Pikëpamje | Drejtësi

Fundi i Tribunalit te Hagës

Nga - 28.12.2017

Në 24 vitet e tij, tribunali ndërkombëtar ishte inovacioni ligjor që e ka ndarë opinionin publik.

“Dhe u kthye nga unë e më tha, ‘Gjeneral Clark’, tha, ‘Ne dimë si të merremi me këta vrasës, këta përdhunues, këta kriminelë’. Ai tha, ‘E kemi bërë më parë’. Unë thashë, ‘Ani, kur?’ Ai tha, ’Në Drenicë, në vitin 1946’, E unë thashë, ‘Çfarë keni bërë?’ Ai tha, ‘I vramë’. Ai tha, ‘I vramë të gjithë’”.

***

– Dëshmi e Gjeneralit Wesley Clark të NATO-s më 15 dhjetor, 2003 për një bisedë që e kishte zhvilluar me Sllobodan Milloseviqin në tetor të vitit 1998.

Gjatë 24 viteve të fundit, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ) është marrë me “peshqit e mëdhenj” si Sllobodan Millosheviq, Radovan Karaxhiq dhe Vojisllav Sheshel, ndërsa njëkohësisht ishte nikoqir i shumë polemikave si pasojë e gjykimeve dhe vendimeve të tij. Pas ngritjes se aktakuzave te 161 individëve dhe dënimit të 90 prej tyre, ky tribunal tani është gati t’i mbyllë dyert pas 24 viteve.

Në vitin e fundit të ekzistencës së tij, dhe gjatë rastit përfundimtar, vetë tribunali u bë “skenë e krimit”, kur kroati i Bosnjës, krimineli i luftës, Slobodan Praljak vdiq pasi piu helm në gjykatë, disa sekonda pas leximit të gjykimit kundër tij. “Praljak nuk është kriminel. E refuzoj verdiktin tuaj”, ishin fjalët e tij të fundit në gjykatë.

Për ta adresuar performancën e TPNJ-së dhe për ta kuptuar strukturën e atij që nisi si tribunal i përkohshëm dhe përfundoi si “skenë krimi”, duhet t’u kthehemi rrënjëve të tij, aty ku filloi gjithçka.

Slobodan Millosheviq (IT-02-54)

AKTAKUZAT:
“Kosovë” - Fillestare: 24 maj, 1999 / Operacionale: 29 tetor, 2001
“Kroaci” - Fillestare: 8 tetor, 2001 / Operacionale: 28 korrik, 2004
“Bosnjë e Hercegovinë” - Fillestare: 22 nëntor, 2001 / Operacionale: 22 nëntor, 2002

AKUZAT: Në akaakuzat Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, Millosheviq u akuzua për krime kundër njerëzimit (në të trija akakuzat), shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës (në të trijat), shkelje të mëdha të Konventës së Gjenevës (në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë), dhe gjenocid (në Bosnjë dhe Hercegovinë).

Të gjitha akuzat specifike ishin si vijon: gjenocid; bashkëfajësi në gjenocid; internim; vrasje; persekutim me bazë politike, racore apo religjioze; veprime jonjerëzore - transferim me forcë; asgjësim; burgim; torturim; vrasje me paramendim; burgosje e paligjshme; shkaktim i vuajtjes me paramendim; internim apo transferim i paligjshëm; shkatërrim gjithëpërfshirës dhe përvetësim i pronës, të pajustifikuara nga nevojat ushtarake dhe të kryera në mënyrë të paligjshme dhe pa përmbajtje; trajtim mizor; plaçkitje e pronës publike apo private; sulme ndaj civilëve; shkatërrim apo dëmtim i paramenduar i monumenteve historike dhe institucioneve të përkushtuara për arsim dhe religjion; sulme të paligjshme ndaj objekteve civile.

VENDIMI: Procedurës gjyqësore i është dhënë fund më 14 mars, 2006 për shkak të vdekjes së tij.
(Burim i informatave: TPNJ)

TPNJ-ja u themelua zyrtarisht në maj të vitit 1993 nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet Rezolutës 827; ajo u bë gjykata e parë për krime të luftës e krijuar nga OKB-ja, si dhe tribunali i parë ndërkombëtar i krimeve të luftës prej tribunaleve të Tokios dhe Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore. Që atëherë kanë kaluar 10,800 ditë gjykimi dhe janë dëgjuar 4,600 dëshmitarë.

Themelimi i TPNJ-së erdhi si rezultat i konflikteve brutale që u zhvilluan dhe ndodhën në shtetet e ish-Jugosllavisë gjatë viteve të ‘80-a dhe të 90-a, kur Europa Lindore dhe Bashkimi Sovjetik ishin dëshmitarë të shembjes së sistemeve komuniste dhe rishfaqjes së nacionalizmit.

‘Ish-Jugosllavia” i referohet territorit që njihej si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) para se Sllovenia dhe Kroacia të shpallnin pavarësinë e tyre më 25 qershor, 1991. Në këtë federatë ishin të përfshira gjashtë republika: Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia (plus krahina e Kosovës dhe e Vojvodinës) dhe Sllovenia.

Sipas statutit të saj, TPNJ-ja kishte autoritet t’i ndiqte penalisht personat përgjegjës për krime specifike të kryera në territorin e “ish-Jugosllavisë” prej janarit të vitit 1991; jurisdiksion ka pasur vetëm mbi individë dhe jo mbi parti politike, njësite ushtarake apo subjekte të tjera ligjore.

Këto krime specifike bien në katër kategori: Shkelje të mëdha të Konventës së Gjenevës të vitit 1949, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, gjenocid, dhe krime kundër njerëzimit.

Ratko Mlladiq (IT-09-92)

AKTAKUZAT: Fillestare: 25 korrik, 1995 / Operacionale: 16 dhjetor, 2011

AKUZAT: Gjenocid (vrasje e anëtarëve të grupit, shkaktim i dëmtimeve serioze trupore apo mendore ndaj anëtarëve të grupit); Krime kundër njerëzimit (persekutime, shfarosje, vrasje, internim, veprime jonjerëzore - transferim me forcë); Shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës (vrajse, terrorizim, sulme të paligjshme ndaj qytetarëve, pengmarrje).

VENDIMI: Burgim i përjetshëm (i shqiptuar më 22 nëntor, 2017)

(Burim i informatave: TPNJ)

Si tribunal, ai kishte jurisdiksion bashkekzistues për shkeljet serioze të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në shtetet e ish-Jugosllavië, bashkë me gjykatat përkatëse kombëtare. Megjithatë, TPNJ-ja gjithmonë ka pasur mundësi të kërkojë supremaci dhe t’i marrë përsipër hetimet dhe procedurat kombëtare në çdo fazë të gjykimit dhe ka pasur mundësi t’i përcjellë rastet te autoritetet vendore.

Meqë TPNJ-ja fillimisht ishte themeluar si tribunal i përkohshëm, kur në vitin 2003 po vepronte në kapacitetin e plotë, doli nevoja për një strategji më ndryshe. Prandaj, gjykatësit e tribunalit e përpiluan një plan që më vonë u bë i njohur si “strategjia e përmbushjes”, qëllimi i së cilës ishte garantimi i përfundimit të “suksesshëm” të misionit të TPNJ-së. Përfundimi i “suksesshëm” do të thoshte thjesht përfundimi me kohë dhe në koordinim me sistemet ligjore vendore.

Plani u mbështet publikisht nga rezolutat 1503 dhe 1534 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në të parashihej përfundimi i hetimeve deri në fund të vitit 2004, përfundimi gjykimeve të instancës së parë deri në fund të vitit 2008 dhe përfundimi i të gjitha punëve në vitin 2010. Por arrestimet e vonshme të disa personave të arratisur, kompleksiteti i rasteve dhe mungesa e bashkëpunimit me shtete të caktuara e bëri të pamundur që gjykata t’i kryente punët brenda afateve të vetëcaktuara kohore – vetëm përfundimi i hetimeve u krye me kohë.

Inovacione ligjore

Pas themelimit të TPNJ-së në vitin 1993, aktakuza e parë u bë më 7 nëntor, 1994 kundër Dragan Nikoliqit, komandantit të kampit të ndalimit në Bosnjë dhe Hercegovinë; aktakuza u ngrit për krime të kryera kundër civilëve të popullsisë joserbe. Tribunali vazhdoi të kërkonte të dyshuar deri më korrik të vitit 2011, kur pas arrestimit të Goran Haxhiqit i erdhi fundi kërkimit të personave të arratisur, për shkak se u gjetën 161 individët e akuzuar nga ky tribunal.

Kërkimi për “peshqit e mëdhenj” nisi pak pas themelimit të tribunalit. Më 15 nëntor, 1995, liderët politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, u akuzuan për gjenocid në Srebrenicë. Më shumë se një dekadë pas ngritjes së aktakuzës kundër Karaxhiqit, ai u transferua për t’u mbajtur në paraburgim në Tribunal në korrik të vitit 2008, dhe më vonë u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera të kryera kundër popullsisë joserbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. 23 vite pas ngritjes së aktakuzës, dhe tetë vite pas arrestimit të tij, Karaxhiq më në fund u dënua me 40 vite burgim në mars të vitit 2016. Gjykata vendosi se ai ishte përgjegjës dhe fajtor për pjesën më të madhe të akuzave në aktakuzë.

Radovan Karadzic. Foto nga TPNJ.

Pas arrestimit të Karaxhiqit, në maj të vitit 2011, Ratko Mlladiq u kap më në fund, pasi iu shmang drejtësisë për 16 vite. Mlladiq gjithashtu u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera që lidheshin me Srebrenicën, rrethimin e Sarajevës dhe ngjarje të tjera në komunat e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në fund, në nëntor të vitit 2017, ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Mund të argumentohet se zhvillimi më i rëndësishëm për TPNJ-në erdhi më 24 maj, 1999, me aktakuzën ndaj Sllobodan Millosheviqit, aktakuza e parë e lëshuar nga një gjykatë ndërkombëtare për një kryetar shteti. Në atë kohë, Millosheviq nuk ishte dorëzuar e as nuk ishte arrestuar, por një ndryshim në skenën politike pas zgjedhjeve presidenciale të shtatorit të vitit 2000 në Serbi dhe protestave masive në rrugë në tetor të vitit 2000 bënë që Millosheviq të rrëzohej nga pushteti.

Për shkak të këmbënguljes nga ana e TPNJ-së për transferimin e Millosheviqit nga autoritetet e reja në Beograd për gjykim në Hagë, në vitin 2001 – dy vjet pasi u ngrit aktakuza ndaj Millosheviqit – Kryeministri serb Zoran Gjingjiq e autorizoi transferimin e Millosheviqit në Hagë. Sidoqoftë, procedurat kundër Millosheviqit mbaruan para se të merrej ndonjë vendim për shkak të vdekjes së papritur të tij më 11 mars, 2006.

Ndërkohë, në gusht të vitit 2001, tribunali kishte shqiptuar dënimin e parë për gjenocid. Dënimi u shqiptua kundër një oficeri ushtarak të serbëve të Bosnjës i quajtur Radisllav Krstiq, i cili u dënua specifikisht për pjesëmarrje në masakrën e Srebrenicës; edhe vendimet e ardhshme konfirmuan se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.

Radovan Karaxhiq (IT-95-5/18)

AKTAKUZAT: Fillestare: 25 korrik, 1995 / Operacionale: 19 tetor, 2009

AKTAKUZAT: Gjenocid (vrasje e anëtarëve të grupit, shkaktim i dëmtimeve serioze trupore apo mendore ndaj anëtarëve të grupit); Krime kundër njerëzimit (persekutime, shfarosje, vrasje, internim, veprime jonjerëzore - transferim me forcë); Shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës (vrajse, terrorizim, sulme të paligjshme ndaj qytetarëve, pengmarrje).

VENDIMI: 40 vite burgim (i shqiptuar më 24 mars, 2016).

(Burim i informatave: TPNJ)

Tribunalit iu deshtën 13 vite për ta shqiptuar dënimin e parë të përjetshëm. Në nëntor të vitit 2006, Dhoma e Apelit gjeti se Stanisllav Galiq, komandant i ushtrisë së serbëve të Bosnjës, ishte fajtor për koordinim të një fushate të sulmeve eksplozive në Sarajevë prej vitit 1992 deri në vitin 1994.

Dënimi i dytë i përjetshëm u shqiptua në korrik të vitit 2009 kundër Millan Llukiqit, serb i Bosnjës i dënuar për vrajsen e më shumë se 130 civilëve muslimanë të Bosnjës në Vishegrad në vitin 1992. Pak pas rastit të Llukiqit, në prill të po atij viti u shqiptua dënimi i tretë i përjetshëm për Zdravko Tolimirin, ish-asistent komandantin dhe kreun e intelegjencës dhe sigurisë së stafit kryesor të ushtrisë së serbëve të Bosnjës. Tolimir u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës të kryera në Srebrenicë dhe Zepa në vitin 1995.

Disa prej gjykimeve më të mëdha u mbajtën në vitet e fundit të tribunalit. Rasti kundër Popoviqit et al u dallua si gjykimi më i madh i TPNJ-së dhe përfundoi në janar të vitit 2015, kur pesë nga shtatë ish-zyrtarët e lartë ushtarakë dhe policorë të serbëve të Bosnjës u dënuan pas apelit për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë dhe Zepa në vitin 1995.

Gjykimet e fundit të mbajtura në TPNJ përfunduan më 29 nëntor, 2017, gjegjësisht kur përfundoi rasti Prliq et al kundër Jadranko Prliqit, Bruno Stojiqit, Sllobodan Praljakut, Milivoj Petkoviqit, Valentin Qoriqit dhe Berisllav Pusiqit; tribunali dha gjykimin pas apelit duke i afirmuar dënimet e shqiptuara nga Dhoma e Gjykimit, e cila e kishte dënuar Prliqin me 25 vite burgim, Stojiqin, Praljakun dhe Petkoviqin me nga 20 vite secili, dhe Qoriqin e Pusiqin me nga 16 dhe 10 vite përkatësisht. Të akuzuarit u dënuan për krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës dhe shkeljeve të mëdha të Konventës së Gjenevës.

Rastet e Kosovës

Deri në qershor të vitit 1999 Kosova nuk u trajtua nga TPNJ-ja dhe nuk ishte pjesë e veprimtarisë së saj. OKB-ja, Franca, Kanada, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra, nënshkruan marrëveshje për të ofruar ndihmë dhe ekspertizë të përkohshme dhe të menjëhershme për hetimet e kryera nga zyra e prokurorit në Kosovë pro bono.

Ndonëse Sllobodan Millosevviq u akuzua edhe për krime të kryera në Kroaci dhe Bosnjë, ai kishte një listë të gjatë të akuzave për krime të kryera në Kosovë. Ndër akuzat e tij ishte internimi me forcë i rreth 800,000 shqiptarëve të Kosovës dhe vrasja e qindra civilëve shqiptarë të Kosovës – burra, gra dhe fëmijë – që ndodhën në mënyrë të përhapur apo sistematike nëpër Kosovë. Për më tepër, sulmet seksuale të kryera nga forcat e RSFJ-së dhe Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht grave, përbënin një pjesë të madhe të aktakuzës.

Sllobodan Millosheviq. Foto nga TPNJ.

Përveç akuzave për krime që lidheshin me jetët e njerëzve, Millosheviq u akuzua për një fushatë sistematike të shkatërrimit të pronave të civilëve shqiptarë të Kosovës, të kryer me anë të bombardimeve të shumta me artileri në qyteza dhe fshatra, dhe djegies e shkatërrimit të pronave, duke përfshirë këtu shtëpitë, fermat, bizneset, monumentet kulturore dhe lokacionet fetare. SI pasojë e këtyre sulmeve të orkestruara, fshatra, qyteza dhe rajone të tëra u bënë të pabanueshme për shqiptarët e Kosovës. Kur ai vdiq në mars të vitit 2006, Dhoma e Gjykimit menjëherë u dha fund procedurave, duke e lënë pa vendim njërin prej rasteve më të mëdha dhe më të rëndësishme me të cilat është marrë TPNJ-ja.

Vendimi i parë për krime të luftës së Kosovës u mor në nëntor të vitit 2005 kundër Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës, të tre anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ata ishin akuzuar për krime të kryera në vitin 1998 në kampin e ndalimit në Llapushnik, Kosovë. Fatmir Limaj dhe Isak Musliu u shpallën të pafajshëm, ndërsa Haradin Bala u dënua me 13 vjet burgim; ai u lirua para kohe në vitin 2012.

Në të njëjtin vit kur u mbyll rasti Limaj et al. u ngrit aktakuza edhe për tre anëtarë të tjerë të UÇK-së. Aktakuza fillestare kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt u konfirmua më 4 mars, 2005 dhe u bë publike gjashtë ditë më vonë. Ata u akuzuan për persekutim, trajtim mizor, vrasje dhe përdhunim. Por në janar 2007, Zyra e Prokurorit më në fund dorëzoi dhe konfirmoi një aktakuzë të korrigjuar, pasi aktakuza fillestare kishte gabime.

Gjykimi Haradinaj et al. përfundoi fillimisht në vitin 2008 me dënimin e Brahimajt, ndërsa Haradinaj dhe Balaj u shpallën të pafajshëm dhe u liruan; një rigjykim i pjesshëm u urdhërua në vitin 2010, dhe më pas të tre u shfajësuan në vitin 2012.

“Prijedor” Dushko Tadiq (IT-94-1)

Gjykimi i parë ndërkombëtar për krime të luftës me akuza të dhunës seksuale kundër burrave.

AKTAKUZAT: Fillestare: 13 shkurt, 1995 / Operacionale: 14 dhjetor, 1995

AKUZAT: Krime kundër njerëzimit (persekutime me bazë politike, racore apo religjioze, përdhunim, vrasje, veprime jonjerëzore); Shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës (vrajse me paramendim, torturë apo trajtim jonjerëzor, shkaktim i vuajtjes së madhe apo lëndimeve serioze trupore apo shëndetësore me paramendim); Shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës (trajtim mizor, vrasje).

VENDIMI: 20 vite burgim (i shqiptuar më 26 janar, 2000)

(Burim i informatave: TPNJ)

Në vitin 2016, u lëshua aktakuza operacionale në rastin Sainoviq et al. që përfshiu Nikolla Sainoviqin, Dragoljub Ojdaniqin, Nebojsha Pavkoviqin, Vlladimir Llazareviqin, Sreten Llukiqin dhe Millan Millutinoviqin. Këta persona ishin akuzuar për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale e cila kishte synim modifikimin e balancit etnik në Kosovë dhe garantimin e kontrollit të vazhdueshëm nga autoritetet serbe. Siç ceket në mënyrë të qartë në aktakuza, plani po kryhej në mënyra kriminale, duke përfshirë këtu internimin, vrasjen, transferimin me forcë dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës. Në fund të gjykimit në vitin 2014, dënimet e shqiptuara ishin si vijon: 18 vite burgim për Sainoviqin, 22 vite për Pavkoviqin, 20 vite për Llukiqin, 15 vite për Ojdaniqin dhe 14 vite për Llazareviqin. Millutinoviq u lirua si i pafajshëm.

Në fund, Vllastimir Gjorgjeviq – i cili ishte asistent ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kryetar i departamentit për siguri publike në MPB, si dhe përgjegjës për të gjitha njësitet dhe personelin e këtij departamenti – u akuzua në vitin 2008 për internim, veprime tjera jonjerëzore (transferim me forcë), vrasje dhe persekutim me bazë politike, racore apo religjioze, si dhe për vrasje si pjesë e shkeljeve të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Ai u dënua për të gjitha akuzat në vitin 2014 me 18 vite burgim.

Shkojmë përpara

Meqë tribunali po i mbyll dyert më 31 dhjetor, vëmendja tani përqendrohet te Mekanizmi për Tribunalet Penale Ndërkombëtare (MTPN).

Në dhjetor të vitit 2010, MTPN-ja u krijua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së si “strukturë e përkohshme” për ta ruajtur trashëgiminë e TPNJ-së dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruanda (TPNR). Nisi të operojë në korrik të vitit 2013 në Hagë, duke i marrë përsipër disa funksione të TPNJ-së. Tani që po mbylet TPNJ-ja, MTPN-ja do të vazhdojë të merret me rigjykime dhe apele.

Si mekanizëm nuk do të marrë përsipër raste të reja, por do t’i mbyllë apelet të cilat kanë mbetur të pambyllura, si apeli i Karaxhiqit. Gjithashtu do ta menaxhojë rigjykimin e Stanishiqit dhe Simatoviqit, ish-zyrtarë të shërbimit të sigurisë së Serbisë të cilët janë akuzuar si bashkëautorë të krimit në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte për synim largimin me forcë dhe të përhershëm të popullsisë joserbe nga disa zona të mëdha në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas disa ekspertëve ligjorë, krijimi i MTPN-së nuk ishte i nevojshëm. Ish-Gjykatësi i TPNJ-së Wolfgang Schomburg ka qenë njëri prej zërave më të theksuar. Ai ka thënë se TPNJ-ja mund të ishte zvogëluar në proporcion me ngarkesën gjithnjë më të vogël dhe kështu do ta kishte kryer punën e vet. Schomburg e sheh mbylljen e TPNJ-së si të parakohshme dhe si pasojë e arsyeve politike.

Mbyllja e TPNJ-së po ndodh njëkohësisht me hapjen e Dhomave të Specializuara për Kosovën, kështu që në këtë pikë mund të bëhet pak e paqartë ku përfundon mandati i njërës dhe ku nis mandati i tjetrës.

Vojisllav Sheshel (IT-03-67)

AKTAKUZAT: Fillestare: 14 shkurt, 2003 / Operacionale: 7 dhjetor, 2008

AKUZAT: Krime kundër njerëzimit (persekutime me bazë politike, racore apo religjioze, internim, veprime jonjerëzore - transferim me forcë); Shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës (vrasje, torturë dhe trajtim mizor, shkatërrim pa përmbajtje, shkatërrim apo dëmtim i paramenduar i institucioneve të përkushtuara për religjion apo arsim, plaçkitje e pronave publike apo private).

VENDIMI: I shfajësuar (i shqiptuar më 31 mars, 2016)

(Burim i informatave: TPNJ)

Duke e analizuar trashëgiminë e tribunalit, si dhe aktakuzat e ngritura prej tij dhe rastet e gjykuara në të, ka shumë polemika në lidhje me TPNJ-në dhe vendimet e tij. Në vitin 2012 ajo u bë cak i kritikave në Serbi pasi gjeneralët e dënuar kroat Ante Gotovina dhe Mladen Markaq u liruan nga TPNJ-ja pas apelit në një kohë kur ishin duke kryer dënime me nga 24 dhe 18 vite burgim përkatësisht. Një vit më vonë, një gjeneral serb i quajtur Momçillo Perishiq, i cili ishte duke vuajtur dënim me 27 vite burgim për krime kundër njerëzimit, u lirua pas apelit. Madje edhe disa juristë në Hagë mbetën të shokuar për shkak të kontradiktave brenda këtij vendimi. Edhe në Kroaci pati kritika vitin e kaluar pas shfajësimit të ish-Zëvendës Kryeministrit të Serbisë Vojisllav Sheshel. Ky vendim u etiketua si “i turpshëm” nga Kryeministri kroat Tihomir Oreshkoviq.

Që nga fillimi ky tribunal është përballur me vështirësi sa i përket pranimit të tij. Studime të ndryshme të kryera përgjatë viteve e kanë bërë të qartë se shtetet e ish-Jugosllavisë nuk i pranuan lehtë akuzat ndaj liderëve të tyre. Konsiderohet se Serbia është përballur me më së shumti probleme sa i përket bashkëpunimit me TPNJ-në, ndërsa Kosova ka mbajtur një qëndrim dhe një qasje shumë pozitive ndaj tribunalit deri sa u lëshuan aktakuzat e para për “heronjtë” kombëtarë.

Por tribunali arriti suksese të mëdha, veçanërisht sa i përket trajtimit të viktimave. Përgjatë viteve, TPNJ-ja ka pritur më shumë se 4,600 dëshmitarë në foltoret e tij dhe ka shqyrtuar më shumë se 2.5 milionë dokumente. Shumë viktima që dolën si dëshmitarë në gjykatë, përveç që kishin mundësi për ta shprehur vetën, kishin mundësi edhe për njohje të dhimbjes dhe përvojave të tyre. Kjo gjykatë ka bërë më së shumti për viktimat e konflikteve jugosllave.

Eric Stover, drejtor i fakultetit të qendrës për të drejtat e njeriut dhe profesor asistent i juridikut në UC Berkeley, zhvilloi një anketë me viktimat e krimeve të luftës të cilët ishin paraqitur si dëshmitarë në gjykime të TPNJ-së. Ai erdhi në përfundim se viktimat më së shumti ishin ndier të ngushëlluara gjatë përballjes me autorët e krimit, kur i kanë parë të poshtëruar në gjykatë, më shumë se kur kanë mësuar më vonë për dënimet e shqiptuara.

Radislav Krstiq (IT-98-33)

Gjykimi i parë i TPNJ-së që lidhi përdhunimet me spastrimin etnik.

AKTAKUZAT: Fillestare: 2 nëntor, 1998 / Operacionale: 27 tetor, 1999

AKUZAT: Gjenocid (bashkëfajësi në kryerje të gjenocidit); Krime kundër njerëzimit (shfarosje, vrasje, persekutime, internim, veprime jonjerëzore - transferim me forcë); Shkelje e ligjeve apo zakoneve të luftës (shfrytëzim i armëve helmuese apo armëve tjera të kalkuluara për të shkaktuar vuajtje të panevojshme; shkatërrim i papërmbajtur u qyteteve, qytezave dhe fshatrave, apo shkretim i pajustifikuar nga nevojat ushtarake; sulme apo bombardim, me çfarëdo mjete, të qytezave, fshatrave, shtëpive dhe banesave të pambrojtura; pushtim, shkatërrim apo dëmtim i paramenduar i institucioneve të përkushtuara për religjion, bamirësi dhe arsim, arte dhe shkencë, monumente historike dhe punime artistike dhe shkencore; vrasje)

VENDIMI: 35 vite burgim (i shqiptuar më 19 prill, 2004)

(Burim i informatave: TPNJ)

Pra, në shumë mënyra TPNJ-ja ka arritur një moment historik duke u dhënë viktimave mundësi për t’u shprehur, por kuptohet se vetëm disa prej tyre kanë pasur mundësi të dalin në gjykatë për shkak të numrit të rasteve të trajtuara nga TPNJ-ja.

TPNJ-ja ka arritur momente të tjera të ndryshme historike, duke vendosur për fakte, duke kërkuar llogari nga disa liderë të caktuar dhe duke i ndihmuar zhvillimit të ligjit ndërkombëtar.

Megjithatë, ky tribunal e ka humbur mundësinë ta shtrijë me sukses trashëgiminë dhe përvojën te jurisdiksionet vendore. Por nuk është shumë vonë që disa gjykata vendore, si për shembull ato në Kosovë, të pervetesojne disa elemente të praktikës së TPNJ-së për trajtim të viktimave.

Kjo është mundësia e fundit që gjykatat e Kosovës të mësojnë nga praktikat e mira tash kur po vazhdojnë t’i adresojnë dhe t’i gjykojnë rastet e krimeve të luftës. Sepse, ndonëse mandati i TPNJ-së është kryer, kërkimi për drejtësi vazhdon.

Shifrat e TPNJ-së

Sipas shifrave zyrtare të TPNJ-së, kanë përfunduar procedurat për 161 persona të akuzuar, prej të cilëve 90 janë dënuar.
Prej të dënuarve:

- 7 po presin transferim jashtë vendit
- 16 janë transferuar
- 56 i kanë kryer dënimet
- 9 kanë vdekur pas gjykimit ose janë duke i kryer dënimet
- 2 janë raste të apelit që pritet të kryhen nga MTPN-ja.

Prej atyre që janë gjykuar por nuk janë dënuar:

- 19 janë gjetur të pafajshëm
- 13 kanë kaluar në jurisdiksione vendore
- 20 aktakuza janë tërhequr
- 10 janë raportuar të vdekur para transferimit në Tribunal
- 7 kanë vdekur pas transferimit në Tribunal
- 2 do t’u nënshtrohen rigjykimeve nga MTPN-ja

(Burimi i informatave: TPNJ)

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO