S`fundmi | UNESCO

UNESCO Refuzon Përpjekjent e Kosovës për Anëtarësi

Nga - 09.11.2015

Reagimi ndaj dështimit të anëtarësimit të Kosovës në agjencinë kulturore të OKB për tri vota.

Sot, anëtarët e UNESCO, agjencia e OKB e përkushtuar për Shkencë, Kulturë, dhe Arsim, e kanë refuzuar përpjekjen e Kosovës për anëtarësi. 171 shtete anëtare morrën pjesë në votim, që përfundoi me 92 vota në favor të anëtarësisë së Kosovës, 50 kundër, dhe 29 abstenime. Nevojitet shumicë dy të tretat, që domethënë se Kosovës iu nevojitën tri vota më shumë për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Para votimit për mocionin e vendosjes së anëtarësisë së Kosovës, anëtarët e Konferencës së Përgjithshme refuzuan një mocion që u dorëzua nga Serbia, dhe u mbështet nga Rusia e disa vende tjera, për ta shtyer votimin e anëtarësisë së Kosovës. Në këtë proces të votimit, në të cilin 170 anëtarë morrën pjesë, 89 shtete anëtare votuan kundër propozimit të Serbisë, 59 në favor dhe 22 abstenuan.

Kosova nisi fushatën e lobimit për votën “po” në janar 2015, por u përball me kundërshtim dhe lobim të fuqishëm nga Serbia fqinje.

Me 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO, i përbërë prej 58 anëtarëve, aprovoi një rekomandim për të pranuar Kosovën si anëtare të re, me mbështetje të 44 anëtarëve, dhe kështu e solli këtë çështje për votim të plotë në Konferencën e Përgjithshme.

Disa zëra publik veç se kanë reaguar ndaj rezultateve të votimit.

Hashim Thaçi, zëvendës kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme – dhe personi me llogaridhënie finale për këtë përpjekje – nxitoi që ta shpreh optimizmin e tij për këtë aplikim të dështuar: “Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë përsëri dhe do të bëhemi anëtarë edhe në organizata tjera, duke përfshirë UNESCO”, shkroi Thaçi në faqen e tij në Facebook.

Zëvendës ministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi, që ka qenë në frontin e përpjekjeve diplomatike për fushatën “Kosova në UNESCO” njëlloj u përpoq të nxjerr anët pozitive, duke shkruar në Twitter se Kosova kishte fituar shumicën e votave të anëtarëve të UNESCO.

Pavarësisht përpjekjeve zyrtare për të shfaqur anët pozitive në këtë situatë, ministrat shumë shpejtë u përballën me thirrje për dorëheqje të tyre, për shkak të asaj që disa e shohin si dështim total të dhjetë muajve të diplomacisë. Hajrulla Çeku, drejtor i organizatës kulturore EC MA Ndryshe, që është veçanërisht aktive në sektorin e trashëgimisë kulturore, shkroi në Twitter: I nderuar Z. Ministër i Punëve të Jashtme: A ka përgjegjësi e dorëheqje për këtë dështim?”

 

Edhe pse gjatë javëve të kaluara në Kosovë e kemi parë një unitet të gjërë në internet në mbështetje të fushatës “KosovoInUNESCO, kjo mbështetje e unifikuar shpejtë u copëtua pas mospranimit, dhe të shumta kritikat ndaj përpjekjeve të qeverisë për të hyrë në UNESCO.

Zërat e opozitës e përdorën këtë ngjarje për të bërë thirrje për ndalimin e dialogut me Serbinë për shkak të fushatës së fuqishme të lobimit të këtij vendi kundër Kosovës. Ilir Deda i Vetëvendosjes shkroi në faqen e tij në Facebook se ky është “dështimi i parë” i Kosovës në arenën ndërkombëtare prej shpalljes së pavarësisë në 2008. “Kosova menjëherë duhet t’a ndërprejë dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes për Bashkësinë e komunave”, shkroi Deda, që gjithashtu deklaroi se dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohje të pavarësisë, dhe kërkoi dorëheqjen e atyre që janë përgjegjës në qeveri.

Enver Robelli, shkrimtar dhe gazetar me ndikim, gjithashtu ofroi vlerësim shumë kritikues në Facebook: “Beteja për anëtarësi në UNESCO shërbeu si karrotë për ta larguar vëmendjen nga dështimet në procesin për të siguruar më shumë njohje për Republikën e Kosovës”, shkroi ai. “Mësimi kryesor është që Kosova duhet të ketë diplomaci jo-partizane dhe profesionale, por edhe politikanë me duar të pastra që e paraqesin një shtet funksional para botës. Kosova nuk është shtet i tillë”.

Ndonëse Kosova tani do të mbetet jashtë UNESCO të paktën edhe për dy vite, mbetet të shihet se a do të ketë kundërakuza brenda qeverisë dhe se ku do të fokusohet tani politika e jashtme.