Në thelb | Art

Të jesh apo të mos kesh

Nga - 12.09.2017

Dy aktore të reja flasin për zhvillimin e tyre në skenën e filmit dhe të teatrit në Kosovë.

Në vitin 2012, dy aktore të reja e ambicioze u bënë pjesë e  degës së Arteve Dramatike të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ndonëse dy rrugë të ndryshme i çuan deri aty, dhe në dy rrugë të ndryshme shkuan më pas, të dyja janë munduar të krijojnë karrierë në botën e aktrimit në Kosovë.

Duke biseduar me të dyjat, shihet qartë se sa vështirë është të lulëzosh në këtë mjedis, në të cilin kompromisi dhe pasioni duhet ta tejkalojnë mundimin. E para, May-Linda Kosumovic, ishte kthyer në Kosovë nga Kanada.

“Më qitën prej shtëpisë kur i mbusha 18 vjet”, thotë Kosumovic për K2.0, duke bërë hajgare me familjen e saj. “Babi më tha se duhet të bëhem e pavarur, të marr banesë e të jetoj vetë ose me miq, të gjej punë”.

Ajo reagoi duke ardhur në Prishtinë e duke gjetur punë si aktore me disa role të vogla në reklama, para se të regjistrohej në Universitet.

Alketa Syla u rrit në Prishtinë dhe aktrimin e gjeti si talent të natyrshëm. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Tjetra, Alketa Sylaj, u rrit në lagjen e Teatrit Dodona në Prishtinë. Në këtë teatër ajo pa shfaqje të cilat i ndihmuan ta zhvillojë një dashuri për aktrimin e cila kishte nisur prej fëmijërisë. Sylaj me sarkazëm përmend mungesën e aftësive të tjera si një prej faktorëve që e shtynë atë të ndjekë karrierën si aktore.

“S’është që kam qenë e mirë në matematikë ose fizikë”, thotë ajo për K2.0. “Pra mendova nëse jam e mirë në diçka, jam në aktrim – duke u lazdruar”.

Të dy aktoret e shfaqin një sens humori zhvlerësues ndaj vetes. Duket se ky sens është thelbësor për skenën e aktrimit në Kosovë, meqë rolet dhe pagesat janë të pakta. Kosumovic mendon se kolegët moshatarë të saj nuk pretendojnë të arrijnë diçka madhështore.

“Duhesh me e dashtë. Nuk mendoj që dikush e bën për para”, shpjegon ajo. Kosumovic është e punësuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës prej vitit 2015, kur kishte kaluar një audicion për t’u bërë aktore rezidente.

Ky institucion ka kaluar nëpër një periudhë të zhurmshme në vitet e fundit, i njollosur nga akuzat për ndikim politik në lidhje me emërimet e stafit në pozita drejtuese. Kosumovic mendon se ky reputacion i ka dekurajuar shumë aktorë të rinj, përfshirë këtu edhe veten, dhe kështu nuk kanë aplikuar për t’u punësuar në këtë teatër. Megjithatë, punësimi i Lumnije Sopit si drejtoreshë e përkohshme dhe Ilir Gjocajt si drejtor artistik në shkurt të vitit 2015, ndihmoi që këtij institucioni t’i kthehet besimi.

“Kur e pamë që po shkojnë sendet më mirë, që po krijohen shfaqje më të mira, po vijnë regjisorë të mirë prej vendeve tjera, por edhe po inkuadrohen regjisorë të mirë të vendit, atëherë krejt kishin dëshirë të aplikonin”, thotë Kosumovic.

“Nëse rebelohesh, të thojnë ‘Kqyre këtë divën’ edhe të zëvendësojnë, e ju thojnë tjerëve mos me të marrë, sepse je problematike.”

Alketa Sylaj

Megjithatë, marrëdhëniet e Teatrit Kombëtar me aktorët vendas nuk janë përmirësuar krejtësisht. Ndonëse të gjithë aktorët e vlerësojnë rehatinë që e ofrojnë rrogat e rregullta, niveli dhe natyra e pagesave aktualisht janë çështje të mosmarrëveshjes ndërmjet Teatrit dhe aktorëve rezidentë. Aktorët e kanë formuar një Sndikatë dhe në mars të këtij viti e mbajtën një protestë kundër rrogave të vogla në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit – madje thanë se nëse vazhdon kështu situata, do të mbajnë edhe grevë.

Ndonëse Sylaj ka punuar më shumë me filma dhe në teatro të pavarur, edhe ajo mendon se trajtimi i aktorëve në Kosovë është pothuajse i nivelit përbuzës, dhe se ata shihen si persona që mund të zëvendësohen lehtë me të tjerë.

“Nëse rrebelohesh, të thojnë ‘Kqyre këtë divën’ edhe të zëvendësojnë, e ju thojnë të tjerëve mos me të marrë, sepse je problematike”, shpjegon ajo. “Mund të të thonë se, nëse nuk vjen ti, vjen dikush tjetër”.

Sylaj e pranon faktin se pasiguria në lidhje me punën është shpeshherë pjesë e botës së aktrimit. Siç thotë edhe vetë: “Edhe Kevin Spacey hala shkon në audicione, e në fund e merr Daniel Day-Lewis rolin për të cilin Spacey ka ushtruar e është trajnuar me muaj”.

Por ajo thekson se në Kosovë, pozita e aktorëve është edhe më e pasigurtë.

“Këtu është ndryshe”, shpjegon ajo. “Ta premtojnë një rol, dhe je e sigurtë që është i yti, i refuzon projektet e tjera, njoftohesh me njerëz të tjerë në projekt, e në fund të ndërrojnë”.

Sylaj thotë se shumica e projekteve punësojnë aktorë pa kontrata. “Jemi aq të zëvendësueshëm saqë u nënshtrohemi kushteve të tilla, e edhe kemi frikë të kërkojmë kontrata, se kemi frikë që na qesin prej punës”.

Ajo thotë se në Kosovë puna pa kontratë është diçka e zakonshme, e jo e rrallë. Kjo natyrisht krijon një aspekt të pakëndshëm të konurrencës. Sylaj thotë se aktorët shpeshherë ndihmojnë në zhvillimin e roleve dhe se ata që nuk mund të luftojnë që ta kenë një pozitë të rëndësishme për karakterin e tyre, kanë rrezik të mbesin jashtë shfaqjeve.

Puna në mediume të ndryshme

Kjo mungesë e sigurisë së punës dhe rrogat e vogla bëjnë që aktorët të punojnë në mediume të ndryshme. Përveç punës që e bën në Teatër Kombëtar, Kosumovic ka punuar me filma, prodhime televizive dhe reklama. Ajo e përshkruan teatrin si jetë, filmin si çlodhje, dhe televizionin e reklamat si të nevojshme për mbijetesë.

Kosumovic thotë se me orar të ngjeshur jo vetëm që fitojnë para për të mbijetuar, por edhe rriten e zhvillohen si aktorë. “Talenti nuk është i mjaftueshëm”, konsideron ajo. “Duhet me punu shumë, sepse përndryshe stagnon. Nuk zhvillohesh më shumë”.

May-Linda Kosumovic e ka marrë një qëndrim proaktiv në botën e filmave kosovar. Ajo ka shkruar edhe skenare, kur nuk kishte role të cilat i pëlqenin. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kosumovic mendon gjithashtu se është shumë e rëndësishme ta krijosh fatin tënd. Nëse e ke vështirë të gjesh projekte të cilat i dëshiron, shkruaje një rol për vete. Këtë e ka bërë edhe vetë: e ka shkruar një skenar i cili pastaj është zhvilluar në një film të shkurtër me ndihmën e një miku të saj regjisor. Vepra që doli ishte “A Performance” (Performancë). Ky film i shkurtër e fitoi garën kombëtare në DokuFest në vitin 2016. Filmi e tregon historinë e dy aktoreve të cilat përballen me vështirësi derisa mundohen të mbijetojnë në këtë profesion.

Aktualisht Kosumovic po merr pjesë në një film të metrazhit të gjatë, regjisor i të cilit është Anton Ndrecaj. Ajo është duke luajtur rolin e një gruaje që është e varur nga heroina, dhe paraqitet duke i përjetuar vështirësitë e lënies së kësaj droge. Për t’u përgatitur për këtë rol, ajo do të konsultohet me dy miq të saj për t’i dëgjuar përvojat e tyre – këtë proces do ta ndërmarrë vetë, meqënse diskutimet e provat e para fillimit të xhirimeve janë të rralla në industrinë e filmit në Kosovë.

Gjatë periudhës jugosllave, Kosova prodhonte dy filma në vit, dhe disa filma dokumentarë dhe të animuar. “Kosovafilm” ishte shtëpia e vetme e filmit, dhe kishte buxhet të madh të cilin e merrte nga shteti. Tani janë 126 shtëpi filmike të regjistruara, por niveli i prodhimit ka rënë.

Sylaj, e cila pasion parësor e ka aktrimin në filma, pajtohet me pretendimet e Kosumovicit që tha se filmat shpeshherë bëhen me nguti, e me shumë improvizime. Si shkak kryesor për këtë, ajo thekson erozionin e industrisë së filmit në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000.

Aq shumë përjetoi frenim kinematografia saqë Sylaj mendon se sot gjithçka është e re, gjithçka po bëhet nga fillimi. “Pjesa më e madhe e ekipeve filmike janë të huaj: kameramanët, drejtorët e fotografisë, etj”, thotë Sylaj, e cila shpeshherë detyrohet të ndihmojë me çështje teknike ose organizative, siç bëjnë edhe aktorët tjerë. Edhe pse i pëlqen ky proces, e pranon se e shkëput nga fokusi rreth rolit dhe procesit të saj kreaativ.

Pavarësisht këtyre çështjeve, Sylaj prapëseprapë preferon punën në film para teatrit, sepse mendon që në teatër ka shumë metoda të ashpra dhe të vjetruara të aktrimit, si dhe stereotipe për shoqërinë.

“Është një shabllon për krejt gamën e një karakteri – veç shtatë ngjyra”, shpegon ajo. “Kështu që kur aktron të keqin, atëherë aktro të keqin deri në fund.”

Sylaj beson se shpeshherë është humbur ndjeshmëria në botën e aktrimit në Kosovë, e është zëvendësuar me performanca dramatike dhe melodramatike. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ajo mendon se kjo melodramë dhe ky diskurs i palëkundur e ka shkëputur aktrimin nga realiteti. Sylaj tha për K2.0 se në Kosovë aktorët kanë vështirësi kur aktrojnë edhe vetëm një ‘më fal’ të thjeshtë, pa atë mimikën e atë maskë”. Më pas imiton me ton teatror: Më! Fal!”

Përgjigjja për Sylajn është e thjeshtë: ndjeshmëria. “Krejt çka të duhet është me pa dhimbjen dhe karakterin e njeriut, në mënyrë që njerëzit të thojnë: ‘po më duket që më ka ndodh mua!’”

Sylaj mendon se kjo varësi ndaj stereotipeve, përveç që e frustron si aktore, ndonjëherë edhe e dëmton shoqërinë. Ajo e përmend një skenar të cilin e ka lexuar, i cili i portretizonte personat LGBT si të lumtur, tepër seksual, duke vallëzuar e duke u çmendur me flamur të ylbertë, para se të shtonte se ky lloj stereotipi është veçanërisht ofendues në Kosovë, ku personat LGBT janë një prej komuniteteve më të shtypura.

Arsye për të qenë

Kundërshtimi i roleve të tilla shpeshherë e ka lënë Sylajn në pozitë të vështirë në botën e aktrimit. “Jam idealiste”, shpjegon ajo, “dhe është shumë e vështirë me qenë idealiste dhe aktore, sepse trajtohesh si budallicë ndonjëherë. Njerëzit të pyesin ‘pse po ta ndinë?’ Thjesht bëj çka të thotë regjisori. E që ti po aktron një stereotip, e një kreten total, nuk është punë e madhe.”

Këtu vërehet qartë motivi i Sylajt për të vazhduar jetën e saj si aktore në Kosovë, dhe dukshëm është i formësuar nga puna e saj anësore si artiste.

“Përgjegjësi e jona është me i ndryshu këto sende që i shohim, dhe unë flas për to në projekte në të cilat marr pjesë”, shpjegon ajo. “Nuk je thjeshtë dikush që e kryen një punë dhe shkon në shtëpi. E shoh si pozitë më të madhe me më shumë përgjegjësi. Je artist/e. Ke diçka për të thënë, me e shty shoqërinë që me e arritë një nivel tjetër të ndërgjegjësimit, e me ndryshu, me shpresë për së miri”.

May-Linda Kosumovic e sheh aktrimin si mënyrë për t’i eksploruar kufijtë e përvojës njerëzore. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ndonëse pasioni i Sylajt i ka rrënjët te ndryshimi social, Kosumovic si duket motivin kryesor për t’u zhvilluar si aktore e ka eksplorimin e mundësive të pafundme dhe përjetimin e të mirave dhe të të këqijave intensive që i ofron teatri.

Ajo flet me ngazëllim për punën që e bëri me regjisorin hungarez, Andrash Urban, në shfaqjen e Jeton Nezirajt që ngjalli polemika, “Bordel Balkan”. Kosumovic e konsideron këtë shfaqje si një prej më të mirave prej atyre në të cilat ka luajtur, jo për shkak të interesit të madh që e pati audienca, por për shkak të zhvillimit që e përjetoi ajo si aktore gjatë këtij procesi. “Ka qenë kënaqësi sepse kam zbuluar sende për vetën, dhe kam eksploruar”, thotë ajo.

Prej ditës së parë, Kosumovic e kuptoi se procesi i provave do të jetë i pazakontë dhe kreativ. “Në takimin e parë ai nuk mbajti audicion, thjesht deshi ta dijë se ku i kemi limitet”, shpjegoi ajo. “Dikush u shpreh se nuk ka dëshirë të flas për religjion, apo për Allahun, mbulesat e kësi sende. Të gjithë i kishin sendet e veta, gjë që është në rregull, mirëpo unë thash se ‘nuk kam ndonjë’. Ai më pyeti nëse jam e sigurtë, edhe iu përgjigja që deri atëherë me çka kam punuar, nuk kam pasë kufij”.

Puna me Urbanin për pak sa nuk ndodhi, meqë Kosumovic fillimisht ngurroi që të zinte vendin e saj si aktore e Teatrit Kombëtar, sepse e dinte çfarë lodhje fizike dhe mendore sjell puna në disa shfaqje në afat të gjatë. “Më kap frika në teatër”, zbulon ajo. “Dy javë para premierës kam shumë stres. Nuk mund të ha edhe përlahem me njerëz, sidomos me familjarë”.

Stresi edhe orët e gjata të punës gjatë punimit të një shfaqjeje janë përvojë rraskapitëse, por prapëseprapë është pjesë shumë e rëndësishme e jetës së Kosumovicit. “Më bën me e ndje më së miri, e më së keqi në botë”, shpjegon ajo. “Më bën me u ndi e gjallë, me të mira dhe të këqija. Nuk mund të jetoj në një vijë të drejtë. Kështu mbijetoj. Këto emocione më japin kënaqësinë më të madhe në jetë, edhe më mbajnë të freskët, që gjithmonë me u ndje si e re në aktrim”. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO