Shtyp | Vitet ’90

Jetët paralele të sorrave

Nga - 26.04.2016

Segregimi i sorrave pasqyroi edhe atë të njerëzve në Gjilanin e viteve '90.

Babai im ishte shpërngulur në Gjilan nga një fshat malor i qytezës së Kamenicës, pothuajse para gjysmë shekulli. Atëbotë unë nuk isha i lindur. Lagjja ku ai shkoi për të jetuar dhe në të cilën unë u linda gjatë viteve ’80-’90, tani quhet “Dardania 1”. Më parë quhej “Gavran”, meqë në gjuhën serbe kështu i thonë korbit. Emërtim i përshtatshëm, sepse këta zogj jetonin me ne. Lagjja jonë ishte ekosistemi i tyre.            

Përtej rrugës sonë, shtriheshin shumë fusha e livadhe të gjera e të lira për shpezë e kafshë tjera. Ato shfrytëzoheshin për mbjellje misri, si fusha futbolli, apo edhe për dashuri të çifteve kur rritej bari dhe fshiheshin për të mos i parë askush; si zëvendësim i hoteleve e bujtinave të sotme.
Kishte shumë emra për këta zogj të zinj që jetonin rreth nesh: korba, çafka, sorra. Sorrave me fletëza të bardha, që grumbulloheshin më shpesh afër moçalit të vockël pranë fshatit serb Koretishtë në anën tjetër të fushave, fëmijët u jepnin përkatësi etnike si “sorra të shkive” (‘shka’ është term nënçmues i përdorur nga shqiptarët për serbët). Në disa fshatra tjera të Gjilanit e të Kamenicës kishte zogj tjerë të vegjël që i quanim “vremça”. Edhe këta i kategorizonim; ata që kishin tufë qimesh mbi kokë i identifikonim si “vremça serbë”, ndërsa ata të shqiptarëve ishin “vremçat pa kaçketa”.

Këso mënyre, segregacioni ndëretnik dhe jeta paralele e viteve ’90 përfshiu edhe ndarjen e shpezëve: në të shqiptarëve e në të serbëve. Te kjo ndarje e shpezëve dalloheshin alegoritë për suprimimin e autonomisë së Kosovës, diskriminimi kundër shqiptarëve dhe jeta e tyre paralele dhe hakmarrja ndaj serbëve. Mund të dallohej secili narracion i ashpër.

Ishte edhe një tregim ornitologjik që e tregonin të rriturit në vitet ’90. Fjalët u përhapen se si serbët i kishin sjellë nga Serbia sorra të mëdha, me sqepa të fortë, të cilat na i sulmonin kokrrat e misrit. Sipas këtij tregimi, që qarkullonte shumë mes njerzëve në rajon, disa shqiptarë kishin parë te bunari i Përlepnicës, fshat i Gjilanit, një autobus të ardhur nga Beogradi me tabela regjistrimi të Beogradit. Serbët thuhej se i kishin lëshuar sorrat me qëllim të dëmtimit të të mbjellave bujqësore të shqiptarëve. Njerëzit e besuan këtë tregim. Ne kurrë nuk i kishim parë këto sorra të mëdha para të 90-ave.

Këso mënyre, segregacioni ndëretnik dhe jeta paralele e viteve ’90 përfshiu edhe ndarjen e shpezëve: në të shqiptarëve e në të serbëve. Te kjo ndarje e shpezëve dalloheshin alegoritë për suprimimin e autonomisë së Kosovës, diskriminimi kundër shqiptarëve dhe jeta e tyre paralele dhe hakmarrja ndaj serbëve. Mund të dallohej secili narracion i ashpër.

Një qytet i ndarë

Edhe pse jeta e shqiptarëve brenda Jugosllavisë u përmirësua në vitet ’70, në Gjilan ende vërehej një dëshirë për distancë sociale. Shqiptarët që vinin për të jetuar në këtë qytet gjithmonë dukej se kërkonin lagje me shumicë shqiptare. Lagjja jonë filloi të dominohej prej të ardhurëve nga fshatrat e Kamenicës, e Luginës së Preshevës e Bujanocit. Serbët i quanin ata që i blenin këto toka “šiptarska buržoazija” (borgjezia shqiptare – “šiptar” është term nënçmues i përdorur nga serbët për shqiptarët) dhe lagjjen tonë e quanin “mala Tirana” (Tirana e vogël).

