Në thelb | Dhuna në Familje

Vuajtja në heshtje

Nga - 14.02.2017

Viktimat e dhunës në familje luftojnë për mbështetje — dhe mbijetesë.

Përgjatë pjesës së madhe të dekadës së kaluar, Nexhmia* vazhdimisht frikësohej se bashkëshorti i saj do ta mbyste. Një mëngjes gjatë festës së Bajramit, ai e goditi me mashë; për t’ju shpjeguar mysafirëve arsyen që po çalonte aq shumë, ajo u tha se kishte marrë në thua. Në një rast, ai e gjuajti me karrige. Njëherë, para fëmijëve të tyre, e kërcënoi se do ta vriste me thikë.

Nexhmia ishte në të 20-at e hershme kur u martua me Avniun* në vitin 2004, e që ishte martesë me mësit. Familjet e tyre jetojnë në fshatrat pranë njëri-tjetrit, që, siç thotë ajo, “i ndan veç një kodër”, nja gjysmë ore larg kryeqytetit.

Edhe pse martesa e saj nuk ishte e dhunshme që nga fillimi, gjithmonë ishte me telashe. Nga agimi e deri në muzg, rutina dhe lëvizjet e saj nuk e kalonin pragun e shtëpisë, dhe ajo dilte nga shtëpia vetëm për ta vizituar familjen e saj. Ç’është e vërteta, ishte pikërisht pas një vizite të tillë, në vitin e tretë të martesës, kur jeta e saj u shndërrua në betejën për mirëqenien e saj fizike dhe psikike — dhe të fëmijëve të saj.

Ajo kujton borën e dendur të atij dimri kur Avniu e çoi atë dhe fëmijët e tyre në shtëpinë e prindërve të saj. Kaluan ditë e javë, por Avniu nuk vinte t’i merrte si zakonisht; kohë pas kohe i dërgonte mesazhe duke i thënë të mos largohej nga shtëpia në këtë mot kaq të keq.

Kur Nexhmia u kthye në shtëpi rreth dy muaj më vonë, ajo u ndie si një e huaj jo e mirëseardhur prej burrit të saj dhe familjes së tij. Kur bënte ose thoshte diçka, kur përgatiste ushqim, kur shërbente çaj, kur pastronte apo lëvizte andej-këndej, fjalët dhe veprimet e saj hasnin në kërcënime e ofendime. Nuk kaloi shumë kohë dhe asaj i thanë se më nuk u duhej sepse Avniu kishte bashkëshorte të re. Ajo mori vesh se gjatë kohës sa ishte në shtëpinë e prindërve të saj, Avniu filloi të udhëtonte në Gjermani për punë, dhe ndërsa ishte atje, u martua me një shtetase gjermane — derisa Nexhmia dhe Avniu kishin pasur dasëm tradicionale, si shumë çifte tjera, dhe asnjëherë nuk i kishin bërë letrat që të jenë ligjërisht të martuar.

Domestic violence 1

Nexhmia përjetoi keqtrajtim sistematik nga bashkëshorti i saj për vite me radhë, nga ofendimet e kërcënimet e deri te dhuna fizike.

Pastaj një natë, Avniu hyri në dhomën e gjumit ku ajo ishte me fëmijët e saj dhe e rrahu keq — kjo ishte hera e parë që e kishte sulmuar fizikisht dhe kjo ndodhi në kohën kur ishte shtatzënë me fëmijën e tretë.

Kur i kujton vitet që pasuan, Nexhmia gjithmonë mban mend shkëndija të dhunës sistematike kundër saj dhe kundër fëmijëve të saj. Dhe ditët e saj nuk ishin më të mira kur Avniu ishte në Gjermani. Ajo thotë se para se të binte muzgu, ajo mbyllej në dhomën e gjumit së bashku me fëmijët e saj për t’iu shmangur sulmeve që vazhdimisht vinin nga familja e bashkëshortit të saj.

“‘Do ta mbysim nënën tuaj dhe do t’ju çojmë në jetimore”, mban mend t’u ketë thënë vjehrri fëmijëve të saj në një rast. “‘Po as jetimorja nuk ju pranon”.

Derisa Nexhmia thotë se familja e Avniut e dinte — dhe ishte bashkëpjesëmarrëse — për trajtimin ndaj saj dhe fëmijëve të saj, ajo nuk i tregoi asnjë fjalë familjes së saj. “Mendoja se po t’i tregoja babait tim, ai do të vinte të më merrte, por fëmijët do të qëndronin atje”, thotë ajo. “Nuk e dija se mund t’i merrja edhe fëmijët në shtëpinë e babait tim. Veç ia përsërisja vetes: ‘durim, durim, sepse nëse shkoj ata do të m’i vrasin fëmijët”.

Përkundër distancës së vogël ndërmjet shtëpisë së familjes së saj dhe të bashkëshortit të saj, Nexhmia thotë se iu lejua të shkonte në shtëpinë e prindërve vetëm dy a tri herë gjatë vitit. Nganjëherë, kur babai apo vëllai i saj vinin ta vizitonin, Avniu e rrihte paraprakisht, dhe e kërcënonte se do ta vriste edhe atë edhe familjen e saj nëse shkonte në polici.

Në vitin 2014 ajo pësoi një sulm dhe u shtri në spital. Ndërsa rrinte shtrirë në shtrat me infuzion në dorë, Avniu e thirri nga Gjermania. Nipi i saj, që i rrinte pranë, e lëshoi interfonin. “Ku je kurvë?” erdhi zëri nga skaji tjetër. “Ke shkuar në spital për ta luajt bishtin. Do të vi të të masakroj. Së pari ta prej kokën, dhe pastaj kokat e të tjerëve që të kanë sjellë aty”.

Nipi i saj, mjekët dhe pacientët tjerë në dhomë u tmerruan, por Nexhmia asnjëherë nuk u ndie më e lehtësuar pasi që më në fund mund ta ndante përvojën e saj me të tjerët. Si shumë viktima të dhunës në familje — të cilët, sipas hulumtimeve, shpesh vuajnë nga ankthi, frika dhe stresi posttraumatik — ajo u diagnostikua me depresion të thellë, por tani, me mbështetjen e familjes dhe të mjekëve, ishte një betejë të cilën s’do ta zhvillonte më vetë.

Raportimi i keqtrajtimit

Kontakti i parë i pjesës dërmuese të viktimave të dhunës në familje të cilat raportojnë keqtrajtimin në Kosovë është policia. Mbi tavolinën në zyrën e Tahire Haxhollit në stacionin kryesor të Policisë së Kosovës nxjerr kokën një statujë e vogël e një engjëlli. “Ma dha një viktimë e dhunës në familje pasi i ndihmova t’i jepte fund një marrëdhënieje të gjatë keqtrajtuese”, shpjegon gruaja e cila është në krye të Njësiteve Hetimore të Dhunës në Familje që nga viti 2008.

Haxholli është shpesh personi i parë me të cilin viktimat që ikin nga shtëpitë abuzive flasin për traumat e tyre. Vitin që lamë pas 1,227 kosovarë — mbi 90 përqind prej të cilëve ishin gra — raportuan dhunën në familje; megjithatë, numri i njëmendtë i personave që përjetojnë dhunë në familje duhet të jetë shumë më i madh, meqë shumë viktima u drejtohen autoriteteve vetëm nëse përjetojnë dhunë për vite me radhë.

“Kjo do të thotë se ne në të vërtetë nuk dimë se sa ka dhunë brenda familjes”, thotë Haxholli, duke shpjeguar se kosovarët kanë tendenca të raportojnë dhunën kur konsiderojnë se ajo u bë “tejet e dhunshme, serioze dhe e patolerueshme”. Sipas Haxhollit, dhuna bëhet aq e padurueshme saqë ndikon “thellë në shpirtin” e viktimës.

Tahire Haxholli heads Kosovo Police’s Domestic Violence Investigation Units, whose officers are specially trained to handle domestic violence cases. Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Tahire Haxholli udhëheq Njësitet Hetimore të Dhunës në Familje, të cilët janë të trajnuar posaçërisht për t’u marrë me rastet e dhunës në familje. Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Shumica e dëshmive që Haxholli dëgjon përcjellin një yrnek të ngjajshëm të një zinxhiri të dhunës kundër grave brenda familjes: Viktima poshtërohet përmes dhunës fizike dhe psikike ndërsa liria e lëvizjes i kufizohet vazhdimisht — ajo shpesh përbuzet, kërcënohet dhe rrihet.

“E quajnë me emra të ndryshme [fyese] — gjithmonë i thuhet së është e paaftë. Përjeton dhunë psikike, dhunë ekonomike, dhe liritë e saj i kufizohen… Dhuna ekonomike është për shkak se nuk ka para të blejë gjëra që dëshiron. Asaj i jepen para dhe i thuhet: ‘kaq mund të shpenzosh’. Ajo gjithmonë kontrollohet, me të gjitha format e dhunës. Shumë prej tyre gjithashtu përjetojnë dhunë seksuale, por nuk e raportojnë”.

Haxholli shpjegon se kur bëhet fjalë për dhunën në familje, shumë gra nuk i dinë të drejtat e tyre themelore. “Viktimës i thuhet, ‘S’mund të shkosh kurrkund, i njoh unë krejt, unë i kam njerëzit e mi në polici dhe askush s’ka me të besu”, thotë Haxholli. “Ata nuk kanë njohuri për institucionin, ligjet, dhe besojnë gjithçka që u thonë bashkëshortët e tyre — kryesit e dhunës në familje”.

Nuk janë vetëm viktimat e dhunës në familje ato që shpesh s’kanë njohuri sa i përket të drejtave të tyre. Një raport i gjerë mbi qëndrimet dhe përgjigjet institucionale ndaj dhunës në familje, i botuar vitin e kaluar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) tregon se në përgjithësi viktimat, qytetarët dhe institucionet nuk kuptojnë se çka është dhuna në familje, siç definohet me ligjin e Kosovës. Sipas Ligjit për Mbrotjen nga Dhuna në Familje, aktet e dhunës në familje shkojnë nga dhuna fizike e deri te fyerjet dhe ofendimet. Megjithatë, keqtrajtimet verbale dhe madje edhe shuplakat shpesh konsiderohen si ‘ndodhi normale’ brenda familjes.

Hulumtimi gjeti se përderisa ka prirje të besohet se dhuna ndodh më shumë në familje të varfra, rurale, nuk ka marrëdhënie statistikisht me peshë ndërmjet përjetimit të dhunës dhe lokacionit gjeografik, dhe poashtu nuk është gjetur ndonjë marrëdhënie me peshë ndërmjet dhunës në famije dhe viteve të përfunduara të shkollimit — gratë e të gjitha profileve ekonomike e arsimore ishin subjekt dhe pre e dhunës në familje.

Megjithatë, Haxholli thotë se shumica e grave të cilat raportojnë dhunën në familje janë nga qyteti dhe nuk kanë arsim të lartë. “Kjo nuk do të thotë se dhuna nuk ndodh nëpër fshatra, por mundësia e qasjen në institucione është më e vogël”, thotë Haxholli. “Në qytet, gjithmonë do të gjendet dikush që do ta ndihmojë viktimën të vijë në polici, ose viktima do ta shohë stacionin policor”.

Nëse ankesat i drejtohen policisë jashtë orarit të punës së gjykatave, ajo ka mandatin të lëshojë Urdhërin e Përkohshëm të Mbrojtjes së Menjëhershme, i cili siguron largimin e kryesit të dhunës nga shtëpia ku banon viktima. Megjithatë, Haxholli thotë se në vitin 2016, vetëm tri gra kërkuan këtë urdhër, kryesisht për shkak se viktimat shpesh jetojnë me familjen e bashkëshortit dhe nuk dëshirojnë të ballafaqohen me qortime kur të kthehen në shtëpi për shkak se i biri i tyre është larguar nga shtëpia.

Pas raportimit të abuzimit në polici, për të mos u kthyer përsëri në shtëpinë ku do të mund të ketë edhe më shumë dhunë nga familja e bashkëshortit, Haxholli thotë se viktimat preferojnë të dërgohen në shtëpi të sigurta.

Beteja e vazhdueshme

Në vitin 2016, pas më shumë se një viti zgjidhjesh të përkohshme, Nexhmia i mori fëmijët dhe u vendos në një banesë të cilën e paguan komuna. Por telashet e saj nuk mbaruan me kaq. Verën e kaluar ndërsa po dilte nga një dyqan me fëmijët, nënën dhe motrën e saj, vjehrri dhe kunati i saj e ndalën në përpjekje për t’i marrë fëmijët. Ndërsa këtë situatë e shikonin shumë njerëz dhe situata po tensionohej shumë e më shumë, e plaku e ofendonte dhe e kërcënonte me bastun, policia erdhi në vendin e ngjarjes.

“Policia vetëm e ndaloi të mos na ndiqte, buzëqeshi dhe u përshëndet me ta”, thotë Nexhmia.

Përkundër faktit se policia ka krijuar Njësite Hetimore kundër Dhunës në Familje me një polic dhe police për çdo komunë, një reagim i tillë nga zyrtarët e rregullt policorë nuk është rast i izoluar. Sipas raportit të RrGK-së, derisa njësitet e specializuara në nivel kombëtar të drejtuara nga Haxholli kanë dëshmuar njohuri të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, disa zyrtarë policorë e konsiderojnë dhunën në familje të praneshme në raste të caktuara, duke thënë se dhuna duhet të jetë serioze që policia të intervenojë.

“Policët [që janë të trajnuar për trajtimin e rasteve të dhunës në famije] nuk janë gjithmonë të parët që kontaktojnë me viktimën”, thotë Adelina Berisha, koordinatore e avokimit pranë RrGK-së. “Një polic [i patrajnuar] në ndërrim mund të thirret të shkojë në vend të ngjarjes. Dhe këtu qëndron rreziku sepse nuk janë të gjithë të trajnuar dhe nuk dinë se s’i ti qasen viktimës. Takimi i parë është shumë i rëndësishëm, dhe ai përcakton nëse viktima ndihet e inkurajuar ta raportojë dhunën te institucionet, sepse polici pavetëdijshëm mund ta dekurajojë viktimën”.

Majlinda Hoxha.Adelina Berisha. 11.2016_3

Adelina Berisha thotë se punëtorët socialë shpesh i prioritetizojnë konceptet tradicionale të familjes, kundrejt përmbueshjes së detyrës së tyre të mbrojtjes së grave nga dhuna në familje. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Dy vdekje që bënë bujë viteve të fundit kanë vënë në pah se si mosefikasiteti në sistemin e drejtësisë mund të jetë fatal për viktimat e dhunës në familje, duke shkaktuar zemërim dhe protesta të aktivistëve të të drejtave të grave. Në vitin 2011, Diana Kastrati u vra nga ish-bashkëshorti i saj pasi që gjykatat dështuan të lëshonin urdhër ndalimi ndaj tij, të cilin ajo e kishte kërkuar. Policia dështoi përsëri në vitin 2015 pas vdekjes së Zejnepe Bytyçi-Berishës, e cila u mbyt me thikë nga bashkëshorti i saj. Familja e saj thoshte se ajo e kishte raportuar dhunën në famlije te autoritetet më se 16 herë, por kërkesa e saj për ndihmë nuk u përfill.

Aktivistët dhe viktimat theksojnë se dështimi për të ndërmarrë veprime të duhura shtrihet përtej gjyqësorit dhe përfshin edhe Qendrat e Punës Sociale, të cilat si institucione publike të nivelit komunal kanë për detyrë t’i mbështesin dhe fuqizojnë viktimat e dhunës në familje, dhe të sigurojnë mirëqenien e fëmijëve.

Kur Berisha nga RrGK-ja po merrte pjesë në marshin protestues tetorin që shkoi, pas rrahjes publike të një vajze në Rahovec, asaj iu drejtua një viktimë e dhunës në familje. Gruaja e re i tha Berishës se si punëtorët socialë po i bënin presion të kthehej të bashkëshorti i saj keqtrajtues dhe ta merrte fëmijën me vete.

Berisha thotë se këso qëndrimesh ka hasur shpesh te punëtorët socialë kur po ndihmonte të zhvilloheshin intervistat për raportin e vitit të kaluar.

“Shpesh thonin se qëllimi i punës së tyre është ta mbrojnë familjen, sepse ‘familja është e shenjtë”, thotë Berisha, duke potencuar se supozimet e ndikuara nga tradita në lidhje me rëndësinë e familjes nganjëherë i shtyjnë zyrtarët të mos e zbatojnë detyrën e tyre të mbrojtjes së grave nga dhuna. “Nëse një grua është viktimë, ata do të provojnë ta bindin të kthehet të bashkëshorti i saj, sepse do të thonë ‘çka do të bëhet me këta fëmijë?’”

Pas ngjarjes në rrugë me familjen e bashkëshortit të saj, Nexhmia thotë se punëtorët e Qendrës për Punë Sociale i erdhën në vizitë për ta bindur t’i lejonte fëmijët ta vizitonin familjen e babait të tyre. Ajo thotë se punëtorët socialë i dhanë një ultimatum: nëse nuk i bind fëmijët të kalojnë kohë me familjen e babait të tyre, ata do ta këshillojnë gjykatën — ku ajo ka aplikuar për të drejtat e kujdestarisë — t’ia marrë fëmijët. Kur ajo protestoi duke thënë se fëmijët ishin traumatizuar nga dhuna sistematike që zgjati me vite, ajo thotë se i thanë që dëmi duhet riparuar dhe se gjyshit duhet t’i lejohet t’i takojë ata.

Domestic violence 2

Pas keqtrajtimit fizik dhe psikik që zgjati me vite të tëra kundër saj dhe fëmijëve të saj, Nexhmia u nda nga basshkëshorti i saj vitin e kaluar, por telashet e saj nuk përfunduan me kaq.

Me ndihmën e këshilltarëve ligjorë, Nexhmia iu drejtua një avokati i cili e ndihmoi ta çonte rastin në gjykatë; së pari për të kërkuar një Urdhër për Mbrojtje, i cili i ndalon familjes së bashkëshortit të saj t’i afrohet asaj apo fëmijëve të saj, dhe pastaj për të drejtat e kujdestarisë. Kërkesa e saj për Urdhër për Mbrojtje u miratua, por ende është duke pritur shqyrtimin fillestar për rastin e të drejtave të kujdestarisë.

Ajo shpreson se një grumbull dokumentesh dhe mesazhesh telefonike me kërcënime dhe ofendime të cilat ajo i ka ruajtur do t’i ndihmojnë ta fitojë rastin dhe të krijojë një jetë të re me fëmijët e saj, larg nga familja keqtrajtuese.

Megjithatë, Nexhmia frikësohet për të ardhmen e tyre. Asaj i është thënë se nuk ka garancë që banesa e saj do të mbulohet nga komuna për më shumë se gjashtë muaj, dhe pa ndihmë të përqendruar për viktimat e dhunës në familje në kuptimin e asistencës sociale, banimit apo edukimit profesional për fuqizimin e tyre gjatë riintegrimit në shoqëri, e ardhmja e saj mbetet e paqartë.

Tani për tani, Nexhmia kohë pas kohe rendit dru për ngrohje në përpjekje për të fituar para gjatë dimrit të ftohtë, ndërsa kërkon punë si enëlarëse restoranti apo pastruese supermarketi.

“Çkadoqoftë, të mos brengosem për t’i ushqyer fëmijët e mi”, thotë ajo. “Jam thjesht me fat që unë dhë fëmijët e mi jemi gjallë.”K

Ky artikull është përgjigje ndaj pyetjeve të shumta nga lexuesit tanë në lidhje me dhunën në familje gjatë fushatës #PoDuMeDitë.

* Për ta mbrojtur identitetin e viktimës, emrat Nexhmie dhe Avni janë të sajuar.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 15 Feb 2017 - 11:58 Driton Gusia: Feminizmi nuk o per mu lazdru si qysh dojn me e kuptu balat. Feminizmi eshte iniciative aktive per mi jep fund padrejtsive, pabarazive, e dhunes ne baza gjinore qe eshte problem seriozisht i shemtum po aq sa i madh. Kur ky problem lshon rraj ne kulture, politikë, traditë e zakon, e kur o pak a shume e pranishme ne çdo institucion kshtu tue ndot gjithe mjedisin social ateher eshte koha per aktivizem dhe akcion direkt! Feminizmi paraqet kete ideal. Kjo rrjedhe nga zgjuarsia dhe virtyti i vertete njerzor. Qysh individë qe identifikohen si feministe apo feminista marrin iniciativë per me ju ças problemit nuk dmth patjeter se eshte çeshtje e idealit si te ishte thelbi i termit 'feminizem', si karajteristik kryesore e levizjes ne thelb, mund te jet çeshtje individuale apo e ni grupi specifik si i pergjigjet ndikimit social ne rrethin apo mjedisin e tyre social. Per mu kon ma i kjart, kshtu ju pergjigjna njerzve qe mbajn gjykim mbi feminizmin tu u bazu ne veprat e disa feministeve qe njohin apo kan ndi per to sado e cekt dhe e varfun qe mund te jet njohuria tyne rreth tyre. Feminizmi nuk eshte ideologji, tradite apo besim, e as stil, e hala ma hiç nuk eshte kerkes per dominanc femrore apo urrejtje ndaj mashkujve por eshte rezistencë, levizje kunder seksizmit, kunder idiocise thjesht. Qe kqyr cfar probleme duhemi me pas si ''specie e evoluar'' ne shekullin 21! Shkuam deri ne Hanë e dolem prej orbitës dhe e krijuam ni bote te re me teknologji te perparume por psikologjikisht mbesim jo kafshë por monstruma. As ni specie tjeter nuk ka probleme si cfare ka njeri i civilizuar. Po e specifikoj njerin e civilizuar meqe njoh plote shoqeri te ashtuquajtura primitive, fise ''te prapambetur'' si psh 'Indianët Xingu' ne pyjet e shijut te Amazonit e qe jetojn ne harmoni dhe paqe te plote mes vete; bile ata nuk e kan problem nudizmin e te ta nuk ekziston as ngacmimi seksual e le mo perdhunimi qe duket thuajse natyral ne shoqerite e civilizuara. E nuk kan as polici e as ligje, krim apo ndeshkim. Pse probleme si te ky lajm ndodhin ne shoqerite kaq te ''cilivizuara''? Pse dikun ma rrallë e dikun ma shpesh ndodhin ksi krime çnjerzore? Cka mundem me bo per me e zgjidh problemin? Pergjigjet nuk i gjen ne Shtet, ne traditen e kulturen kolektive, ne besim dogmatik apo patriarkalizem! Pergjigjen e gjen ne shkencë dhe feminizem, e mas pari te natyra e shendosh njerzore nese e gjen brenda ne rast se e ke hup! Kaniher çuditna pse dikush nuk mundet me e kuptu qet thjeshtsi! Nese te gjith kishim dasht liri dhe barazi tmerre si kjo nuk kishin ndodh kurr. Por ka plot qe nuk dojn liri, dojn me ja imponu vullnetin e tyne botes, e ne shume nivele kjo dhune arsyetohet dhe tolerohet ne shoqerine tone.
KOMENTO

KOMENTO