Në thelb | Aktivizmi

Tri dekada protesta

Nga - 09.03.2018

Një histori e aktivizmit të drejtuar prej grave më 8 mars.

Të enjten e kaluar (8 mars), gratë dhe burrat e Kosovës dolën në rrugët kryesore të kryeqytetit për ta shënuar edhe një herë Ditën Ndërkombëtare të Grave duke kërkuar barazi shoqërore dhe gjinore. Nën moton e njejtë “MARS’hojmë S’festojmë” që u përdor në aktivitetet e dy viteve të fundit, kolektivi feminist me të njëjtin emër përgatiti një seri veprimesh, përfshirë këtu marshin që tashmë është bërë tradicional, si dhe një thirrje për grevë.

Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë për të marshuar nëpër rrugët kryesore të qytetit, deri te ndërtesa e qeverisë. Në një atmosferë energjike dëgjoheshin thirrje për barazi dhe mundësi të barabarta për punësim, si dhe denoncime të patriarkisë, kapitalizmit, homofobisë dhe transfobisë.

Thirrjet u bënë veçanërisht intensive kur marshuesit kaluan pranë tri billbordeve të vendosura afër selisë së Policisë së Kosovës në rrugën Luan Haradinaj. Dy prej tyre shfaqin emrat Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi, gra të cilat u vranë prej burrave të tyre. I treti shtron pyetjen ‘Edhe sa thirrje të humbura?’, duke iu referuar dështimit të autoriteteve sa i përket mbrojtjes së viktimave. Billbordet janë punë e kolektivit artistik Haveit, dhe janë të frymëzuara nga filmi i nominuar për çmimin Oscar, “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”.

Kolektivi artistik i bazuar në Prishtinë, ‘Haveit’, i shfrytëzoi billbordet e qytetit për të protestuar kundër dhunës me bazë gjinore, duke iu referuar emrave të dy grave të vrara nga burrat e tyre dhe autoriteteve që dështuan t’i mbronin ato. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Disa qytetarë iu bashkuan Grevës Ndërkombëtare të Grave, organizuar nëpër botë si pjesë e ‘Një Dite Pa Gra’ – një përpjekje për ta theksuar pabarazinë ekonomike, si dhe punën pa pagesë me të cilën gratë shpeshheërë ngarkohen përveç punës së paguar – problem ky që nuk diskutohet sa duhet.

Aktivizmi i së enjtes, në Prishtinë dhe në gjithë vendin, është pjesë e trashëgimisë së kahmotshme të protestave që organizohen tash e disa dekada në Kosovë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. K2.0 ju sjell disa prej ngjarjeve kyçe që kanë ndodhur më 8 mars dhe që kanë ndihmuar me formësimin e aktivizmit që zhvillohet sot për të drejtat e grave.

8 mars, 1990

Më 8 mars, 1990, disa qindra gra, përfshirë këtu anëtare të Shoqatës së Grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – partia politike që drejtoi rezistencën paqësore ndaj shtypjes serbe gjatë viteve të 90-a – u mblodhën në Qendrën Rinore Boro e Ramizi në Prishtinë. Në një kohë që më vonë do të njihej si fillimi i dekadës së shtypjes nën regjimin e Millosheviqit, Shoqata e Grave të LDK-së lajmëroi publikisht shkëputjen e saj nga Lidhja e Grave Socialiste Jugosllave.

Një libër i botuar në vitin 2008 nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, i titulluar “History is Herstory too” (përkthim i përafërt: Historia është edhe e saj), i shtjellon demonstratat dhe përfshin thirrjen origjinale për protestë, të cilën e bëri Luljeta Pula-Beqiri, kryesuese e Shoqatës së Grave të LDK-së. Pula-Beqiri iu referua vrasjes së të rinjve në protestat e studentëve të cilat u mbajtën në Prishtinë gjatë viteve të 80-a, si dhe dhunës sistematike policore. Ajo gjithashtu nxiti bojkotimin e të gjitha festimeve të organizuara për 8 mars.

Pavarësisht natyrës historike të protestës, formimi i Shoqatës së Grave të LDK-së disa ditë para demonstratës u prit me zhgënjim nga disa anëtarë të lëvizjës së grave në Kosovë.

Deri në fund të viteve të 80-a, shumëkush mendonte përveç pjesëmarrjes në aktivitete politike, gratë duhet ta kishin një zë më unik. Po rritej gjithnjë e më shumë një lëvizje që mbështeste nocionin e krijimit të një shoqate të pavarur të grave, të shkëputur prej partive politike.

Siç citohet të ketë thënë Safete Rogova në “History is Herstory too”: “Gratë deshën të kontribuojnë në mënyrë të pavarur prej burrave, dhe herë pas here, t’i mbanin burrat përgjegjës për të përmbushur nevojat e tyre si gra, përveç plotësimit të nevojave të kombit “.

Por Rogova u zhgënjye. Pjesa më e madhe e grave të cilat kishin mbështetur nocionin e një organizate së pavarur iu bashkuan LDK-së në Shoqatën e Grave të LDK – që më vonë u bë e njohur si Forumi i Grave të LDK-së. Sevdije Ahmeti, e cila më vonë e drejtoi Qendrën për Mbrojtje të Grave dhe Fëmijëve, e konsideroi këtë moment si ‘tradhëti të madhe’. Ahmeti dhe Rogova mbetën në mesin e shumë pak grave aktiviste të cilat nuk iu bashkuan LDK-së.

Për motrën e Safetes, Igballe Rogovën, drejtoreshën e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) – dy motrat, me organizatën e tyre Motrat Qiriazi u munduan ta eliminonin analfabetizmin dhe traditat shtypëse përgjatë viteve ‘90 – mosbindja ndaj LDK-së shënon lindjen e lëvizjes feministe në Kosovë. “Mendoj se hapi i parë ishte kur i thanë ‘Jo’ Shoqatës”, tha Rogova për K2.0. “Ishte një mesazh që thoshte ‘gratë po ashtu duhen të jenë në fokus gjatë lëvizjes kombëtare’”.

8 mars, 1998

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave në vitin 1998, rreth 15,000 gra kosovare protestuan para Qendrës Amerikane në Prishtinë duke kërkuar që shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë të adresoheshin urgjentisht. Të rrethuar me prani të madhe policore, secila grua e mbajti lart nga një fletë të bardhë. Protesta të ngjashme u mbajtën në qyteza dhe qytete të Kosovës.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Grave po mbahen protesta nëpër botë kundër regjimeve që vazhdojnë t’i mohojnë të drejtat e barabarta”, shkroi në një raport të BBC atë ditë në vitin 1998. “Demonstrata më e madhe u mbajt në qytetin e Prishtinës, kryeqytetin e krahinës serbe të Kosovës, në të cilin kemi parë shumë dhunë së fundmi”.

Ndonëse aktivistët dhe qytetarët po protestonin në mënyrë paqësore në kryeqytetin e Kosovës, disa kilometra më larg, qindra gra dhe fëmijë ishin të rrezikuar nga forcat serbe që e kishin rrethuar rajonin e Drenicës.

Në fillim të vitit 1998 ishin kryer masakrat e para nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë të Kosovës në fshatrat e Drenicës. Këto mizori shpeshherë konsiderohen si fillet e luftës në Kosovë. Gratë protestuese, të vetëdijshme që gratë dhe fëmijët në Kosovë po i nënshtroheshin sulmeve dhe vrasjeve, i bënë apel komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë.

“I ngritëm letrat e bardha sepse nuk kishim çfarë të thonim më”, i kishte thënë Sevdije Ahmeti sociologes Linda Gusia. Kjo e para, tashmë e ndjerë, ishte aktiviste e mirënjohur e cila e drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në atë kohë. Gusia shpjeson se deri në atë pikë, gratë aktiviste ishin ato që më së shpeshti po e thyenin rezistencën paqësore. Ato kishin mbajtur aq shumë protesta kundër shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut që ndodhën në Kosovë gjatë viteve të 90-a, sa që në mars 1998, nuk kishin më çfarë të thonin, pos t’i ngrisnin lart letrat e bardha.

BBC e përshkroi protestën e 8 marsit në Prishtinë si më të madhën në Ditën Ndërkombëtare të Grave atë vit. Foto: Screenshot.

Vetëm disa ditë pas protestës së 8 marsit, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve nisi protestën më ikonike të grave që ishte mbajtur në Kosovë deri atëherë. Më 16 mars, 1998, disa organizata të ndryshme të aktivizmit të grave dhe Forumi i Grave të LDK-së iu bashkuan në protestën e njohur nën moton: “Bukë për Gratë dhe Fëmijët e Drenicës”.

Disa mijëra gra ecën rrugëve të Prishtinës duke mbajtur në duar copë të bukës, me qëllim për të ecur deri në Drenicë. Ky marsh, i cili ishte mesazh për komunitetin ndërkombëtar dhe organizatat humanitare që gratë dhe fëmijët e Drenicës ishin shumë të rrezikuar nga uria dhe forcat serbe, u ndal nga policia serbe.

“Gjatë viteve të 90-a, kërkesat për barazi kanë qenë të lidhura ngusht me lirinë, kombin dhe shtetin”, shpjegon Eli Gashi, bashkëthemeluese e Alter Habitus, Institutit për Studime në Shoqëri dhe Kulturë. “Mirëpo lëvizja e viteve të 90-a, na ka mundësuar neve të shtyjmë agjendën tutje dhe tani të diskutojmë edhe për elementet tjera të cilat e bëjnë lëvizjen feministe edhe më të qëndrueshme”.

8 mars, 2000

Më 8 mars, 2000, u mbajt një prej protestave të para pas luftës në Kosovë. Kjo protestë u organizua nga Unioni i OJQ-ve të Grave të Kosovës (koalicion joformal i cili u formalizua si RrGGK në vitin 2003) dhe u mbajt para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Gratë që morrën pjesë mbanin lart fotografi të mëdha të familjarëve të humbur të tyre dhe i dhanë pamfleta kalimtarëve. Në to shkruante ‘Kosova nuk mund të jetë e lirë nëse Serbia nuk i liron të gjithë protestuesit shqiptarë’. Fotografitë e personave të humbur u vendosën në rrethojën që rrethon ndërtesat që sot shërbejnë si Kuvendi dhe Qeveria.

Në vitin 2013, kur u hoqën fotografitë e vendosura në demonstratën e vitit 2000, aktivistët i vendosën ato përsëri më 8 mars, 2014. Foto nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Në ditët e ardhshme, gratë aktiviste vazhduan të protestonin dhe të mbanin grevë urie për ta ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për personat e humbur, si dhe për të kërkuar lirimin e të burgosurve politik shqiptarë të cilët po mbaheshin në burgjet serbe.

Në fund të luftës së vitit 1999, u vlerësua se më shumë se 5,000 persona ishin të zhdukur. Ai numër është reduktuar gjatë viteve, pjesërisht për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të varrezave masive – trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës u transferuan në Serbi nga forcat serbe dhe u varrosën në varreza masive për t’i fshehur provat e krimeve.

Fotografitë e personave të humbur u larguan në vitin 2013, ndërsa politikanët premtuan ta ngrisnin një përmendore për personat e humbur. Kur nuk e përmbushën këtë premtim, RrGGK ishte në mesin e atyre që i bënin thirrje qeverisë për të bërë përpjekje për ta adresuar këtë çështje dhe personat e humbur ishin përsëri fokus i protestës së 8 marsit të vitit 2014. Pas marshit, fotografitë u vendosën përsëri në rrethoja.

Rreth 1,665 persona ende konsiderohen të humbur.

8 mars, 2006

Në fillim të vitit 2006 nisën përgatitjet për negociatat në lidhje me statusin final të Kosovës – bisedimet e mbështetura nga OKB që çuan deri te pavarësia e Kosovës në vitin 2008. Dështimi për t’i adresuar nevojat e grave dhe përgjigjur ndaj zërave të tyre gjatë procesit të negocimit shkaktoi zemërim në mesin e aktivistëve të të drejtave të grave.

RrGGK organizoi një protestë për 8 mars nëpërmjet të cilës kërkuan pjesëmarrjen e grave në negociata. Ajo ishte protesta e parë në të cilën u përdor motoja simbolike “Ne nuk duam lule”, e cila u përdor më pas edhe në protestat e viteve të ardhshme. “Ne nuk duam lule, ne duam pushtet”, thirrën aktivistët në protestë.

“U krijua ekipi negociues dhe nuk kishte gra, kështu që e krijuam Koalicionin e Grave për Paqe”, kujton Rogova. “RrGGK dhe rrjeti Gratë në të Zeza në Serbi dolën rrugëve në të njëjtën kohë në Prishtinë dhe Beograd”.

Në vitin 2006, aktivistët bënë thirrje për pjesëmarrje të grave në negociata në lidhje me statusin final të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Foto nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Gjatë procesit të krijimit të paqës, organizatat që punojnë me të drejtat e grave ishin shumë të zëshme sa i përket kërkesës së tyre për ta zbatuar Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila bënë thirrje për miratimin e një perspektivës gjinore që i merr parasysh nevojat e grave dhe vajzave gjatë rindërtimit pas konfliktit, dhe për zmadhimin e rolit të grave në përpjekjet për paqe dhe siguri.

“UNMIK ka harresë në disa nivele sa i përket historisë para ndërhyrjes dhe themelimit të saj”, tha Nita Luci për K2.0 më herët gjatë vitit, ligjëruese e Universitetit të Prishtinës. “Protestat e grave aktiviste dhe qasja e tyre ndaj zytarëve më të lartë të UNMIK-ut tregon se ato nuk lejuan fshirjen e historisë [së angazhimit të tyre]”.

8 mars, 2012

Deri në vitin 2012, motoja me lule evoluoi në “Ne nuk duam lule, ne duam drejtësi për gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës”. RrGGK organizoi një protestë për 8 mars nëpërmjet së cilës bënë thirrje për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Në atë ditë, gratë aktiviste i dërguan një letër Xavier Bout de Marnhac, kreut të atëhershëm të EULEX-it, duke kërkuar që t’i përkushtohej vëmendje e veçantë hetimeve për dhunën me bazë gjinore gjatë luftës në Kosovë.

“Kjo nuk ishte diçka spontane. Ishte kërkesë e shprehur nga të mbijetuarit”, kujton Rogova. “Menjëherë pas luftës, ata kishin folur për përvojën e tyre, qindra të mbijetuar kishin dhënë dëshmi para UNMIK-ut, e pastaj u izoluan. Ata nuk deshën të flasin më. Ata u stigmatizuan”.

Rogova thotë se kjo kërkesë ishte e koordinuar bashkë me Grupin e Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, i cili të nesërmën (9 mars, 2012) e ngriti në Kuvend çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Një raport i publikuar në vitin 2000 nga Human Rights Watch identifikoi se gjatë luftës “përdhunimi dhe format tjera të dhuëns seksuale u përdorën si armë të luftës dhe instrumente të ‘spastrimit sistematik etnik’”.

Tek në mars të vitit 2014 e drejta e të mbijetuarve për dëmshpërblim, kryesisht në formë të kompensimit monetar në bazë mujore, u njoh në amendamentet e ligjit ekzistues që mbulon statusin e viktimave të luftës.

E tek nga shkurti i këti viti të mbijetuarit kosovarë të dhunës seksuale të kohës së luftës kanë mundësi të aplikojnë në procesin e verifikimit, i cili i paraprin njohjes dhe dëmshpërblimeve të shumëpritura për dëmin e vuajtur gjatë luftës në Kosovë.

Disa protestues të RrGGK ndihmuan t’i kthejnë në diskurin publik disa çështje për të cilat nuk diskutohej më parë, përfshirë këtu rastin e vitit 2006, kur aktivistët kërkuan që dhuna në familje të mbulohej nga legjislacioni i Kosovës. Foto nga RrGGK.

Rogova beson se protesta e vitit 2012 ishte një nga disa protesta të organizuara nga RrGGK të cilat ndihmuan me përfshirjen e temave tabu në diskutime publike. “Ne i thyem tri tabu”, thotë ajo për K2.0. “E para ishte dhuna në familje, e cila gjithmonë trajtohej si çështje private; ne e thyem dhe e bëmë publike. E dyta ishte kanceri i gjirit, sepse asnjëherë nuk u diskutua publikisht. Dhe e treta ishte dhuna seksuale gjatë luftës”.

Organizata fillimisht e theksoi çështjen e dhunës në familje nëpërmjet demonstratave publike më 8 mars të vitit 2004, kur aktivistët mbajtën një protestë nëpërmjet së cilës kërkuan që mbrojtja nga dhuna në familje të adresohet nga ligjet e shtetit. “Ne duam ligj!”, ishte një prej slloganeve kyçe të protestës së organizuar nga RrGGK.

Madje edhe pas krijimit të Ligjit zyrtar për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, dështimi sa i përket zbatimit të tij bëri që dhuna me bazë gjinore të bëhet temë e disa protestave në të ardhmen.

Në lidhje me kancerin e gjirit, më 8 mars, 2007, RrGGK bashkë me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit organizuan një peticion për ta ngritur nivelin e ndërgjegjësimit në lidhje me këtë sëmundje të përhapur.

8 mars, 2016

Për shumë aktivistë, marshi i vitit 2016 u konsiderua si i veçantë, madje edhe historik, për shkak se ishte hera e parë që protestat drejtuan nga Kolektivi MARS’hojmë S’festojmë, i cili ishte i përbërë prej grave dhe burrave, si dhe përfshiu individë LGBTI dhe anëtarë të grupeve të ndryshme etnike.

Rogova konsideron se aktivitetet ne vitin 2016, të cilat u përhapën jashtë mureve të RrGGK-së, i dhanë një formë krejtësisht të re aktivizmit të drejtuar prej grave në Kosovë. “Pjesëmarrja nuk ishte shumë e kënaqshme në protestat e organizuara nga RrGGK, dhe kolektivi është triumf për të gjithë”, thotë ajo. “Kur i pash gjithë këta të rinj, u gjallërova dhe morra shpresa të reja. Kur ishte vetëm RrGGK, aktivistë të ndryshëm e kishin të vështirë të dilnin në pah”.

Prej vitit 2016, Kolektivi MARS’hojmë S’festojmë ka organizuar aktivitetet e 8 marsit në Prishtinë. Prej atëherë është shtuar diversiteti dhe pjesëmarrja e njerëzve në protesta. Foto nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Ky kolektiv vazhdimisht bënë thirrje për punësim pa shfrytëzim, sigurim shëndetësor, punë pa diskriminim për të gjithë, dhe kundërshtim të hapur ndaj seksizmit, homofobisë, transfobisë dhe racizmit.

“Kolektivi është zhvilluar në një lëvizje shoqërore që ka më shumë diversitet. Pjesëtarët e saj janë të gatshëm të dalin rrugëve për ta luftuar pabarazinë gjinore”, shton Iliriana Banjska, punëtore e RrGGK dhe një prej aktivisteve më të mirënjohura të kolektivit.

Me t’u krijuar ky kolektiv është dalluar edhe një përfaqësim domethënës i burrave feministë, si prapa skenës, ashtu edhe në rrugë. “Kurrë nuk ka qenë më e qartë se feminizmi është për të mirën e të gjithë njerëzve: burrave, grave dhe secilës gjini tjetër me të cilën identikohen njerëzit”, shpjegon Erblin Ajdini, anëtar i kolektivit MARS’hojmë S’festojmë.

“Për shkak të punës që e bëj me gender mainstreaming dhe njohuritë që i fitoj çdo ditë prej feministëve tjerë, e madje edhe publikimeve feministe, mendoj se duhet të punojë për kauza si 8 marsi”, thotë Ajeti. “Është veprim që nuk lidhet me festë, por thekson pabarazitë gjinore me të cilat përballen gratë”.

8 mars, 2017

Një vit më vonë, Kolektivi MARS’hojmë S’festojmë doli rrugëve për ta ngritur çështjen e barazisë gjinore dhe ekonomike. “Nuk dua lule, dua kontratë pune”, “Mbrojtje në punë”, dhe “Ngriteni rrogën minimale”, ishin disa prej slloganeve që u përdorën vitin e kaluar.

Ishte viti i parë që kolektivi i lidhi veprimet e tij me nismat botërore. Në vitin 2012 u përfshi tema botërore e punës së drejtuar nga UNWomen nën titullin ‘Gratë në Botën e Ndryshueshme të Punës: Planeti 50-50 deri në vitin 2030’.

Gusia argumenton se rritja e të drejtave ekonomike nëpër botë ndihmoi që të vëhet fokusi në efektet që i ka pabarazia ekonomike në pabarazinë gjinore. “Po kthehen dhe fuqizohen lëvizjet feministe”, thotë ajo për K2.0. “Tani gjithashtu është një lidhje teorike ndërmjet kapitalizmit dhe patriarkisë. Sot ideja e feminizmit është e ndërlidhur me identitete tjera. Ka të bëjë me ndërlidhshmëri. Sistemi i pabarazive nuk ndërtohet vetëm nga idea e gjinisë, por lidhet edhe me aspekte tjera, veçanërisht aspektin ekonomik”.

Në vitin 2017 erdhën edhe fillet e decentralizimit të aktivizmit të drejtuar prej grave më 8 mars. FEMaktiv, një grup i aktivistëve të rinj feministë në Prizren, protestoi kundër diskursit publik dhe politik në qytet, të cilin e përshkroi si përjashtues ndaj grave.

Aktivizmi i drejtuar prej grave është decentralizuar nga Prishtina në vitet e fundit. Veprimet po zhvillohen edhe në qytete tjera të Kosovës, përfshirë këtu një ‘marsh të zi’ në Prizren në vitin 2018. Foto nga FEMaktiv Prizren.

Decentralizimi arriti kulmin sivjet me marshe të mbajtura edhe në Ferizaj e Malishevë, përveç atyre në Prishtinë dhe Prizren. Aktivistët në Malishevë protestuan kundër martesave të hershme, ndërsa FEMaktiv marshoi nën slloganin ’N’zi Marshojmë’, në emër të të gjitha grave të cilat e humbën jetën si rrjedhojë e dhunës.

“Sistemi patriarkal është aq i rrënjosur në shoqëri, sa që edhe dhuna ndaj grave ka filluar të normalizohet”, tha për K2.0 Adelina Hasani, aktiviste e FEMaktiv. “Ky fenomen duhet të luftohet në mënyrë shoqërore, prandaj duhet të ndryshojnë edhe politikat e shtetit në këtë drejtim. Ndryshimi i sistemit dhe politikave shtetërore është i domosdoshëm për parandalimin e dhunës ndaj grave”.

Eli Gashi thotë se lëvizja e grave është zhvilluar në vitet e fundit sa i përket numrit të aktivistëve që mbështesin kauzën e barazisë, por edhe sa i përket përmbajtjes, me një kritikë të re ndaj institucioneve.

“Për shumë vite Lëvizja e Grave është marrë kryesisht me përfaqësimin e grave në shoqëri, me theks të veçantë në përfaqësimin politik”, thotë Gashi. “Por kërkesa për përfaqësim vetëm me numër jo patjetër e siguron barazinë shoqërore, të cilën edhe synon lëvizja feministe. Nëse marrim shembull dy protestat e fundit të organizuara më 8 mars nga Kolektivi MARS’hojmë S’festojmë, drejtësia sociale është qëndrore në kërkesat e kolektivit”.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Redaktuar nga Jack Robinson.