Biseda | Art

‘MENDOJ PËR TY’: SHËRIM KOLEKTIV NË MESIN E FUSTANËVE

Nga - 11.06.2015

Një artist përpiqet të promovojë diskutim për dhunë seksuale të luftës me instalacion prekës në Prishtinë.

Alketa Xhafa Mripa është nënë – “ky është titulli im i parë”, thotë ajo – dhe pastaj artiste bashkëkohore. E lindur në 1980 në qytetin e Pejës, Xhafa Mripa u rrit në Prishtinë dhe në 1997 emigroi në Londër, ku aktualisht jeton. Por tani ajo është kthyer në kryeqytetin e Kosovës me një mision: që të kontribuojë në clirimin e grave të Kosovës prej stigmës së përdhunimeve të kohës së luftës.

Të premtën, me 12 maj, prej orës 10am, duke u përputhur me përvjetorin e 16 të Çlirimit të Prishtinës në 1999, mijëra funda e fustane, të dhuruara prej grave e burrave në qytete e qyteza të ndryshme përgjatë Kosovës gjatë javëve të kaluara, do të varen nëpër fushën e gjelbërt futbollistike të Stadionit të Prishtinës, si pjesë e instalacionit artistik, ‘Mendoj për Ty’.

Punimi artistik, i prodhuar prej sociologës Anna Di Lellio, është mbështetur fuqimisht prej Presidentes Atifete Jahjaga, që dha fundin e parë, dhe Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Edhe ylli i muzikës Rita Ora dha kontributin e saj për këtë fushatë, përkrahë shumë emrave tjerë anonim, që ndihmuan të sjellin vëmendje te çështja e përdhunimeve të kohës së luftës dhe njohjes së të mbijetuarve të tyre, 16 vite pas përfundimit të luftës. Me shumë mbulim mediatik e mbështetje institucionale, ‘Mendoj për Ty’ është bërë si lloj i shërimit kolektiv. Vlerësohet se rreth 20,000 gra u përdhunuan sistematikisht gjatë luftës së Kosovës, por shifrat mund të jenë edhe më të larta. Tek vitin e kaluar u miratua një ligj që njeh viktimat e përdhunimit të kohës së luftës në Kosovë, por të mbijetuarit ende stigmatizohen.

Nuk është temë krejtësisht e re për artisten; Xhafa Mripa është angazhuar me tema më pak të diskutuara, të lidhura me gjini, si të dhënit gji, lindja e fëmiut, ose amësia. Marsin e kaluar, Xhafa Mripa prezantoi versionin e saj origjinal të “Mendoj për Ty” në Londër, me solo ekspozitën “You just don’t talk about it” (shqip: Ju thjeshtë nuk folni për të). Atëherë ishte vetëm një dhomë e mbushur me bar dhe fustana të varur, siç bëhet me ta kur vendosen për t’u terur. Ishte shumë më e vogël se idea e mbushjes së stadionit me 5,000 fustanë. Për Xhafa Mripën, idea e guximshme e saj dukej se ishte larg realitetit – deri sa ajo e ndau idenë e saj me vizitorin e ekspozitës, Di Lellion.

Vullnetarët ndihmuan ndërtimin e ekspozitës “Mendoj përt Ty” të enjtën, me 11 maj, në fushën e stadionit të Prishtinës.

Gjatë procesit të mbledhjes së fundeve dhe fustanëve, Kosovo 2.0 e pyeti Alketa Xhafa Mripën se çfarë kuptimi ka kjo vepër artistike për të dhe për shoqërinë kosovare.

K2.0: Pse fundi?

Për mua fundi simbolizon feminitet, bukuri, brishtësi… gruan, e thënë thjeshtë. Këto elemente gjithmonë lidhen me fundin. Gjithashtu, mënyra se si shoqëria i percepton të mbijetuarit e dhunës seksuale është si “ne” dhe “ata”, dhe për mua duhet të jemi një. Prandaj i kërkova jo vetëm të mbijetuarve [të dhunës së kohës së luftës] që të japin funde, por çdo grua, dhe në mënyrë ideale edhe çdo burrë, për të kontribuar në këtë instalacion. Titulli është “Mendoj për Ty”; është për të na bërë të gjithëve që të mendojmë për ta.

m1

K2.0: A është kjo ndonjë lloj i terapisë kolektive?

Mendoj se për të mbijetuarit është. Po flisja me ta gjatë tërë kohës së këtij projekti, dhe iu ndihmon kur shoqëria bëhet bashkë në numër të madh. Burra dhe gra duke folur për këtë çështje dhe duke thënë se është në rregull, nuk është faji i tyre dhe është e rëndësishme spese ata [të mbijetuarit] ndihen sikur është faji i tyre, edhe pse mund të më ndodh mua, mund t’i ndodh të gjithëve. Ndonjëherë nuk duhet të jesh në pozitën e tyre për të vepruar, por të paktën mundohuni ta vëni vetën në pozitën e tyre dhe veproni. Bukuria e kësaj nuk është vetëm idea dhe puna, por se është e të gjithëve, si shoqëri. Prandaj është kaq e fuqishme.

K2.0: A mendoni se deri tash nuk ka pasur punime artistike mjaft të fuqishme që kanë trajtuar çështjen e mundimeve të grave gjatë luftës?

Ka shumë rrjete të grave (sigurisht) që bëjnë aktivizëm dhe vepra civile. Jam e sigurt se të gjithë po mendojnë të bëjnë diçka, por është tabu dhe prandaj desha të bëja edhe unë diçka.

m2

K2.0: Si mësove për përdorimin sistematik të përdhunimit gjatë luftës, për faktin se po ndodhte?

Pas luftës isha në kontakt [prej Londrës] me disa miq të mi këtu. Po i tregonin historitë: se fqinji i tyre ishte përdhunuar, se një kushëri ishte përdhunuar… Ishin njerëz që i njihja pak, por ishte njohuri e zakonshme se gratë po përdhunoheshin. E pata atë ndjenjë që po të isha këtu, mund të më kishte ndodhur mua… dhe isha me fat që isha duke studiuar në Londër në atë kohë, që prej kohës kur ika në 1997.

K2.0: Burra po i afrohen tavolinave të grumbullimit, dhe po japin funde e fustane të nënave, motrave etj. Si ndiheshin ata? Çfarë të thanë deri sa ishe aty?

Të jem e sinqertë, nuk prita që burrat të jenë kaq të përfshirë, dhe të vinë e të më thonë “Ky është fustani i nënës sime, prej kur ishte e re”. Sigurisht në këtë rast iu kujton një kohë të lumturisë, kur ishin “të ri”. Në anën tjetër, një grua më dha një fund ngjyrë të kuqe të gjallë, dhe më tha: “Ky është fundi im. Është ai që e vesha kur u martova, dhe gjithashtu ai që e vesha kur u ndava”, dhe pastaj më tha se u nda me partnerin e saj sepse ishte përdhunuar… dhe fillova të qaja. Nuk arrita ta përmbaj vetën. Një tjetër më dha një fustan që e veshi kur ishte shtatzënë. Ajo më tha: “Isha shtatzënë dhe ma vranë foshnjën”. Për 16 vite nuk bëri më fëmijë sepse ata e dëmtuan. I kemi këto histori të tmerrshme, dhe pastaj kemi histori të njerzve që japin diçka që e vlerësojnë shumë.

K2.0: Fakti se njerëzit i japin këto funde e fustane që kanë këso histori; a është mënyrë për të rimarrë denjësi të vjedhur? Për të ngritur zërin?

Tregon se kush janë ata. Për mua filloi si “jepe një fund”. Thellë brenda shumë më pëlqen kur njerëzit sjellin diçka që ka kuptim të fuqishëm për ta. Pastaj u zhvillua disi në atë, por kjo vlerë mund të transferohet në jetën e të mbijetuarit/es. Këto funde e fustane disi u sollën dhuruesve fat, dhe ata duan që t’ua japin të mbijetuarve… më pëlqen shumë kjo.

m3

K2.0: U takuat me vëllaun e Adem Jasharit, ikonë e fuqishme e historisë moderne të Kosovës, hero i ashtuquajtur i luftës. Vëllau i tij, Rifat Jashari, të tha “është koha për t’u treguar se nuk ishte faji i tyre”, duke iu referuar të mbijetuarve, dhe ju e ndatë këtë mesazh…

[Xhafa Mripa pohon me kokë, me entuziazëm] Ishte takim i rastësishëm. Shkuam për të pirë kafe në Drenas, pasi që kishim funde për të mbledhur atje, dhe e pashë atë. Anna Di Lellio, që ishte me mua, tha “eja të shkojmë të flasim me të”. I tregova për instalacionin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe e pyeta “Çfarë mendoni? A do ta mbështetnit këtë projekt?” Ai tha se kjo është dashur të ndodhte shumë më parë, dhe na falenderoi që e morrëm iniciativën tani, se 16 vjet kishin kaluar, por më mirë vonë se kurrë. E pyeta nëse ka ndonjë mesazh për këto gra dhe më tha: “Për gratë, motrat, dhe të gjitha nënat tona: është koha t’u tregojmë se nuk ishte faji i tyre”. Erdhi direkt prej ti. Ai gjithashtu tha, por nuk e shkrova në internet, se “është faji ynë” që nuk arritëm t’i mbrojmë… Për të mbijetuarit, fakti se Rifat Jashari thotë gjëra të tilla i bënë të ndihen shumë të mbështetur… Dhe mendoj se këtë po e bënë kjo vepër artistike.

K2.0: A po e bëni këtë punë si njohjë për të mbijetuarit, apo si dokumentim të asaj që u ka ndodhur, si terapi për ta hequr dhimbjen…? Cili është qëllimi juaj?

Mënyra se si e fillova ishte për të ndihmuar, mbështetur, dhe për t’i konsideruar si gra, dhe jo si “viktima”, dhe si gra “tjera”, dhe që ato të dinë se shoqëria i mbështet. Deri sa të hiqet kjo ndjenjë e fajit prej brenda, në një farë mënyre nuk mund të shërohesh kurrë. Fola me disa të mbijetuar dhe thanë “është faji ynë”. Nuk është! Por duhet ta heqësh vet. Një prej të mbijetuarve prej Drenasit erdhi te unë dhe më tha: “Të gjitha vajzat janë aq të lumtura, të gjithë po thonë: ‘E sheh? Nuk është faji i tyre!'” Të gjithë po fuqizohen ngapak…

m4

K2.0: A e perceptoni këtë faj prej njerëzve që po vinë te tavolinat, njerëzit që nuk janë të mbijetuar të dhunës seksuale, që nuk përjetuan përdhunim në lëkurën e tyre? Ndoshta ndjenja e fajit që nuk ishin aty për t’i mbrojtur ose ndihmuar të mbijetuarit më parë…?

Perceptoj emocione te disa prej tyre. Për mua gjithmonë duhet të vendoset vetja në pozitën e tjetrit. Çfarë kemi mundur të bëjmë? Asgjë, por edhe ta kemi shoqërinë duke fajësuar, mbi të gjitha? Ndoshta Londra ndihmon, liria e shprehjes, dhe liria e të menduarit atje… duke bërë secili pjesën e vet për këtë botë… Të gjithë thonë se kjo iniciative do t’u sjellë gjëra tjera. Ndoshta kjo iniciativë u jep zë, por synimi kryesor për mua ishte që t’ua heq atë faj… Po i mbështeti në kuptimin që po u jap vetëbesim, dhe respekt për atë që janë. I kanë ushqyer me faj.

K2.0: Kam dëgjuar se nuk ke dashur të kesh aq shumë fytyra publike, por projekti është bërë i madh…

Nuk më pëlqen sepse kjo është për tërë shoqërinë. Jam e sigurt se të mbijetuarit nuk do të bëhen fytyra publike. Nëse njerëzit duan të japin, duhet të vinë te tavolinat e caktuara. Presidentja është ndryshe, sepse ajo e ka mbështetir projektin dhe pa ndihmën e saj nuk do të ishe i madh sa është tani, ështëe vërtetë. Ajo e jepi fundin e parë, që është fakt shumë i bukur sepse mbështetja e saj do të thotë shumë për këto gra. Tërë komuniteti i të mbijetuarve është i lumtur që kjo morri vëmendje prej mediave.

m5

K2.0: Pse stadioni i futbollit?

Është territor ‘macho’. [Buzëqesh]. Është botë e burrit; është gjithashtu vend për djersë, fishkëllimë, adrenalinë… Kjo është një arsye. Këtu të mbijetuarit, gratë, mund të qëndrojnë dhe të riafirmojnë ekzistencën e tyre, se të gjithë jemi një. Së dyti, besoj se kur këto gra u torturuan, ato ishin të mbyllura në një katror (jo domosdoshmërisht fizik), dhe nuk kishin ku të fshiheshin… edhe po të ishin në hapësirë të hapur, nuk kishin rrugëdalje… Dhe së treti, për ta bërë bashkë në një vend të gjithë shoqërinë shqiptare të dominuar prej meshkujve.

K2.0: Pse në Ditën e Çlirimit?

Në fillim ishte vetëm një ditë, dhe pastaj u propozua që të lidhet me përvjetorin e Çlirimit të Kosovës. Shpresoj se do të jetë gjithashtu dita e çlirimit të këtyre grave prej fajit, turpërimit, në mënyrë që të jenë krenare dhe të mos jenë të turpëruara për shkak të asaj që ndodhi: çlirim brenda vetës.K

m6

Fotografitë: Atdhe Mulla

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO