S`fundmi | Ambienti

Bashkë kundër ndotjes së ajrit

Qytetarët protestojnë kundër gjendjes “së rrezikshme”.

Nga - 31.01.2018

Një vajzë e re në moshë, me flokë ngjyrë ari po mban një maskë me disa zemra të pikturuara në të. Maskë e cila ia ka mbuluar thuajse gjysmën e fytyrës së saj fëmijërore. Adena Berisha është vetëm tetë vjeçare, por ajo e di saktësisht kuptimin e maskës që nëna e saj ka vendosur të ia vë sot.

“E kam qit maskën se ajri i keq”, thotë ajo për K2.0, para se të kthej kokën nga e ëma, duke pritur miratim për të vazhduar tutje të flas. “Po mendoj që duhet me mbjellë pemë ma shumë e mos me qit bërllogje nëpër tokë që me kon ajri ma i mirë për neve”, vazhdon ajo më pas.

Adena është vetëm një nga qindra protestues të cilët u mblodhën në kohën e drekës së sotme (31 janar 2017), në qendër të Prishtinës, në një kauzë të përbashkët – për të protestuar kundër ndotjes së ajrit që vazhdimisht po arrin në nivele alarmante në kryeqytetin e Kosovës.

“Frymëmarrja në Prishtinë mbyt” “Prishtina po ma merr frymen” “Ndihmë nuk mund të marrë frymë” ishin disa prej shumë mesazheve që u shkruan në gjuhën angleze nëpër afishet që u ngritën lart nga qytetarët të cilët kishin vendosur maska mbrojtëse para gojës së tyre.

Nëpërmjet altoparlantëve lëshoheshin tinguj të frymëmarrjes së vështirë. Të gjithë u mblodhën para Teatrit Kombëtar të Kosovës duke kërkuar nga qeveria qendrore dhe lokale të bëjë më shumë për ta luftuar ndotjen vdekjeprurëse të ajrit, që po e dëmton kryeqytetin dhe rrethinën e tij çdo vit. Protesta u emërua “I rrezikshëm”, sipas vlerësimit të Ambasadës së SHAB për nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë, gjegjësisht nëpërmjet aplikacionit të matjes së kualitetit të ajrit.

Duke iu referuar reagimit të Ministres së Ambientit në lidhje me këtë situatë, Albena Reshitaj, e  cili tha se “gjërat nuk mund të zgjidhen me shkop magjik”, organizatorët e protestës shkruan në faqen e ngjarjes në Facebook: “Pra, është koha e qytetarit dhe një proteste për të gjetë zgjidhje rreth kësaj problematike të rrezikshme. Ne, qytetarët e Prishtinës, kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe Pushteti Lokal. Koha po kalon dhe ne nuk po shohim asnjë plan më konkret e të detajizuar për ta zgjidhë problemin e ndotjes. Secili jemi viktimë, dhe askush nuk pret një mrekulli me shkop magjik për problemin”.

“Efektet afatshkurta të ndotjes së ajrit nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit”.

— Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.


Pjesa më e madhe e ndotjes në Prishtinë vjen nga termocentralet Kosova A dhe B, të cilat gjinden disa kilometra larg qytetit. Por ky problem përkeqësohet edhe nga djegja e drurit dhe thëngjillit për ngrohje gjatë dimrit, si dhe nga trafiku i dendur dhe veturat e vjetra.

Pas takimeve të mbajtura ditën e martë (30 janar) ndërmjet Ministres së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, dhe zëvendës kryetarit të Prishtinës, Selim Pacolli, u vendosën masa urgjente në kryeqytet nga dita e sotme (e mërkurë, 31 janar) në përpjekje për ta reduktuar ndotjen e ajrit.

Masat urgjente përfshijnë mbylljen e rrugëve kryesore në qendër të qytetit për vetura private nga ora 6:00 deri në orën 22:00, dhe ofrimin e shërbimeve pa pagesë të transportit publik në qytet, si dhe ndalimin e shitjes së thëngjillit për ngrohje në kryeqytet.

“Unë kam dalë me kry obligimin tim si qytetar por me të thanë të drejtën na veç qeveri nuk kemi… mendoj që mirë kanë ba që i kanë ndalë veturat, por edhe duhet me i ndrru filterat Kosova A dhe B për me pas ajër më të ndotur. E këto duhet mi adresu qeveria e pushteti”.

— Nexhip Shylemaja, pensioner

Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës reagoi ndaj nivelit të lartë të ndotjes duke thënë se paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe duke i dhënë disa rekomandime.

Në nivel strategjik, ky Institut bëri thirrje për zbatim urgjent të plan veprimit të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për përmirësimin e kualitetit të ajrit (2016), zbatim të programeve kombëtare dhe ndërmarrjeve të përbashkëta në fushën e ndotjes së ajrit dhe mbikëqyrje nga inspektorati shëndetësor të raporteve të përditshme të sëmundjeve të sistemit të frymëmarrjes dhe sistemit kardiovaskular në institucionet e shëndetësisë.

Specifikisht, Instituti bëri thirrje për inspektime më rigoroze të filterave të ajrit në termocentrale dhe të kualitetit të karburantëve, për shtim të numrit të autobusëve që përdorin karburantë ekologjik, për kufizim të numrit të veturave që hynë në Prishtinë nga jashtë dhe për kontroll më të rreptë teknik të veturave.

Individët këshillohen t’i reduktojnë udhëtimet në ambiente të hapura dhe të ndotura (veçanërisht në mëngjes dhe mbrëmje), të qëndrojnë në shtëpi me dritare të mbyllura dhe të përdorin shalla dhe maska nëse kanë nevojë të dalin në ambient të hapur. Grupet e prekshme – si personat që vuajnë nga sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes dhe sistemit kardiovaskular, fëmijët dhe gratë shtatzënë – këshillohen veçanërisht që të marrin masa paraprake.

“Duam ajër të pastër. Tash nuk është koha të flisni, duam përgjegjësi për ajrin e ndotur. Kuvendi nesër paska me fol për ajrin. Nuk duam më fjalë, duam veprime konkrete”.

— Vullnet Krasniqi, një prej organizatorëve të protestës