Pikëpamje | Pajtimi

Përmendja e Milošević-it nga Vučić nuk është thjesht çështje e papërfillshme – është i gjithë problemi

Nga - 11.09.2018

Progresi kërkon më shumë sesa shovinizëm të kamufluar me retorikë të zbutur.

Vučić-it i ndalohet vizita në Banjë pas barrikadave prej qytetarëve kosovarë”

‘Pasi u bllokua prej shqiptarëve të Kosovës, që thërrisnin për kërkimfalje për krimet e luftës, Presidenti serb lartësoi Milošеvić-in, duke e cilësuar si lider të madh serb, që pati qëllime të mira, por rezultate të këqija’.

Kjo është një mënyrë se si mund të raportohej për vizitën dy ditore të presidentit serb Aleksandar Vučić në Kosovë. Por, ky këndvështrim jo vetëm që mungoi, por si duket ishte edhe i papërshtatshëm.

Marrë për bazë idetë kontraverse të shfaqura së fundmi rreth ‘shkëmbimit të territorit’, si dhe anulimin e takimit në Bruksel nga Vučić-i të premten e kaluar, e gjithë vëmendja u përqendrua në çështjen se nëse një ‘marrëveshje përfundimtare’ në mes Serbisë dhe Kosovës është një mundësi e afërt dhe e zbatueshme.

Kësisoji, në qarqet politike dhe në media, fokusi kryesor mbeti në atë se si autoritetet kosovare refuzuan kalimin e Vučić-it në fshatin Banjë, ngjarje kjo që u përcoll me barrikadë të vendosur nga banorët e Drenicës, regjion ky veçanërisht i prekur nga lufta e viteve 1998-99. Bashkë me veteranët e luftës, banorët protestuan duke mbajtur shenja e pankarta: “Kërkoni falje për krimet” dhe “Vučić-i nuk kalon”.

Mediat ndërkombëtare, një gjë e kuptuan drejt – pra, faktin që ndalimi i Vučić-it që të vizitojë pjesë të Kosovës është shenjë e tensioneve të vazhdueshme. Por, ajo që po i nxitë këto “tensione në mes dy armiqëve ballkanas” nuk është thjesht barrikada.

Është mohimi i një të kaluare të dhunshme, e cila ekziston brenda një konteksti ku Serbia vazhdon politika dhe pozicionime shoviniste ndaj Kosovës. Padyshim, ato mund të kenë ndërruar formë, por jo përmbajtje.

Nëse e shohim vetëm kornizën e 10 viteve që prej Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, qëndrimi i Serbisë nuk është thjesht refuzim për ta njohur pavarësinë. Qeveritë e njëpasnjëshme në Beograd, vazhdimisht kanë bërë çfarë kanë mundur që të bllokojnë, dëmtojnë, pengojnë, përulin shtetin e Kosovës – qytetarët e saj. Dhe, sa herë kanë arritur të pengojnë në ndonjë formë kosovarët në rrugëtimin e tyre, kjo është festuar si fitore e lavdi e qeverisë së tyre kombëtare.

Këto përpjekje kanë vazhduar, jo vetëm përkundër dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli për “normalizim marrëdhëniesh”, por edhe përbrenda vetë procesit. Për më tepër, këto përpjekje janë mbështjellur mirë me një nacionalizëm të legjitimuar përgjatë gjashtë viteve të fundit, me Vučić-in në krye të delegacionit të qeverisë serbe.

Pra, nuk mund të thuhet që marrëdhëniet mes dy shteteve po ‘normalizohen’, Në fakt, po normalizohen vetëm shkeljet e të drejtave, interpretimi selektiv i marrëveshjeve të Brukselit dhe diskursi përulës.

Për shembull, ka pasur pretendime lavdëruese nga Serbia për atë se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e Kosovës, duke i numëruar si pikë të fituara kundër shtetit kosovar. Ose kemi edhe kampanjën lobuese e shpifëse kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO – kampanjë kjo e bazuar në premisën që të gjithë shqiptarët e Kosovës janë terroristë – përderisa dy vite më parë u përkushtuan që të mos pengojnë njëri-tjetrin në procesin e anëtarësimit në BE, me qëllim të ndërtimit të “marrëdhënieve të mira fqinjësore”. Në mënyrë krejt absurde, nga kosovarët pritej që ta pranonin si të mirëqenë legjitimimin e gjithmbarshëm të lobimit agresiv të Serbisë – pasiqë UNESCO, duke qenë organ i Kombeve të Bashkuara – nuk lidhet drejtpërsëdrejti me integrimin në Bashkim Evropian.

Çdo vit, prej që ka filluar dialogu, ka pasur incidente të vazhdueshme me ç’rast shqiptarët apo grupe nga Kosova, me ose pa qëllim janë mbajtur me orë të tëra në kufi, ose u është ndaluar hyrja; e të gjitha këto kanë ndodhur anipse Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes ishte nënshkruar qysh në vitin 2011. Së fundmi këtë vit, ekipi kosovar i karates u ndalua nga pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Karates që mbahej në Novi Sad.

Pra, nuk mund të thuhet që marrëdhëniet mes dy shteteve po ‘normalizohen’. Në fakt, po normalizohen vetëm shkeljet e të drejtave, interpretimi selektiv i marrëveshjeve të Brukselit dhe diskursi përulës. E në gjithë këtë mes, prej qytetarëve të Kosovës pritet që t’i tolerojnë dhe t’i pranojnë këto akte – për hir të të ashtuquajturit progres, stabilitet dhe paqe në ndërtim e sipër.

Në një anë, e gjithë kjo vjen edhe si rezultat i udhëheqësisë politike të Kosovës. Kjo e fundit, jo vetëm që ka hyrë dhe ka vazhduar procesin shtatë vjeçar pa planifikim apo strategji. Në tërësi, kjo udhëheqësi ka dështuar të paktën të përmendë çështjen e 1,647 personave që vazhdojnë të mbesin të pagjetur, e lëre më të shtyjë përpara njohjen apo të ndikojë që Serbia të pranojë rolin si agresori fillestar i luftës.

faqen e tij në Facebook, Presidenti Hashim Thaçi (njëkohësisht lideri kryesor në dialog) tha që bllokada “tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta”, por që përderisa Kosova e Serbia kërkojnë të rregullojnë marrëdhëniet “protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë”. Përderisa shumica e kosovarëve janë mësuar me këto ‘muhabete boshe’, për dikë që është i thirrur të përfaqësojë popullin, kjo verbëri e vullnetshme ndaj shqetësimeve serioze është një shenjë tjetër që ai nuk duhet ta udhëheqë këtë proces.

Fakti që BE ka zgjedhur që të injorojë lavdatat e Vučić ndaj Milošević-it si “lider i madh Serb", do të thotë që BE vendosë vetë se kur i qorton të tjerët për
lavdërimin e liderëve gjenocidal.

Në anën tjetër, BE kaherë ka dëshmuar që kur bëhet fjalë për regjionin, autokratët dhe ‘stabilokracia’ në përgjithësi, për të mos thënë  gjithnjë, do të jenë më të rëndësishme se sa shqetësimet e qytetarëve dhe arritja e një shoqërie njëmend demokratike. Zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi prej vitit 2013, citohet të ketë shprehur ‘keqardhjen’ për anulimin e vizitës së Vučić-it në Banjë. Komenti i tyre ishte asisoji që thoshte që përderisa “vizita u realizua në një atmosferë paqësore dhe me mbështetje të plotë të autoriteteve… qytetarë të zakonshëm barrikaduan rrugën për në Banjë”.

Një qëndrim i këtillë tenton të privojë qytetarët nga e drejtja që të shpërfaqin agjencinë e tyre, njëkohësisht duke tentuar që t’i udhëzojë ata se si të sillen në mënyrë ‘qytetareske e të pranueshme’.

Pra, në esencë, cilat janë vlerat e BE-së? A mbështetë BE-ja lirinë e mendimit, fjalës dhe shprehjes? Apo kur është e përshtatshme, këto elemente janë thjeshtë aksesorë opsional që edhe mund të shmangen? Cilat janë vlerat e BE-së karshi regjionit dhe specifikisht karshi dialogut Kosovë-Serbi? A është për BE-në drejtësia trancizionale thjesht kusht që duhet plotësuar në letër? Apo Serbia do të shndërohet në kufirin e zgjeruar të BE-së me një lider që në diskursin e tij – si dhe në politikat e brendshme shtetërore të tij – afrohet me kryeministrin ksenofob e popullist të Hungarisë fqinje, Viktor Obran?

Fakti që BE ka zgjedhur që fillimisht të injorojë lavdatat e presidentit aktual serb ndaj Milošеvić-it si “lider i madh serb”, duke reaguar vetëm pasi që iu kërkua një përgjigje, do të thotë që BE vendosë, varësisht se si i përshtatet, kur qorton të tjerët për lavdërimin e liderëve gjenocidal, e kur nuk i qorton. Edhe pas kësaj, përgjigja e dhënë nga Maja Kocijančič, zëdhënëses për Punë  të jashtme dhe politikat e Sigurisë së BE-së, dështoi të qortojë Vučić-in zëshëm dhe drejtpërsëdrejti, e cila foli në përgjithësi rreth refuzimit dhe tejkalimit të politikave të të kaluarës.

Në gusht, kur Vučić tha se gjatë vizitës së tij të 9 shtatorit në Kosovë ai do ta jipte “fjalimin më të rëndësishëm politik të jetës së tij”, kishte pritje të menjëhershme që ky fjalim do kishte ngjashmëri me fjalimin kontravers të vitit 1989 të Milošеvić-it në Gazimestan.

Por, Vučić-i bëri shumë më shumë se aq:

28 Qershor, 1989, Gazimestan, Milošеvić: Pas gjashtë shekujve, sot ne jemi sërish në beteja dhe duke u ballafaquar me to. Nuk janë beteja të armatosura, anipse edhe ato (beteja) nuk përjashtohen”.

9 Shtator, 2018, Mitrovicë e Veriut, Vučić: Milošеvić ishte lider i madh serb, qëllimet e të cilit ishin padyshim më të mirat, por për ne, rezultatet ishin shumë më të këqija”.

Vučić e largoi mundësinë e armëve si zgjidhje, por e përdori sinonimin e regjionit për gjenocidin, spastrimin etnik dhe dhunimin masiv – pra, Slobodan Milošеvić-in – që ta bëjë të qartë atë që donte ta përçonte.

Qëndrimi i Vučić-it nuk është thjesht përpjekje për revizionizëm historik. Poashtu, nuk është thjesht një provë e radhës e refuzimit të shtetit Serb që të pranojë mizoritë e bëra në emër të shtetit Serb.

Në fjalimin e tij të vitit 1989 në Gazimestan, Milošеvić konfirmoi projektin e tij politik nacionalist dhe lansoi kampanjat e spastrimit etik që u zbatuan nëpër gjithë Jugosllavinë. Përgjatë një dekade, 150,000 vdekje u numëruan në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kroaci; në Kosovë, 10,000 civilë të vrarë, rreth 1 milionë të deportuar dhe mijëra të dhunuar që janë heshtur.

Pra, ja vlen të thuhet edhe një herë, ky nuk është thjeshtë një lëshim i vogël. Gati tri dekada më vonë, Vučić thotë: “Milošеvić ishte lider i madh serb, qëllimet e tij ishin padyshim më të mirat, por për ne, rezultatet ishin shumë më të këqija”.

Ky duhet të jetë kryetitulli dhe ky kryetitull duhet përsëritur vazhdimisht – sepse tensionet dhe konfikti nuk rrjedhin prej asgjësë. Ato kanë histori dhe kontekst. E nëse disa mund të zgjedhin të mendojnë që kjo deklaratë disi humbi e u zbut prej gjërave “të tjera, e premtuese”, që Vučić tha, atëherë, ata po zgjedhin të mashtrojnë veten.

Qëndrimi i Vučić-it nuk është thjesht përpjekje për revizionizëm historik. Poashtu, nuk është thjesht një provë e radhës e refuzimit të shtetit serb që të pranojë mizoritë e bëra në emër të shtetit serb.

Por, është tregues i qartë dhe paralajmërim se si ai do të vazhdojë të qeverisë qeverisjen, sidomos kur bëhet fjalë për procesin e ‘normalizimit’.

Dhe për aq kohë sa nuk ka njohje kolektive shoqërore të Serbisë – jo thjesht distancim prej asaj që ka ndodhur, por njohje dhe pranim të së kaluarës – atëherë, reagimi nga të tjerët bëhet përgjegjësi shoqërore e politike.

Pak ditë më parë, e dëgjova thënien, “Paqja nuk është thjesht mungesa e luftës, por prania e drejtësisë”.

Tingëllon si e vërtetë për regjionin – tash, më shumë se kurrë.K

Foto kryesore: K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO