhe kontratën e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë dhe kërkesa është aprovuar vetëm pas fillimit të procedurave me Avokatin e Popullit dhe kritikave dhënë përmes një emisioni televiziv.

Zëvendësja e Avokatit të Popullit është e inkurajuar me rritjen e numrit të ankesave lidhur me qasjen në dokumente publike, gjë që tregon interesimin e qytetarëve për të marrë llogari nga institucionet. Foto: Atdhe Mulla/K2.0.

Me pas e morri fjalën Sinani-Lulaj nga zyra e Avokatit të Popullit. Ajo tha se roli i institucionit që ajo përfaqëson është të analizojë çdo ankesë dhe t’u drejtohet atyre institucioneve relevante duke i udhëzuar që të zbatojnë ligjin dhe të lejojnë qasje në dokumente publike.

Sinjali pozitiv në këtë proces, sipas Sinani-Lulajt, është fakti që numri i ankesave drejtuar Avokatit të Popullit për qasje në dokumente po rriten gjithnjë e më shumë, madje jo vetëm nga mediat dhe organizatat joqeveritare, por edhe nga qytetarët e rëndomtë që duan të dinë më shumë për çështje të caktuara ku janë të përfshirë vet, përmes kërkesave për qasje në dokumente publike.

Sinani-Lulaj theksoi nevojën që opinioni publik të jetë më i vetëdijshëm dhe më i informuar për mundësitë që i ka për të kërkuar llogari nga zyrtarët nëpër institucione, ndërsa vlerësoi që dokumentet të cilat janë më vështirë të qasshme kanë të bëjnë me shpenzime të parasë publike.

Gjithashtu, ajo kritikoi sistemin e drejtësisë, gjegjësisht mungesën e ekzekutimin të vendimeve të gjykatave si dhe zbatimin e Ligjit për Klasifikimin e të Dhënave, që sipas saj, nuk po zbatohet fare.

Drejtoresha e Open Data Kosovo, Blerta Thaçi (në të majtë), nënvizoi rëndësinë që ka teknologjia në lehtësimin e qasjes në të dhëna publike. Foto:Atdhe Mulla / K2.0.

Organizata Open Data Kosovo tenton të përdorë teknologjinë për të mundësuar qasje më të lehtë në të dhëna publike, dokumente dhe procese. Drejtoresha Blerta Thaçi, tha që një projekt i zbatuar nga organizata e saj në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës e ka bërë bashkëpunimi mes zyrtarëve brenda komunës të jetë më efektiv dhe u ka dhënë qytetarëve qasje në të gjitha kontratat publike. Qytetarët gjithashtu mund të ndjekin progresin e zbatimit në kohë reale duke përdorur platformën online.

Thaci shtoi që përmes teknologjisë, tërë procesi i kërkesës dhe dhënies së qasjes në të dhëna publike mund të lehtësohet, për shkak se parashtruesit e kërkesës dhe zyrtarët do ta kenë më të lehtë të realizojnë procesin përmes infrastrukturës teknologjike.

Projektligji i ri për Qasje në Dokumente Publike  ishte gjithashtu një pjesë e rëndësishme e diskutimit. Sinani-Lulaj shprehi “rezervat e saj maksimale” për një pjesë të këtij ligji, që prpopozon themelimin e një institucioni të ri që do të mbikqyrë zbatimin e ligjit. Sipas saj ky institucion i ri, do të krijonte më shumë pasiguri sesa që do të sillte diçka të mirë, pasi që do të ndërhynte në punën e Avokatit të Popullit.

Demolli-Nimani gjithashtu kritikoi projektligjin, duke i theksuar disa pjesë si të panevojshme dhe të padobishme. Ajo përmendi artikullin për ‘konfidencialitetin statistikor’, të cilin e vlerësoi si absurd, pasi që institucione të tilla si Agjencia e Statistikore e Kosovës do të ishin në gjendje të refuzonin qasjen në dokumente.

Një element tjetër i projektligjit të cilin Demolli-Nimani e cilësoi problematik, është se institucionet mund të vendosin se cilat kërkesa janë në bazë legjitime dhe cilat nuk janë, kështu duke lënë më shumë hapësirë ​​për të mohuar kërkesat.

E pyetur nga audienca nëse vlen të kërkohen dokumente lidhur me çështje historike, drejtoresha e Lëvizjes FOL theksoi se kjo është diçka shumë e rëndësishme. Ajo mendon se edhe pas faktit, zbulimi i dokumenteve publike mund ta informojë publikun më mirë, të rrisë transparencën dhe të çojë në më pak raste korrupsioni.

Foto kryesore: Atdhe Mulla K2.0.