S`fundmi | Punë

Apliko dhe fillo mbarë karrierën në gazetari

Nga - 06.08.2018

Mundësi për të qenë pjesë e K2.0!

Nëse je në fund të studimeve për gazetari, apo në fillim të karrierës në fushën e gazetarisë dhe ke dëshirë të zhvillohesh profesionalisht, atëherë ky është një lajm i mirë!  Kosovo 2.0, përmes një trajnimi profesional një-ditor, do të prezantojë programin pesë-mujor të mentorimit, “Professional Shadowing”, program ky nga i cili mund të përfitojnë 6 prej pjesëmarrësve të trajnimit. Ky program pesë mujor do të ndihmojë që të kuptoni për së afërmi profesionin e gazetarisë, si dhe do të shërbejë si praktikë me pagesë me qëllim që të stimulojë gazetarët e rinj që të përmbushin potencialin e tyre me sukses. Kështu që, ejani në trajnim që të kuptoni më mirë se si mund të bëheni pjesë e programit të mentorimit. Deri të shihemi në trajnim, lexoni informatat e mëposhtme:

Çka mund të përfitoni?

Pas përfundimit të trajnimit, 6 prej pjesëmarrësve do të përzgjedhen për të qenë pjesë e ekipit të Kosovo 2.0 për 5 muaj rresht. Përgjatë këtyre 5 muajve pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin programin e mentorimit të përgatitjes profesionale duke punuar për së afërmi me një nga anëtarët e ekipit të K2.0, ku 1 prej tyre do të ketë mentorim në fotografi dhe 5 prej tyre do të kenë mentorim në gazetari si dhe do të shkruajnë artikuj.  Kështu, ata/ato:

  • do të marrin pjesë në të gjitha takimet redaktoriale,
  • do të jenë vazhdimisht pranë gazetarëve përgjatë intervistave dhe punës në terren,
  • do të kuptojnë se si propozohen idetë, si të mblidhen dhe shfrytëzohen informatat relevante dhe si të hulumtohet për artikuj të caktuar.
  • do të kenë minimum 4 vizita studimore në organizata dhe/ose institucione që janë të rëndësishme për fushën tematike që do të fokusohen.

Në fund të programit të mentorimit 5 prej pjesëmarrësve do të përgatisin artikuj që trajtojnë një prej temave si qasja në drejtësi, pajtim dhe dialog, tregun e punës dhe punësim, barazi gjinore dhe tema kulturore.

Çfarë presim nga ju?

Vullneti dhe përkushtimi juaj për të mësuar është ajo që na duhet nga ju. Mirëpresim një grup plot diversitet, me njerëz me interesa të ndryshme. Përderisa jeni nga Kosova dhe të interesuar të fitoni arritje profesionale dhe përvojë, ju jeni kandidat potencial!

Për çka bëhet fjalë?

20 pjesëmarrës do të pranohen në trajnimin profesional ku do të zgjerojnë njohuritë e tyre në standardet profesionale dhe etike në gazetari dhe do të mësojnë se si këto standarde t’i aplikojnë në punën e tyre.

Trajnimi është një-ditor dhe organizohet në dy sesione. Trajnimi do të fokusohet në transferimin e njohurive dhe në mbështetjen e gazetarëve të rinj për të zhvilluar aftësitë, kapacitetet dhe qasjet për punë në raportimin dhe mbulimin tematik të gazetarisë.

Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit do të marrin njohuri mbi një numër çështjesh me të cilat përballen gazetarët në punën e përditshme, si: kuptimi i ligjit për qasjen në dokumente publike, si të paraqitet një dokument, shpifja dhe e drejta e publikut për informacion.

Pjesa e parë e trajnimit do të fokusohet në:

  1. Mbrojtjen e burimeve
  2. Shpifje

Pjesa e dytë e trajnimit do të fokusohet në:

  1. Qasjen në informacion
  2. Përdorimin e të dhënave personale dhe mbrojtjen e privatësisë

K2.0 do të angazhojë dy ligjëruesë profesionistë, një për dy nga temat e mësipërme. Ligjëruesit do të fokusohen në atë se si parimet, standardet dhe implikimet ligjore zbatohen në praktikë.

Kur dhe Ku?

Trajnimi do të mbahet në Prishtinë, në zyrën e Kosovo 2.0 më 29 gusht.

Si të aplikoni? 

Aplikimi është i hapur për të gjithë gazetarët e rinj si dhe për studentët e gazetarisë në vitin e fundit të studimeve.

 

Për të aplikuar, mund të mbushni formularin këtu.

 

Afati i fundit për aplikim është 19.08.2018 deri në mesnatë.

Ky grant është financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).