Në thelb | Aktivizmi

Përkujtimoret që mungojnë

Nga - 27.07.2018

Vazhdojnë përpjekjet për t’i kujtuar civilët e vrarë në Serbi, Kroaci dhe BIH.

Njëzet e shtatë vjet kanë kaluar prej fillimit të luftërave në shtetet që u themeluan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërsa kanë kaluar 19 vite prej kur ranë viktimat e para civile në këto territore. Sipas të dhënave nga hulumtimet e kryera nga Documenta Center for Dealing With the Past (Documenta Qendra për Ballafaqim Me të Kaluarën) – e bazuar në Zagreb – 130,000 njerëz u vranë gjatë luftërave të viteve të 90-a, ndërsa 12,000 janë ende të zhdukur. Në luftën e fundit në rajon, në Kosovë, 13,525 njerëz humbën ose u vranë sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Ndonëse shumë përkujtimore janë ndërtuar për t’i kujtuar ushtarët që u vranë në këto luftëra, vetëm disa janë ngritur për gjithë ata civilë të vrarë. Megjithatë, disa grupe të aktivistëve në rajon kanë bërë përpjekje për të mos e lënë të harrohen emrat e civilëve të vrarë. Shpeshherë kanë bashkëpunuar, për të mos e pranuar një realitet të tillë.

Pjesërisht falë këtyre aktivistëve, tani ekzistojnë disa vende të shënuara të viktimave civile në rajon, përfshirë këtu Prepolin, Vukovarin, Srebrenicën, Sarajevën, Mokro Poljen, Varivoden, Goshiçin, Golubacin, Beogradin… Megjithatë, para pothuajse të gjitha këtyre ndërtimeve kishte beteja me autoritetet, dhe beteja të tilla për përmendore ende janë duke u luftuar në rajon.

Fshehtësi shtetërore

Në fillim të prillit të vitit 1999, në sipërfaqen e Danubit, afër fshatit Tekija në afërsi të kufirit serb me Rumaninë, u paraqit një konteiner i një kamioni, ku u zbulua se ishte i mbushur me kufoma. Ajo që ndodhi më pas u mbajt si fshehtësi shtetërore për më shumë se dy vite, deri kur një grup punues i Ministrisë së Brendshme të Serbisë i publikoi rezultatet e një hetimi në maj 2001.

Nëpërmjet hetimeve u gjet se Ministri i Brendshëm dhe kreu i Departamentit për Siguri Publike në atë kohë, Vlastimir Dordević, i udhëzoi zyrtarët lokal t’i fshehin trupat nga publiku dhe t’i varrosin diku rreth qytezës së Kladovos në Serbinë lindore. Kur ishte e qartë se ky operacion do të dështonte për shkak të mungesës së burimeve, Dordević arranzhoi transferimin e trupave në një operacion që morri kod emrin ‘Depth Two’ (Thellësia Dy), të cilin e shpalli fshehtësi shtetërore.

Kufomat, të cilat më vonë u zbuluan të ishin të një masakrës në jug të Kosovës, u transferuan në periferi të Beogradit. Ato përfunduan në një komunitet të vogël urban të quajtur “13 Maji”, në mes të Zemunit dhe Batajnicës, ku ndodhej një qendër e trajnimit e Njësisë Speciale të Terrorizmit të Ministrisë së Brendshme.

Për gati dy vite, banorët e Batajnicës nuk kishin ide që jetojnë aq afër këtyre varrezave masive të fshehta, ndërsa qendra e trajnimit në atë lokacion vazhdon të funksionojë.

Pas u publikuan gjetjet e hetimit, filluan disa procese të zhvarrosjes në qendër. Deri më sot janë zbuluar trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë këtu gra dhe fëmijë. Për gati dy vite, banorët e Batajnicës nuk kishin ide që jetojnë aq afër këtyre varrezave masive të fshehta, ndërsa qendra e trajnimit në atë lokacion vazhdon të funksionojë.

Në vitin 2011, si pjesë e vendimit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Jugosllavi për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, Dordević u shpall i fajshëm për rolin kyç të tij në përpjekjet për ta fshehur vrasjen e shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet varrimeve të fshehta në varreza masive në tokën që i përket Ministrisë së Brendshme, veçanërisht në Batajnicë. Ai u dënua me 18 vite burg.

Fondi për të Drejtën Ndërkombëtare nisi përpjekjet për ta përkujtuar lokacionin në Batajnicë, me shpresë që përhapja e së vërtetës për krimet e së kaluarës do t’i parandalojë krimet e tilla në të ardhmen. Foto nga Batajnica Memorial Initiative.

 

Nisma për ta shënuar Batajnicën si vend të vuajtjes u themelua dhe drejtua nga Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë që i ka dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut prej vitit 1992, por sipas zhvillimeve të deritanishme, nuk ka shumë mundësi se do të shënohet ky vend. Synimi i nismës është të themelohet një qendër përkujtimore në vendin ku janë hedhur në varreza masive trupat e vrarë.

Megjithatë, ky nuk është vendi i vetëm në Serbi që mbanë kujtime të civilëve të vrarë, pa ndonjë shenjë të pranishme që shënon ndodhinë. Të pashënuara janë edhe vendet ku ishin të vendosura kampet me kroatë të burgosur, si ato në Sremska Mitrovica, Stajićevo, Begejci, Nish dhe Beograd. Njëlloj nuk ka shenja as në kampet në Šljivovica dhe Mitrovo Polje, të cilat mbanin boshnjakë nga Srebrenica dhe Žepa.

Marko Milosavljević nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), një rrjet i organizatave joqeveritare nga rajoni që ka funksionuar prej vitit 2003 dhe fokusohet në procesin e demokratizimit shoqëror nëpërmjet ballafaqimit me të kaluarën, tha për K2.0 se ai mendon që kultura përkujtimore nuk është përfshirëse. “Shteti ka obligim t’i referohet të kaluarës në mënyrë të ndërgjegjshme”, shtoi ai.

Dhembshuri për familjen Zec

Më 8 dhjetor, 1991, një kasap i pasur me emrin Mihajlo Zec u vra deri sa po bënte përpjekje për t’u arratisur nga shtëpia e familjes së tij në lagjen Trešnjevka në Zagreb. Persona të armatosur hynë në shtëpinë e tij rreth orës 11 të natës dhe i rrëmbyen bashkëshorten e tij Marijën dhe të bijën e tij Aleksandrën, para se t’i çonin në barakat malore Adolfovac në Sljeme, ku i vranë edhe ato.

Pak pasi policia i gjeti trupat, katër anëtarë të rezervave të policisë kroate u arrestuan. Tomislav Marčep, komandanti i njësisë së tyre, më vonë u shpall i fajshëm për disa krime të luftës të kryera në Kroaci gjatë luftës, përfshirë këtu fajësinë e tij për vrasjen e familjes Zec. Në vitin 2016, Marčep u dënua me shtatë vite burgim për mosparandalim të kryerjes së këtyre krimeve.

Gjykimi që i përfshinte katër burrat e arrestuar në fund u mbyll për shkak të gabimeve procedurale, për shkak se rrëfimet e të pandehurve u shpërfillën për faktin se nuk ishte i pranishëm një avokat kur ato u shprehën nga të akuzuarit. Në fund, në vitin 2004, shteti kroat pagoi kompensim për dy fëmijët e mbijetuar të familjes Zec.

Një familje tjetër tani jeton në vendin ku jetonte familja Zec, po në vitin 2014, YIHR Croatia kërkoi që emri i familjes Zec t’i ipet një parkut në qytet. Ky projekt ende nuk është zbatuar.

Vesna Trešelić, drejtoresha e Documenta Center for Dealing ëith the Past, tha për K2.0 se krimi kundër familjes Zec ishte një ndër krimet më të mbuluara në mediat kroate. “Ishte krim për të cilin u mësua herët”, tha ajo. “E tërhoqi vëmendjen sepse ishte i përfshirë një fëmijë. Dhembshuria mbizotëron, si dhe turpi”.

Një familje tjetër tani jeton në vendin ku jetonte familja Zec, po në vitin 2014, YIHR Croatia kërkoi që emri i familjes Zec t’i ipet një parkut në qytet. Ky projekt ende nuk është zbatuar.

“Unë besoj se ky është reflektim i situatës në Kroaci, ku vetëm një rrëfenjë e luftës është e pranishme dhe e shkruar në Deklaratën e Luftës për Mëmëdheun”, deklaroi Teršelić. Nisma e të Rinjve e ka përshkruar këtë Deklaratë si një dokument “që nuk është i bazuar në të vërtetën”, dhe që “e monopolizon dhe parandalon fjalën e lirë publike për luftërat e nëntëdhjetave, dhe i mbyll hapësirat për analizë, hulumtime dhe diskutime të bazuara në fakte të vërtetuara”.

“Gjithnjë më shumë kjo deklaratë po përdoret si mjet për ngushtimin e diskutimit për ngjarjet e periudhës 1991-1995 – e kjo hapësirë është reduktuar gjithnjë më shumë”, tha Teršelić për K2.0.

Përmendore të përkohshme

Më 31 maj, 1992, nëpërmjet Prijedor Radio u bë një thirrje: “Qytetarë të kombësisë serbe, bashkojuni ushtrisë dhe policisë suaj në ndjekje të ekstremistëve. Qytetarët e tjerë të kombësive muslimane dhe kroate duhet të varin flamuj të bardhë në apartamentet dhe shtëpitë e tyre, dhe të mbajnë në krah shirita të bardhë. Përndryshe do të vuajnë pasoja të rënda”.

Ata që dolën me shirita të bardhë u çuan në kampet e ngritura në afërsi nga forcat nën komandën e presidentit të atëhershëm të Republikës Serbe të Bosnjes dhe Hercegovinës, kriminelit të dënuar të luftës, Radovan Karadžić. Për vetëm dy muaj pas kësaj deklarate, 3176 banorë të Prijedor – kryesisht civilë – humbën ose u vranë.

Prej atyre të vrarë në Prijedor gjatë luftës, 102 ishin fëmijë. Më i riu ishte Velid Softić, një fëmijë dy muajsh.

Sot në këtë qytet janë disa përmendore që i nderojnë luftëtarët serbë, por asnjë nuk i përkushtohet viktimave civile të luftës, përfshirë këtu fëmijët e vrarë. Në vitin 2013, një grup i qytetarëve nisi ta shënonte ‘Ditën e Shiritit të Bardhë’ më 31 maj. Në këtë ditë, njerëzit dalin dhe ecin nëpër qytet me shirita të bardhë në krah, për t’i kujtuar ata që u vranë në vitin 1992.

Kjo protestë është përsëritur çdo vit në pesë vitet që kanë kaluar, dhe çdo vit marshi përfundon duke ngritur përmendore të përkohshme në qendër të qytetit për t’i kujtuar fëmijët e vrarë. Ato qëndrojnë aty deri në mesnatë, para se të zhduken, deri në vitin e ardhshëm kur vjen përsëri Dita e Shiritit të Bardhë. Përveç përmendoreve, ata që marrin pjesë në këto formë të përkujtimit i shtrijnë 102 trëndafilë të bardhë, secili prej të cilëve ka brenda njërin nga emrat e fëmijëve të vrarë.

Aktivistët në Prijedor shpresojnë se një ditë përmendoreve të përkohshme që krijohen dhe vendosen në ‘Ditën e Shiritit të Bardhë’ do t’i bashkohet një përmendore e përhershme për fëmijët e vrarë në luftën e viteve të 90-a. Foto: Nidzara Ahmetasevic.

Në vitin 2014, një vit pas protestës së parë, u themelua një nismë për ta ngritur një përmendore të përhershme për të gjithë fëmijët e vrarë në Prijedor, pa marrë parasysh etninë e tyre, por ky synim nuk është arritur ende.

Goran Zorić, një nga bashkëthemeluesit e lëvizjes, tha për K2.0 se nisma filloi me mbledhjen e nënshkrimeve, para se t’i drejtohej autoriteteve lokale. “Në vitin 2014, nisma iu dorëzua Këshillit të Qytetit, i cili ka afat ligjor dy muajsh për të reaguar ndaj peticionit”, shpjegoi Zorić. “Në rastin tonë, nisma mbeti në sirtar për një vit e gjysmë para se të kishte zhvillime të mëtejme”.

Deri më sot, Këshilli i Qytetit nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin në lidhje me nismën. “Vitin e kaluar [2017], ne morrëm një përgjigje që askush nuk është kundër përmendores, por se Këshilli i Qytetit nuk do të fillojë ta ndryshojë planin e qytetit, që në mënyrë efektive do të thotë se nuk mund ta ngrisim përmendoren”, deklaroi Zorić. “Në fakt, Kuvendi bën gjithçka që mundet për të mos e ngritur përmendoren”.

“Unë personalisht mendoj se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë asgjë kundër kësaj përmendoreje, por nuk janë të gatshëm ta thonë publikisht.”

Goran Zorić, Aktivist nga Prijedor

Më herët gjatë vitit, kryetari i Prijedor propozoi të ngritej një përmendore që i përkujton të gjithë fëmijët nga Prijedori që janë vrarë në shekullin e 20-të. Megjithatë, prindërit e fëmijëve, të cilët u vranë në luftërat e viteve të 90-a e shpallën këtë propozim si të papranueshëm, pjesërisht për shkak se kjo përmendore nuk do t’i përfshinte emrat e fëmijëve të vrarë, por gjithashtu për shkak të faktit se ajo nuk do t’i shënonte në mënyrë specifike ndodhitë e luftës boshnjake në vitet e 90-a.

“Kanë bërë gjithashtu sugjerime për ta ndërtuar një përmendore në ndonjë zonë më periferike, për ta vendosur në një fshat ku nuk e sheh askush – që është e papranueshme”, shtoi Zorić. “Unë personalisht mendoj se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë asgjë kundër kësaj përmendoreje, por nuk janë të gatshëm ta thonë publikisht”.

Ndryshe nga përmendorja e propozuar për fëmijët e vrarë, për të cilën kërkohen disa leje dhe autorizime, ai i ngritur për luftëtarët e rënë të Ushtrisë së Republika Srpska, në të cilin janë të shënuar emrat e luftëtarëve dhe i cili gjindet në qendër të Prijedorit, u ndërtua pa leje ndërtimi. “Kurdo që pyesnim për të, na thonin se procesi i legalizimit ishte nisur”, deklaroi Zorić.

Komisioni për të Vërtetën

Për disa vite, Fondi për të Drejtën Humanitare (HLC), bashkë me një grup të organizatave të tjera rajonale, ka avokuar për themelimin e një Komisioni Rajonal për të Vërtetën. Ky Komision do të merrej me vërtetimin e fakteve për luftërat e viteve të 90-a, dhe nismëtarët e tij shpresojnë që përfundimet e nxjerra prej tij do të krijonin hapësirë të re për diskutim dhe përkujtim.

Bazë për strukturën faktike do të ishin vendimet gjyqësore të Tribunalit të Hagës dhe sistemeve gjyqësore të shteteve përkatëse, si dhe gjetjet e organizatave të shoqërisë civile në lidhje me numrin e viktimave. Nemanja Stjepanović nga HLC beson se një paqe e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm në bazë të një konsensunsi rajonal – që është të paktën minimal – në lidhje me ndodhitë e së kaluarës – ky do të ishte synimi i këtij komisioni. Përkujtimi është pjesë e atij procesi.

“Për të ndodhur pajtimi, është e domosdoshme të përballemi me të kaluarën në mënyrë të sinqertë, dhe t’i kuptojmë gabimet e bëra në emër të popujve të ndryshëm në rajon”, tha Stjepanović për K2.0. “Duhet t’i refuzojmë idetë për Serbinë e Madhe, Kroacinë e Madhe… të gjitha të mëdhajat, dhe ta kuptojmë se të gjithë jemi të vegjël, dhe se vazhdimësia e konflikteve reciproke do të na çojë deri në zhdukje”.K

Foto kryesore nga nisma Jer me se tiče.