Biseda | Aktivizmi

DUKE PRITUR AUTOBUSËT

Nga - 18.05.2016

Themeluesi i nismës së aktivizmit të qytetarëve thotë se duhet të vazhdojë presioni ndaj institucioneve për ndryshim.

Pas disa muajve plot grindje politike, si duket jemi afër ta gjejmë një zgjidhje për ngërçin e kahmotshëm të reformimit të trafikut urban në Prishtinë. Pas një debati maratonik në Kuvendin Komunal të Prishtinës, deputetët më herët u pajtuan në mënyrë unanime që ta mbështesin mocionin për një marrëveshje të propozuar për kredi që do të ndihmonte me rigjenerimin e sistemit të transportit në kryeqytet, me anë të blerjes së 51 autobusëve të rinj.

Mocioni konfirmon se Komuna do të veprojë si garantuese për një marrëveshje për kredi 10 milion euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe propozon që marrëveshja tani të dërgohet në qeveri për të marrë nënshkrimin e nevojshëm nga Ministria e Financave. Progresi i sotëm vjen pas presionit që iu bë politikanëve nëpërmjet nismës së lansuar në Facebook javën e kaluar nga qytetarët e Prishtinës. Për Prishtinën i ka nxitur politikanët që të marrin masa të menjëhershme për ta kaluar ngërçin e reformimit të sistemit të transportit publik në kryeqytet.

Fushata e parë e nismës, “Nënshkruaje, Ministër” përfshinë një peticion që i bënë thirrje Ministrit të Financave, Avdullah Hotit, që ta nënshkruajë një marrëveshje që do ta bënte qeverinë garantuese plotësuese për kredinë e BERZH.

Megjithatë, deri sot ka pasur pak progres për këtë marrëveshje; Komuna e Prishtinës dhe qeveria qendrore të dyja po e fajësojnë njëra tjetrën për vonesë. Problemi i transportit e ka formuar një burim kyç të tensionit politik në mes të LDK, që më herët e kontrolloi Komunën dhe që janë një prej partnerëve të koalicionit në qeveri qendrore, dhe Vetëvendosje, e cila e morri në kontroll Prishtinën në 2014 kur Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar.

Ahmeti, që reformat e transportit urban i përdori si premtim kyç në zgjedhje, e ka akuzuar Hotin dhe Kryeministrin Isa Mustafa për “sabotim”, duke argumentuar se komuna veç se e kishte kryer pjesën e vet, dhe se vonesat kanë qenë të qëllimshme dhe politikisht të motivuara nga qeveria qendrore. Duke iu referuar Ligjit për Ndërmarrje Publike, Ahmeti vazhdimisht deklaroi se e tëra që nevojitej në mënyrë që ndërmarrjet publike të marrin vendime për projekte me shpenzime të larta ishte autorizimi i vendimmarrësve të ndarmarrjes dhe nënshkrimi i kryetarit të komunës – këto të dyja ndodhën në tetor 2015.

Megjithatë Hoti ka insistuar se komuna e ka rendin për të vepruar, duke aluduar se marrëveshja së pari duhej të ratifikohej nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, para se të nënshkruhej nga Ministria e Financave, dhe më pas të ratifikohej me shumicë dy të tretat në Kuvendin e Kosovës.

Para progresit të sotëm, Ahmeti pretendoi se qe një muaj ka bërë thirrje për takim me BERZH dhe qeverinë për të diskutuar se si duhet të tejkalohet ngërçi, por se qeveria nuk e ka pranuar këtë takim.

Pasi duket se rruga është shtruar që tani më Ministri Hoti ta nënshkruajë marrëveshjen, K2.0 foli me nismëtarin e peticionit, aktivisti Krenar Shala. Ai tregoi për synimet e nismës Për Prishtinën, arsyet për fushatën “Nënshkruaje, Ministër” dhe hapat e mundshëm që mund t’i ndjekin aktivistët civil në të ardhmën për të inkurajuar rregullim të përmirësuar të sistemit të trafikut urban në kryeqytet.

Cili ka qenë qëllimi i iniciativës “Nënshkruaje ministër”?

Krenar Shala: Kjo fushatë ka jo vetëm për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për trafikun në përgjithësi në Prishtinë por edhe për t’i bërë presion autoriteteve përkatëse, në këtë rast Ministrisë së Financave për ta nënnshkruar garancionin e kredisë nga Berzhi(Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim). Ne i kemi informatat dhe i kemi parë edhe dokumentet ku BERZH, aksionerët e trafikut urban, komuna e Prishtinës dhe Ministria e financave e kanë nënshkruar një dokument në të cilin janë specifiku krejt detajet sesi duhet të procedohet më tutje. Ministria e Financave në parim është pajtuar me marrëveshjen, mirëpo për shkak të kalkulimeve politike Ministria e Financave nuk po e nënshkruan marrëvëshjen që do t’i sillte Prishtinës autobusët e rinj.

Nga shembujt e tjerë, aty ku ka presione dhe ku janë sidomos apartiake rezultojnë zakonisht të suksesshme.

Fatkeqësisht LDK-së nuk po i konvenon që në komunë të Prishtinës me shku gjërat ashtu siç duhet me shku sepse vet fakti se LDK e ka humbur pushtetin dhe ka humbur për shkak të keqqeverisjes, ata po kalkulojnë që prapë të vijnë në pushtet e nëse bëhen reforma në trafik nuk mendoj se ata do të vijnë në pushtet.

Qëllimi është që të gjitha shtresat e shoqërisë në Prishtinë me i mobilizu edhe me u kap për këtë temë e mos me leju me deviju debatin në një diskutim partiak. Qëllimi pra është me i ba njerzit me u marr me çështje praktike sepse po e shohim se partitë politike janë kalkuluese të interesave të ngushta.

Pse është e rëndësishme kjo iniciativë?

Ne jemi dëshmitar të komunikacionit në Prishtinë dhe njerëzit ankohen se çysh prej pikës A deri në pikën B ju merr kohë një orë kur ish dashur vetëm 5 minuta dhe kjo ka kriju një irritim të madh tek qytetarët. Unë them, fatmirësisht që nuk ka një analizë socio-psikologjike për me e mat stresin e ngasësve të automjeteve në komunikacion sepse me ato rezultate edhe me ndotjen e ambientit që e kanë autobusët aktual mendoj se kish shkaktu tërmet politik.

Në vitin 2013 është ndërruar pushteti me e transferu qytetin. Transformimi ka shumë të meta dhe jemi shumë të pakënaqur dhe si rezultat ky grup i shoqërisë civile e ka parë të udhës që njëra ndër projektet kryesore që kjo qeverisje e re ia ka premtu qytetarëve të Prishtinës duhet me ecë përpara sepse ne si qytetarë të Prishtinës nuk mundemi me qenë pre e kësaj doktrinës fisnore ‘për inati të rejës me dekt djali’. Neve po na intereson me u rregullu trafiku dhe gjitha premtimet që i ka ba komuna e Prishtinës me i realizu deri në fund.

Pse kjo kampanjë është ndryshe dhe çka siguron se nuk do të mbetet vetëm një kampanjë fejzbuk-u që nuk ka me pas ndikim përtej?

Ne kemi në Kosovë disa raste kur përmes presioni qytetar, organizimit e avokimit munden të arrihen rezultate. Shembulli i parë është rektori[Universiteti të Prishtinë], shembull tjetër është shkarkimi i [ish zëvendës kryeministrit Aleksander] Jabllanovicit. Besoj se shembulli i tretë do të jetë ky edhepse s’besoj se do të ketë protesta masive.

Në anën tjetër tjetër mendoj se kjo ka me qenë dëshmi që qytetarët e Kosovës janë aktiv edhe nuk po mjaftohen me pavarësinë sepse pavarësia nuk po hahet. Atë duhet me e realizu në terren e me ndërtu shtetin e mu kap për probleme ma të prekshme. Në 7 muajt e fundit ka qenë një vëmendje e madhe tek marrëveshjet e asociacionit dhe demarkacionit, ndërkohë janë harruar disa probleme që janë të përditshme dhe që janë duke rënduar] shumë jetën e qytetarëve.

Sot kemi parë një hap përpara drejt zhbllokimit të projektit të transportit publik. Cila është e ardhmja e kampanjës “Ministër Nenshkruaje”?

Synimi ynë është të bëjmë sa ma shumë nënshkrime dhe nuk kemi caktu ndonjë limit. Ne kemi në plan të përdorim edhe forma tjera të presioni. Mendoj se presioni i qytetarëve karshi kësaj kauze nuk do të na lejojë që neve ta ndalim këtë iniciativë.

Fushata jonë do të ndalet në atë moment kur të e shohim që trafiku urban në Prishtinë është rregulluar tërësisht. Pra, kushdo që vjen në pushtet ne do t’a mbajmë përgjegjës dhe në këtë rast përgjegjësinë kryesore e ka komuna, por në këtë fazë topin është te Ministria e Financave. Në momentin që ministria e nënshkruan garancionin prapë topi do vie te komuna e Prishtinës dhe prapë do vazhdojë presioni përmes akovimit e formave të ndryshme.

Miratimi i kerkesës nga ana e Kuvendin Komunal është një hap përpara. Megjithatë, tanimë hapi tjetër është miratimi nga ana e Qeverisë dhe pastaj Presidenti i Republikës duhet t’a autorizoj Ministrin për ta nenshkruar garancionin. Pra, kauza e jonë ende nuk ka përfunduar. Pra, presioni do të vazhdoj derisa ta kemi nënshkrimin e ministrit.

Cila do të jetë çështja tjetër që do të ngrisni?

Çështja tjetër në agjendë të kësaj kauze është miratimi i Ligjit për Prishtinën [sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Vetëqeverisje lokale, kryeqyteti duhet të rregullohet me ligj specifik që jep kompetenca të shtuara në krahasim me qytetet tjera në Kosovë]. Presioni nuk duhet të ndalet derisa qytetarët shohin ndryshimet thelbësore në komunikacion.

Iniciativa juaj ka gjetur përkrahje nga Lëvizja Vetëvendosje, a mundet kauza juaj të konsiderohet politike-partiake?

Mendoj se kauza jonë ka marr një epitet shumë qytetar, konkret e pragmatik. Vetë fakti se ekziston nje kauzë qytetare dikujt i pengon edhe atyre që iu pengon mundohen që me tendenca me sabotu çfarëdo iniciative qytetare. Neve këto tendenca nuk do të na pengojnë dhe do të vazhdojmë rrugën tonë qytetare sepse e dijmë se pjesa dërrmuese e qytetarëve të Prishtinës ka interes që të rregullohet trafiku, pa marrë parasysh çfarë partie që i takon, pra ka interes edhe vet familja e ministrit i cili nuk po e nënshkruan marrëveshjen sepse familja e ministri jeton këtu. Dhe ne do të vazhdojmë këtë fushatë sensibiliuese për me e nënshkru sa ma shpejtë garancionin që edhe vet Ministria e Financave është dakorduar në fillim.

Mendoj se nuk ka individë neutrale sepse gjithë jemi qytetarë politikë mirëpo nuk jemi partiakë dhe kjo ka rëndësi. Ndërkohë unë iu bëj thirrje krejt qytetarëve me qenë politikë sepse ata janë të tillë, vetë fakti që ti i paguan shtetit tatime je qytetar politik.Pra është në pyetje që a je politikisht aktivisht apo jo.Nisma e tillë nuk ka për qëllim vetëm rregullimin e trafikut por ka për qëllim të tregoj shembull për individë të tjerë që të organizojnë kauza të tilla që janë pragmatike dhe për interesin e qytetarëve.

Presioni i qytetarëve kundrejtë autoriteteve asnjëherë nuk mundet me qenë negativ. Ai gjithmonë ka anën pozitive.K