Pikëpamje | Politika

Inaugurimi i dytë i Vucic e shfaq fytyrën e re të pushtetit në rajon

Nga - 28.06.2017

Burri që i ka të gjitha përveç…

Aleksandar Vucic hyri në botën e politikës serbe në vitin 1993, si 22 vjeçar, e prej atëherë nuk ka punuar në asnjë fushë tjetër (edhe pse një herë kishte thënë se kishte qenë i punësuar në mënyrë të paligjshme në një dyqan të pajisjeve mekanike në Londër – pretendim jo fort bindës). Brenda pesë viteve ai ishte emëruar si ministër, duke e poseduar kështu portofolion informativ në qeverinë e kontrolluar nga Slobodan Milosevic, e të udhëhequr formalisht nga Mirko Marjanovic. Tani në moshën 47 vjeçare, pasi i ka kaluar tre vite si kryeministër i vendit, ai po e merr pozitën e presidentit të Serbisë. Përsëri.

Përsëri? Qysh ashtu? Presidenti Vucic veç se e mbajti një inaugurim me 31 maj. Kjo u përcoll me zgjedhje me 2 prill, kur edhe e fitoi rundin e parë bindshëm, me 39 përqind më shumë se kundërshtari i tij më i afërt. Të gjithë konkurruesit arritën vetëm që ta ndjekin një tip me kostum të bardhë e flokë të kapura, i cili konkurroi veç për shaka.

Për një person që gjithmonë ka kërkuar vetëm e vetëm fuqi politike, u prit që ky të ishte një moment triumfi, një moment shumë i kënaqshëm. Partia që ai e krijoi (bashkë me paraardhësin e tij në pozitën e presidentit, Tomislav Nikolic) në vitin 2008 ka korrur fitore në vazhdimësi në zgjedhje. Secila parti opozitare ka kollapsuar, Vucic e ka mbështetjen e Europës dhe Rusisë, dhe është i përgatitur – si ish-presidenti Boris Tadic – për ta ushtruar fuqinë përtej rolit ceremonial që ia ofron kushtetuta serbe presidentëve.

Ndonëse pjesa më e madhe e vëmendjes që i është kushtuar kryeministres së re ka qenë e përqëndruar në orientimin e saj seksual, këtu përfundon veçantia e saj. Ana Brnabic është me gjasë shumë më gej se kryeministri i kohës së Tadic, Mirko Cvetkovic, por ajo është zgjedhur për arsye të ngjashme dhe me pritje të ngjashme: si person pa mbështetje të pavarur zgjedhore, në të cilin mund të llogaritësh për zbatim të bindshëm të politikave të cilat ajo nuk i ka zhvilluar vet.

Valë e protestave

Por periudha e pushtetit të papenguar të Vucic nuk ka nisur mirë. Vet zgjedhjet u shëmtuan nga pretendimet e shumta për kërcënime e mashtrime. Menjëherë pas zgjedhjeve u mbajtën disa protesta të cilat edhe pse ishin kaotike dhe të palidhura, nivelin e pjesëmarrjes e kishin të lartë për disa jave në disa vende të ndryshme.

Popullariteti i protestave, veçanërisht pasi u mbajtën pas fitores së bindshme zgjedhore, i shtyu shumë njerëz që të pyesin se, a thua një numër i konsiderueshëm i njerëzve që votuan për Vucic tani po protestonin kundër tij? Ka shumë gjasa të ketë ndodhur kjo, meqë ka njerëz që janë detyruar në një anë që t’i binden udhëzimeve për të votuar për ta mbrojtur vendin e punës apo ndonjë përfitim tjetër, e në anën tjetër besojnë në diçka krejtësisht tjetër.

Kjo atmosferë pasigurie kontribuoi në një ceremoni të varfër të inaugurimit me 31 maj. Lëvizja protestuese ‘Shtatë Kërkesa’, mes tjerash, u përpoq që të demonstrojë kundër përqëndrimit të fuqisë në duart e ‘Erdoganit të ri’. Marshe të ngjashme simbolike u organizuan prej partive opozitare politike. Disa agjenci private të sigurimit i kundërshtuan protestat me një valë të dhunës kundër qytetarëve dhe gazetarëve.

Raportet në lajme u përqëndruan në numrin e mysafirëve, liderët e huaj, në festën madhështore të ritualit të inaugurimit të Vucic dhe përjetësimit të fuqisë së tij.

Profesoresha e degës së Juridikut në Union University, Vesna Rakic Vodinelic, e përshkroi këtë ngjarje si ‘inaugurimi Savamala’, duke aluduar incidentin shumë të denoncuar në të cilin disa oficerë privat të sigurimit, të pajisur me maska e gjoja të angazhuar nga qeveria e qytetit të Beogradit, gjatë natës e shkatërruan një ndërtesë për të marrë kontrollin e pronës, duke shkaktuar një vdekje. E thënë shkurt, marrja e presidencës nuk i solli njohjen e legjimitetin e kërkuar Aleksandar Vucicit me të parën.

Pra filluan të lëvizin rrotat drejtë inaugurimit të tij për herë të dytë, me 23 qershor. Kjo përpjekje ishte e pakët në përmbajtje (Vucic nuk morri ndonjë post, sepse veç e kishte marrë më parë) por tepër e përqëndruar sa i përket simbolizmit.

Ceremonia u mbajt në ndërtesën e dikurshme të Këshillit Federal Ekzekutiv Jugosllav (SIV) në Beogradin e Ri, një ndërtesë gjigante moderniste pranë lumit, e dizajnuar për të projektuar prestigjin dhe rëndësinë e një shteti që nuk ekziston më – pushtetasit modern e kanë riemëruar këtë ndërtesë ‘Pallati i Serbisë’. Gjatë raportimit në media u theksua pjesëmarrja e liderëve rajonal në këtë ceremoni. Ata e lëvduan stabilitetin dhe jetëgjatësinë e pushtetit të Vucic.

Aspak në harmoni me rrethanat, Vucic, i cili arriti të bëhet i rëndësishëm në politikë nëpërmjet një partisë të së djathtës ekstreme (ajo e regjimit të Milosevic), pretendoi gjatë fjalimit të tij se “ne jemi gjenerata që e kuptoi se problemet nuk ekzistojnë”.

Si llunapark i Disney-t

Sasia kryesore e energjisë simbolike iu përkushtua identifikimit të Vucic me Serbinë dhe Serbisë me rajonin.

Dhomat e pritjes në ish-SIV, të emëruara gjatë periudhës jugoslave pas republikave të ndryshme të federatës jugosllave, u shndërruan në ekzpozita për rajonet e Serbisë. Në secilën prej tyre kishte aktorë me kostume të cilët përfaqësonin figura nga historia dhe kultura serbe, e të cilët recituan fragmente të shkurtëra të letërsisë ose teksteve për rëndësinë historike të rajonit të tyre. Paralel aktorëve u shërbye edhe ushqim i lehtë, nga një specialitet i ndryshëm në secilën dhomë.

Në frymën e llunaparkut EPCOT të Disney Corporation, secila performancë e diversitetit u reduktua në një minium piktoresk e joarmiqësor. Ndoshta mesazhi kishte për qëllim t’i bënte jehonë tekës së Vucic që e shprehi gjatë fjalimit të tij: “ne jemi duke ndryshuar”. Në këtë rast u bë një tranzicion nga vulgariteti në banalitet.

Uebfaqja satirike Njuz.net e nxjerri tamam kuptimin thelbësor të kësaj ngjarjeje, nëpërmjet një artikulli që premtonte edhe dy inaugurime për Vucic, i cili me inaugurimin e tij kishte hyrë në listën e “një prej 10 inaugurimeve më të bukura në Europë”.

Edhe publiciteti që e shoqëroi këtë ngjarje e shënoi një ndryshim prej përmbajtjes së hapur politike në marketing të pastër. Raportet në lajme u përqëndruan në numrin e mysafirëve, në festë e në karakterin madhështor të ritualit, si dhe në mënyrat se si kjo ceremoni masive e përfaqësonte rëndësinë dhe prestigjin (e rifituar?) të vendit. Një gazetë madje e ofroi një recetë, duke i ftuar lexuesit që ta përgatisin e shijojnë një delikatesë që do t’i shërbehej edhe mysafirëve të ftuar.

Uebfaqja satirike Njuz.net e nxjerri tamam kuptimin thelbësor të kësaj ngjarjeje, nëpërmjet një artikulli që premtonte edhe dy inaugurime për Vucic, i cili me inaugurimin e tij kishte hyrë në listën e “një prej 10 inaugurimeve më të bukura në Europë”.

Në qoftë se reagimi i Vucic ndaj pasigurisë dhe legjitimitetit të dobët të konsolidimit të pushtetit nga ana e tij është arranzhimi i një ceremonie mburravece e kitsch, mund të mësojmë diçka prej kësaj. Si për shembull, që përvoja nga afër e ka mësuar atë që të mos merr qëndrime: Të jetë edhe pro-pajtimit e edhe pro-eskalimit të tensioneve. Të jetë edhe pro-rus e edhe pro-evropian. Të flas për demokraci ndonëse është duke e kontrolluar sistemin e drejtësisë dhe shtypin. Të thotë sa më pak që është e mundur, në mënyrë që të shtohet probabiliteti që të gjithë të pajtohen me të. Dhe të mbështetet në kategoritë më të përgjithshme – siguria, stabiliteti, Shteti – që janë në dispozicion.

Në fund kjo strategji mund të rezultojë e suksesshme, kryesisht sepse të gjithë tjerët janë tepër të dërrmuar për të reaguar.

Njerëzit që janë në pushtet janë me gjatë më shumë të vetëdijshëm për dobësinë e kësaj pozite se mbështetësit e tyre. Ata e dinë që mandat plebishitar nuk është mandat që të lejon që të bësh çfarë të duash, dhe se mund të ta marrin po aq lehtë sa ta kanë dhënë. Dhe ata e dinë që atmosfera e pashmangshmërisë është fluskë që mund të shpërthehet, dhe shpeshherë ndodh.

Kemi qenë dëshmitarë të gjeneratës së një lloj shteti në gjysëm-periferi që sillet rreth imazhit të vet të stabilitetit, përderisa angazhohet tepër pak (e frikshme është sa pak) me gjëra konkrete që i bëjnë shtetet dhe shoqëritë stabile. Uniformat dhe ritualet do t’i bëjnë që të duken të fuqishëm, deri sa nuk shkon më.

Ndërkohë, pas komunizmit dhe autoritarizmit nacionalist, kjo është fytyra e re e pushtetit në rajon. Me sy shpatë shikon kah asgjëja duke i dhënë vetës rëndësi.

Foto kryesore nga zyra e mediave të Presidentit të Serbisë.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO