Biseda | Ambienti

Uta Ibrahimi: Ecja nëpër Himalaje më bëri të kuptojë se sa i vogël është njerëzimi

Nga - 11.02.2017

E apasionuara pas natyrës flet për sfidimin e kufijve të saj, kalimin e humnerave të rrezikshme, sëmundjeve akute të lartësisë dhe Yetin e frikshëm!

Para ecjeve malore, çiklizmit dhe alpinizmit, e para se të bëhej ‘zana e malit’ që është sot, Uta Ibrahimi i kaloi 12 vite duke punuar në fushën e marketingut. Me gjasë për shkak të personalitetit të 33 vjeçares, fuqisë dhe vendosmërisë për të bërë gjëra të mira, si dhe karakterit të saj që nuk lë gjë ta ndalë, Uta arriti të menaxhoi njërën nga kompanitë më të suksesshme të marketingut në Kosovë.

Befas, para gjashtë viteve, gjatë një udhëtimi me “axhën Bashkim” ajo e zbuloi kënaqësinë e të qenurit në natyrë – të qenurit një me natyrën. Menjëherë pas kësaj, ra në kontakt me grupe të ecjes malore dhe filloi që ta praktikonte dy herë në muaj, pastaj katër herë në muaj, e dikur filloi të mos kthehej në shtëpi nga 2 deri në 3 javë duke udhëtuar me biçikletën e saj nëpër malet e rajonit.

Para dy viteve ajo vendosi ta lë punën dhe jeta e saj morri kahjen e rrugës më pak të “rrehne”. Kënaqësia e malit iu shëndrrua në jetë e përditshmëri. Kështu Uta krijoi klubin e saj dhe filloi organizimin e udhëtimeve dhe ecjeve të ndryshme malore në zona të rajonit duke u bërë kështu edhe ndër vajzat e pakëta në trojet shqiptare që pasionin për male e shëndrruan në punë. Malet janë bërë jeta dhe dashuria e saj.

Lista e maleve në të cilat Ibrahimi u ngjit – dhe e asaj çfarë ajo ka bërë atje – duket si një enciklopedi e majeve më ikonike në Evropë: maja më e lartë e Francës, Monte Blanc (4,880m), ku arriti si gruaja e parë shqiptare; Musala (2,925m) në Bullgari, duke vazhduar me “shtëpinë e  zotërave grekë” apo Malin Olimp (2,918m); një ekspeditë si e vetme në majën më të lartë në Slloveni – Trigllavë (2,863m); malet e Turqisë: Ericyes (3,200m), Hasan (3,200m) dhe Emler (3,700m). Ajo është ngjitur gjithashtu në shumë male të mëdha të rajonit si Jezercë (2,694m) dhe në majën e  Korabit (2,764m), në Shqipëri. Majën e Titos (2,754m) në Maqedoni, si dhe ngjitjet e shpeshta nëpër Gjeravicë (2,656m), të cilat për të janë bërë sikurse vizitat e rëndomta të të tjerëve në pishinë.

Over the past six years Uta Ibrahimi has scaled some of Europe’s most iconic peaks. Photo courtesy of Uta Ibrahimi.

Gjatë gjashtë viteve të fundit, Uta Ibrahimi është ngjitur në disa prej majeve më ikonike në Evropë. Foto nga Uta Ibrahimi.

Në dhjetor të vitit 2016, Ibrahimi e la Evropën pas dhe vendosi që ta sfidonte vetën në Himalaje, rajon ky që shtrihet në pesë shtete (Bhutan, Indi, Nepal, Kinë dhe Pakistan) dhe ngërthen në vete disa prej majeve më të larta në botë – përfshirë edhe më të lartën –  malin Everest (8,848m).

Gjatë një udhëtimi katër javësh në Nepal, si pjesë e projektit “Gratë Shqiptare në Himalaje” që u organizua nga Shoqata Alpino-Turistike “Dajti”, Ibrahimi dhe udhërrëfyesi i saj nepalez Tendi Sherpa kaluan maje shumë më të larta se që është mësuar Uta: majën Yalung (5,700m), majën Nurbu (5,800m) dhe majën Ramdung (5,925m). Synimi i këtij udhëtimi ishte që të përmirësohet adaptimi i saj me kushtet malore dhe lartësinë mbidetare. Në fazat e ardhshme të projektit – që do të zgjas një vit e gjysmë – ajo do të kthehet në Himalaje për t’u ngjitur në shumë maje të tjera.

Uta Ibrahimi — pictured here with her Himalayan guide Tendi Sherpa — scaled peaks approaching 6,000 above sea level on her recent trip to Nepal. Photo courtesy of Uta Ibrahimi.

Uta Ibrahimi – në foto me udëhrrëfyesin e saj Tendi Sherpa – u ngjit në maja me lartësi mbidetare gati 6,000 metra.

Pasi u kthye në Kosovë, muajin e kaluar, K2.0 u takua me Ibrahimin për drekë në lokalin “‘dit e ‘nat”, në Prishtinë. Me të parë mënynë vegjetariane të këtij lokali iu kujtua se pas disa viteve që i kishte kaluar si vegjetariane, ajo tani ishte rikthyer në mishngrënëse. Mjeku i kishte thënë se kishte mungesë të vitaminave dhe se i duhej që të bënte diçka për ta trajtuar këtë problem nëse donte të vazhdonte me ecjen malore…

Uta Ibrahimi:

Ndonjëherë po më vjen keq sepse i kam thyer parimet e mia… Në Himalaje pak kam hangër [mish].

K2.0: Cili ka qenë ushqimi më i shpeshtë që ke ngrënë atje?

Njëfar specialiteti i tyre që e ka pas emrin Dal-bhat (dal bhat).

Dal bhat është një pjatë e madhe e mbushur me oriz. Dal ishte lentili, bhat ish orizi. Edhe ish një pjatë tjetër me patate të fërgume me curry, edhe disa sende tjera si barishte ose diçka që ata merrnin aty në natyrë. E merrnin atë pjatën e lentilit edhe i shtonim oriz edhe e përzienim kështu me dorë dhe e hanim. Ajo ka qenë pjatë specialiteti, ose meny ditore.

E në të nuk ka pas mish?

Varësisht ku e kë ngrënë. Deri në një katund që ka qenë 2,800 metra ka pasur edhe copa mishi në Dal-Bhat. Deri atë katund domëthënë është konsumu mishi. Por atje kishte edhe katunde deri në 4,200 metra, ku edhe ka qenë katundi i fundit apo kufiri ku kanë jetuar njerëzit. Prej 2,800 metra e më lartë krejt katundet kanë qenë vegjetariane.

Vegjetarian për shkak të besimit të tyre?

Jo pse ata nuk donin me hangër mish, por sepse nuk kishin. Jeta e tyre varej prej vendit ku jetonin. Shtatë katunde kanë qenë që nuk kanë pas rrymë hiç edhe krejt kalimi ka qenë rrugë e këmbësorëve.

Çantat që i keni mbajt, a kanë qenë të rënda?

Unë çantën e kam pasë dikun 15-16 kile të rëndë. Por bashkë me guidën i kemi pasë edhe porterat; djemë të rinjë që punojnë për me i mbajtë sendet.

Ata vinin me juve gjithë kohën?

Ata vijnë me ne deri në një pikë. Kanë ardhë me ne deri në 5,000 metra [lartësi], pastaj ne kemi vazhduar edhe dy kampe i kemi bërë. Njëri në 5,300 metra dhe tjetri në 5,700 metra. [Në këto dy pika] vetë kemi qenë, sepse ata janë kthyer poshtë.

Si planifikohej ecja malore praktikisht, ditë pas dite?

Gjatë gjthë kohës sa kemi ecë, ne jemi ndal nëpër katunde. Si me thanë ecnim dhe kur i bënim 2,000 metra ngjitje flinim në katundin më të afërt.

Katundi i fundit ku kemi qëndru më gjatë ka qenë “Na”. Aty kemi qëndru katër ditë dhe aty e kemi pasë bazën 4,200 metra, ku edhe kemi bërë trajnim për rock climbing (ngjitje shkëmbinjësh). Për shembull një ditë jemi ngjitë në 4,900 metra dhe kemi zbrit prapë  për të fjetur në katund.

Të nesërmën kemi shkuar me një maje tjetër, kemi bërë ice climbing (ngjitje në akull), ecje me krampona, litare e këso sende. E kemi pas një bazë, se normalisht bazën e ke, ose kampin ose shtëpinë.

The last village Ibrahimi stayed in on her three week trek was Na, where she met a local man who had climbed Mount Everest on 12 occasions. Photo courtesy of Uta Ibrahimi.

Fshati i fundit ku qëndroi Ibrahimi gjatë udhëtimit të saj tre javor ishte “Na”. Atje u njoftua me një vendas i cili ishte ngjitur në Malin Everest 12 herë. Foto nga Uta Ibrahimi.

Po efektet e lartësisë mbidetare? A ishte e lodhshme ecja në këto lartësi mbidetare?

Ideja është që ti kur ecë në lartësi shumë shpesh mundesh me ecë 2,000 metra – prej 4,000 [metra] me u ngjit në 6,000. Mundesh ta bësh atë sepse je i fortë fizikisht, por është shumë problem kur të kthehesh se ke kokëdhimbje, ose ke temperaturë … sepse trupi ynë këtu [poshtë], është i adaptuar në diçka tjetër. Çka është mbi 3,000 metra ne fillojmë edhe e vërejmë ndryshimin, sepse trupi të thotë që diçka është ndryshe, jo “wrong” (gabim) po “different” (ndryshe).

Tash ti duhet me i lanë kohë trupit me u adaptu në atë lartësi dhe prandaj fillimisht kemi kalu dy deri tri netë në 4,200 metra dhe dy deri tri netë të tjera në 5,000 metra lartësi.

Por njerëzve me ua marrë tri orë telefonin i kap stresi. E le tri javë ...

A mund të na shpjegosh pak më shumë se si funksionon procesi i adaptimit me atë ambient?

Kam qenë në mal në lartësi 6,000 metra dhe do të shkoj përsëri dhe do t’i bëj disa gjashtë mijëshe, gjashtë mijë e pesëqindëshe dhe disa të tjëra. Tre muaj do të jem atje dhe do t’i bëj disa trajnime të tjera.

Doja të dija përpara se qysh po ndjehet trupi im në atë lartësi. Sepse nuk mundesh me shku në 7,000 metra pa e provu një herë në 6,000 metra, se nuk është puna vetëm se qysh po reagon trupi në atë lartësi. Janë disa gjëra bazike që duhet me i provu më përpara. Si shembull, tri javë në mal pa rrymë, pa u la, me të njejtat tesha, me mbajtë gjithë kohën teshat tua, peshën tënde, ushqimin…

Tash njerëzit më thonë, hajt se je kënaq tri javë. Por njerëzve me ua marrë tri orë telefonin i kap stresi. E le tri javë kur je larg krejt njerëzve këtu, normal pa internet nuk diskutohet, por pa telefon edhe pa rrymë dhe pa sendet e tua të përditshme…

A kanë qenë shumë 3 javë?

Jo, vetëm se ditën e tretë kur kemi mbërri me një katund kam fillu me u  brengos se do të rri tri javë atje. Jo që jam lodhur fizikisht, sepse këtu jam përgatitur mjaftë, por për shkak se të mungon përditshmëria me të cilën je mësuar, njerëzit e tu edhe unë isha vetëm me guidën time… dhe vetëm ne dy sepse porterët ishin gjithnjë më larg ose para ose mbrapa dhe nuk komunikonin shumë me ne sepse as nuk dinin anglisht.

Nëpër katunde takoja njerëz të vendit, por as ata nuk ma largonin mallin shumë. Ishin shumë të mirë, të flisnin të përshendetëshin me fjalët “Namaste” (përshëndetje respekti e zakonshme në Nepal dhe Indi që do të thotë pak a shumë “të përkulem”), na jepnin dashni por nuk kishe se çfarë të flisje me ta, se nuk e dinin anglishten.

After initially missing friends and family at home, Ibrahimi says she quickly adapted to her surroundings. Photo courtesy of Uta Ibrahimi.

Në fillim i munguan shokët e familja që i kishte në Kosovë, por Ibrahimi thotë se shpejtë u adaptua me ambientin e saj të ri. Foto nga Uta Ibrahimi.

Por pastaj, diku pas dy dite ndryshuan të gjitha gjërat. Më as nuk kam menduar as për këtu, as për përditshmëri, asgjë nuk më ka munguar.

Më vonë u mësova dhe nuk më bënte përshtypje që nuk kam bërë dush. Tani nuk më bënte përshtypje që nuk kam faculeta të lagura, ikën tre javë pa i la flokët e pa e la fytyrën. Vetëm me borë e lanim fytyrën ndonjëherë.

Çfare ishin kushtet atje? Koha, terreni, etj.

Po, dy netë ka pas shumë frymë në kamp, e aty ka qenë pak më e frikshme se edhe kemi qenë duke bërë kamp në 5,700 metra mbi nivelin e detit në glaciera (masë e madhe akulli e formuar gjatë viteve nga shtresimi i borës, dhe që zbret ngadalë nga malet e larta). Edhe shumë afër glacierave i kemi pas dy cravasse të thella, një lartë e një poshtë. Edhe veç mendojsha se nëse frynë shumë era, mundet me na gju në to. Cravasset janë ato gropat e mëdhaja që bëhen në glaceera dhe zakonisht janë shumë të thella.

Njëri prej trajnimeve që i kam bërë ka qenë edhe ky, që me ditë se qysh me e analizu terrenin. Kur bjen bora e re është ma rrezik se këto cravasse nuk shihen, por kur kemi qenë ne nuk ka rënë borë kështu që edhe nuk ka qenë shumë rrezik. Zakonisht në vende të tilla, në Himalaje por edhe në Evropë ka glaciera dhe gjatë ecjeve zakonshëm ecin dy veta që lidhen me litarë në mënyrë që nëse bie njëri, tjetri ka mundësi me shpëtu.

E ke përmend se ky udhëtim ka qenë edhe shpirtëror për ty…

Po, kjo Rolwaling Valley ishte luginë ku gjatë shekullit të 17 është zhvilluar budizmi me hove të mëdha. Po kishte qenë edhe si vend sekret, se në këtë luginë ishin disa katunde. Një katund i kishte vetëm tri shtëpi edhe ai përveç tri shtëpive e kishte edhe një tempull. Tempujt zakonisht ishin nëpër kodra lartë, shumë lartë.

Gjithçka që e kam parë ka qenë me miliona herë ma e madhe se unë, e se të mirat e të këqijat e mia.

Ishte një farë energjie, sidomos te ai katundi më i lartë. Sa më pëlqente, po aq edhe doja të ikja dikund larg prej tij.

Pastaj këta flisnin për Yetin, flisnin për disa krijesa si njerëz të vegjël dhe se si i kidnapojnë njerëzit edhe se si jetojnë nëpër male…

Ata besonin edhe në Yetin që është një njëri i madh i bardhë, nuk e dinin nëse është njeri bash. Nuk thonin që e kanë parë, mirëpo besonin në të dhe i frikësoheshin. Ata i besonin, por edhe unë dikur fillova t’i besoja.

Kur kemi dalë prej katundit edhe kemi shku në pesë mijë metra, aty ka qenë hera e parë që kemi fjetë në tenda, se deri atëherë kemi fjetë nëpër shtëpi. Aty përnjëmend ka qenë një energji e posaçme. Në të njejtën kohë, ajo energji edhe të forconte sepse ta jepte një ndjenjë që ka dicka shumë më të madhe se ti. Edhe Himalajet më kanë bë me kuptu se sa të vegjël jemi ne njerëzimi, edhe krejt çka na rrethon është jashtëzakonisht e madhe. Gjithçka që e kam parë ka qenë me miliona herë ma e madhe se unë, e se të mirat e të këqijat e mia. Aty mali shpirtërisht të bënte me u qetësu, me u pastru. Aty kishe mundësi me hy te vetja edhe me pa që krejt është okay – paqe.

Kishte edhe shumë shtëpi të shkatërruara gjatë tërmetit, sepse këta ishin bash në zonën më të goditur. Ka pas edhe të vdekur dhe prej asaj kohe më nuk kanë rrymë shumë katunde sidomos ato katundet e fundit.

Himalaja ka qenë ngjyrë tjetër – gjithçka, toka, natyra, qielli…

At the end of her trip, locals in Na village presented Uta with a scarf or 'khata,' which symbolizes purity and compassion and is traditionally presented to people when they have climbed a mountain in Nepal. Photo courtesy of Uta Ibrahimi.

Në fund të udhëtimit të saj, vendasit e fshatit Na i dhanë Utës një shall apo ‘khata’, që simbolizon çiltërsinë dhe dhembshurinë, e i ipet tradicionalisht njerëzve që i ngjiten ndonjë malit në Nepal. Foto nga Uta Ibrahimi.

Qysh ke vendos me udhëtu për Himalaje?

Për Himalaje më është bë ftesa prej Xhimit (Begeja, alpinist nga Shqipëria)… ky është projekt, ‘Femra shqiptare në Himalaje’, edhe ai i ka përcjellë njerëzit edhe femrat se kush po ushtron edhe kush mundet me bo atë udhëtim. Ky ka qenë alpinist dhe e ka pa rëndësinë e zhvillimit të alpinizmit në shqiptari, kjo e para. E dyta për rëndësinë e promovimit të femrës shqiptare nëpër botë. Se unë foli për Kosovë, e foli edhe për Shipëri. Gjithë njerëzit që i kam taku atje u kam folë për vendin tonë.

Përndryshe unë kur e kam marrë lejen, Kosova nuk ka qenë pjesë e shteteve në listën e shteteve në atë institucionin që e merr lejen për ngjitje. Për shkak se nuk mundesh me u ngjit në Nepal pa e marrë një farë leje prej shtetit. Duhet me marrë lejen edhe me pagu, e Kosova nuk ka qenë në listë.

Edhe nëse ki ndonjë dëshirë a ëndërr, ki me e mbërri me realizu, veç që duhet me luftu shumë.

Projekti nuk ka të bëjë vetëm me mua, po me zhvillimin e alpinizmit te ne dhe promovimin e vendit të shqiptarëve jo vetëm të Kosovës por edhe të Shqipërisë sepse është projekt që është inicu dhe financu prej tyre.

Projekti do të zgjasë edhe kemi me vazhdu me disa ngjitje tjera, janë disa maja që do të bëhen për një vit e gjysmë.

Për mua, ky ka qenë një projekt që ka qenë ëndërr e imja. Njerëzit thonë se sendet apo kur njerëzit bëhen bashkë janë më të fortë. Por për mua kjo eskperiencë ka tregu edhe një herë tjetër, që sendet mundesh me i bë edhe vetë.

Edhe nëse ki ndonjë dëshirë a ëndërr, ki me e mbërri me realizu, veç që duhet me luftu shumë.

Edhe njerëzit nuk duhet me u frikësu me i bë sendet që donë dhe përveç asaj as nuk duhet me mbyllë gojën.

Se unë për shembull për arsye se nuk e kam mbyllë gojën dhe pse kam qenë krenare me veten dhe me sendet që bëjë kam mbërri në fakt me i bë; e dyta nuk jam pjesë e një grupi palidhje ku mendojnë se femrat duhet me mbyll gojën dhe se duhet me bë se çka thonë ata.

Hiking është ba njëfar mode te na. Shumë njerëz e kanë provu të paktën një herë, disa po heqin dorë, disa po kanë forcë e dëshirë me vazhdu. Cila do të ishte këshilla për ata që iu pëlqen, që ndoshta edhe e mendojnë ma shumë se vetëm hobi?

Me shku në mal të gjithë mendojnë se është shumë fizike, vështirë dhe se nuk munden me ecë… Të gjithë e mendojnë se është ku me dit çka dhe e dyta, të gjithë mendojnë që nuk kanë kohë. Por mua ma ka ndryshu jetën. Unë gjithë kam qenë tip sportiv por ka qenë një kohë kur jam tërheq prej sportit e ja nisa me bo clubbing, që është shumë mirë gjithashtu.

Por, sa ma herët që ja nis me mendu me dal sa ma shumë me ecë, me ndejtë ma shumë në natyrë, me qenë një me natyrën, nuk e harxhon jetën kot. Se kur je afër natyrës je afër vetes.

Mundësia tash është për secilin me shku një herë në javë ose një herë në muaj, ka plot mundësi. Përpara ka qenë më vështirë, tash ka shumë klube që organizojnë. Por edhe nëse nuk do klube, tash është edhe ma lehtë me bo ecje me shoqëri, se ka shtigje të shënuara, ka harta. Edhe dëshira e njerëzve po rritet, por edhe infrastruktura po krijohet, se ka shumë kompani e klube që po punojnë me i shënu shtigjet edhe me kriju hartat. Kështu që në të ardhmen, ndoshta mbas një viti, kemi me pas harta me ble edhe nëpër vendet ku pijmë kafe.K

Photo courtesy of Uta Ibrahimi.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 12 Feb 2017 - 10:25 Arben: Bukur e pershkrume prej Valmirit, ngjitje te bukura prej Utes. Te gjithe perpiqemi per maja, e njerzillekut eshte me e sfiduesja. Suksese Uta! #human
KOMENTO

KOMENTO