Shkurt | Arsimi

Qasje e pabarabartë në arsim

Nga - 06.12.2017

Fëmijëve me aftësi të kufizuar u shkelet më së shumti e drejta për qasje në arsim.

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) ka nisur ta shënojë Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, edhe këtë vit duke organizuar tashmë për të katërtën herë edicionin “Java e të Drejtave të Njeriut” në Prishtinë.

Java e të Drejtave të Njeriut, e cila filloi më 4 dhjetor dhe do të zgjasë deri në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që shënohet me 10 dhjetor, si dhe do të trajtojë kyresisht temën e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë përmes disa aktiviteteve.

Të hënën, më 4 dhjetor, ka nisur edhe aktiviteti i parë, një diskutim me titull: “Qasja në edukim” i cili ka trajtuar njërën prej të drejave thelbësore të njeriut, pra qasjen në edukim.

Në përpjekje për ta elaboruar më tej këtë temë, në diskutimin e organizuar nga YIHR-ja, ka marrë pjesë edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, pastaj Alberta Alihajdari, eksperte e arsimit dhe anëtare e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), si dhe Ilirjana Geci, pjesëtare e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar.    

Me ta marrë fjalën në panel, Avokati i Popullit tha se njëra prej fushave e cila tregon se në Kosovë ka shkelje drastike të të drejtave të njeriut është ajo e arsimit.

“Nuk duhet të jesh ekspert i fushës që të arrish në këtë konkluzion, mjafton që të shohësh se në shumicën e rasteve, shkollat në Kosovë nuk garantojnë qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara, dhe nga kjo shumica prej tyre mbesin jashtë këtij sektori”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, mbetet e rëndësishme që fillimisht të garantohet qasje e barabartë për të gjithë personat në objektet shkollore, përpara se të diskutohet për problemet e tjera në fushën e arsimit në Kosovë e që, sipas tij, janë të shumta. Megjithëse legjislacioni në Kosovë, sipas Avokatit të Popullit, është i adaptuar mirë me ligjet ndërkombëtare sa i përket garantimit të arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufuzuar, qasja e tyre në edukim në praktikë është e mangët ngase edhe zbatimi i ligjit mbetet vetëm premtim verbal. Ligjet në Kosovë garantojnë pjesëmarrjen e të gjithë fëmijhëve në arsim, por në praktikë kjo nuk ndodh.

Foto nga Youth Initiative for Human Rights.

Për Jasharin, mungesa e zbatimit të ligjeve nga ministritë përkatëse apo nga Qeveria në përgjithësi do të duhej të shkaktonte një kundërreaksion të natyrshëm, nga Kuvendi i Kosovës. Ky institucion që me Kushtetutë e ka rolin e mbikëqyrësit të Qeverisë, do të duhej të shfrytëzonte të drejtën e tij dhe të kërkonte llogari nga Qeveria. “94 për qind e punës së Kuvendit [në mandatin e kaluar] ishte e orientuar në miratimin e ligjeve dhe vetëm 6 për qind në kërkimin e llogarisë nga Qeveria”, ka cituar Jashari disa të dhëna nga monitorimet që zyra e Avokatit të Popullit ka zhvilluar gjatë mandatit të fundit të Kuvendit.

‘‘Në kushte normale, një shtet demokratik me perfomansë të tillë të Parlamentit nuk mund të funksionojë si duhet’’, u shpreh ai. Një gjë tjetër me rëndësi, sipas tij, është që edhe zëri i shoqërisë civile të dëgjohet më tepër dhe të merren parasysh kontributet dhe rekomandimet që japin organizatat e ndryshme.

Me këtë u pajtua edhe panelistja tjetër krah tij, Alberta Alihajdari, nga organizata Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Alihajdari po ashtu foli për mungesën e qasjes në edukim të fëmijeve me aftësi të kufizuar si problematikën kyçe në rrafshin e shkeljes së të drejtave të njeriut në arsim, duke thënë se parakushti i arsimit cilësor mbetet gjithëpërfshirja.  

“Ka një mori shkeljesh, sidomos kundrejt disa grupeve të caktuara si minoritetet, komunitetit LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuar”, ka thënë Alihajdari, sipas së cilës personat nga këto komunitete në të shumtën e rasteve nuk kanë fare qasje në edukim.

Personat me Sindromin Down nëpër libra shkollor ende janë të përkufizuar si persona me ‘‘idiotësi mongoleze’’, një term ofendues për ta.

Kritika ajo ka adresuar edhe tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që, sipas saj, duhet të hartojë politika arsimore më të qarta dhe më gjithëpërfshirëse. Një nevojë tjetër, sipas saj, është edhe intervenimi në tekstet shkollore sepse ato janë të vjetra dhe kanë qasje jo të duhur karshi personave të komuniteteve të ndjeshme.

Ilirjana Geci, përfaqësuese e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, përmendi gjithashtu vështirësitë me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuar në arsim. Përtej pengesave fizike, Geci u fokusua në trajtimin e problematikave tjera që lidhen me personelin mësimor dhe kurikulat mësimore. Ku theksoi se karshi këtyre grupeve ka gjuhë diskriminuese ose përdorim jo të duhur të termeve referuese në librat shkollorë.  

Ajo përmendi faktin se personat me Sindromin Down nëpër tekste shkollore janë të përkufizuar si persona me ‘‘idiotësi mongoleze’’, një term ofendues për ta. Tutje, Geci ka folur edhe për ekipet vlerësuese për fëmijët me aftësi të kufizuar, duke thënë se ato nuk e kanë aspak të qartë punën e tyre.

“Ata nuk e kanë kuptuar mandatin të cilin e kanë, dhe nuk janë aty që të bëjnë diagnostikimin e personave me aftësi të kufizuar. Mandati i tyre është të vlerësojnë se cilat janë nevojat pedagogjike që kanë personat me aftësi të kufizuar”, ka thënë Geci.

Në fund të diskutimit, panelistët u bënë thirrje institucioneve shtetërore të marrin parasysh rekomandimet që jepen nga shoqëria civile dhe të jenë më bashkëpunuese në këtë drejtim. Më tej, theksuan se është e rëndësishme të veprohet sa më shpejt që është e mundur sepse gjendja është alarmante. Tjetër propozim që doli nga ky diskutim ishte që të rritet buxheti për fushën e arsimit sepse kjo është mënyra e vetme që të kemi edhe zhvillim ekonomik të vendit.

Sipas tyre, rritja e buxhetit është e lidhur me zgjidhjen e problemeve, me tejkalimin e pengesave fizike për nxënësit, trajnimin e personelit mësimor; shtimin e personelit, si dhe interveniminin në librat mësimorë. Këto veprime shihen si ndikim i drejtpërdrejtë në këtë fushë dhe cilësia do shkonte duke u rritur gradualisht.K

Foto kryesore nga Youth Initiative for Human Rights.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO