Në thelb | Media

Vit i dhunshëm për gazetarët në Kosovë

Nga - 04.12.2017

Më shumë sulme dhe më pak liri në vitin 2017.

“Nuk është e re me thanë që jemi të pakënaqur me sistemin e drejtësisë, që është zvarritës për këto raste”, shpjegon Parim Olluri, drejtor ekzekutiv i gazetës online Insajderi, i cili u sulmua fizikisht këtë verë. Olluri u sulmua nga tre njerëz më 16 gusht. Ata mbesin të paidentifikuar nga policia, pavarësisht faktit se fotografi të sulmuesve u bënë publike para tri javëve. Hetimet vazhdojnë. Edhe kjo frazë nuk është e re në Kosovë.

Sulmi ndaj Ollurit gjithashtu tërhoqi vëmendje ndërkombëtare. Reporters Without Borders (Gazetarët Pa Kufi) e dënuan sulmin ndaj gazetarit dhe kërkuan nga autoritetet ta “zbardhin sa më shumë që është e mundur rastin e sulmit”.

“Ai është një rast që nëse mobilizohet prokuroria e policia kryhet shumë shpejt. Por, në rrethanat e Kosovës duhet me t’u dokë normale kjo zvarritje”, thotë Olluri, i cili nuk beson se ata të cilët e sulmuan do të dalin para drejtësisë. “Detyrimi që vet si viktimë me dërgu e-maila e shkresa [për të kuptuar] se çka po bahet me rastin ta jep atë përshtypjen se mos rastësisht po harrojnë”, tha ai.

Petrit Çollaku, hulumtues në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ndan këtë mendim me Ollurin, por beson se është bërë progres sa i përket regjistrimit të sulmeve ndaj gazetarëve. “Diçka ka ndryshuar për së miri. Institucionet e kanë një qendër për bazë të të dhënave, dhe të gjitha rastet po regjistrohen”, thotë ai për K2.0. Megjithatë, Çollaku beson se pandëshkueshmëria mbetet si problem i qartë i cili nuk po diskutohet.

Presionet, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë bërë më të shpeshta në vitet e fundit. Vitin e kaluar u krye një sulm me granatë dore në oborrin e transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Disa ditë më vonë eksplodoi një bombë në shtëpinë e drejtorit të RTK-së, Mentor Shala. Në të dy rastet u shkaktuan vetëm dëme materiale, megjithëse ishte kjo një shenjë e kërcënimit të drejtpërdrejtë ndaj punës së gazetarëve. Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit, askush nuk u soll para drejtësisë.

Çollaku ishte autor i raporti të fundit të AGK-së, “Liritë e Mediave dhe Siguria e Gazetarëve”, i cili zbuloi se prej janarit e deri më 20 nëntor, dita kur u publikua raporti, ishin regjistruar 24 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Kjo paraqet rritje të madhe krahasuar me vitin e kaluar kur u raportuan 18 raste në polici dhe prokurori.

Parim Olluri i Insajderit u sulmua gjatë verës. Ai beson se dënimet e shqiptuara për ata të cilët janë shpallur fajtorê për sulme ndaj gazetarëve kanë qenë “qesharake”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kolegu i Ollurit dhe kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi u sulmua gjithashtu në tetor. Pasi u mbajt një muaj në paraburgim, personi i cili e sulmoi Kajtazin, Fitim Thaçi, u lirua me kusht për një periudhë katërmujore. Olluri mendon se rastet e tilla të dënimeve “qesharake” vetëm po i motivojnë më shumë sulmuesit, dhe se kështu mund të shkaktohen më shumë sulme ndaj gazetarëve.

“Por kush i nxit sulmuesit? Në fakt mendoj se sistemi gjyqësor i Kosovës”, thotë ai për K2.0. “Njerëzit që jane ekspozu në media si sulmues të gazetarëve nuk janë dënu me ndëshkime të mëdha por me ndëshkime qesharake. Tash logjikisht çdo njeri i biznesit të zi që iu ik tatimeve dhe përfiton nga tenderët publikë e ka lehtë me e gjetë një person dhe me e pagu 500 ose 1,000 euro me e sulmu secilin gazetar – për shkak se dënimi është një muaj paraburgim”.

Trendi i sulmeve ndaj gazetarëve ka vazhduar dukshëm edhe sivjet. Më 11 nëntor, Taulant Osmani, gazetar i kallxo.com, u sulmua nga një grup i njerëzve në Gjilan, të cilët u përpoqën t’ia rrëmbenin telefonin derisa ishte duke e përcjellur një diskutim ndërmjet dy grupeve të njerëzve në një shesh të qytetit të Gjilanit. Fatmirësisht, gazetarin e mbrojtën kalimtarët e rastit, dhe kështu ai shpëtoi pa lëndime.

Problem tjetër është fakti se shqyrtimi i rasteve nga gjyqësia kosovare shpesh zgjat me vite. “Gjykata e gjobiti me 500 euro një ish-zyrtar të Ministrisë së Tregtisë pasi gazetari Liridon Llapashtica e paditi për shpifje. Rasti u mbyll vitin e kaluar ndërsa ndodhi në vitin 2014”, zbulon Çollaku.

Situtata në sistemin e drejtësisë ka bërë që sektori i mediave të Kosovës të përshkruhet si “pjesërisht i lirë” në raportin e Freedom House për vitin 2016, raport ky që mat lirinë e shprehjes në media. Kosova shënoi 14 pikë, ndërsa rezultati më i keq ishte 30 pikë.

Pse janë shtuar sulmet?

Klima botërore e mediave është përkeqësuar. Sipas një raportit të Article 19 për Lirinë e Shprehjes, i publikuar më 30 nëntor, mediat në botë kanë rënë në nivelet më të ulëta prej vitit 2000. Në Kosovë në vitet e fundit ambienti për gazetarët është bërë i tensionuar. Olluri mendon se evoluimi i sektorit të mediave është një prej arsyeve kryesore për sulmet ndaj gazetarëve.

“Derisa para 10 viteve i ke pasë 2 apo 3 gazeta e dy televizone, e njerëzit e fuqishëm e kanë pasë ma të lehtë me ndiku në politikat e tyre redaktoriale ― që mos me qenë në disfavor të personaliteteve të fuqishme të politikës e parapolitikës – tash kemi shumë media online”, tha ai.

Çollaku mendon se lulëzimi i mediave online ka krijuar gjithashtu raste në të cilat gazetarët dështojnë t’i përmbushin detyrat e tyre për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. “Me gazetarë që kemi bisedu na kanë thanë që kodi i etikës në shumë raste është shkelur me dy kambë”.

Çollaku mendon se rrethanat politike në vendin tonë kanë prodhuar rritje të nivelit të presionit ndaj mediave. “Dy deputetë të cilët shërbejnë në legjislaturë kanë dërguar mesazhe kërcënuese – deputeti Bekë Berisha e kërcënoi me vdekje Vehbi Kajtazin, dhe një deputet tjetër, Milaim Zeka, e përdori foltoren për t’i poshtëruar gazetarët”, tha ai.

Në tetor, deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka, e sulmoi gazetarin e KTV-së Adriatik Kelmendin dhe Vehbi Kajtazin e Insajderit gjatë një seance, duke e nxitur AGK-në të japë deklaratë për gjuhën e pavend të përdorur nga Zeka, i cili vetë ishte gazetar para se t’i hynte politikës në 2016.

Zeka e sulmoi Kelmendin duke deklaruar publikisht se babai i tij i kishte shërbyer regjimit shtypës duke punuar si prokuror, dhe se ai i kishte dënuar shqiptarët e Kosovës para luftës së vitit 1999. Kolegët e tij partiakë mbetën të heshtur derisa ai po e mbante këtë fjalim, dhe nuk u distancuan nga përdorimi i kësaj gjuhe.

Edhe Kryeministri Ramush Haradinaj e gjeti veten në marrëdhënie antagoniste me gazetarët. Në ditët e tij të dhjetë si Kryeministër, kur u pyet në një konferencë për shtyp për qëndrimin e SHBA-së në lidhje me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Haradinaj iu përgjigj  gazetares duke i thënë “Kam respekt për media shumë, më besoni, por shumica prej juve as nuk dini me lexu anglisht, as nuk dini me i kuptu çka kanë thanë”, e më pas u tha “shkoni më shumë në shkollë”.

Petrit Çollaku i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës beson se politikanët duhet të jenë më të zëshëm për të gjitha sulmet, dhe jo vetëm për ato ndaj gazetarëve që janë të njohur. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Haradinaj më vonë kërkoi falje, por deklaratat si këto mund të shihen si të dëmshme për qëndrimin e tij kur ai i dënon sulmet ndaj gazetarëve. Pasi u sulmua Vehbi Kajtazi, Haradinaj deklaroi: “ne e dënojmë një akt të tillë, jo veç ndaj gazetarit Kajtazi, por mbi çdo gazetar. Si qeveri jemi zotuar të bashkëpunojmë me media, dhe të jemi transparent e të garantojmë liri të fjalës”.

Pavarësisht faktit se Çollaku i mirëpret dënimet për sulmet ndaj gazetarëve, ai mendon se standarde të dyfishta po aplikohen edhe në këto reagime, dhe u bën thirrje liderëve politikë të jenë të zëshëm edhe kur sulmohen pjesëtarë më pak të njohur të mediave. “Njerëzit po i rrahin për faktin se ata po i tregojnë shoqërisë ‘hej, ky keqpërdorim po ndodh’. Duhet të pyesim pse institucionet nuk kanë qenë më efektive për të vënë drejtësi dhe për t’u dhënë më shumë vëmendje sulmeve”.

Olluri pajtohet me pikëpamjet e Çollakut sa i përket drejtësisë për gazetarët. “Nëse gjyqësori dënon sulmuesit, besoj se ka me pasë rënie të sulmeve ndaj gazetarëve. Por nëse gjyqësori vazhdon me këtë ritëm të mosndëshkimit, trendi veç ka me pësu rritje kur gazetarët sulmohen fizikisht”.K

*Shkrim nga redaktori:

Ky artikull është ndryshuar nga verzioni origjinal i cili saktësonte se numri i sulmeve ndaj gazetarëve në  vitin 2012 për ndryshim nga 2017 është rritur, përderisa numri i sulmeve ndaj gazetarëve në 2017 është i njejtë me numrin e përgjithshëm të vitit 2012.

 

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull u shkrua nga Kosovo 2.0 si pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. K2.0 është partner i projektit të ECPMF. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO