S`fundmi | DokuFest 2017

Të shikosh jetën tënde në ekran të madh

Nga - 09.08.2017

“Me dasht, me dasht, me dasht”, premierë në DokuFest.

Të hënën në mbrëmje (7 gusht) DokuFest e mbajti premierën e filmit të ri kosovar, “Me dasht, me dasht, me dasht”, në kinemanë me ambient të hapur të Lumbardhit. Drejtori artistik i festivalit Veton Nurkollari e lavdëroi shumë filmin, duke e përshkuar si filmi më i bukur për dashuri prej një regjisori vendas në 16 vitet e fundit, qysh prej edicionit të parë të DokuFest.

Ngazëllimi i Nurkollarit është i kuptueshëm. Dashuria, marrëdhëniet, frika dhe kufizimet që ushtrohen mbi rininë aktualisht në Kosovë rrallëherë portretizohen në filma, dhe gati kurrë me kaq sinqeritet si në filn “Me dasht, me dasht, me dasht”. Ky film nuk vendosë pritje joreale, e as nuk avokon romancë idilike, e as nuk është ndonjë histori e sakrificës, humbjes e largimit, që ta then zemrën. Është tregim shumë më i thjeshtë, e që bëhet edhe më real për shkak të faktit që protagonistët flasin me zërat e tyre natyral – përzierje tipike kosovare: shqip, gjermanisht dhe anglisht.

Ky film erdhi si rezultat i një projekti me performancë artistike nga Baushtellë në 2015, në të cilin pjesëmarrësve iu kërkua që ta shprehin vetën në mënyrë artistike, si reagim ndaj pyetjes: “Në çka beson?” Ilir Hasanaj, regjisori i “Me dasht, me dasht, me dasht”, u përfshi gjithashtu në këtë projekt. Njëri prej udhëheqësve, Tobias Benz, i kërkoi ati që ta bëjë një film për gjithë këtë proces.

Xhirimet filluan në vitin 2014. Pastaj, Hasanajt iu deshën shtatë muaj përgatitje: katër muaj xhirime intensive, gjysmë viti duke kërkuar financim, një vit tjetër duke e montuar me Isabella Kohl, dhe tre muaj dizajn të audios. Dhe ja ku e kemi. Rreth tre ditë para premierës, filmi ishte i gatshëm.

Foto nga Mrine Godanca.

Kohl tha për K2.0 që me gjithë atë material që e kishin në posedim, filmi kishte potencial për të qenë çfarëdo: për bashkëpunimin në mes të nacionaliteteve të ndryshme, apo logjistikën e vështirë të projektit, apo temat abstrakte të tij. Por në fund ata vendosën që të bëjnë diçka që i ngjanë një tregimi për dashuri, dhe prej shumë karakterëve, ata i zgjodhën Arbërin, Edonën dhe Gencin. Arbëri dhe Edona ishin duek u ndarë dhe po gjenin mënyra se si të përballojnë bashkëpunimin me njëri tjetrin. Genci, vëllau i vogël i Hasanajt, është karakter më i tërhequr që zakonisht nuk ka dëshirë të del prej shtëpisë e të merret me botën.

Kur Kohl u përfshi në projekt, ajo dhe Hasanaj i analizuan edhe një herë të gjitha materialet. “I krijuam tregimet për të tre protagonistët dhe zhvillimin e tyre, mënyra se si e nisin projektin dhe si ndihen”, zbuloi Kohl. “Iliri i bëri intervistat paralelisht me projekt performancën, pra gjithmonë e vërenim disponimin e tyre”.

Duke kontrolluar të gjitha aspektet e jetës së tyre, Kohl dhe Hasanj e panë se si karakterët po evoluonin, si dhe zhvillimin e mendësive të tyre përkatëse gjatë projektit. “Gjithmonë kemi pasë lidhje me atë që po e bënin për projektin, dhe atë që po e mendonin”.

Vet projekti dokumentohet kryesisht nëpërmjet opinioneve artistike që i jep Edona për ekspozitat. Kohl mendon se është e qartë që performancat dhe instalacionet e saja të cilat eksplorojnë temën e monogamisë dhe poligamisë mund të lidhen me atë që ndodh në mes të saj dhe Arbërit. “Shihet që atë që e bënë me artin e saj e ka gjithashtu brenda saj në atë moment”.

Shumica e njerëzve që u shfaqën në këtë film ishin të pranishëm në Prizren, për të parë jetën e tyre në ekranin e kinemasë, e për t’iu përgjigjur pyetjeve të audiencës. Foto nga Mrine Godanca.

Tregimet e dashurisë zakonisht përshtaten më shumë në filma artistik, por ky dokumentar/tregim dashurie i rrallë i mundësoi karakterëve që ta shohin vetën në të ardhmën, e të pasqyrojnë  për mundimet, mendimet, emocionet dhe veprimet e tyre, qoftë para apo prapa kamerës. Disa e shikuan me emocione, disa i nxiti që të zbulojnë e kuptojnë sende të reja, disa u befasuan për së miri, e disa e lidhën me një ndjesi melankolie.

Regjisori Hasanaj, i cili nëpërmjet dokumentarit të tij deshi që ta demonstronte dashurinë si “po aq natyrale sa rrotullimi i tokës”, mendon se ky film zbulon shumë për vetën e tij. “Mendoj se e kam kuptuar që jam person të cilit i pëlqen të jetë në një situatë ku ka emocione”.

Për karakterin kryesor, Edonën, përvoja e shikimit të vetës në kinema ishte afirmuese. E lejoi atë që ta sheh evoluimin e saj si person. “Tash i procesoj sendet më ndryshe, dhe e shoh procesin e dashurisë shumë më ndryshe”, tha ajo për K2.0. “Nuk mundësh me i lyp dikujt që me të dasht veç ty. Duhen me qenë të lirë, se veç ashtu munden me funksionu lidhjet”.

Asaj i duket interesante tash se sa e ndërlikuar i dukej jeta atëherë për shkak të një ndarjeje kaq të thjeshtë – “ose jeni bashkë, ose s’jeni”, tha ajo. Pavarësisht kësaj, ajo thotë se ndjenjat që i ndjeu atëherë ishin të vërteta, dhe ky film i paraqiti në mënyrë të drejtë. “Qysh tha Vetoni [Nurkollari], kur xhiron dashuri mundet me dalë palidhje, po ky film s’ka qenë palidhje, po shumë i vërtetë”.

Rina Kika, e cila e udhëhoqi këtë projekt arti dhe është një prej producenteve të filmit si dhe një prej karakterëve kryesor, thotë se kurrë nuk është lehtë me e pa vetën në film. “Nuk më pëlqen me e pa vetën, e më duket që kurrë nuk kisha pasë qejf me ndejtë me vetën”, tha ajo për K2.0, para se të kërkonte falje për sjelljet më autoritare që i bëri në film, duke insistuar që e kishte për detyrë që të jetë ashtu për shkak të rolit të saj në projekt. Kika e lavdëroi filmin, veçanërisht atë se si arriti që t’i shkrijë disa realitete të ndryshme, dhe t’i portretizojë marrëdhëniet mes njerëzve, si dhe atë që e kanë më të rëndësishme.

Arbëri nuk arriti që të merr pjesë në premierë meqë aktualisht është duke marrë pjesë në një projekt tjetër artistik në Kassel me dokumenta, por K2.0 foli me të nëpërmjet postës elektronike. Ai gjithashtu e konfirmoi natyrën e sinqertë të filmit: “Personalisht gjithmonë mundohna me i lanë sendet me ndodh, e projekti Baushtellë ka kërku sinqeritet absolut për gjithçka”, shkroi ai. “Gjithçka që shihet në film ka ndodh”. Arbëri e ka parë gjithashtu produktin final, dhe është kënaqur gjatë procesit: “Interesant me e pikëpamjen e një syni tjetër në jetën tande”.K

“Me dasht, me dasht, me dasht” do të shfaqet përsëri nga ora 22:00 të enjten në mbrëmje në Kino Plato dhe të premtën në mbrëmje në Kino N’Lum.

Foto kryesore: Mrine Godanca.