S`fundmi | TWIK

Vota për pitalka

Nga - 09.06.2017

Pjesa përfundimtare e sezonës së zgjedhjeve

E diela e zgjedhjeve po afrohet me plot marrëzi, performanca të yjeve pop, dronë e njerëz që flasin me fantazma – më së liri blihen votat e tyre. Ngjarjet më të pëlqyera të K2.0 në shtatë ditët e fundit:

Mendja më e fjalëpërfjalshme

Si duket kandidatja e PDK-së Leonora Morina Bunjaku e morri me kuptim të plotë të fjalës premtimin e kryetarit të partisë së saj që tha “kazmën n’dorë e bukën n’gojë”, meqë filloi që t’u ipte pitalka njerëzve të Gjilanit. Pasi u kritikua nga mediat, Bunjaku kërkoi falje, qartë duke u penduar që nuk shpërndau edhe kazma. Njerëzit e Gjilanit punojnë shumë Leonorë, nuk duan të hanë gratis.

Fantazma më e respektuar

Presidenti i parë i Kosovës dhe lideri i rezistencës paqësore, Ibrahim Rugova, e pat vështirë  që të pushojë këtë javë. Së pari u vizitua nga kandidati i LDK për kryeministër, Avdullah Hoti – i vetmuar e i pikëlluar. E marrim me mend që Hoti po kërkonte këshilla përtej varrit për betejën e së dielës. K2.0 mendoi a thua vallë i morri të njëjtat këshilla si kandidati i LDK Hazir Borovci, që i tregoi shtypit para disa javëve për bisedën e tij me Ibrahimin.

Më vonë gjatë javës, presidenti i LDK Isa Mustafa e ngriti Ibrahimin e pavdekshëm në statusin e Fantazmës së Shenjtë, duke deklaruar se po të mos e përmend LDK Rugovën do të ishte sikur muslimanët të mos e përmendin Muhamedin, apo të krishterët ta harrojnë Jezusin. E ngazëllyer nga ky religjion i ri, presidentja e Alternativës, Mimoza Kusari,  të enjten e adresoi një audiencë të anëtarëve të partnerëve të ri të koalicionit të saj me një brohoritje plot pasion: Ru! Go! Va! Ru! Go! Va! Ru! Go! Va! Boll keq që Mimi nuk kishte mundësi që ta shprehte këtë adhurim sa ishte Ibrahimi gjallë…

Anëtari partiak më i vjetruar

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet Fisnik Ismaili ishte duke e ngjallur një debat televiziv për kulturën me pasion, neveri e shpërfillje tipike për VV të mërkurën në mbrëmje. Deri sa reagonin kandidatët tjerë, Fisi i ngjitej telefonit të tij. Po supozojmë që Ismaili po pranonte udhëzime prej dikujt më lart. Na vjen keq Fis, nacionalizmi, agresiviteti dhe maicat s’janë më në modë. VV e re është me kravata, pozitivitet për Kosovën dhe ndërgjegje sociale.

Pulla e këmishës që është përdorur më së shumti

Sa jemi te kravatat, askush nuk po e pret më me padurim fundin e këtyre zgjedhjeve sa Albin Kurti. Edhe pse fushata po i shkon mirë, me siguri është lodhur për së tepërmi duke e ngritur jakën e duke i kujtuar hapat e procesit të lidhjes së kravatës çdo ditë. Shpresojmë që Albini do t’i shikojë rezultatet e së dielës mbrëma me birrë në dorë e me pullë të shpërthekuar.

Vendimmarrësi më i madh

Në një paraqitje gjatë fushatës në Ferizaj këtë javë kryetari i LDK-së Isa Mustafa foli për vendimet e mëdha që i morri qeveria e tij në mandatin e kaluar. K2.0 e duartroket kryeministrin në largim për sinqeritetin dhe vendosmërinë e tij. Prej Asociacionit e deri te Demarkacioni, prej sigurimeve shëndetësore e deri te ushtria, Mustafa dhe koalicioni PDK-LDK me plot guxim morrën vendime që ta shtyejnë progresin për një ditë tjetër. Qeveritë e mëdha marrin vendime të mëdha.

Strategjia më e madhe në fushatë

Kandidatja e AAK, Burbuqe Bakija-Deva, i sinjalizoi ambiciet e saja të larta duke përdorur një dron për t’i fluturuar posterët e saj mbi qytetin e Gjakovës, një strategji e fushatës që si duket është organizuar nga huligani i preferuar i futbollit në Shqipëri, Ballisti. E 48-a në listën e votimit, Burbuqja shpreson që të përsëritet mrekullia e nisur me dron që e çoi Shqipërinë deri në Botëror verën e kaluar.

99 premtime po jo n’fshat

Platforma e re dhe e fshehtë e PDK #FillimiRi përmbanë 99 premtime në të cilat përfshihet krijimi i “Ministrisë së Inovacionit dhe Zhvillimit Urban” – emër interesant. Një prej inovacioneve të para që pritet të eksplorohen është ajo se si të krijohet një uebfaqe që i përfshinë të gjitha idetë e shquara të #FillimiRi.

Krijimi i kësaj Ministrie megjithatë nuk është pritur mirë prej shumë anëtarëve të PDK për shkak të natyrës diskriminuese të emrit të saj, dhe shqetësimeve serioze që mund t’i kufizojë mundësitë e punësimit publik në mesin e mbështetësve të tyre. 99 premtime lehtësisht mund të shndrrohen në 100 deri sa e presim lajmërimin për “Ministrinë e Inovacionit dhe Zhvillimit Rural”.

…e Çmimi Kryesor i shkon…

Të preferuarës së K2.0, Ganimete Musliu, e cila e bëri një performancë të fuqishme të himnin futbollistik të verës së kaluar – Kuq e Zi nga Elvana Gjata – në një tubim të fushatës, me gjasë duke u munduar që t’i frymëzojë gratë që të votojnë për fuqizimin e tyre nëpërmjet fuqisë së këngëve nacionaliste të zhanrit pop. Në një video inçizim të kësaj ngjarjeje, pasioni i Musliut për këndim tejkalohet vetëm nga feminizmi i zjarrtë i saj dhe dëshira për selfie me shqiponjë.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / Kosovo 2.0