Deri në fund të viteve 80, distanca u shndërrua në mosbesim dhe marrëdhëniet u acaruan edhe më tej. Nuk e përshëndetnim më njëri tjetrin; sa herë kalonim në lagjet e huaja, iknim me shpejtësi dhe i evitonim ato rrugë sa herë që ishte e mundshme. Nuk i blenim produktet e njëri tjetrit. Shqiptarët që bënin tregti me serbë i etiketonim si ‘spiunë’ ose ‘tradhtarë’.

Gjatë viteve ‘90, raportet ndërmjet lagjes sonë të shqiptarëve me serbët vareshin direkt nga diktimi i politikës. Të vetmet kontakte që kishim me serbët e Koretishtës ishin në formë të ndeshjeve të futbollit, ndërmjet neve dhe disa serbëve të rinj barinj, të cilët kullosnin derrat e tyre në fushë. Ishte edhe Pera, një serb rreth moshës 60 vjeçare, i cili furnizonte  me qumësht lope disa familje shqiptare të kësaj lagjeje. Zakonisht e shihnim me një biçikletë, duke dërguar qumësht te myshteritë e tij disa herë në javë.

Avni Rudaku, pictured in the fields on the outskirts of Gjilan that separated the city from the nearby serb village of Koretishta. Photo courtesy of Avni Rudaku

Avni Rudaku, i fotografur në fushat e periferisë së Gjilanit, zonë kjo që ndante qytetin me një fshat të afërt serb, të quajtur Korishtë. Fotografia nga arkiva e Avni Rudakut.

Edhe në qendër të qytetit filloi ndarja. Tradicionalisht, të rinjtë e qytetit dilnin për të shëtitur në mbrëmje në rrugët afër kinemasë dhe teatrit. Në vitet ’80, këto rrugë i përkisnin të gjithë qytetit, shqiptarëve, serbëve, romëve e të tjerëve. Por me fillimin e viteve ’90, filloi edhe faza e parë e segregacionit ndëretnik. Serbët ecnin në rrugën afër teatrit, dhe kalonin kohë në shesh, kohë pas kohe duke u puthur në publik, gjë që  i mahniste shqiptarët. Shqiptarët ecnin në një rrugë pak më larg.

Pastaj filloi faza e dytë e segregacionit. që na ndau plotësisht nga jeta e përbashkët. U hapën kafenetë e para si “Legjenda” dhe “Shpella” në lagjen time në periferi të qytetit. Pak kush e kujton sot se kjo lagje me aq shumë kafene edhe në ditët e sotme është prodhim i segregacionit të viteve ’90. Një imitim i shetitores së qendrës së qytetit u krijua në “Gavrani 1” për shetitje në mbrëmje. E kompletoi ndarjen simbolike etnike të qytetit. Shqiptarët braktisën qendrën multietnike të qytetit, për periferinë mono-etnike, shqiptare. Serbët e romët mbetën në qendër.

Sa mallkimet, etiketimet e linçimet merrnin fëmijët e tillë, si “spiunë e tradhtarë”. Sidoqoftë, e vërteta ishte se “fëmijët spiunë” lëndoheshin emocionalisht nga bashkëmoshatarët.

Jeta si fëmijë në “Gavrani 1”
Numri i veturave të policisë që frekuentonin “Gavranin 1” dukej që shpeshtohej gjithnjë e më shumë, sa herë që luanim klikera jashtë. Sa herë vinte policia, apo sa herë dikush e shihte policinë, iknim si prej lugetërve duke bërtitur “Milicia, milicia”. Askush nuk dëshironte të ishte prezent aty, kur policia serbe pyeste se ku e ka shtëpinë filan fisteku.

Ne nuk donim t’u tregonim asgjë për askënd. Jo vetëm pse akuzonim njëri-tjetrin siç bëjnë fëmijët, por edhe merrnim mësime nga më të rriturit në familje se nuk është mirë të jesh spiun. Policia nuk është që nuk e dinte se ku ishte shtëpia e filan fistekut, ose që nuk mund ta akuzonin atë për armëmbajtje pa leje apo ndonjë akuzë tjetër të “veprimtarisë armiqësore”.

Ata pyesnin sepse kishte një plan: për të prishur kohezionin social dhe qytetar brenda banorëve të lagjeve shqiptare. Fatkeqësisht, funksionoi. Sa mallkimet, etiketimet e linçimet merrnin fëmijët e tillë, si “spiunë e tradhtarë”. Sidoqoftë, e vërteta ishte se “fëmijët spiunë” lëndoheshin emocionalisht nga bashkëmoshatarët.

Kishte edhe njerëz që keqpërdornin panikun dhe terrorin e asaj kohe. Ata bërtisnin “Milicia, milicia”, pa ardhur fare vetura kaltër-bardhë e policisë, vetëm për t’i mbledhur klikerat e braktisur pasi iknin të gjithë. Pastaj plaste sherri dhe akuzimet në të gjitha anët. Secili pretendonte të ishte i pafajshëm, por duke mos spiunuar të tjerët, edhe nëse e dinin se kush i mori.

Me ne nuk luanin vetëm bashkëmoshatarët, por edhe të rriturit, madje edhe ata që ishin 20 vjet më të vjetër. Shumë prej tyre ishin larguar nga puna dhe donin ta vrisnin disi kohën e lirë. Këta që luanin me ne ishin të ngjashëm me shumë të papunësuar sot në kafenetë e shumta të qytetit, kultin më të përhapur në mes nesh. Bota e fëmijëve dhe bota e të rriturve ishte më shumë e ndarë në familjet tona, ku të vegjëlit dhe gratë i kishin hapësirat e tyre të ndara dhe nuk pyteshin për shumë tema.

Pasi të përfundonin lojërat, shkonim në livadhe ku kishim gara masturbimi. Merrnim disa revista, zakonisht në njërën nga gjuhët sllave, dhe çmendeshim me to. Ato ishin zëvendësimi jonë me internetin. Këto revista i merrnim nga çiftet të cilët vinin të bënin dashuri në livadhe. Sa herë shkonim me plot fëmijë të tjerë t’i shikonim me kurreshtje se si putheshin, sikur bëjnë vujaristët sot. Në ditët kur bari ishte i rritur dhe i pakositur, ne mund të vështronim prej së afërmi. Kur çiftet shihnin se ishim vetëm fëmijë, e kishin të lehtë dhe na thërrisnin: “Ejani, merrni pak çokolladë!”

Akoma nuk e kuptoj se si këto çifte të rriturish harronin revistat e tyre, por duke bërë këtë ata merrnin bekimin e krejt fëmijëve të lagjes. Por, revistat pastaj bëheshin problem: kush t’i mbante ato revista në shtëpi? Vendosnim t’i mbanim radhazi; njëri disa ditë, apo një javë, e kështu me radhë. Ndonjëherë prishej rendi, por armiqësia pushonte kur gjenim revista të reja së bashku, apo në rast kur prindërit do të na qortonin apo rrihnin ashpër, po t’i gjenin në shtëpitë tona. Ishim tamam si haverat në plaçkitje, të cilët janë shokë shumë të mirë sepse e ndajnë plaçkën në mënyrë të barabartë.

E mbaj në mend edhe kur bashkëmoshatarët serbë vinin të luanin futboll. Kishte shumë dilema: Të luanim apo jo me ta? Nëse do të luanim, çka do të ndodhte nëse do të fitonim? A mund të hakmerreshin vetëm se ishin serbë, të cilët kishin policinë e tyre dhe pushtetin? Disa nga ne e kishim mendimin se nuk duhet shkaktuar shumë ‘faulla’, përndryshe, mund të na akuzonin apo diçka të ngjashme. Kishim shumë frikë, por asgjë nuk ndodhte. Luanim, kënaqeshim e qeshnim shumë teksa përshkruanim njëri-tjetrin duke luajtur me frikë. Sa herë gjuanim topin në gol, ishte njëfarë frike për të qenë protagonist të fitores, që nuk ishim të sigurtë se e donim.

Ndarjet vazhdojnë

Jemi në vitin 2016. Jeta paralele vazhdon në komunat me shumicë shqiptare dhe komunat me shumicë serbe. Qendra e Gjilanit tashmë është krejtësisht shqiptare. Ka kafeteri pranë Teatrit të Qytetit, të frekuentuara kryesisht nga aktorët, zyrtarët e komunës dhe qytetarët që presin ndonjë dokument në administratën publike. Sidoqoftë, përballë teatrit, nuk ka si dikur korzo për shoqërim të të rinjve e të rriturve. Nuk ka jetë së natës, siç ishte dikur në vitet ’80 e ’90.

Qyteti është sot me pak serbë, ndoshta nuk janë as 100 banorë. Thuhej se kishte deri në 18 mijë. Por e sigurtë mbetet se ka pasur shumë më shumë serbë sesa sot brenda qytetit. Qyteti i Gjilanit është spastruar nga serbët, ndonëse jo me ndonjë dokument të shkruar, por pas luftës së fundit. Derisa refugjatët shqiptarë ktheheshin në qytetin e çliruar nga forcat e NATO-s, serbët ikën në drejtim të veriut. Shumë shtëpi serbe kanë mbetur krejt të shkreta, disa janë shitur, disa janë të djegura, disa janë të rindërtuara. Disa serbë civilë patën marrë armë në dorë dhe kontrollonin veturat në qendër të qytetit gjatë luftës. Sot ata frikësohen të kthehen, disa për shkak të krimeve të supozuara të luftës, disa tjerë për shkak të frikës dhe hakmarrjes.

Akoma i shoh disa serbë të moshuar në qytet, zakonisht në tregun e mbyllur në një rrugë të “Varoshit”. Bashkëmoshatarët e mi i shoh të mbyllur në fshatin me serbë, Koretishtë. Kurrë nuk dalim për kafe në kafeteritë e qytetit, ku mund ta njohim njëri-tjetrin, apo thjesht të ndajmë një hapësirë të përbashkët.

Na duhet edhe shumë kohë për të zhdukur të gjitha mbetjet e viteve ’90. Sorrat e zeza janë zhdukur krejtësisht nga numri i shtuar i shtëpive shqiptare në livadhet e dikurshme. Lagjja ime gati sa nuk është ngjitur me fshatin Koretishtë. Nuk bëjmë më ndarjen e shpendëve në vija etnike; tani kemi tregun e ndarë të tregtarëve të moshuar serbë në lagjen e tyre në “Varosh”. Është afër teatrit dhe Tregut të Gjelbërt, që ekskluzivisht përdoret vetëm nga tregtarët shqiptarë. E urrej secilën ngjashmëri të sotme me vitet ’90, sado kozmetike qofshin këto paralelizma.

Plani i Ahtisaarit dhe decentralizimi i pushtetit përmes vijave etnike në Kosovë nuk bëri asgjë për të ndihmuar ndarjet në qytet. Vetëm vazhdoi një jetë me getot etnike, ku secili ndihet i vetmjaftueshëm në komunat e tyre monoetnike. Jeta paralele e viteve ’90 vazhdon gati njësoj. Do të doja ta shihja një qytet të ndërvarësisë, të integrimit dhe ndërveprimit. Dua të shoh pranim dhe integrim, në vend të tolerancës. Na duhet shumë më shumë kohë për ta lehtësuar dhimbjen e së kaluarës dhe për t’i larguar mendësitë e vjetra, por nuk dua të shoh më ndarje të sorrave shqiptare e serbe në qytetin tim. Jemi njëlloj. Kemi një kërkesë universale: duam të jemi të lumtur. Është kaq e thjeshtë.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO