Në thelb | Siguria

Viti i Forcës

Nga - 23.12.2017

FSK-ja me çmime ndërkombëtare, por ende në pritje të transformimit në ushtri.

Ora po shënonte gati dhjetë në mëngjes, në një ditë maji të këtij viti, kohë kjo që për shumëkë nënkupton fillimin e ditës. Por për ushtarët e Batalionit të Dytë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë të Forcës së Sigurisë, të stacionuar në Kazermën “Ushtarët e Nato-s” në Istog, është thuajse koha e përfundimit të ushtrimeve të rregullta fizike.

Tre togje me nga 30 ushtarë janë të vendosura në poligonin e kazermës kryesore të Brigadës elitë të FSK-së. Njëri kalon poligonin e kalitjes, tjetri marshon, e togu i tretë bën përgatitje fizike.

Vapa e muajve të verës dhe prezenca e mediave nuk u bën aspak përshtypje ushtarëve të cilët dukeshin të vendosur t’i respektonin dhe t’i zbatonin komandat të cilat u jepeshin. Pas secilit ushtrim të kryer me sukses nuk mungonin as duartrokitjet e kolegëve dhe të udhëheqësve të tyre.

Ushtarët e Brigades së Reagimit të Shpejtë, gjatë ushtrimeve në Kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Motivimi është pjesë kyçe për ushtarët e rinj, të cilët në të ardhmen do ta përfaqësojnë ushtrinë e Kosovës – Forcat e Armatosura të Kosovës.

Më i ri në se ushtarët e tij, por i prerë në detyrat që ia ka vënë vetes e që po u cakton vartësve të tij, duket edhe togeri 24-vjeçar Xhevahir Hasanaj.

Ai është vetëm një nga dhjetëra oficerët e ri të Kosovës që kanë ndjekur studimet jashtë vendit, me synim që përvojat profesionale të vendeve aleate t’i bartë në FSK, aty ku punon sot si komandant togu apo udhëheqës i tridhjetë ushtarëve.

Më 13 prill të këtij viti, Hasanaj ishte zgjedhur kadeti më i mirë ndërkombëtar në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Anglisë – Sandhurts. Kështu ai u bë oficeri i dytë nga Kosova që mori çmimin “Shpata përtej deteve” të kësaj Akademie Mbretërore. I pari që u nderua me këtë çmim nga Kosova ishte togeri Ismail Hoxha në vitin 2015.

Hasanaj flet me krenari për këto arritje të FSK-së, gjersa përcjell ekipin e K2.0 nëpër poligonin e Kazermës që dikur i takonte trupave spanjolle të KFOR-it në Istog, e ku tash po demonstrohen ushtrime të ndryshme nga pjesëtarë të BRSH-së.

Togeri Xhevahir Hasanaj është oficieri i dytë i FSK-së që fitoi “Shpatën përtej detërave” të Akademisë Ushtarake në Britani – Sandhurst, si kadeti më i mirë ndërkombëtarë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Vetë uniforma që mbajmë është nder. Nuk ka nder më të madh se kjo, duke pasur parasysh rrugën e vështirë nëpër të cilën Kosova ka kaluar deri në liri”, thotë Hasanaj që në këtë kazermë të Istogut shkon çdo ditë nga Abria e Epërme e Drenasit ku jeton, kur pyetet se çka mund ta shtyjë një të ri të vendosë të bëhet pjesë e FSK-së.

“Nuk ka mënyrë më të mirë t’i shërbesh popullit sesa duke qenë në FSK”, vazhdon Hasanaj.

Se kur do të transformohet FSK-ja në ushtri, sipas Hasanajt, ka pak rëndësi ngase FSK-ja është gati në çdo moment.  

“Ne si FSK bëjmë trajnime në vazhdimësi dhe përgatitjet e ushtarëve janë në nivel. Kurdo që bëhen ndryshimet e reja, ne jemi të gatshëm me i pranu”, thotë ai.

Një vit plot fjalë

Gatishmërinë e FSK-së për të marrë përsipër mandatin ushtarak pakkush e ka vënë në pikëpyetje. Ndonëse juridikisht ende nuk ka mandat ushtarak – pasi ka marrë kompetencat nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës – FSK-ja ka arritur një numër prej 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë dhe strukturë të ngjashme me atë të një ushtrie.  

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht Nenit 126, FSK-ja ka mandat të një force kombëtare të sigurisë që përfshin operacione të mbrojtjes civile, deminimit, reagimit të shpejtë, e kështu me radhë, si dhe forcë e cila mund të marrë pjesë në misione ndërkombëtare nëse kjo i kërkohet. Ta zëmë, Njësia e Kërkim-Shpëtimit është ndër njësitë më aktive të FSK-së edhe jashtë shtetit, e cila ka marrë pjesë në misione kërkim-shpëtimi çdo vit gjatë kohës së vërshimeve të shpeshta që ndodhin në Shqipëri.  

Ndryshimi eventual i mandatit prej një force kombëtare të sigurisë në atë ushtarake, do t’i mundësonte FSK-së edhe krijimin e strukturave të reja si dhe rritjen e numrit të njësive aktuale duke përfshirë, ta zëmë, edhe krijimin e njësisë së mbështetjes luftarake, por edhe pjesëmarrjen në misione të tjera ndërkombëtare si ato luftarake, vendosjen e bashkëpunimeve bilaterale me shtetet partnere, dhe pjesëmarrjen e mëtejme në trajnime ushtarake, ngritjen e buxhetit dhe numrit të stafit, si dhe armatimin e rëndë, gjë që aktualisht është e kufizuar me ligj.

Megjithatë, janë proceset politike ato që tash e sa vite po e pengojnë një hap të tillë, sepse ndryshimi i mandatit lejohet vetëm me ndryshimet kushtetuese, të cilat kërkojnë domosdo dy të tretat e votave totale të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve të minoriteteve. Dhjetë nga këto ulëse janë të rezervuara për deputetët serbë, që i përkasin Listes Serbe të mbështetur nga Beogradi, i cili është kategorikisht kundër themelimit të ushtrisë.  

Viti 2017 ka qenë viti kur më së shumti është diskutuar rreth transformimit eventual të FSK-së, qoftë nga liderët politikë e institucionalë, qoftë nga partnerët ndërkombëtarë. Një varg konferencash e vizitash ndërkombëtare janë zhvilluar për të diskutuar modalitete për t’i bindur deputetët serbë që të votojnë në favor të ndryshimeve kushtetuese.

Primatin e premtimeve politike për transformim e ka mbajtur padyshim vetë komandanti suprem i FSK-së, Presidenti Hashim Thaçi.

Çdo vit me 27 nëntor, FSK shënon “Ditën e Forcës” për nder të themelimit të saj, duke pritur qytetarë por edhe politikanë me dyer të hapura, dhe me shpresën që një ditë të festojnë transformimin në Ushtri. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Më mars të këtij viti, Thaçi kishte njoftuar në një konferencë për shtyp se do t’i anashkalonte ndryshimet kushtetuese për ta transformuar FSK-në në ushtri duke miratuar një Ligj të ri për FSK-në, dhe më 7 mars, Thaçi ia dorëzoi Kuvendit Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Iniciativa e tij për trasnformimin e FSK-së në fillim të këtij viti u konsiderua gjithandej si nismë vetanake për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Megjithatë, partitë politike, pozitë e opozitë, në përgjithësi kishin dalë me deklarata se do ta votonin Projektligjin e Thaçit për hir të procesit të transformimit të mandatit të FSK-së.

Por kur më 10 maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës u shpërbë duke e dërguar vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, edhe Projektligji u kthye në pikën zero, e kjo nënkupton se tani projektligji do të duhet të riprocedohet nga Presidenti që Kuvendi ta votojë atë. Tash për tash Presidenti nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Propozimi i Thaçit pati nxitur reagime të shumta nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, por edhe zyrtarë të Organizatës Veri-Atlantike – NATO që garantojnë sigurinë në Kosovë. Ata vazhdimisht kanë këmbëngulur që transforimimi i mandatit të FSK-së duhet të ndodhë vetëm me ndryshime kushtetuese.

Qëndrimin amerikan për këtë e kishte bërë të qartë edhe zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për çështje europiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, i cili kishte vizituar Kosovën dy herë gjatë këtij viti. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 29 mars, ai u bëri thirrje liderëve kosovarë të mos e miratojnë projektligjin.  

“Do të donim që qeveria ta bëjë një hap prapa dhe ta tërheqë ligjin nga tryeza”, tha Yee në një intervistë për RTK-në.

Edhe Zëvëndëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, në vizitën e fundit të saj në Kosovë më 27 tetor të këtij viti, ka mbajtur takime të mbyllura me Presidentin Thaçi,  ministrin e sapoemëruar të FSK-së, Rrustem Berisha, si dhe me ambasadorë të NATO-s dhe të shteteve partnere të saj për çështjen e FSK-së.

Në një konferencë për media, ajo i pati përsëritur fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, nga vizita e tij në Kosovë në shkurt të këtij viti.

“Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është një çështje që duhet të vendoset nga autoritetet kosovare, një çështje e Kosovës, por në anën tjetër është jashtëzakonisht e rëndësishme që ai transformim të ndodhë në përputhje të plotë me procedurat kushtetuese”, pati thënë Gottemoeller. “Vërtet dua ta nënvizoj dhe ta theksoj këtë mesazh edhe njëherë”.

Ekipi politik për FSK-në

Skena ishte vendosur në palestrën kryesore të Kazermës “Adem jashari”, në komandën kryesore të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë. Në të, më 5 dhjetor të këtij viti, komandanti suprem, Presidenti i shtetit Hashim Thaçi, me ushtarët e pozicionuar mbrapa tij, kishte vendosur që fjalimin e fundvitit për qytetarët ta adresojë nga kazerma ushtarake. Nga aty Thaçi “theksoi” sërish nevojën “urgjente për të rindërtuar konsensus nacional për çështjet e interesit shtetëror”.

“Qytetarët tanë duan t’i shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar kur është në pyetje interesi shtetëror. Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton europian, prandaj e ardhmja jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurtë në kuadër të Bashkimit Europian, NATO-s dhe OKB-së”, ishte mesazhi i Thaçit që përsëriti se nuk do të presë gjatë që të vazhdojë me inicativën për transformimin e mandatit të FSK-së.

Presidenti Hashim Thaçi këmbëngul që transformimi i FSK-së në ushtri do të ndodh së shpejti, me apo pa votat e deputetëve serb në Kuvend. Foto e huazuar nga Zyra e Presidentit.

Në fakt, është vetë Presidenti ai që pas reagimeve të shumta ndaj inicativës së tij për t’i shpërfillur ndryshimet kushtetuese, ka vendosur ta pezullojë Projekligjin, dhe të ndërmarrë disa hapa të tjerë për t’i bindur serbët të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

Nga zyra e tij i është thënë K2.0 se Thaçi ka krijuar një “ekip uniteti” politik, i cili po i koordinon punët për të garantuar amendamentimin e Kushtetuës. Kjo është konfirmuar nga këshilltari i tij për media, Artan Behrami, por ky megjithatë nuk ka treguar se kush bën pjesë në këtë ekip.

“Ky ekip është duke koordinuar të gjitha aktivitetet e nevojshme me të gjitha strukturat përkatëse si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Qëllimi është që të arrihet deri te një konsensus i përgjithshëm për ndryshimin dhe amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila i hap rrugë transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës”, ka thënë Behrami.   

Behrami ka treguar po ashtu se Projektligji i ri për FSK-në është pezulluar vetëm përkohësisht, me vetë kërkesën e Presidentit, me qëllim që të shterren të gjitha mundësitë për t’i përfshirë në këtë proces të gjitha komunitetet, e në veçanti atë serb pa të cilin themelimi i ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese është i pamundur.  

“Kjo nënkupton se në rast se ne bindemi që deputetët e Listës Serbe në mënyrë të qëllimshme pengojnë ndryshimin e emrit dhe mandatit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve Kushtetuese, atëherë ne do të jemi të detyruar që ta bëjmë një gjë të tillë vetëm nëpërmjet ligjit të ri. Kjo është e tërë dhe këtu gjithçka është e qartë”, ka thënë Behrami.

K2.0 e ka pyetur deputetin Slavko Simiq nga Lista Serbe nëse kanë nisur takime me lidershipin lidhur me cështjen e amendamentimit të Kushtetutës për të garantuar transforimimin e mandatit të FSK-së, si dhe nëse do të pranojnë të votojnë pro ndryshimeve. Mirëpo ai nuk i është përgjigjur pyetjes së revistës.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Beogradi, të cilët kanë ndikim në Listën Serbe, tashmë kanë bërë të qartë se do ta pengojnë me çdo kusht krijimin e Ushtrisë de jure të Kosovës.

Në shkurt të këtij viti, ministri i jashtëm i Serbisë,  Ivica Daçiq, në kuadër të reagimeve ndaj deklaratave të Thaçit për themelimin e Ushtrisë në mënyrë urgjente, ka thënë se ai nuk mund ta bënte këtë pa votën e Listes Serbe. “Ata nuk kanë të drejtë me kriju forca të tilla, me rezolutën 1244 një vendim i tillë është joligjor. Të vetmet forca të armatosura që mund të ekzistojnë në Kosovë dhe Metohi janë ato të KFOR-it”, ka thënë ai.

Në fakt, dilema sa i përket njohjes dhe shtrirjes së ushtrisë së Kosovës brenda gjithë territorit të saj, shfaqin edhe tri marrëveshje ndërkombëtare. Një marrëveshje e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel në vitin 2013 e cila thotë se pjesëtarët e FSK-së nuk mund të shkojnë në veri të Mitrovicës pa lejen e KFOR-it. Derisa dy marrëveshjet e tjera, që Kosova i kishte pranuar para shpalljes së pavarësisë, si rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës, të dyja të arritura në vitin 1999, nuk njohin asnjë forcë tjetër mbrojtëse e ushtarake në Kosovë përveç forcave të NATO-s.

Pengesa për integrimin e serbëve

Bindja e deputetëve serbë sa i përket çështjes së krijimit të ushtrisë është proces në të cilin janë përfshirë akterë të ndryshëm. Një proces tjetër i integrimit të serbëve po zhvillohet edhe nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës – MFSK-ja, ku nga zyra për media i është treguar revistës se gjatë dy viteve të fundit kjo ministri ka zhvilluar dy fushata të rekrutimit të kadetëve, dhe një fushatë të rekrutimit të pjesëtarëve aktivë e cila u është kushtuar vetëm komuniteteve joshumicë.

Pjesëtarët e parë të FSK-së nga komuniteti serb janë rekrutuar qysh prej themelimit të saj në janar të vitit 2009. Tre pjesëtarët e pranuar, dy burra dhe një grua, kanë qenë gjithashtu edhe pjesëtarë të TMK-së.

Në nëntor të këtij viti, në vazhdën e përpjekjeve për integrimin e barabartë të të gjitha komuniteteve brenda FSK-së, presidenti Thaçi gradoi disa pjesëtarë të komunitetit serb. Foto e huazuar nga MFSK.

“Që të tre këta pjesëtarë kanë filluar shërbimin e tyre në Batalionin e Parë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë (BRSH) në Gjilan”, ka treguar Ibrahim Shala, drejtor i departamentit për komunikim në MFSK.

Në fushatën e rekrutimit të kadetëve për vitin 2016 kanë aplikuar gjithsej 13 kandidatë nga komunitetet joshumicë prej të cilëve njëri vinte nga komuniteti serb. Këtë vit kanë aplikuar 14 kandidatë nga komunitetet joshumicë prej të cilëve nuk kishte asnjë pjesëtar të komunitetit serb.

Në anën tjetër, në fushatën e rekrutimit për pjesëtarë aktivë të realizuar në vitin 2017 për rekrutimin e pjesëtarëve nga komunitetet joshumicë kanë aplikuar 91 kandidatë, prej të cilëve 88 serb dhe 3 pjesëtarë të komunitetit malazez. Numri total i ushtarëve të komunitetit serb në  FSK është 103.

Të dhënat që ka ofruar ai megjithatë tregojnë se shumica e pjesëtarëvë të FSK-së nga ky komunitet vijnë nga pjesa jugore e Kosovës. Vetëm tre pjesëtarë të këtij komuniteti vijnë ndërkaq nga pjesa veriore e Kosovës, respektivisht nga Zubin Potoku i Mitrovicës.

E këta nuk e kanë pasur aspak të lehtë integrimin e tyre në FSK. Që të tre janë pranuar në FSK në shtatorin e këtij viti. Që atëherë ata kanë qenë cak i dy sulmeve me granata dore, nga persona që ende nuk janë arrestuar nga Policia.

Dy nga këta tre pjesëtarë të FSK-së të Komandës në Mitrovicë, Bojan Radisheviq dhe Dushan Tomoviq, të dy nga Zubin Potoku, janë sulmuar me granata dore në shtëpitë e tyre në fund të nëntorit të këtij viti për të dytën herë.

Policia ka kryer hetime dhe ka gjetur se është shkaktuar dëm material. Sipas Policisë së Kosovës e cila doli me njoftim për media, të dyshuarit për këtë sulm janë ende në kërkim dhe nuk janë dhënë zyrtarisht motive të sulmit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka dënuar sulmin dhe ka theksuar se ky është “akt i papranueshëm, i cili i rrezikon jetët e qytetarëve dhe i cili synon t’i pengojë përpjekjet për ndërtimin e shoqërisë demokratike”.  E reagimi ka ardhur edhe nga Presidenti Thaçi i cili e pati cilësuar aktin si pengesë për integimin e serbëve të Kosovës në FSK.  

K2.0 ka kërkuar leje për t’i intervistuar dy pjesëtarët e sulmuar, megjithatë për shkaqe sigurie, ministria nuk e ka miratuar këtë leje duke konsideruar se duhet mbrojtur jeta e tyre.

Përkundër telasheve politike që i kanë dalë si pengesë për ta transformuar mandatin, por edhe si pasojë e buxhetit i cili nga ekspertët e sigurisë konsiderohet i pamjaftueshëm, me pak më shumë se 51 milionë për këtë vit, FSK-ja me ndihmën e partnerëve ka arritur t’i forcojë kapacitetet e saj profesionale duke investuar në ngritjen e kapacitetit të stafit.

Sipas hulumtimeve, më shumë se 80 për qind e popullatës në Kosovë e renditin FSK-në si institucionin më të besueshëm në vend, dhe rreth 87 për qind e duan transformimin e kësaj force në ushtri.

Se kur do të ndodhë ky transformim kjo mbetet çështje për të cilën zor se mund të japë dikush përgjigje të sigurt tani. Ani pse presidenti po e proklamon vitin 2018 si vitin kur kjo do të ndodh, ashtu siç e kishte proklamuar 2017-en, një vit më parë. Por një gjë është e qartë: premtimet e deritashme të politikanëve, si puna e Presidentit Thaçi, pa një plan konkret dhe garancë për votën e përfaqësuesve të komuntietit serb në favor të themelimit të ushtrisë, nuk mund të shihen ndryshe pos si premtime politike boshe.K

Fitues të çmimeve ndërkombëtare.

Akademia Ushtarake e Kosovës konsiderohet ndër institucionet e përgatitura dhe profesionale të edukimit në Kosovë. Vetëm brenda dy viteve oficerët e shkolluar në këtë akademi të cilët punojnë sot në FSK, kanë arritur të fitojnë diku 14 çmime në gara të ndryshme ushtarake.

Ndër to janë edhe dy çmimet e oficerëve të FSK-së në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë - Sandhursti.

Gjithashtu, një nga arritjet më të vlerësuara ishte edhe “Medalja e Artë” për FSK-në në garën ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol”, e cila organizohet nga Britania e Madhe çdo vit dhe përfshin detyra dhe ushtrime sfiduese ushtarake për garuesit.

Në këtë ushtrim përveç 102 skuadrave nga njësitë e ndryshme të ushtrisë britanike kanë marrë pjesë edhe 18 skuadra mysafire, duke përfshirë ushtritë nga vendet si Gjermania, Italia, Zvicra, Kanada, etj.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.