Në thelb | Protesta

Ngatërrestarët në Vuçiq-lend

Nga - 17.07.2017

Çka shkoi mbrapsht me protastat më të mëdha në Serbi që nga vitet ‘90?

Disa muaj pas protestave më të mëdha në Beograd që nga vitet 1990, të njëjtat rrugë ende jehojnë me fjalët të cilat kumbonin që nga fillimi i prillit: spontane, të hatashme, të freskëta, revolucionare…

Kur pi kafe në Sheshin e Republikës thuajse pret që përplasja e filxhanëve të shndërrohet në përplasjen e këmbëve për toke, duke marshuar kundër diktaturës së supozuar. Por në vend të kësaj, gotat kërcasin, pirujtë i gërvishin sipërfaqet e pjatave, njerëzit qeshin, dhe argëtohen. Jeta në Beograd vazhdon me të vjetrën.

Protestat u ndalën po aq spontanisht siç filluan, duke e kthyer idenë e një shoqërie të zgjuar e të angazhuar në njëfarë lloji legjende urbane. Siç thotë hulumtuesi i Universitetit të Beogradit, Aleksandar Matkoviq: “Protestat ishin paradoksale: një ditë kishte me disa mijëra njerëz në rrugë, e ditën tjetër kishte zero njerëz”.

#kundërdiktaturës

Në fillim të prillit, një qytetari aktive dhe e angazhuar në Serbi duket të ketë lindur brenda natës. Të dielën, më 2 prill, njerëzit e mbyllën ditën me presidentin e ri të zgjedhur, ish-kryeministrin, Aleksandar Vuçiq. Të hënen, ata u zgjuan me një ngjarje në Facebook, e cila bënte thirrje për protesta në gjithë vendin nën slloganin ‘protiv diktature’ — ‘kundër diktaturës’.

Studentja Aleksandra Nedeljkoviq mori pjesë në protestë dhe u habit me numrin e njerëzve që iu bashkuan kësaj lëvizjeje. “Shumë njerëz iu përgjigjën ftesës, por askush nuk ishte i sigurtë se sa njerëz do të dilnin”, shpjegon ajo.

Aleksandar Matkoviq, nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale, nuk mund ta paramendonte shtrirjen që mund ta ketë një ngjarje e mediave sociale në shoqëri. “Kurrë nuk kam parë aq shumë protestues në këtë rajon, nuk kishte asnjë rrugë boshe”, hulumtuesja gati sa nuk bërtet kur e kujton fuqizimin të cilin e ndjeu më 3 prill.

Protestat u shpërndanë edhe në qytetet tjera, duke përfshirë edhe Novi Sadin, ku protestuesit thonin: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”.

Studenti Vuk Velebit u shtang nga ky aktivizëm i papritur, i cili dukej se e bombardonte nga çdo skutë. Reagimi i tij i parë ishte mosbesimi ndaj sinqeritetit të rrebelimit, transparencës së ngjarjeve, dhe ishte i gatshëm të besonte se kjo ishte ndonjë grackë. “Ajo që vërtet më dukej e pazakonshme, dhe njerëzve tjerë gjithashtu, ishte të dëgjoj se 10,000 njerëz dolën në rrugë një ditë pas zgjedhjeve. Kjo ishte arsyeja pse m’u deshën tri ditë t’i bashkohesha protestës”, e pranon me një dozë turpi.

"Me fitoren e Vuçiqit shumë gjëra në Serbi e humbën kuptimin dhe i vetmi kuptim ishte të dilet në rrugë".

Aleksandra Nedeljkoviq, studente e cila mori pjesë në protesta.

Nedeljkoviq i kujton protestat si një koktej zemërimi dhe frike, të përzier me atmosferë “pozitive, frymëzuese”. “E kuptuam se nuk ishim vetë”, kujton ajo. “Me fitoren e Vuçiqit, shumë gjëra në Serbi e humbën kuptimin dhe i vetmi kuptim të cilin njerëzit mund ta gjenin ishte në rrugë”.

Aktivistja ende nuk mund të rimëkëmbet nga ndjenja e “humbjes dhe mungesës së shpresës” të cilën e pati kur Vuçiq e shpalli fitoren. “Dola në rrugë sepse dëshiroja që zërat tanë të dëgjohen gjithashtu”, deklaron ajo. “Doja që secili të shihte se në Serbi kishte më shumë se një mendim. Veç doja që Serbia të fillonte të zgjohej”.

Dhe bota nisi të përmbysej

Por, shkëlqimi i fillimit dalëngadalë nisi të zbehej. Të gjeturat e anketës së fundit të zhvilluar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) zbulon se 38 e respondentëve thanë se e kundërshtonin protestën, derisa vetëm 25 ishin në favor të saj.

Dushan Spasojeviq, profesor pranë Universitetit të Beogradit beson se mungesa e mbështetjes për protesta mund të shpjegohet me grindjet dhe natyrën jofunksionale të protestave ndërsa ishin në përfundim e sipër.

“Ajo që shkoi mbrapsht në protesta ishte se ato filluan me katër kërkesa që kishin të bënin me mashtrime zgjedhore”, thotë profesori. “Por pas disa ditësh, atyre iu shtuan edhe shtatë kërkesa dhe ato dëshironin ta ndryshonin botën”.

Ndërsa kërkesat e protestës u diversifikuan, masat u ndanë në fraksione të ndryshme.

Disa prej protestuesve dukeshin të pasigurtë në lidhje me qëllimet e tyre, ndërsa pakënaqësia fillestare me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale u kthyen në protestat kundër grushtit të Vuçiqit. Situata u bë edhe më e ndërlikuar pasi protestuesit u ndanë në tri grupe. Grupi i ‘shtatë kërkesave’ besonte se Presidenti Vuçiq nuk ishte problem aq i madh sa çështjet socio-ekonomike në vend; fraksioni tjetër, me emrin ‘Kundër diktaturës’, mori kontrollin e faqes së Facebook-ut dhe të adresës elektronike, duke i mbetur besnike të katër kërkesave fillestare të protestës. Grupi i tretë përbëhej nga studentët e artit që kishin lidhje me lëvizjen Kundër diktaturës, dhe e zhvillonin fushatën të quajtur ‘Kultura kundër diktaturës’.

Por gracka më e madhe së cilës nuk mund t’i iknin tubimet publike ishte mungesa e organizimit. Nisma origjinale nuk ishte që politkanët të përfshiheshin në protestë, që, sipas Sofija Mandiqit nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), rrjedh nga “ideja se politikanët janë të përlyer”. Mandiq beson se “argumenti i fuqisë së masës është i vlefshëm por i përkohshëm, dhe në afat më të gjatë kemi nevojë për bashkëpunim [politik], në të kundërtën do të përfundojmë në drejtim të gabuar”.

Spasojeviq pajtohet, duke thënë se “si akter politik të duhen nxitje që njerëzit të dalin. Ato protesta ishin interesante për disa ditë, por nevojitet një strukturë […] njëfarë organizimi, jo vetëm lidership por edhe organizim, ndërsa ata grindeshin me njëri-tjetrin”.

Megjithatë, protestuesja Nedeljkoviq nuk pajtohet me këto shpjegime. “Njerëzit nuk patën nevojë për bari që t’i udhëhiqte”, konsideron ajo, duke shtuar se, për të, edhe paraqitja e tri fraksioneve apo mungesa e përgjigjes nuk ishin “kyçe për rënien e numrit të protestuesve”.

Mandiq gjithashtu jep arsye tjetër për natyrën jetëshkurtër të protestave, duke vënë në pah boshllëkun ndërmjet presidentit dhe kërkesave të popullsisë. Sipas saj, energjia e protestave ishte si një flakë, një flakë të cilën shpërfillja e regjimit në fund e fiku. Vuk Velebit pajtohet. “Ai veproi me shumë mençuri, në fillim bëri disa komente, por më vonë vetëm u bë thuajse asgjë nuk po ndodhte, vetëm e injoronte protestën”.

Shoqëria e reformuar e mjeshtrit të kukullave

Përkundër zbehjes së tyre, Aleksandar Matkoviq beson se protestat korrën disa fitore të rëndësishme. “Njerëzit dolën nëpër hapësira publike me kërkesa të njëmendta, për të kritikuar gjithçka dhe ky është vetëm filimi”, thotë ai. “Ne e thyem këtë pengesë dhe gjithkush e di se nëse ata dëshirojnë t’i fitojnë zgjedhjet, do t’u duhet t’i plotësojnë detyrimet e tyre shoqërore, në të kundërtën njerëzit do të dalin në rrugë. Protestat më në fund bënë që njerëzit të bëjnë diçka, të bërtasin në rrugë”.

“Është mirë të mos kesh frikë; para një viti njerëzit kishin frikë dhe në njëfarë forme kjo frikë u thye dhe kjo është vërtetë mirë për demokracinë”.

Drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Anita Mitiq.

Ndryshimi i cili erdhi pas protestave ka shpërndarë lumturi te aktivistët dhe OJQ-të. Një veterane e asaj bote, Anita Mitiq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut beson se protestat kanë qenë frymëzuese dhe kanë prodhuar optimizëm. “Është mirë të mos kesh frikë; para një viti njerëzit kishin frikë dhe në njëfarë forme kjo frikë u thye dhe kjo është vërtetë mirë për demokracinë”, thotë ajo.

Por të gjeturat e fundit të anketës publike të CeSID-it lënë të kuptohet e kundërta. 57 përqind e serbëve thonë se nuk do të marrin pjesë në protestat e ardhshme, derisa 20 përqind thonë se do të dalin në rrugë kryesisht për arsye ekonomike, e vetëm 4 përqind të respondentëve thanë se do të dilnin në rrugë për arsye poitike.

Rezultatet e anketës publike nuk janë të pazakonshme. Aleksandar Vuçiq fitoi, me mashtrim apo jo, më shumë se 50 përqind të votave, duke dëshmuar një dozë polarizimi të shoqërisë ndërmjet atyre që e shohin si diktator dhe atyre që e shohin si lider të fortë të nevojshëm.

Një mbështetës i tillë është Vlada Cuk, avokat 33-vjeçar i cili konsideron se politika e Vuçiqit është e qëndrueshme, dhe bazohet në zhvillimin e ekonomisë jo vetëm të Serbisë, por edhe të të gjithë rajonit. Vota e tij shkoi për presidentin e ri për shkak se ai atë e sheh si jonacionalist, i cili do të mund të sillte stabilitet në Ballkan.

Ç’është e vërteta, shkëlqimi i Aleksandar Vuçiqit nuk ka qenë rezultat i një grushteti, por i një procesi të ngadalshëm të akumulimit të vazhdueshëm të fuqisë. 47-vjeçari kaloi gati dy dekada në politikë dhe njerëzit u mësuan me kalimin e kontrollit të tri degëve të pushtetit serb në duart e tij.

Për ironi, liderët perëndimorë e shohin presidentin e ri si një njeri stabil, duke ia besuar ndërtimin e një unioni ekonomik ndërmjet ish-republikave jugosllave.

Mandiq e portretizon Serbinë si një shoqëri me shprehi të rrezikshme të pritjes për t’u kapur me kashtën e fundit. “Kjo ndodhi copë-copë, ne kemi kulturë protestuese, por jo për gjëra të vogla”, shpjegon ajo. “Mbase na duhet ta ndërtojmë kulturën protestuese për gjërat më të vogla të mozaikut. […] Duket se nuk mësojmë shumë, gjithmonë jemi në situatën e njëjtë, nuk reagojmë me kohë”.

Protestat shpërthyen pasi Vuçiqi mori postin e presidentit, duke e njollosur edhe njëherë nocionin e brishtë të stabilitetit në Ballkan. Për ironi, liderët perëndimorë e shohin presidentin e ri si një njeri stabil, duke ia besuar ndërtimin e një unioni ekonomik ndërmjet ish-republikave jugosllave. Aleksandra Nedeljkoviq e mbron pjesëmarrjen e saj në protesta, duke theksuar se “Vuçiq e prezanton veten si faktor stabiliteti vetëm duke krijuar probleme ndaj të cilëve ai reagon për t’i zgjidhur”.

Pa opozitë, pa opsione?

Protestat gjithashtu zbuluan një trend tjetër interesant, të cilin Mitiq e diagnostifikon si “skizofreni”. Ajo këmbëngul se “njerëzit po vdesin për fytyra të reja” e megjithatë vazhdojnë ta votojnë Vuçiqin dhe partinë e tij Përparimtare. Sfondi i një prirjeje të tillë është përfaqësimi i dobët të cilin të rinjtë në Serbi mbase e ndjejnë. Sipas Sofija Mandiqit, Vuçiq e zuri pjesën më të madhe të mediave gjatë fushatës, duke e shtypur edhe më shumë opozitën edhe ashtu gati të padukshme.

Sa i përket të arriturave të protestave, disponimi i përgjithshëm për ndryshim shkon edhe një hap tutje. Profesori Spasojeviq sheh një mundësi për një opozitë të së ardhmes, e cila buron nga shoqëria e zgjuar. Ai mezi i pret zgjedhjet e vitit që vjen, duke parashikuar një humbje potenciale të Partisë Përparimtare.

“Ky është shansi i parë për opozitën”, konsideron ai. “Vuçiq është i varur nga kontrolli dhe nëse e humb Beogradin, do ta kapë paniku, dhe Beogradi do të jetë vendi i opozitës në rritje”. Parashikimet e tij tregojnë për një tatëpjetë potenciale të presidentit, që faktikisht ishte shtysë për protestat e prillit të këtij viti.

Se protestat ishin hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë është qëndrim të cilën e potencon edhe profesoresha Nedeljkoviq. “Nuk menduam se do ta ndalnim inaugurimin me këto protesta”, thotë ajo. “Nga dita e parë pamë se kjo do të ishte një betejë e gjatë. Ndryshimet do të vinë kur të ndryshojë sistemi dhe kur të zgjohen qytetarët e Serbisë”.K

Fotografitë nga pjesëmarrësit e protestës.