Në thelb | Mali i Zi

Shteti ekologjik?

Nga - 24.07.2017

Ideja inovative e Malit të Zi nuk ka synim serioz.

Mali i Zi është i vetmi shtet në Ballkan i cili ligjërisht e ka shpallur veten si ‘shtet ekologjik’, por realiteti në të cilin ai gjendet e hedh poshtë këtë zotim. Aktivistët mjedisorë janë të pakënaqur me qëndrimin e shtetit ndaj natyrës së Malit të Zi, duke konsideruar se uji dhe toka po ndoten në mënyrë të pakontrolluar në baza ditore, megjithëse shtojnë se edhe qytetarët e mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për këtë gjendje.

Sipas vlerësimeve të mëhershme, si shtet kandidatë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, Malit të Zi do t’i duhet të shpenzojë më shumë se 1.35 miliardë dollarë në mjedis për t’i arritur standardet e BE-së për trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave, si dhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Shteti ekologjik vetëm me emër

Në vitin 1991, autoritetet malazeze e miratuan deklaratën sipas së cilës vendi po bëhej shteti i parë ekologjik në botë. Ky status u konfirmua përmes Kushtetutës 16 vjet më pas, kur edhe ishte përkufizuar rrugëtimi zhvillimor i vendit. Në nenin e parë të këtij akti më të lartë juridik, thuhet qartë se përveç se është shtet “qytetar” dhe “demokratik”, dhe patjetër shtet i “drejtësisë sociale të bazuar në sundimin e ligjit”, Mali i Zi është edhe shtet “ekologjik”.

Shteti i vetëm ‘ekologjik’ në Ballkan është përplot deponi ilegale. Fotografia e bërë nga lëvizja ekonologjike ‘Ozon’.

Syri i njeriut mund të shohë se ideja e një shteti ekologjik nuk është realizuar. Deponitë ilegale, prerja e pakontrolliuar e pyjeve, shkatërrimi i zonave dhe ndotja e shtretërve të lumenjve janë skena të përhapura anembanë vendit.

Përkundër deklaratave të vazhdueshme për mbrojtjen e mjedisit nga ana e autoriteteve, raportet vjetore të Komisionit Europian tregojnë se nuk janë ndërmarrë masat e nevojshme në këtë fushë. Në raportin e fundit të nëntorit të vitit 2016, thuhet se Mali i Zi, si anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian, duhet të investojë përpjekje shtesë në këtë fushë. Komisioni në raportin e vet sugjeron se fokusi i veçantë duhet t’i vihet sektorit të trajtimit të ujërave, mbrojtjes së mjedisit, dhe menaxhimit të mbeturinave, dhe se shteti duhet t’i zbatojë më mirë ligjet në fuqi në këto fusha.

Edhe pse ligjet të cilat duhet të garantojnë qasje të përgjegjshme karshi burimeve natyrore dhe mjedisit janë në masë të madhe në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe me direktivat e saj, ato nuk janë shumë të zbatuara në praktikë, për ç’gjë institucionet arsyetohen duke përmendur kapacitetet e pamjaftueshme administrative dhe mungesën e organeve inspektuese. Komisioni Europian në të kaluarën i ka paralajmëruar autoritetet e Malit të Zi në lidhje me këtë çështje, dhe ka sugjeruar se problem shtesë është mungesa e profesionistëve si në nivel nacional ashtu edhe në atë lokal.

Kushtet “e kënaqshme”

Siç duket, zyrtarët e Qeverisë së Malit të Zi nuk i kanë lexuar dokumentet e njëjta ta Komisionit Europian. Sipas tyre, kushtet e mjedisit të Malit të Zi janë “të kënaqshme”, derisa Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit është posaçërisht krenare me faktin se Mali i Zi është i radhitur më së larti nga të gjitha shtetet kandidate të BE-së.

Ivana Vojinoviq, shefe e Drejtoratit së Mjedisit pranë Ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, së fundi u ka thënë mediave se: “Kushtet mjedisore në Mal të Zi janë të kënaqshme, dhe ky është vlerësimi i nxjerrë përmes programit monitorues të drejtuar nga shteti për të gjitha segmentet mjedisore të cilin e zbatojmë vit për vit”.

"E neve, qytetarëve, vetëm mund të na vijë keq që — gjatë betejës për mbijetesë të thjeshtë — ne kemi lejuar shkatërrimin e zonave dhe degradimin e mjedisit".

Aleksandar Petroviq, drejtues i organizatës ekologjike 'Ozon'.

Aktivistët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre me këtë gjendje. Kryetari i lëvizjes ekologjike ‘Ozon‘, Aleksandar Petroviq, beson se, në vend se të nxjerrë dobi nga menaxhimi i duhur i burimeve natyrore, shoqëria malazeze ka filluar të paguajë si rrjedhojë e politikave dhe vendimeve të gabuara.

Shoqëria civile po përpiqet me gjithë mund ta orientojë vëmendjen publike drejt çështjeve mjedisore në Mal të Zi. Fotografia e bërë nga lëvizja ekonologjike ‘Ozon’.

“Nuk ka pasur qëndisje të duhur të shtetit ekologjik, që ishte hapi i parë serioz, prandaj ne s’kemi si të mos dyshojmë nëse vërtet ka pasur ndonjëherë synim serioz nga ana e vendimmarrësve të nivelit të lartë për të punuar rreth këtij projekti unik por kompleks”, i tha Petroviq ekipit të K2.0. “E neve, qytetarëve, vetëm mund të na vijë keq që — gjatë betejës për mbijetesë të thjeshtë — ne kemi lejuar shkatërrimin e zonave dhe degradimin e mjedisit: ekploatimin e pakontrolluar të burimeve natyrore si mineralet, pyjet dhe materialet e lumenjve, gjuetinë ilegale, dhe shumë çështje tjera të cilat kanë lënë pasoja të përhershme mjedisore dhe ekonomike”.

Ndotja e lumenjve dhe pyjeve është e dukshme, derisa trendi i një ndotjeje të shtuar të ajrit shihet qartë.  Sektori i OJQ-ve thotë se kjo është dëshmia më e mirë sa ç’kujdes i kanë kushtuar vendimmarrësit cilësisë së mjedisit.

“Nuk ka mbetur asnjë shtrat lumi pa një sërë ujërash të zeza, asnjë vend ku nuk janë në rrezik ekosistemet — disa të shkatërruara tërësisht”, deklaroi Petroviq.  “Nuk ka mbetur asnjë mal pa prerje të qëllimshme dhe ilegale. Edhe ekosistemet pyjore edhe ato të lumenjve janë në rrezik për shkak të gjuetisë ilegale. Uji, toka, dhe ajri po ndoten në baza ditore, dhe kjo është vështirë të ndalet për shkak se, përveç qëndrimit arrogant të ndotësve industrialë, për fat të keq edhe zakonet individuale të qytetarëve po e rrezikojnë mjedisin”.

Cilësia e ajrit në shumë komuna malazeze gjithashtu është në nivel të papranueshëm. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Europiane të Mjedisit, në vitin 2011 në Mal të Zi kishte 513 persona të vdekur para kohe si rezultat i ekpozimit të tyre ndaj grimcave të emetuara të ozonit. Milorad Mitroviq nga organizata joqeveritare “Breznica” në Plevle*, komuna më e ndotur në Mal të Zi dhe në krejt Europën, përmend faktin se qytetarët e thithin ajrin i cili e dëmton shëndetin e tyre.

“Gjëja më e keqe është se substancat helmuese po ndikojnë edhe të fëmijët e palindur, për shkak nëna transmeton materie helmuese në embrion duke thithur ajrin”, qartëson ai. “Kësisoji, fëmija i ekpozohet rrezikut më të lartë që të lindë me probleme me zemër”. Plevla prin në nivel shteti sa i përket rritjes negative të popullsisë.

Problemi tjetër në nivel lokal dhe atë qendror është i dukshëm në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Aktualisht, në Mal të Zi ekzistojnë dy deponi regjionale: në Podgoricë dhe në Tivar, dhe kapacitetet e tyre po konsumohen më shpejt se që është planifikuar.  Ambientalistët kanë identifikuar më shumë se 350 zona ‘deponish të egra’ ku mbeturinat vazhdimisht hidhen përkundër faktit se ato nuk janë zona të parapara për këtë qëllim, në gjithë vendin.

Qytetarët si dëm kolateral

Plevla nuk është vetëm në krye të listës sa i përket ndotjes dhe përqendrimit të shtuar të grimcave të pluhurit, por, siç theksoi Mitroviq, kjo komunë gjithashtu po i thyen rekordet kur flasim për numrin e vizitave që u bëjne shtëpive të shëndetit dhe spitalit të përgjithshëm. Sipas Mitroviqit, 4,000 pacientë vizitojnë mjekun për çdo ditë.

Në vend se të edukohen qytetarët në fushën e ekologjisë, Mali i Zi u jep prioritet temave ditore. Fotografia e bërë nga lëvizja ekonologjike ‘Ozon’.

“Vendimmarrësit dhe ndotësit e kanë gojën plot me integrime europiane, përmbushje të standardeve dhe rregulloreve në fushën e mbrojtjes së mjedisit”, tha Mitroviq, duke shtuar se obligimet e njëmendta, të cilat duhet të zbatohen me ligj, nuk i imponohen askujt, derisa qytetarët e Plevles po helmohen, po vuajnë, po heshtin dhe po vdesin.

Mitroviq i identifikon qytetarët e Plevles si “dëm kolateral” të progresit “dinamik” të Malit të Zi dhe të rrugës së tij të pandalshme drejt familjes europiane”.

Tani është e qartë se hapja e këtij kapitulli të bisedimeve do t'i kushtojë Malit të Zi shumë para, mund, dhe kohë. Shteti nuk i ka këto para.

Petroviq thekson se edhe për shumë anëtarë të BE-së zbatimi i standardeve të këtij Unioni nuk është i thjeshtë, por se për Malin e Zi, sidomos për shkak të vendosmërisë së tij kushtetuese dhe madhësisë së tij, ky proces duhet të jetë më i suksesshëm dhe më i dukshëm.

Tani është e qartë se hapja e këtij kapitulli të bisedimeve do t’i kushtojë Malit të Zi shumë para, mund, dhe kohë. Shteti nuk i ka këto para. Ka pak gjasa që ato të sigurohen në një situatë ku, për shkak të mungesës së burimeve dhe buxhetit të shtetit, janë futur masat e reja shtrënguese, siç është heqja dhe zvogëlimi i beneficioneve të caktuara sociale, rritja e TVSH-së, dhe zvogëlimi i pagave në sektorin publik.

Petroviq ka identifikuar një sërë mangësish në vlerësime financiare. “Besoj se kjo shifër është shumë më e lartë, meqë krijohen kostot e reja ditore”, tha ai. “Për fat të keq, institucionet shtetërore nuk kanë menduar se është e rëndësishme të investohet në edukimin mjedisor, që është shumë i rëndësishëm nëse dëshirojmë që investimet e bëra në mjedis të kenë rezultate dhe të jenë të qëndrueshme”.

Petroviq beson se nuk ka kurrfarë arsye që qytetarët të jenë të kënaqur me qëndrimet e vendimmarrësve sa i përket mjedisit, dhe se si qeveria ashtu edhe kuvendi janë fajtorë për politika shkatërrimtare dhe për dekada të degradimit të burimeve natyrore. Sipas tij, në vend se të udhëhiqemi përmes vizionit të një shteti ekologjik, si mundësi më premtuese zhvillimore për shoqërinë e Malit të Zi, prioriteti u është dhënë politikave ditore dhe zgjidhjeve afatshkurta.

Ai i kritikon të tri segmentet e qeverisë, duke theksuar se është tejet shqetësues fakti që gjyqësori është i shurdhër karshi shkeljeve të qarta të ligjit nga ana e ndotësve më të mëdhenj industrialë, disa prej të cilëve as që kanë leje, e të mos flasim për pëlqimin mjedisor apo leje tjera të nevojshme.

*Shënim i redaktorit: Emri i vendit është përmirësuar, meqë në fillim është përkthyer gabimisht si Plava. 

Foto fryesore nga ‘levizja Ozon’ eco , Mal i zi.