Shkurt | Drejtësi

U dekretuan gjyqtarët dhe prokurorët nga veriu

Nga - 25.10.2017

Pas dy përpjekjeve të dështuara, presidenca konfirmoi dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës.

Pas gati dy vitesh nënshkrimi të Marrëveshjes për Drejtësi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në vitin 2015 në Bruksel, 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë serbë të cilët kanë punuar në sistemin paralel të drejtësisë në veri të Mitrovicës, u dekretuan dje më 24 tetor nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë.

Ceremonia u mbajt mbrapa dyerve të mbyllura dhe me prezencën e ambasadorit amerikan, Greg Delawie, dhe të Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova. Nga presidenti Thaçi u cilësua si nisje e implementimit të marrëveshjës për drejtësi, respektivisht integrimi i Gjykatës dhe Prokurorisë të Mitrovicës së veriut brenda sistemit vendor të drejtësisë.

Që prej vitit 2008, pas shpalljës së pavarësisë dhe refuzimit të serbëve për ta njohur shtetin, këto institucione të drejtësisë në veri kanë funksionuar vetëm si pjesë e sistemit serb të drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët atje kanë pranuar paga nga qeveria serbe, derisa kanë marrë vendime në bazë të legjilacionit të Serbisë e jo të atij kosovar.

Menjëherë pas dorëzimit të dokumenteve të dekretimit tek gjyqtarët dhe prokurorët, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, presidenti Thaçi tha se kishte emëruar gjyqtarët dhe prokurorët me dekret. Ai ka postuar edhe disa fotografi ku shihet duke ua dorëzuar dokumentin e dekretimit gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por ende mbetet e paqartë se a e kanë kryer aktin e betimit, i cili është obligim i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve pas dekretimit, me ngritje dore para Presidentit dhe duke lexuar tekstin e betimit në mbrojtje të Kushtetuës së vendit, si akti më i lartë juridik e politik i shtetit.

“Në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, sot, me dekret kam emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të ri të shtetit nga komuniteti joshumicë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij.

“Mirëpres gatishmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti joshumicë për t’u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, ka shkruar tutje ai duke thënë se me këtë akt fillon implementimi i marrëveshjes për drejtësi në veri.

Pas përfundimit të ceremonisë, disa fjalë para mediave i tha edhe një ndër prokurorët e dekretuar nga veriu, Mirosllav Ivanoviq.

“Jemi njerëz profesional, dhe po vazhdojmë aty ku jemi ndalë. I takojmë njerëzve të cilët e dijnë punën e tyre dhe në këtë kuptim edhe betimi i sotshëm është vetëm një pjesë e kontinutitetit. Kjo është një ditë terësisht normale sikurse çdo ditë tjetër, dhe prakitikisht nuk po ndjej që po filloj diçka të re, por që po vazhdon jeta jonë profesionale ku edhe jemi ndalur”, ka thënë ai para gazetarëve.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka ndodhur pas dy përpjekjeve të mëhershme, të cilat kishin dështuar pasi gjyqtarët dhe prokurorët nuk kishin ardhur në Prishtinë për të dhënë betimin.K

Kosovo 2.0 ka raportuar javën e kaluar rreth Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel dhe rreth dilemave sa i përket implementimit të saj. Për të lexuar më tepër rreth kësaj teme, shihni artikullin me titull: “Në pritje të gjykatësve nga veriu.”

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO