S`fundmi | LGBTI

Rasti transgjinor shkon në institucionin më të lartë ligjor të Kosovës

Nga - 31.07.2018

Vendimi për ndryshimin e emrit dhe shënuesit të gjinisë është prezantuar në Gjykatën Kushtetuese.

Kur Blert Morina nisi terapinë hormonale në janar, ai mendoi se ky do të ishte elementi më sfidues i tranzicionit të planifikuar të tij. Ai kurrë nuk priti që përpjekjet e tij do të kanalizoheshin në një grumbull dokumentash, duke kaluar nëpër secilin nivel të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në prill, Morina bëri përpjekje për ta ndryshuar emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet e tij të identifikimit në Zyrën e Gjendjes Civile në Gjakovë, kërkesë kjo e cila iu refuzua me rekomandim të Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), organ që operon brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai apeloi për vendimin drejtpërdrejtë tek Agjencia, por apeli i Morinës u refuzua dhe u përshkrua si “i pabazë”.

Të hënën (30 korrik), bashkë me përfaqësuesen ligjore të tij, Rina Kikën, Morina e dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës kundër ARC-së, duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit për refuzimin e apelit të tij.

“Unë, si person transgjinor, kam menduar se faza më e vështirë do të ishte fillimi i tranzicionit [fizik]”, thotë Morina. “Nuk mendova që ndryshimi i emrit dhe shënuesit të gjinisë do të kërkonin përkushtimin tim të plotë, që po më merr shumë kohë, energji, dhe po më bënë shumë presion”.

Ndryshimi i dokumenteve

Morinës iu caktua seksi biologjik femëror pas lindjes, por ai identifikohet si burrë në të gjitha sferat e jetës, prej familjes, te rrethi shoqëror e deri te vendi i punës. Disa vite pas tranzicionit social të Morinës, që përfshin daljen haptas si transgjinor, përdorimin e emrit në përputhje me identitetin e tij gjinor dhe përdorimin e përemrave adekuat nga të tjerët, ai nisi tranzicionin hormonal – për burrat transgjinorë kjo nënkupton marrjen e testosteroneve shtesë.

Ai e dorëzoi kërkesën që dokumentet e tij të përputhen me identitetin gjinor të tij, në përpjekje për të gëzuar përfshirje të plotë në shoqëri, për shkak se mospërputhja ndërmjet tyre ka bërë që ai të përjetojë rregullisht diskriminim në jetën e tij të përditshme.

Bashkë me Kikën, Morina shpjegoi për K2.0 se si dokumentet aktuale të identifikimit të tij ia vështirësojnë shumë aktivitetet që ai i ndërmerr rregullisht, prej qasjes në institucione e deri te punët në bankë – thënë shkurt, sa herë i duhet ta tregojë letërnjoftimin. Ata dy veçanërisht i theksojnë përvojat e pakëndshme të cilat i vuan Morina sa herë e kalon kufirin, kur shpesh hetohet në mënyrë të thukët.

Terapia hormonale tashmë ka lënë ndryshime të dukshme në zërin, fytyrën dhe trupin e Morinës. E kështu ai po përjeton gjithnjë e më shumë ballafaqime të vështira.

“Kur e nisa procedurën e ndryshimit të emrit dhe shënuesit të gjinisë, mendova se do të jetë e lehtë për shkak se legjislacioni e garanton këtë.”

Blert Morina

“Disa ditë më parë, shkova për ta marrë një kartelë të bankës dhe një vajzë që punonte aty më tha ‘Blerta Morina duhet me e marrë, nuk mundesh ti në vend të saj”, thotë Morina. “E vendosa letërnjoftimin para saj, dhe ishte situatë shumë e pakëndshme për mua dhe për të. Ajo vazhdoi duke mos më besuar. Është frustruese kur të kthejnë mbrapa, e ndonjëherë ndodh në baza ditore”.

Përvojat e tij me ndryshimin e detajeve në dokumentet e tij, ia kanë ndryshuar pikëpamjet Morinës për qasjen e shtetit të tij ndaj personave transgjinorë. “Në fillim, kur kam filluar tranzicionin në janar, vazhdimisht e promovoja legjislacionin e mirë të Kosovës në çdo takim rajonal”, thotë Morina. “Kur e nisa procedurën e ndryshimit të emrit dhe shënuesit të gjinisë, mendova se do të jetë e lehtë për shkak se legjislacioni e garanton këtë”.

Morina e përshkruan herën e parë kur iu refuzua kërkesa e tij me rekomandim të ARC-së si “zhgënjimi i parë”, duke shtuar se mënyra se si iu komunikua ky refuzim veç sa e bëri më të vështirë. “Emocionalisht e përjetova keq sepse vazhdimisht më referoheshin si Zonja Blerta”, thotë ai për K2.0.

Refuzim zyrtar

Kërkesa që e bëri Morina në prill për ta ndryshuar emrin në dokumentet e identifikimit të tij iu referua Urdhërit Administrativ për Kushtet dhe Procedurat për Ndryshimin dhe Përmirësimin e Emrave Personal, veçanërisht dispozitës që thotë: ‘Emri personal e pengon integrimin e personit në shoqëri’. Në kërkesë u theksua veçanërisht dispozita që thotë: ‘Emri personal e vështirëson integrimin e personit në shoqëri.’

Megjithatë, vendimi i Zyrës së Gjendjes Civile, duke cituar rekomandimin e Komisionit të ARC-së, thotë se aplikimi nuk i plotësoi kushtet e këtij Udhëzimi Administrativ. “Komisioni ka vlerësuar se arsyeja e ofruar nga parashtruesja e kërkesës nuk qëndron… pasi që emri ‘Blerta’ nuk e pengon integrimin e personit në shoqëri”.

Shpjegime të mëtejme nuk u dhanë në prill, por kur e morrën vendimin zyrtar për ta refuzuar apelin e Morinës në maj, ARC-ja ofroi arsyetime të mëtejme, duke thënë se Morina “nuk ka dhënë asnjë dëshmi, shkresë, shënim tjetër apo fotografi, dokument arkivor që tregon se emri personal Blerta Morina po e pengon personin në integrimin e saj në shoqëri”.

Kika thekson se obligimi për të ofruar dokumente shtesë nuk parashihet në legjislacion. Në një ankesë 27 faqëshe që iu dorëzua Gjykatës Kushtetuese, Kika, mes tjerësh, argumentoi se Morinës nuk i referohet asnjë nga pengesat e listuara në Ligjin për Emrin Personal, që parashohin kur nuk lejohet ndryshimi i emrit.

Avokatja e Morinës, Rina Kika, beson se vendimi i Agjencisë i shkelë parimet shtetërore të ndihmës aktive gjatë ushtrimit të të drejtave. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Avokatja gjithashtu thekson se shteti ka bërë shkelje të parimeve të procedurës, atë të ndihmës aktive që duhet dhënë palëve gjatë përpjekjes për të kërkuar një të drejtë. “Administrata shtetërore ka për detyrë në mënyrë aktive ta ndihmojë palën duke u treguar se cilat dokumente u mungojnë”, thotë ajo. “Kështu që me ligj nuk mundesh thjeshtë me e refuzu një kërkesë për shkak se pala nuk ka dorëzuar një dokument, nëse ai dokument nuk është kërkuar”.

Ndonëse Ligji për Gjendjen Civile në Kosovë parasheh që gjinia e personit verifikohet nëpërmjet raporteve mjekësore, Kika argumenton se ARC e interpretoi procedurën për njohje ligjore të identitetit gjinor duke u bazuar vetëm në këtë ligj, dhe duke i përjashtuar Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin Kundër Diskriminimit. Ligji Kundër Diskriminimit ndalon diskriminimin në bazë të identitetit gjinor, ndërsa Ligji për Barazi Gjinore njeh identitetin gjinor si diçka që nuk është e lidhur me gjininë që i caktohet personit në lindje, dhe diçka që nuk kërkon ndërhyrje mjekësore.

Kika gjithashtu thekson Nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës që obligon aplikimin e praktikave të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDN) në legjislacionin kosovar. Raste të ndryshme të GjEDN-së kanë rezultuar me vendime se kushtëzimi i njohjes ligjore të gjinisë me ndërhyrje fizike, si operacionet kirurgjike, është shkelje e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtës për privatësi.

Për Morinën, i cili është gjithashtu Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), që avokon për të drejtat LGBTI, ky vendim e tregon qartë mungesën e mirëkuptimit për çështjet transgjinore në nivelin institucional të Kosovës. “Ka mungesë të kompetencës sepse herën e parë që duhet ta marrësh një vendim të tillë, duhet të kesh informata të përgjithshme për të gjitha komunitetet e mundshme”, thotë ai.

Korrigjim kushtetues

Kërkesa e dorëzuar të hënën tek Gjykata Kushtetuese u parapri nga një padi që u dorëzua në Gjykatën Themelore në Prishtinë javën e kaluar, nëpërmjet së cilës u kërkua anulimi i vendimit të ARC-së. Sipas Kikës, vendimi i ARC-së është diskriminues dhe kështu duhet të anulohet, për shkak se e përjashton Morinën në bazë të identitetit gjinor të tij, dhe e shkel të drejtën e Morinës për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë dhe me privatësi.

Hilmi Jashari, Avokati i Popullit të Kosovës, shpjegon për K2.0 se si rasti i Morinës është portretizim i mungesës së ekspertizës së standardeve ndërkombëtare në institucionet e Kosovës, aplikimi i të cilave duhet të prioritizohet nëse është në konflikt me legjislacionin lokal. Siç thotë ai, udhëzimet administrative nuk mund të kenë pushtetin e njejtë në vendimmarrje si Kushtetuta.

Vet Jashari do të përfshihet në rastin e Morinës si amicus curiae (mik i gjykatës), në të cilin rol Avokati i Popullit do ta ndihmojë Gjykatën Kushtetuese ofruar informata dhe ekspertizë. “Mendoj se do t’i shërbejmë frymës kushtetuese dhe standardeve të të drejtave të njeriut, dhe veçanërisht një të drejte e cila është jetike për qytetarët e këtij vendi”, thotë Jashari për K2.0.

Kërkesa për shqyrtimin e vendimit u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese të hënën më 30 korrik, dhe është mbështetur nga Avokati i Popullit të Kosovës si dhe organizata dhe individë të tjerë. Foto nga Rina Kika.

Jashari gjithashtu e mbështetë vendimin e Kikës për ta dorëzuar ankesën tek Gjykata Kushtetuese para se të shtjerren mjetet tjera juridike që i ka në dispozicion. Praktikisht, ajo do të duhej ta priste fillimisht vendimin e Gjykatës Themelore, e më pas ta apelonte vendimin në rast të refuzimit, e tek në fund ta dërgonte rastin tek Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, avokatët argumentojnë se dëshmitë tregojnë që Gjykata Themelore mund ta vonojë vendimin deri në pesë vite.

“Të gjitha zvarritjet procedurale të cilat mund të udhëheqin gjatë këtyre proceseve po të ishin ndjekë me rradhë nuk i garantojnë realizim dhe mjet efektiv juridik, sepse në bazë të raporteve tona është konfirmuar që procedurat mund të zgjasin 8 deri në 11 vjet”, thotë Jashari për K2.0. “Në rastin e Morinës, kjo veç sa do t’i shtonte probleme, ankth dhe vuajtje”.

Kërkesa e Morinës për njohjen e identitetit gjinor të tij në dokumente të identifikimit dhe vendimi i tij për të dorëzuar kërkesë tek Gjykata Kushtetuese për shqyrtim të kushtetutshmërisë së vendimit të ARC-së është mbështetur nga disa organizata, aktivistë dhe individë.

Ky grup u bashkua për ta formuar një deklaratë të përbashkët: “Ne insistojmë që institucionet e shtetit duhet ta kenë të qartë që qytetarët e Kosovës nuk janë grup homogjen, por i takojnë grupeve të ndryshme shoqërore siç reflektohet edhe në legjilsacionin e shtetit tonë”, shkruhet në deklaratë. “Nevojat e komunitetit transgjinor janë nevoja të qytetarëve të Kosovës, prandaj përjashtimi i tyre nënkupton dështim në mbrojtjen e të drejtave të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO