Në thelb | Politika

Njëzet Muaj të Kryetarit Shpend Ahmeti

Nga - 14.09.2015

Shenja të përmirësimit në Prishtinë por ende shumë punë.

Pas 13 viteve të kontrollit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj kryeqytetit të Kosovës, në janar 2014, Shpend Ahmeti u zgjedh si kryetar i ri i Prishtinës. Zgjedhja e Ahmetit sinjalizoi më shumë se vetëm ndryshim të qeverisë lokale në Prishtinë; përfaqësoi një ndryshim më të madh të fuqisë politike në Kosovë.

Ish-profesori i Politikës Publike në American University in Kosovo garoi si kandidat i Vetëvendosjes, pasi shpërbëri partinë e tij jetëshkurtër politike, Fryma e Re në 2011. Ahmeti fitoi në Prishtinë me 52 përqind të votës në garë kundër liderit të LDK, dhe kryeministrit aktual të Kosovës, Isa Mustafa.

Duke prezantuar një vizion të ri për Prishtinën dhe veçanërisht duke e sjellur një qasje të re për politikë në Kosovë, 37 vjeçari shpejtë e rriti popullaritetin e tij. Në fushatën zgjedhore, Ahmeti paraqiti vizionin e tij me plan 12-pikësh, që synonte t’a zbatonte gjatë mandatit katër vjeçar si kryetar komune.

Premtimet kryesore zgjedhore të Ahmetit ishin rregullimi i planifikimit urban të Prishtinës, furnizimi 24-orësh me ujë për qytetarët e kryeqytetit, ndërtimi i kopshteve publike për fëmijë me çmime të përballueshme në të gjitha zonat e Prishtinës, rregullimi i trafikut të qytetit, si dhe luftimi i korrupsionit dhe burokracisë.

Tani 20 muaj prej që nisi punën më të rëndësishme në Prishtinë, veç se kemi parë shenja të ndikimit të Ahmetit, por ka ende më shumë për t’u bërë. Kosovo 2.0 i analizon pesë arritjet e tij më të dallueshme, dhe pesë fusha ku ende nuk janë parë rezultate të qarta.

Të paktën pesë fëmijë u diagnostifikuan me sëmundje të zemrës dhe jetët e tyre u shpëtuan për shkak të kontrolleve mjekësore që i zbatuam në shkolla të Prishtinës,

Dardan Sejdiu

Pesë Arritjet Më Të Dallueshme të Shpend Ahmetit:

1. Ndalimi i Ndërtimeve të Paligjshme në Prishtinë

Ahmeti është duartrokitur nga shumë njerëz pasi që ka marrë masa për të ndaluar ndërtimin e paligjshëm në Prishtinë. Prej përfundimit të luftës në 1999, mbi 40,000 ndërtesa* janë ndërtuar në kryeqytet pa leje të planifikimit nga komuna, duke e lënë qytetin rrëmujë, pa plan të qartë urbanistik, dhe duke i lejuar praktikisht të gjithë të ndërtojnë çfarë të dojnë, ku të dojnë. Kryetari vazhdimisht e ka akuzuar administratën e kaluar të qytetit, atë të LDK-së, për ndërtime pa leje, dhe përfitime nga ndërtimet e udhëhequra nga mafia e ndërtimit.

Ahmeti e ka bërë këtë prioritet nga dita e parë, dhe e ka treguar qartë qëllimin e tij duke u siguruar që inspektorët e komunës veprojnë shpejtë në raportime të ndërtimeve të paligjshme.

Bekim Salihu, hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara (GAP) që ka monitoruar performancën e komunës së Prishtinës, beson se Ahmeti veç se ka bërë hapa pozitiv kundër ndërtimeve të paligjshme, por tejkalimi i dëmeve të shkaktuara nuk mund të ndodh brenda ditës. “Ajo që ndodhi me ndërtime të paligjshme në Prishtinë në këto 14 vite është pasojë e qeverisjes së dobët dhe individëve të korruptuar, e në mënyrë që këto pasoja të riparohen do të nevojiten vite, e ndoshta edhe shekuj të tërë”, tha ai për Kosovo 2.0.

shpendi01

Por nuk i kanë parë të gjithë masat e Ahmetit si hapa përpara. ‘Shoqata e Ndërtimit’ organizoi protesta, duke sugjeruar se veprimet e tij kanë shkaktuar mbylljen e shumë kompanive të ndërtimit, dhe kështu kanë mbetur qindra, e ndoshta edhe mijëra, të papunë. Thuhet se kishte tentativë për atentat kundër Ahmetit, por kjo nuk duket se ka pasur ndikim në vendosshmërinë e tij mbi këtë çështje.

Salihu beson se akuzat e detyrimit të mbylljes së firmave të ndërtimit janë të pasakta. “Pretendimet se njerëzit mbetën të papunë pasi u ndalën ndërtimet e paligjshme janë pretendime të papjekura”, tha ai. Në fakt, Salihu beson se Ahmeti mund të kishte bërë më shumë me reformat e tij, duke e kritikuar që nuk ka marrë masa për shkatërrimin e garazhave të paligjshme që i përkasin degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë.

Edhe pse vendosshmëria e tij për të ndalur ndërtimet e paligjshme në Prishtinë ka shkaktuar protesta dhe humbje të vendeve të punës, veprimi i Ahmetit është hap i rëndësishëm në ndaljen e degradimit të vazhdueshëm të kryeqytetit të Kosovës.

2. Shuarja e Korrupsionit

Së bashku me çështjen e ndërtimeve të paleje, nëse një gjë ka tërhequr shumë vëmendje gjatë 20 muajve të parë të qeverisjes së Ahmetit, ka qenë çështja e luftimit të korrupsionit. Në fillim të mandatit të tij, kabineti i Ahmetit i dërgoi disa dosje në prokurorinë speciale të Kosovës që ai pretendonte se mbajnë informata për anëtarët e administratës së kaluar në 70 raste të korrupsionit të supozuar. Ato dosje kryesisht ishin të lidhura me zyrtarë që lejonin ndërtime të paligjshme në Prishtinë, si dhe merrnin ryshfet retrospektivisht për aprovimin automatik dhe të pakonsideratë të ndërtimeve, por poashtu edhe raste tjera.

Javën e kaluar (10 shtator) prokurorja speciale Drita Hajdaraj shpalli aktakuza kundër 11 zyrtarëve në departamentin e inspektimeve, në lidhje me raste të ndërtimeve paleje gjatë periudhës 2010-2014. Hajdaraj tha se kishte mjaft dëshmi për të ndjekur zyrtarët për lejim, dhe përfitim nga licensat e ndërtimit paleje në 36 nga pak më shumë se 50 rastet për të cilat Ahmeti kishte dorëzuar dosje.

shpendi02

Në krahasim me si shkuan punët para tij, gjatë 20 muajve të parë të qeverisjes Ahmeti, asnjë rast i korrupsionit nuk është raportuar kundër zyrtarëve të komunës. “Gjatë kësaj përiudhe nuk ka pasur asnjë rast kundër individëve, ose zhvillime tjera, që sugjeruan se udhëheqja e komunës ka lejuar, mundësuar ose është angazhuar direkt me, korrupsion”, tha Salihu. “Kjo është shumë e rëndësishme, sepse qytetarët dhe komuniteti i biznesit në Prishtinë besojnë se mund të kryejnë punë në përputhje me ligjin, pa nevojë që të japin ryshfet”.

3. Transparencë e Shtuar

Gjatë administratës së kaluar, komuna e Prishtinës vazhdimisht u akuzua se nuk ishte transparente, se bënte vendime pas dyerve të mbyllura dhe se emëronte individë të lidhur me LDK si drejtora të shkollave.

Ahmeti premtoi transparencë deri sa garonte në fushatë zgjedhore, duke u përpjekur që të jetë dallim më i çiltër nga e kaluara. Në këto 20 muajt e parë, ai ka përmbushur shumë prej premtimeve të tij në këtë aspekt, edhe pse shumë mbesin në proces e sipër.

Ahmeti arriti më shumë transparencë në procedurat e prokurimit dhe zgjedhja e drejtorëve të shkollave tani bëhet në bashkëpunim me këshillin e shkollave dhe këshillin e prindërve. Ai gjithashtu paraqiti një sistem të ri të konsultimit me qytetarë për procesin e vendimmarrjes në politika të lagjeve lokale. Ahmeti pati takime të shumta me qytetarët e Prishtinës prej që u bë kryetar i kryeqytetit, dhe kështu e mbajti premtimin e tij që të jetë i hapur ndaj pikëpamjeve të publikut.

Largimi i mureve rrethuese të shumë institucioneve publike të Prishtinës ishte përfaqësim vizual i thirrjeve të tij për më shumë sinqeritet në qasjen e komunës ndaj qytetarëve. Një veprim tjetër simbolik ishte mbajtja e premtimit të Ahmetit për të përdorur transport publik.

Në mesin e reformave tjera administrative që synojnë të ndihmojnë që komuna të bëhet më e arritshme për qytetarët, Ahmeti prezantoi shërbime të reja online si mundësia për të porositur çertifikatë të lindjes, si dhe paraqiti sistemin e digjitalizuar të pritjes në rend në zyret e komunës, që të sigurohet se respektohet rendi.

shpendi03

një raport të fundit të Institutit Demokratik të Kosovës, Prishtina u vlerësua si qyteti më transparent i vendit prej nga janari deri në qershor të këtij viti, e vitin e kaluar ishte në vendin e tretë.

Megjithatë, kryetari ende nuk e ka përmbushur premtimin e tij për të shitur veturën luksoze Audi Q7 të paraardhësit të tij, Isa Mustafa, por nuk është për faj të tij. Asambleja e Prishtinës morri vendim që të shes veturën para disa muajve dhe është vendosur në treg dy herë, por Ahmeti tha se askush nuk është i interesuar të blejë një veturë kaq të shtrenjtë; tani për tani, vetura mbetet në garazhë.

4. Kujdes Special për Fëmijët në Arsim

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Ahmeti premtoi kujdes “special” për fëmijët në shkolla të Prishtinës. Ndërtimi i dollapëve me kyç në shkolla, në mënyrë që fëmijët të mund t’i lënë çantat e rënda, kontrolle sistematike të shëndetit për të gjithë fëmijët e klasës së parë, pestë dhe nëntë, dhe një porcion ushqim pa pagesë (briosh) për të gjithë fëmijët, janë disa prej premtimeve kryesore që Ahmeti ka filluar t’i zbatojë prej që e ka fituar postin.

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha për Kosovo 2.0 se reformat veç se kanë filluar të prodhojnë rezultate të qarta. “Të paktën pesë fëmijë u diagnostifikuan me sëmundje të zemrës dhe jetët e tyre u shpëtuan për shkak të kontrolleve mjekësore që i zbatuam në shkolla të Prishtinës”, tha ai. Një raport në Telegrafi tregoi se ky numër i dhënë nga Sejdiu mund të jetë shumë i ulët, duke sugjeruar se vizitat e mjekëve në shkolla kishin zbuluar probleme të zemrës në nëntë fëmijë të shkollës, dhe 76 tjerë kishin dëmtime të dhëmbëve.

shpendi04

Ahmeti premtoi kopshte publike për fëmijë në të gjitha pjesët e Prishtinës. Sipas Sjediut, asnjë kopsht i ri publik nuk është ndërtuar qe 14 vite para se të vinte Ahmeti, ndërsa administrata e re veç se e ka hapur një brenda 20 muajve të parë. Sejdiu pretendon se deri në fund të vitit, edhe dy tjera do të jenë të gatshme për t’u hapur. “E kemi një model për kopshte fëmijësh, që po mundohemi ta shpërndajmë nëpër qytet”, tha ai.

Megjithatë, mënyra se si është shpërndarë porcioni i ushqimit për fëmijë është kritikuar nga disa për shkak të higjienës, dhe në një rast u tha se u gjet një ‘mi’ në një briosh; komuna menjëherë ndali bashkëpunimin me kontraktuesin në pyetje.

5. Promovimi i Produkteve Lokale dhe Investimi në Bujqësi

Gjatë 18 muajve të fundit, sheshet e Prishtinës rregullisht kanë qenë nikoqire të produkteve lokale, pasi që kryetari ofroi më shumë hapësirë për shitjen e produkteve lokale.

Sejdiu tha se komuna ka investuar shumë në zonat rurale brenda jurisdiksionit të saj. “Kur ne erdhëm në fuqi, kishte buxhet 600,000 euro për fermerët e Prishtinës”, tha ai. “E kemi dyfishuar buxhetin e vitit të parë të qeverisjes sonë dhe tani mbi një milion euro janë të caktuara për fermerë. Kur e morrëm mandatin, ishin gjashtë fabrika për prodhim të vezëve, dhe tani janë 11 për shkak të mbështetjes sonë”.

Gjithashtu, sipas Sejdiut, deri në fund të muajit pritet që të hapen tregje të reja që shesin produkte lokale në nëntë lokacione të ndryshme në Prishtinë. Rreth 450,000 euro subvencione nga Komisioni Evropian po e financojnë projektin e tregjeve të lëvizshme që do të hapin më shumë se 100 tezga nëpër kryeqytet.

Edhe pse nuk ka të dhëna të qarta mbi ndikimin ekonomik që e kanë sjellur deri më tani masat e implementuara, mesazhi i dërguar ka qenë i qartë: Ahmeti është i vendosur që t’i mbështes prodhuesit lokal.

Pesë Fusha Ku Ahmeti Ende Nuk Ka Arritur:

1. Reduktimi i Tepricës së Buxhetit të Vitit të Parë

Sipas raportit monitorues të prillit të 2015-ës nga Iniciativa për Progres (INPO), Ahmeti ka dështuar në premtimin e tij për të reduktuar tepricën e buxhetit vjetor të komunës; teprica e 2014-ës ishte 2 milion euro. Kjo mund të tingëllojë si maturi dhe efikasitet financiar, por në realitet tregon mungesë të planifikimit efektiv monetar dhe mund të jetë tregues që projektet e synuara nuk janë zbatuar. Në rast të mos shpenzimit të të gjitha fondeve nga qeveria qendrore, paratë e papërdorura duhet të kthehen dhe mund të përdoren si justifikim për ulje të buxhetit të komunës në vitet e ardhshme.

Opozita ka qenë shumë e zëshme për tepricën e buxhetit, dhe mungesës së aftësisë për t’iu shmangur shpenzimit të pakët në shkallë të tillë. “Komuna e Prishtinës ka nevojë për shumë projekte, por qeverisja aktuale nuk është e aftë t’i përdor paratë”, tha Lirak Çelaj, kryetar i grupit të PDK-së në asamblenë e Prishtinës, pasi u paralajmërua teprica e madhe në tetor 2014.

2. Rregullimi i Trafikut Urban

Një prej gurthemelëve të fushatës zgjedhore të Ahmetit ishte rregullimi i trafikut urban në kryeqytet. Organizimi i dobët i transportit publik, bllokimet e trafikut dhe mungesa e hapësirave për parkim ishin disa prej problemeve kryesore të Ahmetit të identifikuara në planin e tij për Prishtinën.

Zëvendës Kryetari Sejdiu thotë se disa hapa janë bërë dhe rezultatet do të jenë të dukshme për qytetarët së shpejti. “Nënshkrimi [në mars të këtij viti] i marrëveshjes me vlerë 10 milion euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do t’i sjell autobusët e parë në Prishtinë në vjeshtë, dhe do të fillojë përmbushjen e premtimit të Ahmetit për rregullim të trafikut urban”, tha ai. Ahmeti beson se një sistem më efektiv i transportit në qytet do t’i nxis më shumë njerëz që t’i lënë veturat në shtëpi, dhe kështu do të lehtësojë ngjeshjen në trafik në qendër të qytetit.

Duhet të theksohet se është joreale të presim që çështje të tilla të zgjidhen plotësisht për më pak se dy vite pasi që janë të shtrenjta dhe të ndërlikuara për t’u adresuar. Megjithatë, deri sa të zbatohen, kaosi i bllokimit të trafikut në qytet vazhdon.

Kryetari i ri gjithashtu premtoi të gjejë zgjidhje për pamjaftueshmërinë e hapësirave publike për parkim në çdo lagje të Prishtinës. Problemet e parkingut janë zmadhuar në kryeqytet nën qeverisjen e Ahmetit, pasi që kryetari nisi fushatën e marrjes së veturave të parkuara në mënyrë të paligjshme dhe ka vendosur shtylla që t’i ndalojë veturat nga parkimi në disa trotuare. Ndonëse kjo ka pasur ndikim të dukshëm pozitiv për këmbësorët, që mund të ecin më lehtë nëpër qytet të papenguar, nuk është parë një përpjekje e bashkërenduar për të krijuar opsione alternative për shoferë; deri më tani, me disa përjashtime të vogla, ka pasur hapa të kufizuar për adresimin e një problemi kaq të rëndësishëm me të cilin janë përballur qe një kohë të gjatë pronarët e veturave në kryeqytet.

shpendi05

Një delegacion nga Zagrebi vizitoi Prishtinën në maj 2014 për të ndihmuar komunën me ide për mënyrën se si mund t’i zgjidhin problemet e parkingut dhe transportit publik, por deri sot, shumë pak duket se është vënë në veprim.

4. Ujë 24/7

Prioriteti tjetër i lartë për të cilin Ahmeti foli shumë gjatë fushatës së tij zgjedhore ishte që do të ketë 24/7 ujë brenda 24 muajve të parë të mandatit të tij. Megjithatë, sot (14 shtator), gati 20 muaj më vonë, Ahmeti lajmëroi se i duhen edhe 24 muaj.

Qytetarët e Prishtinës moti kanë vuajtur me probleme të furnizimit me ujë,pasi që banorët duhet të përballen me ndërpritje të furnizimit në bazë ditore. Disa prej problemeve kryesore që duhet të adresohen janë nevoja për burime shtesë të ujit, përmirësimi i kualitetit të infrastrukturës – vlerësohet se më shumë se 50 përqind të ujit humbet nëpërmjet tubave që pikojnë – dhe menaxhimi i dobët i mbledhjes së pagesave, që e lë këtë çështje me burime të pamjaftueshme.

shpendi06

Një projekt i madh që sigurisht se do të ndihmojë zgjidhjen e problemit të ujit të Prishtinës është ndërtimi i vazhdueshëm i fabrikës së re të ujit të pijshëm në Shkabaj që do të hap burim të ri të ujit për qytetin duke furnizuar me ujë nga liqeni i Gazivodës nga Kosova e veriut. Me kosto prej 35 milion euro, kjo përpjekje po financohet nga Qeveria Gjermane, Komisioni Evropian, Qeveria Qëndrore dhe Komuna e Prishtinês,fabrika në Shkabaj do duhej të përfundojë deri në qershor 2016, megjithatë edhe pse ndërtimi filloi në nëntor 2014, si duket afatet kohore të projektit janëzgjatur.

Punimet tjera të vazhdueshme për përmirësim të furnizimit të ujit përfshijnë një investim 17 milion euro në përmirësimin e kualitetit të tubave të ujit, dhe hapja e pusëve nëntokësor për të plotësuar furnizimin kryesor në zonat e Gërmisë, Fushës së Pajtimit dhe Llukarit.

Megjithëse tërë kjo punë vazhdon, qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të vuajnë nga një furnizim i pamjaftueshëm i ujit, veçanërisht gjatë verës, dhe premtimi i Ahmetit për ujë 24/7 brenda 24 muajve duket se nuk do të realizohet me kohë.

4. Garantimi i Stabilitetit në Kabinet

Kryetari Ahmeti është përballur me probleme të shumta me ruajtjen e stabilitetit të personelit në kryesi të departamenteve të komunës; prej fillimit të mandatit të tij, kanë ndodhur gjashtë dorëheqje. E fundit ndodhi javën e kaluar kur Drejtori për Shërbime Publike, Ardian Gashi, dhe Drejtori i Pronës dhe Financave, Driton Berisha, të dy dhanë dorëheqje, duke aluduar angazhime tjera profesionale. Ish-Drejtori i Arsimit, Jusuf Thaçi, qëndroi në pozitë vetëm në gjashtë muajt e parë të mandatit të Ahmetit, dhe pastaj e la këtë rol, gjithashtu për shkak tëangazhimeve tjera profesionale.

Këto alternime të shpeshta në departamentet e komunës mund të dëmtojnë seriozisht funksionalitetin dhe performancën pasi nuk është e favorshme për konsistencë dhe planifikim afatgjatë. LDK e ka akuzuar Vetëvendosjen për punësim të militantëve në departamentet e komunës dhe ka thënë se dorëheqjet janë një prej dështimeve më të mëdha të kryesisë së Ahmetit deri më tani.

5. Strehim të Subvencionuar për Punëtorët e Sektorit Publik

Ahmeti premtoi të ndihmojë zgjidhjen e problemeve të strehimit të punëtorëve të sektorit publik që po kanë vështirësi të paguajnë qira për shkak të të hyrave të ulëta në krahasim me ata të sektorit privat. Ai premtoi të ndërtojë ndërtesa kolektive me qira të subvencionuar për njerëz që janë të punësuar në sektorin publik, duke ndjekur modelin e përdorur në Holandë, Shtetet e Bashkuara, Kanadë, dhe Britani të Madhe. Sipas Ahmetit, strehimi do të financohej nga organizatat ndërkombëtare që kanë shprehur interesim në financimin e projekteve të tilla. Megjithatë, nuk janë bërë hapa të qartë nga Ahmeti dhe ky premtim duket se është harruar, ose ka rënë në listën e prioriteteve.

I kemi përmbledhur arritjet më të dukshme, dhe premtimet që nuk janë arritur, gjatë 20 muajve të parë të Ahmetit si kryetar i Prishtinës; janë shumë çështje tjera që nuk i kemi përfshirë këtu që mund të bien në cilëndo kategori. Është e qartë se si kryetar, Ahmeti veç se i ka bërë disa hapa të rëndësishëm për të filluar përmirësimin e performancës së komunës në kryeqytetin e Kosovës. Por përkundër këtyre shenjave dhe nismave premtuese, kryetari ende duhet të bëjë shumë deri sa i afrohet gjysmës së dytë të mandatit të tij katër vjeçar.K

*Shënim i redaksisë: Kjo shifër është përmirësuar. Shifra 6,000 që u citua në tekstin fillestar i referohet numrit të ndërtesave të paligjshme që janë regjistruar në mënyrë që pronarët e tyre të aplikojnë për leje retrospektive të planifikimit. Procesi i konsiderimit të lejeve retrospektive të planifikimit pritet të nis më vonë gjatë këtij muaji.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO