Shtyp | Vitet ’90

Pelegrinazh vizuel drejt gjërave që marrin kuptim: Shkarravinat mbi lirinë

Nga - 26.04.2016

itet e '90 ishin dekadë me rëndësi — atëherë pse u mudnuam aq shumë ta harrojmë?

Ende besoj se ngjyrat gjatë viteve ’90 ishin ndryshe. Gjithçka, madje edhe tingujt për ndonjë arsye kishin atë nuancë të hijes së kaltër dhe të mjegullt, atë gjendje të çuditshme të optikës e cila prodhon ndjenjë të thellë melankolie.

Ai efekt kromatik i zbehtë, i filtruar në të kaltër, më mbërtheu në një prej këtyre mëngjeseve të mjegullta të pasluftës, kur po kaloja pranë videolojërave të “Edi Flipper”. Vendosa ta ngadalësoja hapin, t’i jepja vetes kohë dhe të shëtisja nëpër “Blues Alley”, e t’i vizitoja dhe t’i kujtoja rrëfimet e mia të pakënduara të cilat ende jetojnë atje, në tunel.

“Kurrizi” në vitet ’90 për ne, ‘kopilat’ e qytetit ishte si “Harlemi” për afroamerikanët gjatë viteve ’50 dhe ’60, ajo që Jerusalemi ishte për — e po, jo bash ashtu. Ai pasazh xhamash të thyer në lagjen “Dardania” në Prishinë ishte një fabrikë ëndrrash, ku u krijuan epizode të paharrueshme të shumë jetëve, ku besimet e qëndrimet lëshuan rrënjë, ndërsa shpresat u ushqyen me gaz lotsjellës për gati 10 vite.

Me thënë të drejtën, gjithmonë kam pasur dëshirë të kemi një përmendore në formë ekrani televiziv, një lloj “muri i të 90-tave” diku në “Kurriz”. Ajo përmendore do tëeurokrem_004qëndronte vetë si një përkujtues statistikor në mesin e të gjitha statujave heroike në Prishtinë, një shenjë paralajmëruese se në një të kaluar jo të largët, ne nuk ishim hiç më shumë se numra. Aty do të mund të projektoheshim mbi atë televizor prej betoni, duke ia përkujtuar vetes shumë gjëra të cilat mbase nuk na pëlqejnë sot, duke i kujtuar ditët kur jeta ndahej në kategorinë “mikse”, apo “të dorës së dytë”. Ai ekran do të na përkujtonte gjithashtu se nuk kemi nevojë të ikim nga e kaluara dhe se nuk kemi nevojë ta harrojmë atë. Ne shikonim MTV dhe sytë i ngulnim në CNN. Ne ishim njerëz televizorësh — e gjithë bota na pa nga televizori. Na pa ashtu siç ishim: të dehumanizuar.

Thënë poetikisht, sot gjithçka ndihet aq çiltërsisht e largët, ndërsa u kthehemi atyre kujtimeve të mjegullta — ditëve kur filluam të rruhemi dhe kur vajzat skuqeshin shumë më bukur se sot.

Të fortë, fytyrëpuçrra, trushpërlarë — dhe rokerë

Rrëfimin tim po e filloj me një mbrëmje vere, kur haraçinjtë e emocioneve dhe fertilizuesit folklorikë të nacionalizmit, si Ilir Shaqiri dhe komedianë të tjerë blegërues po u sillnin njerëzve fat të keq, dhe po kompozonin melodi të cilat edhe sot i këndojnë — një Comedy Central në versionin më të trishtë të mundshëm. Në anën tjetër të jetës sonë, institucioni i frikës dhe i pasigurisë po e zinte vendin në çdo shtëpi, ndërsa mua nuk më pritej ta shihja epizodin e radhës të “Headbangers Ball” me Vanessa Warwick-un në MTV.   

levis_001Në ditët në vijim e gjeta veten me çelësa në dorë duke i përplasur për tigan, dhe duke brohoritur “Demokraci! Barazi”!

Qyteti ishte i errët, ndërsa të gjithë kishin vendosur t’i fiknin dritat, por jehona nga rrugët dhe zhurma e helikopterëve nga lartë ndiheshin si thirrje për të zgjuar diçka më të madhe e më të çuditshme, ashtu si vallëzojnë amerikanët vendës ndërsa thërrasin shiun. Një varg qirinjsh në lagje po krijonin rrathë të mjegullt drite mbi silueta të hijëzuara të cilat po e formësonin panoramën e Prishtinës — magji e “The Twilight Zone”.

Pak njerëz dinin se çka në të vërtetë do të ndodhte — si në disa telenovela turke; familja shpërbëhet dhe pastaj urrejtja depërton tinëz, ngadalë, shumë panatyrshëm, si një valë mjegulle e dendur, e cila kapërdin qytete, fshatra dhe gjithçka që lëviz. Ishte një triller absolut për një masë të pafajshme njerëzish, të cilëve sapo po u prezantohej një dhjetëvjeçar, të themi, fashizmi. Pjesën tjetër e keni parasysh.

Ishte sikur Monty Python-i të kishte vendosur të bënte një reality show. Emrat si Liridon dhe Qëndrim i zëvendësuan emrat si Gëzim e Blerim — përveç faktit se ne të gjithë ishim Oliver Twist-ë duke fishkëlluar këngën “Wind of Change” të grupit “Scorpions”. Ah, gjithmonë e kam urryer atë këngë. Gjithmonë kam menduar se ajo u kushtohej rusëve.

Në këtë kohë, njerëzit mund të pasuroheshin nëse vendosnin të vinin baste, se kush do të zgjohej i gjallë mëngjesin që vinte.

 
Jetët e kufizuara dhe mendjet e ndërsyera

Më vonë, ndërsa MTV-ja po predikonte “Open your mind” (Hape mendjen) me gjithë ata prezantues të veshur ngjyra-ngjyra dhe interneti dalëngadalë po e gjente rrugën për në shtëpitë tona plot telashe, ne po protestonim në rrugë, duke ngritur dy gishta dhe bukët, sikur të donim t’ia bënim dikujt me dije se kemi tepër nevojë për ndihmë, sikur jemi të ngujuar, të mbyllur në një mut të madh me dikë, i cili tepër shumë dëshiron të na kthejë në shekullin 19.

Në të njëjtën kohë, kanë ndodhur edhe disa episode të paharrueshme e të bukura, ashtu si intermecot ekzotike në televizor, të përcjellura me ndonjë këngë të grupit “The Smashing Pumpkins” — një ndjesi e largët, e ngrohtë, e rehatshme dhe e mirë, sikur jeta në barkun e nënës.mtv_vanessa-warwick_002

Po pra, zonja e zotërinj, rendi shoqëror ishte i pa rend, përshkrimi ynë zyrtar i punës ishte të mësonim nga rrugët, duke shpikur shkathtësi të reja mbijetese dhe ikjeje, pa u vërejtur kur muti vinte deri në fyt (që në fakt ishte punë shumë e lezetshme). Jozyrtarisht, ne ishim kampionë të pamposhtur në betejën e të qenit të diskriminuar; të mbushur me gaz lotsjellës, të varfër, të keqtrajtuar — dhe patjetër, të qenit ata të cilët prodhuan më shumë muzikë të keqe e frizura të shëmtuara sesa mund të konsumojë gjithë bota për një shekull!

Ne me dhunë u çabonuam nga normalja; shkollat, gjykatat, spitalet, televizionet, muzika, arti — gjithçka u rishpik, për keq ose për mirë. Këtë e kemi parasysh dhe ende i vuajmë pasojat. Ne e dimë këtë dhe ende mbajmë pasojat e të jetuarit në flluskë, duke qenë të ndjekur nga Pac-Man për 10 vite me radhë.

treci-kanal_003Ana B e jetës

Në anën B të jetës po shfaqej një stil i ri i jetës së bashku me puçrrat adoleshente; skena e muzikës së Seattle-it dhe bluzat e audio kasetat e bendeve të zhanrit metal si dhe çamçakëzat “Turbo” nga Turqia, dhe — për një subkulturë postelitiste — një identitet krejt i ri, i paketuar në Levi’s 501 apo Adidas Torsion. Shiku i të shtypurve. “Haute couture” i rezistencës. Kiçi i ri ballkanik i viteve ’90.

Çka ishte interesante në vitet ’90? Ne faktikisht çdo ditë po luanim “ndërmjet dy zjarreve”: ideologjikisht, mendërisht, fizikisht, duke qenë të varfër gjatë pauzave përtreci-kanalburek dhe duke u ballafaquar në ndërkohë me dramat tona personale, ndërsa po
orvateshim që gjithçka të ishte e arsyeshme e të kishte ndonjë pikë sensi dhe të dëgjonim “OK Computer”. E kam fjalën për drama të vërteta. Ne nuk kishim kohë për zemërthyerje.

Kishte garazha super të zhurmshme, ku i binim daulleve të bëra nga pjesët e lavatriçeve, ndërsa këndonim këngët tona. Shpiknim zmadhues nga kutitë e drunjta dhe i lidhnim me tela. Dhe gati harrova: Kishte edhe shumë poezi të shkruara, të bëra shkrumb e hi dhe të rishkruara. Njerëzit kënaqeshin duke shkruar. Edhe kënaqeshin duke lexuar, po ashtu. Kur e kujtoj më mirë, njerëzit kënaqeshin duke dashur, apo duke ndihmuar. Të paktën i kushtonin rëndësi. Ta marrtë dreqi! Të paktën kushtonin rëndësi sa për të qenë.

Nuk është për t’u krenuar, por Murphy dhe Ligji i tij dukeshin mjaft optimistë nga këndvështimi ynë.

Në shkollë ishte kohë kur po vijonim program arsimor që ia vlente të merrte medalen për më të keqin, dhe kur po mbusheshim me dozë ditore të Rilindjes postnacionaliste të përzier me erën e këmbëve tona. Pastaj qëndronim të nënshtruar, kolektivisht të hipnotizuar, përpara televizorit dhe thithnim program info-tues të televizonit “3 Kanal”, derisa përpiqeshim me gjithë fuqinë t’i iknim Fox TV-së në serbisht. Kjo ishte kënaqësi & co!

treci-kanal_005

Por nuk zgjati shumë. Papritur, një mëngjes, pamë antena satelitore të vendosura në ballkonët e lagjes sonë. Pushtimi i ri turk me karaktere të zhurmshme e të pashpresë nga telenovelat tragjike, të përcjellura me zërin e ftohtë e serioz të spikeres së RTSH-së dhe të kolegut të saj nga PolSat-i. Ato u shndërruan në familje të re virtuale të cilën nuk kishim nevojë ta ushqenim. Më shumë dramë? Patjetër, ajo — dhe natyrisht Bono Vox — ishin gjërat e fundit që na duheshin.

Rojtarët e kujtesës sh.p.k.

Të lazdruar me gjithçka që mund të bënim dhe me asgjë që s’mund të bënim; kështu dalëngadalë i harruam dhe i fshimë rrëfimet nga dekada, e cila në njëfarë mënyre i dha formë gjithë gjeneratës të partizanëve të lirisë në kohën kur ata po e përfytyronin atë.

Në atë kohë, ne nuk e përfytyronim lirinë si një temë që soset. Ata besimtarë fytyrëpuçërr ishin shumë më kreativë në aventurën e tyre të përfytyrimit të lirisë sipas nevojave të tyre — dhe jo sipas kufijve — dhe ishin shumë më të kujdesshëm, por më të guximshëm, kur ëndërronin për perspektiva.

Atyre iu desh të pajtoheshin me gjëra faktike, ndërsa përpiqeshin t’’ia dilnin mbanë; atyre iu desh ta përcjellin stilin perëndimor, ndërsa ishin të shtypur dhe iu desh ta mësonin teknologjinë, shkencën dhe artin nga planprogrami i improvizuar nëpër shkolla të improvizuara. Jeta ishte kaotike, ashtu si këto rreshta, por nuk kishte zgjidhje tjetër përpos t’’ia dilje mbanë. Ishte çështje kohe. Po bëhej mërzitshëm.

twilight-zone_002

Fare paturpshëm, dhamë gjithçka nga vetja t’’i harronim ditët e vështira. Qanim dhe qeshnim për pasoja, por ishte tmerrësisht qesharake — apo komedi e zezë — t’i shikosh gjërat të cilat na u desh t’i bënim për të mbetur, për të menduar dhe folur racionalisht, ndërsa donim të ishim pjesë e botës liridashëse dhe orvateshim t’i transmetonim zërat tanë në frekuenca që kishin kuptim. Vërtetë, si ca heronj nga kanalizimi — tinejxherë, mutantë dhe ninxha, pas gjithçkaje nëpër të cilën kemi kaluar.

Dhe në fund, e po, gjithçka mori fund. Të ’90 e mia përfunduan i përhumbur në Bllacë me lotë në sy, me Lucky Strike në xhep dhe me një kanaçe Eurocrem në dorë, në kërkim të disa përgjigjeve.

Si përfunduan të ’90 tuaja?

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO