Shtyp | Imazhi

T’i mbijetosh Kosovës

Nga - 11.07.2011

Është një vend i vështirë dhe në disa zona është i veshur me errësirë, por një shpirt origjinal shkëlqen përmes fytyrave që has në rrugë.

I pari ndërkombëtar që kam takuar në Prishtinë më pyeti brenda disa sekondave të bisedës tonë nëse kisha qenë ndonjëherë në një kryeqytet më të shëmtuar. A kisha qenë vallë?

Nuk i ktheva përgjigje. Nuk kisha qenë kurrë aty në dimër dhe deri në atë çast, 75 për qind e kujtimeve të mia për qytetin kishin qenë të ndërtuara nga ora 7 e darkës deri në 7 të mëngjesit. Gjatë ditës, do të humbisja, por shpejt, me të rënë nata, do ta gjeja veten në të njëjtat rrugë me hije dhe do të kujtohesha menjëherë se ku jam. Natën, dhe sidomos në muzg, kur i hidhje sytë mbi qytet nga kodra e Dragodanit, Prishtina dukej mbresëlënëse. Të rrethuara nga bora, dritat e ndërtesave dukeshin si sytë e një gjiganti prej guri që sapo ishte zgjuar dhe nuk ishte aspak i kënaqur tek shihte turistë sylesha që e fotografonin. Do të më kishin ndarë më dysh po të mos ishte për ato 1 milion e një kamerat e vëzhgimit të parkuara në muret e Ambasadës së SHBA-së aty mbrapa.

Ka shenja të qyetetit Gotam në të. Aty gjendet errësira dhe engjëjt, dhe nëse i lexon gazetat, ka aq krime sa për t’i mbajtur dy superheronj gjithmonë në luftime. Nuk është kryeqyteti më i lehtë për të jetuar. Nëse sushi, H&M dhe një sistem transporti qytetës i integruar janë ajo çka nënkuptoni me fjalën i lehtë, atëherë Prishtina dhe krejt Kosova janë në përgjithësi bukur të vështira. Po a nuk na kanë mësuar nënat se çka vjen lehtë edhe ikën lehtë? Kosova është e vështirë, por kjo është ajo që e bën atë të qëndrueshme. Kjo është arsyeja që të detyron të largohesh dhe të kthehesh sërish në të.

Falë Facebook-ut, miqtë kanë marrë një zhvlerësim të madh në këto vitet e fundit, që mund të krahasohet vetëm me zhvlerësimin e dollarit të Zimbabvesë. Kam 800 njerëz që i pëlqejnë njoftimet e mia, por vetëm nja një a dy në të cilët mund të llogaris për ndihmë. Prishtina i thotë vetes qytet, por funksionon si të ishte fshat, por edhe në fshat njerëzit janë më miqësorë. Veç nëse je ndonjë shtrigë apo ndonjë tip gangsteri, dhe pastaj të parët e fshatit bëjnë drejtësi me ty dhe të gjuajnë në lumë. Prishtina nuk ka as lumë. Por, miqësia në këtë qytet mbart ende një farë rëndësie. Nëse pi në një bar nja dy herë, atëherë je klient i rregullt aty. Nëse i buzëqesh një të panjohuri, ata do të të buzëqeshin mbrapsht. Dhe nëse të shohin gjëkundi me një vajzë, mulliri i thashethemeve do të vihet në veprim.

Mikpritja është e madhe. Edhe më e madhe kur merr parasysh faktin se kufizimet e vizave dhe politikat e ngadalta nënkuptojnë se ti nuk do t’ia kthesh dot nderin edhe për shumë e shumë vjet. Njerëz të këndshëm që të ofrojnë drekë, një vend për të fjetur dhe kohën e tyre të lirë për t’ju shëtitur nëpër rrugët e qytetit pa pritur asgjë në kthim.

Nëse e sheh një kuti cigaresh në tavolinë, mund ta ndezësh një. Për atë punë janë në tavolinë. Nuk është për mendjemadhësi, por për ta ndarë me të tjerët.

Një të diel, dolëm të ecnim në pyllin afër Prishtinës. Kishte rënë një shtresë e hollë bore dhe ishte aq ftohtë saqë po ecnim me të shpejtë. Ndoqëm një shteg të shënuar me shirita boje në gurë. Disa ishin me ngjyrë të kuqe; disa me të gjelbër. Harruam se cilën ngjyrë po ndiqnim, por na e mori mendja se tek e fundit rruga do të na çonte në një rrotullim të plotë dhe do të gjendeshim sërish te stacioni ynë i autobusit. Por, nuk ishte kaq e lehtë. Ose ndoshta ishte e lehtë, por imagjinata jonë filloi të punonte dhe thamë se na doli mendja vendit. Na hyri frika në palcë. Nuk ishte errur ende, por, o Zot, na hyri tmerri nga hijet tona. Hijet e pemëve po shdërroheshin në monstra dhe ishim të bindur se çdo gjë e punuar nga dora e njeriut ishte bombë ose ndonjë mjet i pashpërthyer. Në atë kohë kishte ende mina në Kosovë. Ka pasur mina pikërisht këtu. Ishim me një vendase. Ajo na tregoi. Edhe ajo ishte bërë me hije. Rruga duhet të kishte marrë për teposhtë, por ne vazhdonim t’i ngjiteshim shpatit të kodrës në pemët që nxinin. Mendja na thoshte se kishim mbërritur në gjysmë të rrugës drejt majës. Pastaj, të fiksuar me idenë se ndoshta dikush po na ndiqte, vendosëm që të vazhdonim përpara në vend se të ktheheshim. Zot, ishte ftohtë dhe ishim në këtë dreq Kosove, dhe i gjithë udhëtimi kishte arritur në një pikë të keqe. Më në fund, e pamë dritën e një bujtine dhe na u desh të ecnim në një rrugë me çakull. U shkundëm pak, me të kaluar një hotel të braktisur me lajmërime për mina rreth mureve të prishura që dukeshin si zbukurime Krishtlindjeje. Morëm nga një çokollatë të nxehtë dhe e lamë një kuti cigaresh në tavolinë. I pimë të gjitha derisa mbërriti një tjetër mik vendas dhe na tha: “Ecni djema, a vërtet u friguat?”

Dhe atëherë qeshëm dhe vërtet ia futëm një mendje të lehtë, dhe nuk u friguam më.

Kosova mund të jetë e rrezikshme, por më të rrezikshme janë paragjykimet e tua. Them se është normale që të kesh pak frikë kur udhëton në një vend që shumica e njerëzve e kujtojnë si një fushë beteje sesa si një vend. Por ajo frikë do t’ju bëjë t’i ngjiteni malit me të katra si i krisur nëse nuk arrini ta kontrolloni.

Dhe nëse i frigohesh pyjeve, ka shumë gjasa që të frigohesh edhe nga qebaptoret, rrugicat e errëta dhe dhomat me tym. Dhe nëse është kështu, ju do të dini vetëm 20 për qind për vendin. Nëse nuk frigoheni dhe hani kokërdhokët e syve, bëheni trim në baret e ngushta, nuk ju kap paniku nga mungesa e ajrit të pastër dhe e duroni tymin e duhanit, atëherë ju do të shihni rreth 60% të vendit, dhe jo shumë njerëz shohin më shumë se kaq.

Bukuria e Kosovës i ngjan shumë atyre bisedave të vogla. Është e këndshme, por është thjesht një bisedë mashtruese mes dy njerëzve që nuk duan të arrijnë në asnjë përfundim. Kalaja e Prizrenit ka më shumë tela me gjemba sesa një burg. Dhe nëse dëshiron të vizitosh luginën e Rugovës, të duhet të kalosh përmes Pejës, një qytet që u dogj pothuajse i tëri në luftën e vitit 1999. Këto janë si ato rrudhat në një sipërfaqe të sheshtë, por në Kosovë rrudhat janë ato që i japin asaj formën. Ju nuk mund të arrini ta kuptoni se se si miqtë e njëjtë mund të takohen në të njëjtin bar për katër netë rresht, ose ndihen të kënaqur duke mos bërë asgjë për sa kohë që janë në shoqëri apo pse të gjithë pinë aq shumë duhan – e kjo deri sa ta kuptoni se çfarë u është marrë njëherë njerëzve të Kosovës dhe se çfarë vazhdon t’u u merret atyre ende sot.

Kultura e Kosovës del rrallë jashtë kufirit. Ajo është e zënë në kurth brenda vendit. Është vërtet turp, pasi një komb që nuk mund t’ia shpjegojë dot vetveten botës përmes kulturës së vet, nuk është komb, por është veç një ekonomi. Në njëfarë mënyre, kjo është arsyeja se pse mikpritja dhe bisedat janë kaq të zakonshme në Kosovë. Vizitorët marrin një leksion për këtë. Vendasit të mbushin me anektoda, këngë dhe sjellje krejt origjinale, nëse i lejon që ta shprehin veten.

Nëse dëshiron t’i mbijetosh Kosovës, është mirë t’i lejosh ta shpalosin këtë anë të tyre. Ndoshta do të të duhet që frikën ta lësh pas shpine në hyrje të kufirit, dhe po, bën mirë të hash çka të vënë përpara dhe të mos i mbash cigaret e tua në xhep. E nëse dikush të kërkon të shkosh për një ecje në pyll, bëje edhe këtë poashtu.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO