Shtyp | Migrimi

Muret që nuk mund të shemben

Nga - 26.09.2014

Edhe pas një mileniumi dhembjeje, ne njerëzit nuk mund të jetojmë pa barriera.

Dje u shënua 25 vjetori i shkatërrimit të murit të Berlinit. Qytetarët e kryeqytetit gjerman lëshuan mijëra ballona në ajr mbrëmë si festë simbolike për lirinë që erdhi me shkatërrimin e tullave të betonit të atij muri ndarës. Për të përkujtuar këtë ditë madhështore në histori, kemi publikuar një artikull prej botimit Migrimi të Kosovo 2.0 për pengesat fizike që njerëzit i krijojnë në mes të njëri tjetrit. Për të lexuar më shumë artikuj të revistës, merrni një kopje këtu!

Më 1948, gjyshja ime nga ana e nënës, e cila jetonte në Shkodër, u martua me gjyshin tim nga Tivari i Malit të Zi (atëherë pjesë e Jugosllavisë). Dy javë më vonë, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe jugosllavëve u përkeqësuan dhe kufijtë mes tyre u mbyllën aq fort sa që asnjë njeri i gjallë nuk lejohej të kalonte në anën tjetër. U desh të kalojnë 50 vjet që ajo përsëri ta takojë familjen e saj.

Në Shkodër ka një legjendë që njihet mirë lidhur me ndërtimin e kalasë së qytetit, dhe ka të bëjë me përpjekjet e tre vëllezërve që punonin për t’i ngritur muret. Çdo mëngjes ata do të zbulonin që puna e tyre e një dite më parë është prishur, dhe do t’ia ngulnin sytë grumbullit të gurëve duke e pyetur veten se çka ka mundur të ndodhte një natë më parë. Më në fund, kërkuan një burrë të urtë për ta pyetur për këhsillë, dhe ai u tha që në mënyrë që t’i ndërtonin muret e qëndrueshme, ata duhej ta bënin një flijim. Do të duhej të ishte një nga gratë e tyre, por cila? Ata vendosën që kjo të ishte cilado prej grave që do të vinte të nesërmen e para për t’u sjellur drekën. Natyrisht, vëllau më i madh nuk mundi të rezistojë dhe ia zbuloi planin gruas së tij. Njëjtë veproi dhe vëllau tjetër. Kështu që detyra për të sjellë drekën i mbet Rozafës, gruas së vëllaut më të vogël. Pavarësisht faktit që ajo sapo kishte lindur një djalë të vogël, ajo pranoi të flijohej – të murosej – me një kusht. Ajo kërkoi që syrin e djathtë t’ia linin të zbuluar për ta parë djalin se si rritej, gjirin e djathtë poashtu për ta ushqyer djalin, ndërsa dorën e djathtë për ta mbajtur atë, dhe këmbën e djathtë për ta përkundur.

Arsyetimet se pse ne jemi në gjendje të bëjmë çmos për ta ndarë veten prej të tjerëve, janë të shumëta dhe mund të variojnë nga mbrojtja prej barbarëve apo pushtimeve të ushtrive të ndryshme, e deri te arsyetime nebuloze si ideologjia. Edhe Shkodra dhe Tivari janë qytete që janë rritur nën hijen mbrojtëse të fortesave – kalaja e Scutarit të lashtë, dhe Antibari. Kur gjyshja ime u martua më 1948, muret e kësaj fortese nuk ishin më të pushtuara, ilirët ishin larguar qysh moti, romakët ishin shpartalluar prej kohës, bizanti kishte rënë kohë më parë, venecianët ishin harruar e osmanët ishin veçse të ballkanizuar. Atëherë kur tullat dhe llaçi i mureve nuk arrinin më t’i mbajnë njerëzit larg njëri tjetrit, një lloj tjetër barriere u shpik – një lloj barriere e padukshme dhe e nxitur nga dogma politike.

Asokohe, Shqipëria dhe Jugosllavia kishin hyrë në një trekëndësh dashurie komuniste me Bashkimin Sovjetik. Përmes flirtimeve poltike, ata përpiqeshin ta dëshmonin veten më meritorë për këtë dashnorin e ri. Kjo ishte një aferë aq pasionante sa që për pak nuk kulmoi me një martesë mes këtyre dyve. Sigurisht që kur i treti do t’i bashkangjitet tangos, gjërat nisin të komplikohen, të bëhen më të zjarrta e me të egra. Njerëzit fillojnë t’i humbin kokët. Gjaku nisë të rrjedhë me presion. Dhe pastaj, krejt rastësisht, për shkak se nuk janë dakorduar se kush është komunist më i vërtetë se tjetri, dhe se kush është më i dashuruar në dashnorin Sovjetik se tjetri, marrëdhënia e tyre u prish papritur, duke rezultuar me mbyllje të kufinjëve.

E mbaj mend tek rrija me gjyshen në oborrin e saj në Tivar, nën hijen freskuese, duke u marrë erë portokallëve dhe shegave që kishin lulëzuar, gjersa ajo tregonte rrëfime me mallëngjim, për motrat e vëllezërit që nuk i kishte parë me dekada të tëra. E mbaj mend që shikimi im do të panoramonte nga fytyra e saj, duke vazhduar përtej vijës së drunjëve të oborrit, drejt ullishteve ngjyrë gjelbër të mbyllur në distancë, dhe do të ngjitëj lart te muret e gurit të qytetit të vjetër të Tivarit, dhe me ngadalë do të shkrihej në malin e kaltër të mbyllur Rumia, që rrinte aty sikur për t’ia ruajtur shpinën qytetit.

Para se të mbyllej kufiri, vëllau i gjyshes time vinte shpesh për ta vizituar. Asokohe, ishte udhëtim prej ty orësh me bicikletë, nëpër një terren relativisht malor. Pasi u mbyll kufiri, e gjithë familja e saj mundte vetëm të dërgonte letra. Ajo i mbante ato në një kuti të veçantë. Unë e dija që nuk duhej t’i afrohesha kutisë misterioze, pavarësisht sa shumë doja t’i hulumtoja pullat postale të panjohura, apo zarfët e bardhë me skaje të kuqe e të kaltëra, apo letrat që dukeshin gjysëm të djegura nga mosha e vjetër dhe koha, apo bojën e kaltër që kishte filluar të zbehet dhe të turbullohet (duke e bërë shkrimin mezi të lexueshëm), apo fotografitë e zverdhura të njerëzve që nuk i kisha takuar kurrë e që do të duhej të ishin dajallarët e tezet e nënës time. Në atë kuti kishte shumë pikëtllim, aq shumë sa që e krijonte një barrierë të padukshme që më ndalonte t’i afrohesha. Një mur lotësh? Një rrethojë vetmie? Një pengesë malli e nostalgjie? Çkado që ishte, e bënte të padepërtueshme edhe për fuqite e natyrës sime prej sherri.

Shekuj më vonë, fantazma e Rozafës është kthyer për të na përndjekur të gjithëve. Ajo është reinkarnuar në lotët e gjyshes sime dhe në dhembjen e zemrës së saj që digjet për vendlindjen e saj. Dikush duhej të sakrifikohej për ta mbajtur fortesën ideologjike të ngritur. Melankolia e saj ishte muri në të cilin ajo u muros e gjallë. E vetmja gjë e dukshme aty ishte dora e saj e djathtë që dridhet (për t’i mbajtur letrat), syri i saj i djathtë (për të pikuar lotë për ta njollosur bojën e kaltër në letra), dhe gjoksin e saj (për t’i mbajtur letrat më afër zemrës sepse këmba e saj do të dridhej përderisa humbiste në mendime).

Një qytet prej muresh

Prej kufirit Kosovë – Shqipëri – i njëjti kufi që ishte i pakalueshëm para 50 vitesh – sot mund të mbërrihet deri në Prizren për 15 minuta me veturë. Pasi të kalohen hijet e hedhura nga drurët e gjatë nga të dyja anët e rrugës, paraqitet kalaja e vjetër. Nga maja e kodrës, kalaja e vështron tërë qytetin. Muret e saj, ato mure që ndaluan shumë armiq që donin të futeshin e t’ia zbulonin fshehtësinë e bujarinë që dikur mbante, janë tash duke u shpërbërë nga stresi i vazhdueshëm, luftrat dhe, së fundmi, shpërfillja, që janë luftuar për tre milenume e gjysmë. Përderisa tullat e saj shpërbëhen, ajo e konteplon në heshtje trashëgiminë e ekzistencës së vet. Teksa e vështron arkitekturën kaotike të qytetit, ajo sheh mure më të vogla dhe më pak të përhershme që formojnë një model të thyer në hijet e saj, dhe përnjëherë vetëdijësohet që, gjersa ato shpërndahen poshtë kodrës, si tentakujt e një përbindëshi gjigant, ajo vazhdon ta influencojë arkitekturën poshtë saj.

Prizreni është qytet i mureve. Për ta dëshmuar këtë nuk kam nevojë të shkoj më larg se shtëpia e familjes sime, muret e së cilës e ndajnë ‘territorin’ tonë prej atij të fqinjëve tanë. Meqë muret e kalasë janë efektivë vetëm si porta e saj, u kujdesëm që tonat të jenë të hirta dhe të mbaruara nga metali i trashë që supozoj se do të ishte mospërfillës ndaj sulmeve e goditjeve. Mbi portë qëndron një shenjë e madhe që e reklamon praktikën urologjike të babait tim (që në rast të rrethimit do të ishte jashtëzakonisht e dobishme në ngadalësimin e valës së parë të këmbësorisë). Llogoja në të majtë të mbishkrimit “UROPRIZ” është më shumë si një kreshtë që tregon që kjo fortifikatë i përket Shtëpisë së Veshkës dhe Fëshikëzës së klanit Bytyçi.

Për një shoqëri të bashkësisë që mbahet gjallë nga kontaktet me njerëz, është e mrekullueshme sa shumë energji shpenzohet në aktivitete që e bëjnë krejtësisht të kundërtën. Para se t’i vizitojë fqinjët familja ime, për çaj apo kafe, të gjithë do të duhej të prisnim nënë time para këtyre portave, që ajo të sigurohej se të gjithë dryrët janë të kyçur si duhet. Fustani i saj i lehtë nga pambuku do të dukej i rëndë si mburojë përdersa ajo nxitonte nga njëra dhomë në tjetrën për t’i kyçur dyert si para ndonjë rrethimi. Teksa I zbriste shkallët, aroma e luleve e parfumit të saj do të shpërndahej gjithandej nëpër shtëpi në të njëjtën mënyrë si shpërndahen motivimi, guximi e frika nëpër këmbësori kur ata ballafaqohen me lajmin e afrimit të armikut. Ajo do t’i rrotullonte çelësat dhe me çdo kërcitje të tyre, stofi i realitetit do të turbullohej, duke e shkrirë makiazhin e saj me buzëkuq, ajllajner të zi dhe faqe të skuqura në një lloj ngjyrosjeje të luftës. Vonesa prej pesë minutash nuk ishte asgjë në krahasim me përfitimet që vinin nga sigurimi që fortesa do të jetë e padepërtueshme gjatë kohës që ne do të ishim diku për mysafirë.

Por, në fakt, kush ishin armiqtë? Hajnat? Nuk ngjante ashtu. Në të djathtë të shtëpisë sonë fortesë, jetonte axha im. Tre djemtë e tij i ndërronin profesionet më shpesh sesa unë që i ndërroja besnikëritë e mia ndaj filmave të animuar, por në fund e gjetën vokacionin e tyre të vërtetë si automekanikë. Sikur Shtëpia e Vajit dhe Yndyrës e klanit të Bytyçëve do ta kishte kreshtën e vet, do të ishte e vështirë të vendosej mes njërës së tre veturave, dhe tjetrës që do të përmbante një çekan, kaçavidë dhe një çelës për vetura (që të trija do të përfaqësonin personalitetet e djemve të axhës tim). Në të majtë, muri i lartë na ndante edhe nga një set tre vëllezërish Bytyçi — kësaj here pa lidhje gjaku, por me mbiemra rastësisht të njëjtë. Meqenëse të gjithë ishin inxhinierë, mund t’u referohemi si Shtëpia e Mekanizmave dhe Avullit.

Instiktet e nënës time ishin motivuar sigurisht nga idea që dikush mund të na e thyente shtëpinë dhe t’i vjedhte të gjitha pajisjet mjekësore për të cilat prindërit e mi kishin punuar me mund e me vite të tëra për t’i mbledhur. Në këtë mënyrë, menjëherë pas luftës në Kosovë (kur rendi shoqëror ishte shembur në një anarki funksionale aq të rëndomtë për vendet pas konfliktit) kur shërbente si kryetare e fortesës Uropriz, ajo vendosi që koha kishte ardhur për ta avansuar sistemin e sigurisë. Sikur romakët që vepruan duke e shtuar nga një rend gurësh të rinj, apo si bizantinët që vepruan duke i ngritur më lartë kullat e tyre, apo ndoshta sikur osmanët që vepruan duke i instaluar topat e tyre të avansuar, edhe nëna ime vendosi që ta ngrisë lartësinë e mureve përreth kopshtit për një gjysëm metri dhe të instalojë grila metalikë në secilën dritare të shtëpisë. Ankesat e motrës time që ajo ndihej thuase jetonte në një burg u shpërfillën si brenga fëminore.

Por nëse muret e avansuara kryenin punë në parandalimin e hajnave të mundshëm, ato nuk arritën ta ndalonin drurin e mushmullës prëj shpërndarjes së degëve të tij përtej fortesës Uropriz, dhe në ‘territorin’ e fqinjëve tanë. (Xhelozoja që pemët tona të pjekura mund të mblidheshin me lehtësi dhe të haheshin në oborrin e Shtëpisë së Mekanizmave dhe Avullit.)

Ashtu si asnjë mur – pavarësisht sa i lartë të ishte – që nuk mund ta ndalonte shpërndarjen e degëve të mushmullës nga oborri ynë, dhe ashtu si degët e drurëve të famljeve nga të dyja anët e kufirit që në nji moment filluan të ndërthuren, edhe struktura e kalasë së Prizrenit, qëllimi i së cilës ishte t’i ndajë njerëzit, tash shërben si pika më romantike në qytet; ky është vendi ku të dashuruarit i hapin portat e zemrave të tyre për ta lejuar njëri tjetrin brenda mureve të jetërave të tyre

Njeriu mund të mendojë që jemi zhvilluar konsiderueshëm që nga koha e e paraardhësve tanë të dhunshëm, por realiteti është që jemi ende të njëjti homo sapiens, të lidhur mirë për të lulëzuar brenda grupeve tona të vogla, duke u kujdesur për të krijuar kohezion përmes urrejtjes të të tjerëve nga jashtë dhe përmes parandalimit të tyre prej qasjes së gjërave që janë të çmueshme brenda, duke ndërtuar mure të larta.

Ndoshta fatkeqësia e Rozafës është disi e rrënjosur në ADN-në tonë, që do të thotë që mund të transmetohet te gjeneratat e ardhshme. Kjo mund ta shpjegojë fatin melankolik të gjyshes sime si dhe obsesionimin e nënës sime me ngritjen e mureve të larta dhe kyçjen e dyerve. Kjo do të thotë që edhe unë kam pak nga gjaku i Rozafës që rrjedh në venat e mia. Unë mund të jem një nga stër-stërnipat e saj, të cilin ajo vazhdon ta vështrojë me njërin sy të lënë jashtë, përmes mureve.

Jetë qeni

Ndoshta edhe unë e bart mallkimin e Rozafës, një mallkin i lashtë i shpërndarë si pluhur yjesh në hapësirë e kohë, teksa tash e ndaj ekzistencën time mes dy kontineteve, dhe ndjej që nuk i përkas asnjërës si duhet. Unë ekzistoj mes kufijve të mbyllur të Kosovës, dhe të pafundësisë të Shteteve të Bashkuara. Vështirë që mund të udhëtoj ndokund me pasaportën time kosovare (në fakt, mund të udhëtoj vetëm në katër shtete), ndërsa vazhdoj ta mashtroj veten se e kundërta është e mundshme duke jetuar në vendin më të hapur të botës (së paku derisa të ketë afat viza ime).

Si një person që e urren burokracinë, ndjej averzion për procesin e aplikmit për vizë. Më duket po aq torturues mentalisht, sa do të ishte edhe elektrifikimi i atyre-pjesëve-të-mia, teksa mbaj në duar grumbullin e dokumenteve që dëshmojnë pedigrenë time kanine.

Sepse me të vërtetë është një jetë qeni kjo ekzistencë e lidhur me litar për shtëpinë e qenit te ambasada më e afërt. Një lexues nga perëndimi mund të mos e kuptojë kontekstin kulturor në të cilin e përdor termin ‘qen’, ndoshta e mbush mendjen e vet me imazhe të lezeçme këlyshësh — por unë nuk po mendoj për ata qenë. Unë mendoj për qentë endacakë të rrugëve të Kosovës, qentë-ujq që enden rrugicave si vagabondë me thika. Mendoj për ata qenë që po vdesin urie dhe që në çdo moment mund të sulmojnë me gojët e tyre që shkumojnë, dhe të të transferojnë çfarëdo virusi dhe të të shndërrojnë në një nga ata, një përbindësh zombie-njeri-qen. Gëzofët e tyre janë të qullur nga shiu dhe balta teksa me sytë që u shkëlqejnë e me buzët e rrudhura kërkojnë nëpër bërllok për ndonjë asht që ende mban erën e gjakut. Ata të pikasin në rrugicë dhe në heshtje pajtohen mes vete për të të sulmuar. Këta lloj qenësh patjetër duhet të lidhen për shkak të sigurisë.

Në Tivar, gjyshja ime nga ana e nënës, e kishte një qen të vogël që e kishte quajtur Robi, dhe i cili gjithnjë ishte i lidhur për shtëpinë e qenit. Nuk jam i sigurt nëse daja im e kishte gjetur në rrugë si këlysh, apo ishte ofruar ta adoptojë nga dikush pasi ishte hipnotizuar nga gëzofi i tij bezh-bjond. Kur u rrit, Robi me shtat nuk ishte shumë më i lartë sesa kur kishte qenë këlysh, por ishte i guximshëm dhe paksa budalla andaj u lehte qenëve pesë-fish më të mëdhenj se vetja. Njëherë, ai ia doli të lirohej nga litari. Nuk arritëm ta kapnim për tre ditë, derisa më në fund ia dolëm ta nënshtronim pasi e shpenzoi gjithë enegjinë e vet duke vrapuar si i marrë përreth shtëpisë, në rrathë festivë të lirisë së vet.

Ndonjëherë ndihem si Robi, duke çuar një jetë qeni, duke e ëndrruar ëndrra qeni dhe duke parë vizione qenësh. Jam në një fushë të pafund. Filloj t’i zgjas këmbët e mia dhe me ngadalë t’i bëj hapat e parë derisa nuk nis të vrapoj. Për pak sa nuk e besoj çfarë ndjenje e mirë është të vraposh në bar të gjelbër, nuk e besoj sa këndshëm ma pickon hundën ajri I pastër, sa shumë e dua … kkkhhhkhkhkh. O Zot! Dreqi e marrtë! Fyti im… nuk mund të marr frymë! Qafa ime është krejtësisht e mavijosur. Nuk është dashur të vrapoj aq shpejt me litarin ende të lidhur.

Ndonjëherë pyes veten se a vështron ende syri i djathtë i Rozafës nga muret e kalasë së Shkodreës atje lartë, sesi po rriten stër-stërnipat e saj. Pyes veten se a e sheh fantazma e saj se në çka jam shndërruar: në një qen, të lidhur (njëjtë si ajo që ishte murosur) për një barrierë të padukshme. Kam kaluar jeten duke u dridhur nga frika si një këlyshi i braktisur në shi, derisa në dorë mbaja pasaportën para ambasadave e pikëkalimeve kufitare. Më përpara do të isha një qen endacak I mbushur me pleshta, sesa ta mbaj në qafë shenjën e rripit të burokracisë.

Toka e lirisë kuantike / Ngatërrimi

E merrni me mend që në momentin kur i pashë fushat e pafundme të Iouas, do të isha ndier i çliruar dhe madje do të mund të kisha vrapuar pa kontroll sikur Robi kur u çlirua nga litari i tij. Ta them të drejtën, pafundësia e atyre fushave u dëshmua të jetë një lloj barriere poashtu. Në një vend të gjerë siç është perëndimi i mesëm i Amerikës, nuk mund të lëvizja askund pa veturë. Nga ana tjetër, në momentin që u bëra me veturë – një që e huazova nga një shok – mund të zgjedhja cilindo vend mes Atlantikut dhe Paqësorit.

Pafundësia amerikane ekziston në një gjendje kuantike të qenies – ajo edhe ta ndalon, edhe ta mundëson lirinë e lëvizjes. Ajo është ekuivalenti gjeografik i Rozafës, ekzistenca e së cilës ishte ndarë mes dy anëve të murit. As e gjallë e as me të vërtetë e vdekur, e suspenduar në kohë dhe hapësirë, ajo është ekuivalenti mitologjik i eksperimentit me macë të Shrodingerit.

Me zbulimin e hapësirës së pafundme, të gatshme për ta eksploruar, edhe konceptet e mia të kufinjëve, ashtu si i kisha njohur më heret, filluan të turbullohen deri në pikën që u bënë joekzistente. Krejt çka duhej të bëja ishte t’i shikoja oborret. Në Prizren, oborri im ishte i rrethuar me mure të gjata si të kalave, të cilat në mënyrë eksplicite ndanin kufirin me fqinjtë. Kur zbulova se në perëndimin e mesëm (në Amerikë, shën. përkth.) oborret e njerëzve shkriheshin në njëri tjetrin dhe mënyra e vetme për të shënuar përkatësinë e territorit ishte të vëreje ngjyrën apo madhësinë më të ndryshme të barit. Me këtë, edhe kufijtë e mendjes time filluan të turbullohen dhe muret filluan të shemben e rrënohen.

Kështu e nisa udhëtimin tim të parë me ç’rast e përshkova gjysmën e Shteteve të Bashkuara, nga perëndimi i mesëm, deri në Kaliforni dhe prapa. Në vitet në vazhdim, e përsërita këtë në shumë raste, duke e plotësuar hartën e SHBA-ve si një pazëll. Vozita përmes rërës së kuqe të Arizonës; u përpoqa ta gjej fundin e horizontit përmes fushave të grurit të perëndimit të mesëm; shikova se si fytyra dhe trupi im u transformuan tek skulptura Bin në Çikago; u ngatërrova në komunikacionin e Los Angjelosit; isha dëshmitar i muzgut të kaltër afër Salt Lejk Siti; u binda që gjithçka ishte vërtetë më e madhe në Teksas; piva merlot në Napa Velli; piva supër misri në Boston (dhe e krahasova me atë që e kisha pirë në San Francisko); notova në ujërat e ngrirë të janarit në Majemi; vizitova ‘Hall of Fejm’ në Klivlend; u dëshpërova me cilësinë e plazheve në Dejtona; isha dëshmitar i fishekzjarreve për 4 korrik në Uashington D.C.; harrova që dikur e kisha vizituar garën NASCAR, dhe u përpoqa ta kujtoj gjatë udhëtimit për në Teksas apo Floridë; shkova në Uallmart në Misuri; bleva një kapelë kaubojsh diku afër Austinit (apo Hjustonit?); hëngra gjysmën e qeses me portokallë të Floridës, që e kisha blerë në një dyqan të autostradës…

Gjatë këtyre bredhjeve, në një moment u gjenda në Tajms Skuer, i hipnotizuar nga ekranët e ndritshëm dhe shumëngjyrësh dhe dritat e zhurmshme. I gllabëruar nga turma, ndjeva thuase muret e fortesës sime ishin shembur dhe armiqtë kishin shpartalluar portat. Në të njëjtën kohë u ndjeva i pushtuar nga vetëdijësimi mbi parëndësinë time brenda skemës së madhe të gjërave, dhe përplot qëllim dhe domethënie, m’u sikur ndjehet njeriu kur ndjen se mund t’i arrijë të gjitha.

Edhe pas gjithë këtyre viteve që jetoj në Nju Jork Siti, vazhdoj ta ndjej këtë dualitet të vetmisë dhe komunitetit. Mund të duket kundërthënëse të ndjesh vetmi në një vend përplot me njerëz, por njëjtë sikur mureëve të kalasë së Shkodrës që iu nevojit Rozafa, edhe Menhetenit i duhet një flijim, dhe të bën të ngresh mure dhe barriera për ta ndarë veten nga njerëzit e tjerë. Mesiguri kjo është mënyra e vetme për të mbetur i shëndoshë mendërisht në këtë vend.

Jeta në një qytet të madh ekziston në një gjendje të pamundur të përzierjes kuantike, si një copëz që zë vënd në dy vende në të njëjtën kohë. Ashtu si ishte e ndarë ekzistenca e Rozafës në dy anë të murit, ashtu është e ndarë edhe jeta e banorëve të qytetit si puna ime, të cilët gjatë gjithë kohës duhet të lëvizin mes kërkimit të shoqërisë, dhe luftës për ta ruajtur autonominë.

Ndoshta Shkodra, Tivari, Prizreni dhe Nju Jork Siti nuk dallojnë edhe aq shumë nga njëri tjetri. Të gjithë i kanë verzionet e tyre të fortesave. Dhe ne ende jemi të njëjtit homo sapiens, të krijuar për të ndërtuar mure, rrethoja e kufinj. Vetëm sa jemi përmirësuar dhe sofistikuar në ndërtimin e atyre të padukshëmve. Që të gjithë kemi pak nga gjaku i Rozafës në venat tona. Legjenda e saj është përshkruar në AND-në tonë. Të koduar në këto gjene, gjejmë vetmi kur jemi në mesin e njerëzve, dhe kërkojmë shoqëri kur jemi vetë.